top of page

Poezia e Pasternakut «Çmimi Nobel»


BORIS PASTERNAK (1890 - 1960)

ÇMIMI NOBEL (me shpjegime në fund)

Si bisha në gjah unë treta. Diku ka njerëz, dritë, vullnet. Po pas meje - rrëmet ndjekjeje - Dhe shpëtim për mua s'do ketë.

Pyll' i errët. I gjolit breg. Bredhat - trarë të vithisur. S'më kanë lënë kund një shteg. Le të bëhet ç'është kurdisur.

Ç'gjë të fajshme bëra vallë, Qesh katil? Bëra krime? Botën krejt e bëra të qajë Me bukurin’ e tokës sime.

Por dhe kështu, buzë varrit, Besoj, vjen koha më në fund - T’ligën forcë të gjakatarit Frym' e mirësisë ta mundë.

1958



@përkthim nga origjinali: Agron Tufa

Poezia e Pasternakut «Çmimi Nobel»

Në vitin 1958 Boris Pasternakut iu dha çmimi Nobel për kontributin e shquar në zhvillimin e letërsisë botërore. Kjo ngjarje e shënuar, megjithatë, nuk i solli gëzimin e pritur poetit, përkundrazi. Ky çmim nuk i solli poetit asgjë në planin financiar. Lajmi për marrjen e çmimit më prestigjioz në botë u prit me një fushatë të egër sulmi në ish-BRSS. Shumë shpejt poetin e përjashtuan nga Lidhja e Shkrimtarëve të BRSS-së dhe ia ndaluan botimin në të gjitha organet sovjetike. Disa emisarë të letërsisë këmbëngulën madje, që ta dëbonin Pasternakun nga Rusia si një spiun dhe veprimtar antisovjetik. Megjithatë pushteti sovjetik nuk guxoi ta hidhte këtë hap, por ama mbi poetin filluan persekutimet më të liga: Pasternakut ia kthyen shpinën të gjithë miqtë dhe kolegët shkrimtarë, të cilët më parë mahniteshin hapur me krijimtarinë e Pasternakut. Kur isha student në Institutin e Letërsisë “Gorki” kam patur rast të shikoja vetë kronikat e kohës e të njihja dhe stilin enverist shqiptar në mënyrën se si e orkestronte propaganda komuniste sovjetike fushatën e dënimit të Pasternakut. Gazetarët dilnin e filmonin në rrugë kalimtarët dhe merrnin opinionet e tyre me pyetjet standarde: "Ç'mund të na thoni ju për romanin "Doktor Zhivago" të Boris Pasternakut?” Një pyetje yshtëse propagandistike, ngase dihej që romani nuk ishte lejuar të botohej, pasi qe kthyer nga revista letrare "Oktjabër" (Tetori) me motivacionin: "Një roman reaksionar, që hedh baltë mbi Revolucionin e Kuq të Tetorit dhe mbi Leninin e madh". Njerëzit e pyetur në rrugë, përgjigjen, pavarësisht moshës dhe profesioneve, pothuaj njëlloj: "Unë nuk e kam lexuar romanin e Boris Pasternakut, por ja ku ua them se ai është një roman i poshtër, armiqësor, që hedh baltë mbi partinë tonë të lavdishme dhe revolucionin e shenjtë". Pikërisht në këtë periudhë të vështirë e ka shkruar Pasternaku poezinë «Çmimi Nobel», në të cilën pranon: «Si bisha në gjah unë humba». Menjëmend, autori e ndjente veten në një shënjestër gjuetie dhe nuk shihte kund asnjë shtegdalje, sepse të gjitha rrugët ishin të prera prej gardianëve të tërbuar të interesave shtetërore. «Po pas meje - përndjekja, zhurma/ Shpëtim për mua s'do të ketë», - vëren me hidhërim Boris Pasternaku dhe nuk e rrok me mend se pse u gjend në këtë situatë absurde e mjaft të rrezikshme. Ai u përpoq të gjente variante të ndryshme zgjidhjeje të këtij problemi dhe madje nisi në Zvicër një telegram, në të cilin refuzon pranimin e çmimit Nobel. Mirëpo as ky akt nuk i zbuti ata që patën nisur fushatën helmuese të Pasternakut për shkak të xhelozisë personale, shpirtvogëlsisë dhe dëshirës për t'i shërbyer me zell pushtetit. Lista e atyre që e kishin akuzuar poetin publikisht për të gjitha mëkatet e një vdekëtari, përfshinte një numër mjaft të madh emrash të njohur të artit dhe letërsisë. Midis akuzuesve përfshiheshin edhe miqtë e djeshëm të poetit, çka e hidhëroi pa masë. Atij nuk ia kishte rrokur mendja që suksesi i tij do të shkaktonte një reaksion aq të ashpër ligësie te ata që ai i quante njerëz krejt normalë e të ndershëm. Prandaj poeti ra në dëshpërim. Këtë e pasqyrojnë dhe vargjet e poezisë së tij: «Le të bëhet ç'është kurdisur». Aq më pak, Pasternaku nuk rreh as të kuptojë pse ra në këtë situatë të rëndë. «Ç'gjë të fajshme bëra vallë, qesh katil, bëra krime?», - bën pyetjen autori. Fajin e vet ai e sheh vetëm pse arriti t'u zgjojë në zemra shumë njerëzve ndjenja të pastra e të sinqerta, i bëri ata të mahniten me bukuritë e atdheut të tij, të cilin e dashuronte pa masë. Por pikërisht kjo doli e mjaftueshme që mbi autorin të vërsuleshin përrenj të pistë mallkimesh e shpifjesh. Dikush madje kërkoi që Pastenaku ta pranonte publikisht që është spiun. Të tjerë këmbëngulnin të arrestohej e të plasej në burg ky poet, që për kontribute të paqarta na e paskan shpallur si një prej autorëve më të mirë në botë. Kishte dhe prej atyre që e akuzonin Pasternakun për koniukturë dhe përpjekje për t'u shërbyer armiqve të BRSS në këmbim të çmimit prestigjioz. Paralelisht poetit i vinin propozime për ta braktisur atdheun, të cilëve ai u përgjigjej pandryshueshëm se kjo për të ishte e barabartë me vdekjen. Përfundimisht, Pasternaku u gjend në izolim të plotë nga gjithë shoqëria dhe shpejt mori lajmin e sëmundjes së tij: kancer mushkërish. Prandaj në poezinë e tij shfaqet në finale katrena me vargjet: «Por dhe kështu, buzë varrit/ Besoj, vjen koha më në fund/ - Të ligën forcë të gjakatarit/ Mirësia do ta mundë». Poeti e kuptonte se kjo poezi nuk do të botohej kurrë në BRSS, për shkak se ajo është një fajësim i drejpërdrejtë i atyre që morën pjesë në fushatën helmuese ndaj tij. Prandaj ai e dërgoi fshehtas poezinë jashtë shtetit, ku u botua me 1959. Pas kësaj, Pasternakun e akuzuan për spiunazh dhe tradhëti të lartë ndaj atdheut. Mirëpo procesi gjyqësor ndaj poetit nuk arriti të bëhet, sepse në vitin 1960 ai dha shpirt në daçën e tij, në Peredjellkino.

Борис Пастернак

«Нобелевская премия»

Я пропал, как зверь в загоне. Где-то люди, воля, свет, А за мною шум погони, Мне наружу ходу нет.

Темный лес и берег пруда, Ели сваленной бревно. Путь отрезан отовсюду. Будь что будет, все равно.

Что же сделал я за пакость, Я убийца и злодей? Я весь мир заставил плакать Над красой земли моей.

Но и так, почти у гроба, Верю я, придет пора — Силу подлости и злобы Одолеет дух добра.

1958

83 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page