top of page

Poezia e merituar e Drita Ademit


Gjatë promovimit

Fatmir Terziu


Pra disa ditësh poetja nga Kosova me banim në Zvicër, Drita Ademi, riktheu vizitën e dyfishtë në Kryeqytetin e Kosovës. Themi vizitë e dyfishtë, pasi ajo vetë dhe dy librat e saj kishin fatin të vizitonin në këtë kohë pandemie evenimentin kulturor kushtuar promovimit dhe prezantimit të dy vëllimeve të saj më të fundit “Vesë mbi dhimbje” dhe “Andrra e gjethe”. Kjo vizitë e dyfishtë dhe mjaft domethënëse ishte kryefjala e ditës në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Dhe aty, enkas pos kësaj vizite kulturore të dedikuar librave u zgjodhën fjalë të veçanta, në një ambient të moderuar bukur, që mblodhi krijues, poetë, dashamirës, miq dhe familjarë të shumtë të saj nga të dya anët e kufirit të sotëm Shqipëri dhe Kosovë.

Ndërsa jemi informuar nga vetë autorja, në këtë promovim zuri vend të rëndësishëm fjala e poetit dhe kritikut mjaft të njohur Adem Gashi. Ky i fundit nxorri nga zemra fjalët e tij të ndjeshme, jo „elozhe“ sikurse shkruhet gjetkë, pasi poezia e Drita Ademit ka kohë që i ka merituar, madje janë pak ato që mund të thuhen për një poete kaq të ndjeshme. Për këtë poetja nga Shqipëria, Eli Kanina, e cila udhëtoi enkas në këtë eveniment të bukur prezantues dhe promovues, shprehet: „Vargjet e Drita Ademit tronditin me emocionet dhe mesazhet e bukura, dhe do të rendja kudo dhe kurdo për një takim me ty, poetja ime e preferuar‼️ Faleminderit për mundësinë me prezantimin në Prishtinë, dhe suksese në vazhdim Drita Ademi‼️ Le të shpresojmë se për librin tënd të ardhshëm, do festojmë në Tiranë, ku poezia jote ka vendin e nderit tek shumë nga lexuesit dashamirës‼️“ Fjalë të mira dhe promovuese, po aq dhe inspiruese ka shprehur dhe shkrimtari Mark Simoni.

Por mendimi i një poezie të mirë thyhet nga ajo që bën botuesi, kjo jo në pakt raste. Sipas poetit dhe kritikut Adem Gashi, njëri nga librate poetes Drita Ademi ka dy linja paralele, 49 poezi (në gegnisht) dhe 52 (në standardin letrar) e që janë po ato. I bie se janë 101 poezi. Në variantin gegnisht gjej jo pak trajta të rrëshqitshme të standardit dhe formulime të diskutueshme të dialektit. Hove-hove edhe thyerje vargu dhe pasaktësi interpunksioni. „Këtu qëndron vërejtja për botuesin” – vuri në duke Gashi. Por këto “rrëshqitje trajtash” sipas Ademit, nuk e rëndojnë poeten, por redaksinë…

Në një kënd të tillë promovues natyrshëm duhet pozitivja, ajo që e inkurajon krijuesen në vazhdimin e rrugës, dhe ndoshta ajo që e bën atë akoma më të ndërgjegjshme për arritje dhe krijime të tjera. Në këtë pikë referencat e të pranishmëve thuajse kanë folur pozitivisht. Mësohet se poeti Imer Topanica ka treguar kujdesin e tij profesional për poezinë e Dritës, duke ia njohur asaj mjaft vlera unike. Dhe ai ka shprehur mendimin e tij për vëllimin poetik “Vesë mbi dhimbje“.

Fjalët e Topanicas “Mua më duket që te ky libër, metaforat si figura stilistike, sikur e përndjekin. Titulli ‘Vesë mbi dhimbje’ e dëshmon këtë janë vërtet një simbolikë e duhur e mbështetjes. Po aq sa dhe vazhdimi ‘Exit’, ‘Zonja Brigitta’, ‘Më vjen keq…’ janë poezi që e hapin librin. Nëpërmjet tyre, si lexues, hetoj temperamentin e veçantë të autores. Varietetet, po ashtu, janë të shumëllojta. Nga ato me shumë ngarkesa stilistike që janë ftesë për lexues më të rryer, e deri tek ato që ndërtohen mbi një gjuhë të thjeshtë, ndërsa vihen në shërbim të ideve më filozofike.”

Drita Ademi – Beqiri është një e poete tashmë e njohur në mjaft kënde letrare, po dhe e njohur në dy apo tre gjuhësi, ajo është e lindur në Prishtinë, por jeton dhe vepron në Zvicër. Ajo është autore edhe e vëllimit ‘Placebo‘, botuar dhe promovuar në Londër nga Albanian Creative People in Exile më 2011, në një mbrëmje mjaft memoriale kulturore në një ambient tejet special tek „Dolce vita“ në Kulburn të Londrës. Kjo poete ka pjesë në disa manifestime poetike dhe është epërfshirë në disa antologji si dhe në disa antologji të poezië moderne dhe bashkëkohore gjermane.



97 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page