top of page

POEZIA E VISAR ZHITIT BOTOHET NË KINË


“DUKE MBLEDHUR DRITË”

POEZIA E VISAR ZHITIT BOTOHET NË KINË


- Libri dhe një intervistë nga Andreas DUSHI -


Shkrimtari Andreas Dushi


Sapo ka dalë në Kinë poezia e shkrimtarit tonë Visar Zhiti, një përmbledhje e gjerë, e titulluar “Duke mbledhur dritë”, botim i shtëpisë botuese kineze, “The Earth Culture Press”, 2023.

Libri është në dy gjuhë, në anglisht dhe në atë kineze, përmledh poezi që përfshijnë tre kohë të jetës së autorit.

Poezi nga koha e parë, që u bënë shkak që Visar Zhiti në moshë të re të arrestohej me akuzën për ekuivoke dhe metafora të papranueshme për Realizmin Socialist, trishtim dhe hermetizëm, prandaj dhe e dënuan me 10 vjet burg; koha e dytë përmbledh poezi të shkruara fshehurazi në atë burg…

Poezitë e këtyre dy kohëve janë përkthyer nga shqipja në anglisht prej albanalogut të shquar, kanadezit Robert Elsie, ndërsa nga anglihtja në gjuhën kineze i përktheu Cheng Yanjun.

Koha e tretë përmbledh disa nga krijimet e tij më të vona, të shkruara, kur vendi nuk ishte më nën diktaturë, por i hapur dhe ato janë vazhdim i lirisë së brendshme të autorit, të asaj lirie që të jep poezia.

Poezitë e kohës së tretë i përktheu nga shqipja në anglisht poetja dhe përkthyesja Ani Gjika, me banim në SHBA, ndërsa nga anglishtja në gjuhën kineze i ka përkthyer Guo Xiaoqian.

Sipas poetit poezia ngjan me dritën, prandaj dhe libri ka atë titull si biblik, të mbledhësh dritë.

Përmbledhja bën pjesë në “Serinë e Librit të Poetëve Botërorë” (Book Series of the World Poets”, të drejtuar nga Editori Arthur Zhang dhe është pritur mjaft lart.


Në kopertinën e pasme të librit shkruhet:

RRETH AUTORIT


Visar Zhiti është një nga poetët më popullorë të Shqipërisë së sotme. Lindi në Durrës, në Shqipëri, u rrit në Lushnjë, ku mbaroi shkollën në vitin 1970. Pasi kreu studimet për mësuesi në Institutin e Lartë të Shkodrës, ai nisi karrierën n¨eprofesionin e tij në Veri, në qytetin malor të Kukësit.

Zhiti tregoi që herët interes për vargjet dhe botoi disa nga poezitë e veta në periodikët kulturorë. Në 1973 ai përgatiti për botim përmbledhjen “Rapsodia e jetës së trendafilave”, kur shpërtheu në Tiranë i ashtuquajturi “Spastrimi I liberalëve” në Plenumin e Katërt të Partisë Komuniste…

Visar Zhitit arrestohet në 8 nëntor 1979 në Kukës, kur ishte ende mësues. Dënohen me një gjyq surrogato në prill të 1980 me 13 vjet heqje lirie. Pas burgut të Tiranës, shpërngulet në kampet famëkeqe të përqendrimit në Veri, të rrethuar nga malet, të ngjashëm me Gulaget Sovjetike dhe përveç kësaj përjetoi ferrin e minierave të bakrit në Spaç dhe burgun e akullt në malet e Qafë-Barit. Visar Zhiti lirohet në 28 janar të 1987 dhe pastaj “lejohet” nga Partia të punojë në një fabrikë tullash në Lushnje, ku mbajti një profil të ulët deri në fundin e diktaturës.

Në vjeshtën e vitit 1991, kur Shqipëria ishte në gjendje kaosi, Visar Zhiti arrin të shkojë në Itali dhe punon në Milano. Ai viziton Gjermaninë për disa muaj në 1993 me një bursë të ofruar nga Fondacioni Heinrich Böll dhe shkon në Shtetet e Bashkuara në 1994. Kthehet në Shqipëri dhe punon si gazetar dhe emërohet drejtor I Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”.

Në 1996 Visar Zhiti zgjidhet deputet në parlament, por i tronditur nga realitetet e zymta të partive politike shqiptare, ai i largohet jetës politike. Në 1997 ai i bashkohet shërbimit të jashtëm shqiptar dhe emërohet dy herë si ministër këshilltar në ambasadën e Shqipërisë në Romë, Itali dhe në 2015 titullar i ambasadës së Shqipërisë në Selinë e Shenjtë.


PAS POEZIVE NË PASTHËNIE


Në fund të përmbledhjes “Duke mbledhur dritë në tre kohë”, botuesi bën një jetëshkrim të poetit Visar Zhiti, që kaloi “nën shpatën e Demokleut në kohën e Partisë” dhe informon për veprën e tij duke nisur me vlerësimin e lartë, të bërë nga albanologu Robert Elsie në botimin e poezisë së tij në SHBA.

Visar Zhiti është një shkrimtar shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit mbase janë pasqyra më e mirë e kombit të tij.

Ai është njëri nga ata që vuajti persekutimin e tmerrshëm pa ndonjë arsye të dukshme. Visar Zhiti mbijetoi, - fizikisht, intelektualisht dhe emocionalisht…” dhe pastaj vendosen të gjitha ato që janë të shkruara në kopertinën e pasme të librit. Dhe vazhdohet:


Librat e Visar Zhitit janë botuar dhe në vende të tjera dhe poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë si anglisht, frengjisht, gjermanisht, polonisht, holandisht, greqisht, hebraisht, flaminge, arabisht, serbe, malazeze, boshnjake, kroate, kinezçe, etj.

Ai ka përkthyer në shqip lutje të Shenjtes Nënë Tereza, poezi nga Federico Garcia Lorka, Mario Luzi, Isikava Takuboku, Sebastiano Grasso, Adonis, etj.


* * *

Visar Zhiti ka marrë shumë çmime letrare në vendin e tij, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Itali, Rumani dhe gjithashtu shumë mirënjohje ndërkombëtare:


1. Leopardi d’oro, Milano, 1991

2. Racconta il tuo Dio, Milano, 1992

3. Çmimi Kombëtar - për veprën më të mirë në poezi, Tiranë, 1994

4. Velija - Çmimi mbarëkombëtar për letërsi, Tiranë, 1995

5. Gaetano Salveti, Romë, 1997

6. Ada Negri, Lodi Vecchio, 1998

7. La cultura del mare, San Felice Circeo, 1999

8. Premio alla carriera, Romë, 2000 9. Naim Frashëri, Tetovë, Maqedoni, 2001

10. Kalimerja, Ulqin, Mali i Zi, 2002

11. Çmimi i parë i poezisë, Gjakovë, Kosovë, 2003

12. Penda e argjendtë, për romanin më të mirë të vitit, 2003

13. Asdreni, Korçë, 2005

14. Libri më i mirë i Panairit të Shkupit, 2007

15. Premio Internazionale “Mario Luzi”, Romë, 2007

16. Shkrimtari i vitit, Tiranë, 2008

17. Çmimi letrar “Beqir Musliu”, Gjilan, Kosovë, 2009

18. Mirënjohje, Rozhajë, Mali i Zi, 2012.

19. Çmimi i Madh i Letërsisë, Tiranë, 2012

20. Çmimi “Kurora e poezisë”, Korçë, 2014

21. Çmimi “Azem Shkreli”, Pejë, Kosovë, 2015

22. Çmimi “Ali Podrimja”, Gjakovë, Kosovë, 2015

23. Linguaggio dell’anima, Roma, 2016

24. Çmimin e Karrierës në poezi, Como, Itali, 2019

25. Çmimi “Dega e Ullirit”, Panairi i Librit në Ulqin, Mali i Zi, 2019

26. Çmimi i Madh “Mihai Eminescu”, Festivali Botëror, Craiova, Rumani, 2022


Është anëtar i Akademisë Internacionale të Arteve të Bukura, të Letërsisë dhe Shkencës “Alfonso Grassi” në Itali dhe anëtar i Akademisë Europiane të Arteve, në Maqedoni e Veriut, po kështu është anëtar i PEN Klubit në Itali.

Si shkrimtar i njohur në vendin e tij ka marrë pjesë në shumë festivale botërore, në Itali, Greqi, Slloveni, Austri, Rumani, SHBA, etj.

Ai është dekoruar brenda dhe jashtë vendit, Ka titullin “Mjeshtër i Madh”, dhënë nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë Emri i Visar Zhitit është i përfshirë në enciklopedi dhe në Fjalorë Enciklopedikë në Shqipëri, në Enciklopedinë e njohur Piccolo Treccani - Itali, në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, etj.

Tani jeton si shkrimtar i lirë.”


Libri mbyllet me shënimin:

RRETH PËRKTHYESVE


Cheng Yanjun,

lindur në Zhengzhou, Provinca Henan në Kinë, ka mbaruar studimet bachelor në Arte dhe në përkthim në Universitetin Nankai, Master në shkallën e Studimeve të përkthimit në programin e Gjuhës dhe të Letërsisë Angleze në Nankai në mbikqyrjen e Profesor Zhang Zhizhong, Ai ka publikuar dy kërkime shkencore në përkthimin e poezisë në Minority Translators Journal dhe Austrian Chinese Magazine. Ka gjithashtu mbi 60 artikuj dhe poema të botuara në revistat Rendition of International Poetry dhe Poetry Hall. Ka fituar 7 çmime kombëtare në konkurset e përkthimit, etj.


Guo Xiaoqian,

vendase e Handanit, Provinca Hebei, me studimet pasuniversitare në Gjuhën dhe Letërsinë Angleze në Universitetin e Hobeit.

Ajo ka përkthyer Përmbledhjen e Haikut Kinez të Zhu Kunling, gjithashtu është bashkëpërkthyese poemash të përmbledjeve të Zhang Zhongai bashkë me poetin kinez Bei Ta dhe është autore e shumë artikujve.



“RRUGA E MËNDAFSHIT” PËR POEZINË…

Visar Zhiti bisedon me Andreas Dushin

për librin me poezi “Mbledhja e dritës”


Andreas DUSHI: Libri i sapobotuar në kinezisht përfshin thuajse gjithë vitet e krijimtarisë tënde. Një gjuhë aq e madhe, me të cilën na ka lidhur dikur miqësia e famshme por jetëshkurtër, miqësi mall kinez. Por më bën shumë përshtypje një fakt për të cilin e dua mendimin tënd. Si është e mundur që në këtë libër ka edhe poezi për Kosovën, për aq kohë sa Kina nuk e njeh si shtet? Ka qenë përzgjedhja jote t’i paraqiten këto poezi lexuesit kinez apo e përkthyesve?

Visar ZHITI: Është një arritje e përbashkët, do të thosha, e autorit, e përkthyesve, e botuesit, duke patur si fillesë dërguesin e librit në Kinë, pra, si të thuash e korrierit poetik, që është një poet nga Kosova, Jeton Kelmendi. Të mos njohësh një shtet është tjetër gjë, punë e përkohëshme shtetesh, që nuk do të thotë se nuk e njeh atë popull, fatin e tij dhe poezinë.

Përkthyesi i parë i poezive të mia në anglisht, albanalogu Robert Elsie zgjodhi dhe temën e Kosovës, dramacitetin e saj për librin tim, që botoi në SHBA, që në vitin 2005 dhe dy përkthyesit kinezë, që punuan mbi këtë libër, duke i parë si poezi të dhimbjes njerëzore të vuajtjes së një populli, nuk i kanë shmangur, po kështu dhe botuesi kinez, madje ka lënë dhe shënimet përkatëse, edhe në pasthënien pa emër, duke i bërë të qarta për lexuesin pushtimin dhe shtypjen, duke shpjeguar deri edhe burgun e poetes dhe mjekes Flora Brovina në njërën nga poezitë e mia.

Janë qendrime emocionale, ndjesi të njëjta kudo ku ka njerëz. Përdorimet politike janë të ndryshme. Shoqata e shkrimtarëve kinezë dhe shtëpia e tyre botuese, kjo që sapo nxori librin tim, është e njohur dhe universitare, me mëndje të hapura dhe me politika kulturore, që Shfrytëzojnë çdo mundësi në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Edhe me poezi.

Siç duket realiteti letrar jo vetëm që është tjetër dhe më siperan, por dhe paraprin. Gjithsesi janë akte shpirtërore, që i ngjajnë mjekimeve të plagëve, ku mënjanimi nuk ka kuptim.

Realitetet e tjera, të përditëshme dhe të pafundme, po veçoj nga ato të marrëdhënieve mes vendeve dhe popujve, tregtinë, udhëtimet, etj., dhe nga ato më të sofistikuarat, si diplomacia dhe politika, deri tek më e egra e saj, lufta, që është katastrofale, kalojmë te paqja, ringritjet, etj., s’bëjnë gjë tjetër, por, sado e pabesueshme të duket, ndjekin… poezinë. Kumtet e saj profetike. Frojdi thoshte diçka shumë të lartë, kudo ku kam shkuar, kam gjetur një poet para meje.

Rruga e Mëndafshit, e lashtë dhe e famshme, që lidhte në krye të herës Mesdheun me Azinë Lindore, nuk shërbente vetëm për mallrat, por dhe për idetë dhe religjionet, pse jo dhe për kontrabandën e poezisë.


Andreas DUSHI: Po për poezitë e burgut që përbëjnë një pjesë të mirë të këtij botimi, ç’mendon? Kina, me disa nobelistë e shkrimtarë me famë ndërkombëtare, i mirëpret këto poezi të shkruara edhe kundër asaj fryme që u nxit prej ‘Revolucionit Kulturor Kinez’?

Visar Zhiti: Libri im, i sapo dalë në Kinë, është një lloj antologjie, e larmishme në tema, por mbase si qendër të rëndesës, a njërën nga ato siç janë dashuria apo kthimet, megjithëse e gjithë poezia e botës është dashuri dhe kthim tek vetja për tek tjetri, pra si tematikë në poezinë time është, po aq sa liria, e fortë dhe mungesa e saj, në rastin ekstrem burgu.

Që të shkruaja për burgun, nuk ishte zgjedhja ime ashtu siç nuk kisha zgjedhur si vend për të shkruar burgun. Është punë e të tjerëve, meritë e djallit, e atyre që më dënuan, ku të fundit ishin gjykatësit, se e para ishte ideologjia që sundonte, diktatura e saj, pastaj ishin ata që e prinin, e zbatonin dhe e mbështesnin, jo vetëm komisarët, policët dhe operativët e Sigurimit të Shtetit, në rastin tim, që më vunë prangat ndër duar, por dhe provokatorët, denoncuesit, akt-ekspertizuesit, që ishin dhe shkrimtarë, edhe poetë.

Të shkruarit në burg nuk ishte dëshira ime, por nevoja për mbijetesë, ishte formë e qendresës ndaj vuajtjeve të skajshme deri në torture dhe poshtërimit të përditshëm, ishte dhe një mbrojtje e vetë poezisë për të cilën më dënuan, së pari atë dënuan, poezinë time dhe unë nuk duhej ta braktisja, siç braktisnin gruan, burrin, prindin, vëllanë, mikun, shokun, fqinjin, kur i futnin nëpër burgje.

Edhe në pasthënien e librit, “Duke mbledhur dritë”, për të cilin po flasim, shkruhet se ai: “mbijetoi, - fizikisht, intelektualisht dhe emocionalisht…”, pra dhe në Kinën e lashtë dhe të përvuajtur, me poetë të mëdhenj, s’kishte si të mos e pranonin këtë emocion të shndërruar në poezi.

Mbase ngjan prapë me befasi tjetër, çudia e dytë e librit, por Kina e ka lënë shumë pas revolucionin absurd, të ashtuquajtur kulturor, antikulturor në fakt, se ishte një masakër ndaj kulturës. Kina e madhe sa një kontinent ka marrë një zhvillim të paparë ekonomik e teknologjik, me ndryshime sociale në lidhje me kapitalin, etj., duke konkuruar si superfuqi tjetër e botës, por nuk është as kompetenca ime dhe fusha ime ta shpjegoj këtë.

Çudia e vërtetë imja është që vendi im ka ende mbetje nga Revolucioni Kulturor Kinez, që duke e përdorur poezinë ende si fletë-rrufetë e atëhershme, me atë mllef dhe smirë, nuk pranojnë tjetër veç narcizimit të tyre dhe i hakërrohen apo duan ta harrojnë atë poezi që erdhi nga burgjet dhe internimet duke e parë jo si dëshmi dhe pasurim, por sfidë inatçore ndaj tyre, duke arritur në kinezërira kësisoj, që të çmojnë më shumë poezinë që s’u bë nga ajo që u bë, fjala është për në burg, duke mos thënë asgjë kundër burgut dhe atyre që fusnin nëpër burgje. Ndërkaq deri në Kinë arrijnë vlerësimet ndaj asaj që në Shqipëri ka bashkatdhetarë që duan ta zhbëjnë.

“Çdo letërsi është një akt rezistence”, kam lexuar. Sigurisht botuesi kinez i ka lënë në libër poezitë e burgut tim dhe si një akt nderimi ndaj vuajtjes njerëzore, sakrifices supreme dhe si kujtesë për ata shkrimtarë dhe intelektualë të dënuar në Kinë. PEN Clubi Italian, anëtar i të cilit jam, citonte një raport të PEN-it Amerikan të para 2-3 vjetëve, që 73 shkrimtarë ishin në burgjet kineze, 17 poetë, ou, Shqipëria e vogël me Enverin ia kalonte, po them disa nga emrat e cituar: Xu Lin, Wang Yi… pastor kristian…... Zhu Yufu, dënuar për një poezi: Kina na përket të gjithëve, shkruante ai, është koha të zgjedhim të ardhmen… Nobelisti për Paqen Liu Xiaobo vdiq në burg para 5 vjetësh. Yang Lian, poeti modern, që pas revoluconit kulturor e kishin flakur në kampet e punës, shkruante: Më jepni vetëm një frymëmarrje dhe unë do të hedh rrënjë…

Në Shqipërinë tonë duket se nuk duan rrënjë të njeriut, por gjethe lavdie dafinash artificiale për ballet e ngushta...

Poezia, e kujdo qoftë, është një frymëmarrje më shumë për të gjithë.


Andreas DUSHI: Visar, nuk mendoj se poezia e shkruar në burg kërkon shpjegim nga ti; përkundrazi: ajo kërkon e meriton nderim, vlerësim jo nga poetët sa nga vetë Poezia. As ata që s’shkruan në burg s’kanë pse shpjegohen, por po, ke të drejtë, më duket vërtetë abusrde qasja si vlerësim për asnjë varg të shkruar për vitet e burgut, për një poezi që s’u shkrua… Por gjithsesi, duhet thënë se ky nderim, vlerësim nga vetë Poezia s’i ka munguar poezisë tënde… Nuk e di e sata gjuhë është kinezisthja si mikpritëse e saj, nga ato më pranë nesh (italisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht etj.), deri te ato më të largëtat (hebraisht, rusisht e tani edhe pikërisht kinezishtja). Poezi e dhembjes, e jetës dhe e forcës, shpresës se nga ferri prej padrejtësisë arrihet parajsa e së drejtës... Këto janë disa nga mendimet e lexuesve të huaj. Pra, kemi të bëjmë me një poezi, e cila, ndonëse u shkrua edhe në burg, i flet botës. Ndoshta s’është pyetje që mund t’i bëhet autorit, por gjithsesi, si e sheh këtë triumf unik?

Visar ZHITI: As unë nuk e di në sa gjuhë kanë arritur të përkthehen poezitë tona të dhimbjes së madhe, të poetëve miq e shokë e bashkëvuajtës, ku janë dhe ato të miat… Vendet e tjera, botues, kritikë, lexues, aq sa arrijmë të lidhemi, na mirëpresin, është një formë e njohjes, e mbështetjes njerëzore, një qortim ndaj ndarjeve dhe kufijve, i politikave të mbrapshta dhe revanshit të tyre, me shqetësimin se mos përsëritet e keqja. Në fund të fundit në mes është poezia, që i flet botës si vetes, emocioni që përftohet prej saj, por kur ajo ka fatin të ketë ardhur nga ferri, si ajo jona, merr vlerën dhe të zogut Feniks, që në mitologjinë kineze ringjallet nga zjarri dhe hiri. Rëndësi ka përkthimi vetëm në një gjuhë, në atë të dashurisë njerëzore.


Andreas DUSHI: Të rikthehemi sërish te botimi në fjalë i cili sikurse the, është dy gjuhësh, varianti anglisht dhe ai kinezisht. Është ky një përkujtim për përkthyesin e tyre nga shqipja, Robert Elsien si dhe një shenjë mirënjohjeje për përkthyesen e poezive të shkruara së fundmi, Ani Gjika?

Visar ZHITI: Absolutisht që mbart dhe këtë nderim. Mirënjohjen natyrshëm ndaj tyre dhe unë u kujdesa që kjo të shihej, ndërsa botuesi vuri emrat e tyre në ballinën e librit, Robert Elsie dhe Ani Gjika, që përkthyen poezitë nga shqipja në anglisht, ndërsa Cheng Yanjun dhe Guo Xiaoqian nga anglishta në kinezisht.

Dr. Robert Elsie, kanadezo-gjermani, mbetet albanalogu më i madh i kohës sonë, ai u shqua në njohjen e gjuhës shqipe, e lëvronte atë bukur, dinte historinë e Shqipërisë si një shkencëtar, botoi mjaft studime jashtë në gjuhën angleze, për Kanunin e Maleve, duke e përkthyer atë, për fiset, për Kosovën, para se të fillonte lufta për pavarësinë e saj, për Çamërinë, libra më vete, etj. Ai ishte studiues serioz i letrave tona dhe nxori Historinë e Letërisë Shqipe në anglisht dhe shqip, përktheu folklor, përralla shqiptare, eposin e At’ Gjergj Fishtës, “Lahutën e Malcis”, autorë të tjerë në prozë dhe poezi, nga Kosova më shumë, i botoi në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA. Ai ishte Qytetar Nderi në Kosovë dhe la si amanet që të prehej përjetë në malet e Shqipërisë, ku dhe është, pranë Kishës në Theth. Është bir shpirtëror i Shqipërisë.

Botimi im në Kinë u pasurua dhe me emocione poetike më të vona, me përkthimet në anglisht të disa poezive nga poetja dhe përkthyesja e re Ani Gjika. Ajo ka lindur në Tiranë, jeton në SHBA, është diplomuar për gjuhë dhe letërsi angleze, është specializuar në kurse, ku ka marrë mësim dhe leksione nga nobelistja amerikane, poetja Louise Glük. Ani është pedagoge e gjuhës angleze dhe letërsisë së krahasuar në shkollat e larta në Boston. Përkthen nga poezia shqipe duke bërë të njohur poetë në gjuhën angleze, ka në botim një roman, të shkruar në anglisht dhe në proces përkthimi romanin “Funerali i pafundmë”.

Përkthyesi kinez Cheng Yanjun dhe përkthyesja kineze Guo Xiaoqian, janë vetë autorë, të specializuar në përkthimin e poezisë nga anglishtja në gjuhën e tyre.

Kanë mirënjohjen e thellë. Përkthyesit sakrifikojnë nga koha e tyre krijuese dhe i bën bashkautorë dashuria për fjalën dhe librin.


Andreas DUSHI: “Mbledhja e dritës”, libri që porsa doli në Kinë… vitin e shkuar u botua në Itali romani “Rrugët e ferrit”, përkthyer nga prof. Mandala… para pak kohësh në Rumani, “Flatra e mundur” dhe “Funerali i pafundmë”, të përkthyera nga prof. Topçiu… në Serbi “Shiu i fytyrës time”, përkthyer nga Dr. Smaka. Letërsia jote mund të jetë shkruar në të shkuarën, por ka një veçanti: i flet së ardhmes! Dhe e mëson kohën si të mospërsërisë vetveten. Visar, ke frikë mos ndoshta edhe me këto dëshmi, koha prap rrezikon ta bëjë këtë, të rilindë copa-copa spazmazh nga periudha e saj më e palavdishme?


Visar ZHITI: Mbase pikërisht nga ajo që kemi frikë, nga ai shkak shkruhet poezia dhe bëhet letërsi, do të thosha. Unë nuk kam frikë për çfarë shkruaj, unë kam frikë nga ajo se si shkruaj, e kam thënë. Letërsia sipas meje ka gjithmonë kohë të tashme, që është ajo e leximit dhe s’ka rëndësi se kur është shkruar dhe ku. Lavdia dhe moslavdia e periudhave, por dhe e librave, janë dukuri jashtletrare dhe unë dua të pohoj atë që ti e the aq dhimbshëm, se letërsia vërtet duhet “të rilindë copa-copa spazmash”, duhet të ketë atë fuqi, madje edhe atë mision, të të shqetësojë, spazma nervash, qendrimesh, ëndrrash dhe dëshirash, etj., por duke qenë së pari dhe së fundmi letërsi.

Nuk kam ç’shtoj tjetër për atë që e sintetizove qartë dhe bukur, veçse duke e përgjithësuar se letërsia e mëson kohën të mos përsërisë vetveten dhe i flet së ardhmes. Kur një letërsi ia del ta bëjë këtë, ajo është me fat.



38 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page