top of page

Poezia e poetes Vasilika Babo

LIVADHI POETIK I POETESHËS VASILIKA BABO

Livadhi poetik i poetes Vasilika Babo, është parajsa e shpirtit të poetes, që ushqehet me pjalmin e borëzuar të zemrës së malit të Moravës, që flladitet nga puhiza e praruar e pyjeve, ku ngrenë foletë zo

gjtë e së ardhmes të lodhur nga mërgimi. Pathosi i këtij  livadhi përtërihet nga tingujt baritor të fyellit të bariut, që të bëjnë të qash e të ëndërrosh sikur je në parajsën e Edenit. Luleve poetike të këtij livadhi, mjafton veç një puhizë e Moravës  t’u fryjë përsipër, apo t’i përkëdheli pak rrezja diellore e shpirtit të dëlirtë të poetes dhe ato,si me magji zgjohen e hapin petalet plotë elegancë e sharmë, njëlloj si tek vargjet e poezisë “Relikte e zemrës”: “/…Ajri i pastër mbi korije, sjell erë trëndeline,/bariu i bie fyellit e qingjat ëmbël blegërojnë,/ Lulet e kumbullës nën vellon e bardhë nusërojnë,/ mbi petalet rozë të mollës, zogj këngëtarë cicërojnë…/”.

E zhytur në kroin gurgullues të figuracionit të freskët të këtyre vargjeve, mund të shprehem me modesti, se vargu lirik e baritor, i poetes Babo, është shpërthyes si lulet e kumbullës apo të mollës, është imagjinativ, deri në atë pikë, sa çdo gjë që ekziston brenda gjirit të natyrës, jo vetëm nuk humbet pa prekur nervin e ndjeshmërisë së poetes, por gjatë ekzistencës vegjetative, ato shndërrohen në cilësi humane brenda natyrës së tyre dhe për më tepër shërbejnë si mjete komunikuese, për të shprehur potencialin e mendimeve e të ndjenjave shpirtërore. Ja edhe një tjetër vargëzim ku Zoti, njeriu dhe natyra i shërbejnë poetes për të ndërtuar forma poetike të veçanta në ligjërimin e saj lirik, duke i dhënë vargëzimit tradicional, meditim poetik, gjallërim të leksikut, që gjejnë përdorim në të folmet e zonës së Korçës, si dhe ngjyrim emocional e komunikativ të admirueshëm: “/Në këto vise të bukura,Zoti njerëzit i ka pikturuar,/me ngjyrat më magjike shpirtin ua ka lyer/, kodrat me rrezet krisaf të diellit ka diellëzuar,/burimet i ka pagëzuar më ujë kristali të vyer.

E pra këto vise me bukuri mahnitëse, i kanë dhuruar poetes rrëshirën e pemëve, të cilën ajo e ka transformuar në hojen e unit të vet poetik, në një qelibar të veçantë me tonalitete të thella, brenda të cilit rreh zemra e pathyeshme e poetes,që ka mposhtur me stoicizëm dallgët e rrezikshme të jetës dhe brishtësinë femërore, duke u djegur në zjarrin e artit të vet, për t’u ngritur ngadhnjyeshëm  e gjithmonë e freskët në shpirt. Poetja Babo e simpatizon me gjithë shpirt e pa rezervë vendlindjen, e vizaton artistikisht, me fjalë shpirti dhe simpati të veçantë, pa kursyer metaforat më të ndjeshme. Por zemra e saj e pathyeshme nga stuhitë e kohës, grimcohet kur sheh sesi po shkatërrohen bukuritë dhe habitatet natyrore, nga egërsirat pa kokë, apo sesi po grabiten pasuritë mbitokësore e nëntokësore nga përbindëshat e egër, të cilët i polli e përdala, politika. Fjalitë urdhërore tek poezia: “Dil shëtit, mikja ime !”, janë të formës së prerë, sipas ligjit suprem të artit, që i jep atribute poetes të rebelohet, për të sfiduar aktet tragjike, që luhen mbi shpatullat e bashkëkombësve të saj. Ngjyresat impresioniste, gati vajtuese me klithmë të thekshme, arrijnë kulminacionin poetik tek vargjet që mbartin peshën e mallkimit drejtuar përbindëshave, të cilët e kanë zhytur kombin në mjerim:”/Dil shëtit, mikja ime, dil shëtit edhe për mua,/në lëndinat e Korçës plakë, të gjelbëruara e kodrinore,/ folu dhe tregoju dhimbjet e thella të zemrës sonë,/t’i flladitin me buzëqeshjen rrezatuese plot ngjyra pranverore…/ Dil, dil të lutem dhe merr një copë dhe’ të asaj toke të virgjër,/ Prej gjirit të familjes larg, na detyruan të ikim si të dëbuar.../ Dhe sot, të lodhur, nostalgjik e të sëmurë,/ky vend, nuk na ndihmon dot, për të na kuruar./

Poezia e poetes Vasilika Babo,dallohet për qartësinë dhe thjeshtësinë e vargut, frazën e shtrirë, të harmonishme, arsyetimin e kthjellët, shquhet për pathosin e zjarrtë të mërgimtares së dashuruar me vendlindjen dhe atdheun. Krahas lirikave të natyrës dhe atyre me tematikë shoqërore, poetja Babo, trajton me mjeshtri dhe art lirikat familjare dhe ato të dashurisë. Me shumë modesti e cilësoj atë, poete e dhimbjeve të vogla dhe e dramave të mëdha shpirtërore. Ajo zotëron aftësinë që nëpërmjet fuqisë së jashtëzakonshme të mendimit poetik dhe të mjeteve figurative të derdhë në telajon e mëndafshtë të vargut, ngjyrat më të dhimbshme që formësojnë strukturën e kuptimit të fjalës ”dhimbje”. Me vargjet e  poezisë “Çmim për zemrën e nënës”, poetja krijon një atmosferë thellësisht emocionuese dhe arrin të rrëmbejë zemrën e lexuesit e për më tepër ta mbajë atë të mbërthyer me fijet magjike të vargut mbresëlënës, me të cilin i ngre kult figurës së madhërishme të nënës:”/Zemra e butë e nënës, nuk do shumë të çmohet,/për dashuritë e saj njëqind jetë do bënte fli,/ Vetëm fjalët tuaja, o bij, të ëmbla në këtë botë,/sfidojnë plagët e shpirtit, duke i falur lumturi!”

Dashuria si nocion është gjëja më çmuar në jetë për poeten, por si ndjenja më fuqishme që bashkon dy trupa në një të vetëm, është drithërim, emocion, një diell i shndritshëm që shkrin grimcat e akullit në fletët e brishta të shpirtit, një uragan që thërrmon me ëmbëlsi thellësitë e qenies, është  dhimbje e brendshme e pazëshme, që shpon aortën e zemrës me shpejtësinë e dritës. Poetja Babo si idhtare e pasionuar e mendimit të lirë, në poezinë e saj, insiston që dashuria të mos jetë vetëm ideale, por edhe konkrete, duke vënë në provë ide dhe opinionet e ngurtësuara të shoqërisë mbi dashurinë. Prandaj poezisë së saj nuk i mungojnë cilësitë e karakterit dhe të temperamentit të të dashuruarve. Ajo beson se dashuria ka forcë magjike,të ngrejë të vdekurin nga varri. Optimiste por edhe romantike deri në frymën e fundit, ajo  insiston me finesë në triumfin e dashurisë së përjetshme, të befason me besimin e saj,se dashuria ashtu si jeta, është veprim, është humane, se këtu qëndron vlera e saj. Ide dhe perceptime të tilla ravijëzohen fuqishëm me ëmbëlsi dhe dhimbje,përtej së zakonshmes, në vargjet e poezisë, që padyshim janë himn për dashurinë e vërtetë: ”Unë nuk e di...””/ Unë nuk e di, pse vendosa të jemi bashkë /dhe të besova rrugën e jetës sime./ Pranova dhe u betova të të doja vetëm ty,/ njeri pa fjalë, komplimente e shumë premtime./ Unë nuk di ç'farë virtyti më drejtoi tek ti?!/ Serioziteti i përhershëm apo vetulla e zezë si shqiponjë./ Por di, se karakteri yt burrëror ishte magnet i fortë,/ për një grua, që do të ketë emrin e saj zonjë./ Unë nuk di, se mese matet në jetë dashuria,/Me ngrohtësi e ëmbëlsi, apo me autoritet,/por di sa e bukur bëhet jeta bashkëshortore,/kur secili ruan dinjitetin e bashkëshortit të vet./

Në vijimësi dua të shprehem, se trajtimi i temës së atdhedashurisë, zë një vend të rëndësishëm në livadhin poetik, të poetes Vasilika Babo. Në poezitë “Dielli i Shqipërisë”,”A jemi vallë bijtë e tu?...”, etj.,poetja jo vetëm që prek emocionet e lexuesit me spontanitetin e ndjenjave dhe të dashurisë epike për atdheun, por prek vetëdijen, duke vënë theksin tek domosdoshmëria për të ndierë dashurinë dhe dorën e ngrohtë të mëmëdheut, nëpërmjet retorikave të fuqishme: ”/Tre breza u bënë, që ke jashtë të mërguar,/Nuk di a ke zemër, apo vallë nuk ke?/A nuk je ti, nëna jonë shqiponjë?/A jemi ne bijtë tu, apo të tillë s’na njeh?Jo, nuk mundem më, të duroj mërgimin,/Dua që të vdes atje në vendin tim./Në ke një grusht dhe’, ta puth ma dërgo hua,/Se pa ty kjo zemër, jo, kurrë nuk ka shërim./

E organizuar mirë ,me detaje konkrete e të gjalla, përcillet ndjeshëm poezia e poetes dhe në aspektin shoqëror e social. Dhuna psikologjike dhe fizike që po ushtrohet sot, ndaj gruas, deri në zhdukjen fizikisht të saj, i kapërcen kufijtë e njerëzores, duke kaluar në kafshëri dhe shëmtim race. Pikërisht kjo tragjedi që po luhet në arenën e familjeve shqiptare, e ka indinjuar dhe rebeluar poeten, të punojë seriozisht për organizimin e pyetjeve retorike dhe ravijëzimin e tragjizmit apokaliptik të shoqërisë shqiptare:“/E ç'faj ka nëna jote, që të lindi në këtë botë?/ Qumështi i saj i ëmbël, pse vallë të ka helmuar?/ Që atë engjëllore ia dorëzove vdekjes së zezë,/ Dhe tjetrin plumb, ia hodhe trurit tënd të errësuar?/”

Një temë interesante që ka tërhequr vëmendjen time, është ajo e triumfit mbi sëmundjen e shekullit, kancerin, në poezinë ”Largohu prej kësaj toke!”, si figurë vepruese me cilësitë e një egërsire parahistorike,mund të hetojmë se si lëviz mendimi poetik, bota emocionale dhe psikologjike e poetes, në funksion të vetësakrifikimit për të shpëtuar filizat e rinj të ardhmërisë së universit:”/ Sëmundje e kohës moderne, je kancer,/Helm e murtajë në gjithë botën mbarë,/Sfidant progresiv, që pakëson njerëzimin,/Shkencën dhe fenë le prapa në garë./Largohu, o përbindësh, largoju sa më parë!/ Të bëj jetën time fli, o qenie e pabesë,/ Për vdekjen time kurrë s’do të pendohem,/ Veç zemrave rinore mos ua shuaj çdo shpresë!/”

Kjo është bota reale e poetes, me gëzimet, hidhërimet dhe dhimbjet epike, të cilat kanë në thelb forca gjalluese që pulsojnë ritmin e pandërprerë të kësaj jetë, të kërcënuar jo vetëm nga sëmundjet, por dhe nga vetë njeriu. Si përfundim mund të shprehem, se livadhi liriko-epik i poetes Vasilika Babo, ngjall interes për botën emocionalo-kuptimore të autores, për mendimin e koncentruar,për dimensionin emocional që vë në lëvizje jo vetëm rrjedhën e mendimit, por zgjeron imagjinatën piktorike dhe aspektin e të menduarit në planin universal, ku e magjishmja përtërin ndjenjat dhe mendimi poetik zotëron fuqinë për të ndryshuar botën e brendshme të lexuesit dhe të krejt njerëzimit. Duke i uruar suksese në krijimtari, poetes Vasilika Babo, besoj se ky vëllim poetik ka tinguj të zëshëm dhe forcë për të prekur butësisht telat e shpirtit të çdo lexuesi dhe si e tillë, padyshim që do të jetë vlerë dhe kënaqësi e shtuar për lexuesin pasionant.


47 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page