Kreolizmi poetik i Anton Çefës
Dr Fatmir Terziu
“Etja për një delir të blertë”
Kur në qiell të andrrës sime prek/
Me duer të brishta,/
Zgjohen vegime të ylberta mallesh./
Engjuj me brerore drite zbresin/
Mbi meloditë e dhimbjes/
Qi s’ ka të sosun./
E duer akordesh të çuditshme/
Ndalojnë flutrim’n e kohës./
Etja më merr për nji delir të blertë./
(Anton Çefa)
Perceptimi gjeometrik i hapësirës së prodhuar si produkt i ndjesisë dhe recencës mendore, jo pak herë ka qenë dhe mbetet një postulat i ndjeshëm poetik, që të shpie vetvetiu tek kreolizmi poetik, mes një perceptimi ndjesor dhe vektorial. Në këtë perceptim gjeometrik frymëzimi i autorit Anton Çefa, shihet si një sferë më vete. Them kështu pasi mjaft krijime të tij ngjajnë me traditën e krijimtarisë poetike bashkëkohore, por që në thelb kanë gjuhën popullore dhe të folurën e thjeshtë, si një rajonalizim tipologjik, me një filozofi të ndërlidhur, dhe një lloj “criollismo” jashtë produktit letrar të gjuhës së etiketuar. Ky interes mes rajonalizimit, të etiketuar criollismo (kreolizm) ose nativizëm ka ardhur si një ide në vitin 1901 nga Francisco Lazo Martí (1869-1909) kur publikoi veprën e tij “Silva Creole” (Kreole Silva), që në fakt ishte një poemë me një ndjesi rajonale të inauguruar më parë nga Bello. Këtë interes në rajonalizëm, të shtjelluar sikurse e cituam më lartë shkoi më tej duke frymëzuar temën dhe motivin e përshkrimit të jetës dhe vendlindjes së autorit në fjalë. Këtë duket se pandjeshëm, por ngjashëm e ka bërë edhe poeti Anton Çefa.
Poezi si grupi i poezive nën titullin “Tubëz lirike” natyrshëm flasin për një gërshetim të tillë dhe një frymëzim që autori gjen në këtë perceptim rajonal dhe vendhapësinor, detajues e frymëzues nga ndjesia dhe përditësia. Hapësira, pikëlidhja, trysnia përditësore, argumenti dhe koha janë elementë që vijnë si një bosht tematik në këtë perceptim gjeometrik, tek i cili kreolizmi poetik merr larminë e formë-detajeve. Në larminë fakt-detaj, ku perceptimi gjeometrik na ndihmon të kuptojmë se “etja për nji delir të blertë” vjen si një model në këtë perceptim, natyrshëm kalon në disa hapësira poetike të shkelura e të pashkelura më parë, ku simbolizmi është një gëlltitje e lehtë. Në pamje të parë, dhe pikërisht nga gjuha këto poezi ngjajnë me një ‘juctapozicion’ (mpleksje-lidhje nyjore) thurës dhe tematik të mbrusur nga krijimtaria e hershme shqiptare, sidomos tipikja e zonës ku autori ka jetuar dhe punuar për një kohë të gjatë. Por në pamjen kryesore dhe në atë që vjen si shkak dytësor më pas, figuracioni është “kryengritës” dhe shënon diferencën ose tiparin veçues.
Autori ka një lajtmotiv frymëzues të lidhur në mjedisin e aspekteve jetike, nëse na lejohet të shprehemi për figuracionin që ai e shkëput për të baraspeshuar ‘vegime të ylberta mallesh’duke sfiduar ‘me duer të brishta’ pikërisht atë veprim që ne e shijojmë teksa ‘engjuj me brerore drite zbresin’.
Në këtë perceptim unë e lexoj ngjashëm autorin. Poezinë e tij e shoh si një akt mitik dhe si një alteracion kohësh, vendesh dhe aspektesh të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Këtu kjo ndërlidhje gërshetohet edhe me sintaksën poetike që siglohet nën peshë fjalish poetike të sistemuara bukur. Poetika e Çefajt natyrshëm në këtë ndërlidhje funksionon si një etje, tamam siç edhe vetë autori poetikisht e shpreh: “Etja më merr për nji delir të blertë”.
Duke parë ndërlidhjen funksionuese në detaj, bie në sy edhe koloriti poetik, si një qasje adekuate e kreolizmit hapësinor. Ky kolorit shpeshherë merr pamjen e tij reale dhe shpesh ngjyrohet me nocione të përafërta duke ngarkuar emocionalisht peisazhet. Përshembull ‘delir i blertë’ është një përdorim i tillë. Në anën tjetër koloriti poetik i autorit fsheh disi ngjyrimin real për të stigmuar me figuracion, si ‘mendimi n’ballë’, ‘fjala n’buzë’, ‘dritë që troket’ etj, ku ngjyra reale nuk është vënë në pah, por ngjyrimi figurativ kryen rolin kryesor.
Kjo analizë që është botuar pjesërisht në librin e Anton Çefës “Bardhësi me Zdritje Bore” si fillim ka zbuluar njërën anë tek e cila vetë “inventari” i poezisë duket se është mjaft tejzgjatës, është i tillë sa në kushtet krahasimtare kërkon të shestojë disa limitacione të përndjeshme ku vetë peisazhi kërkon kufijtë e tij të dukshëm e të padukshëm si tek “Kangë për tokën time” ku “rrugët janë të hapuna/por kthim asht I vështirë/toka ime e dhimbshme/e dhimbshme dhe e bukur” (2016). Në përgjithësi, përqasjes së mjaft poezive të autorit, I perceptohet eksperienca e një natyre tragjike që I jep vetë poezisë një autenticitet të lartë. Si e tillë, ajo është jo thjesht imazhere dhe mesazhere, por tipike dhe tipologjike e urtisë, dijes dhe njohurisë së këtij autori të ndjeshëm.
Anton Çefa, flatrime poetike në kohë
Anton Çefa – u lind në Shkodër në v. 1934, në një familje antikomuniste me tradita atdhetare e kulturore. Í ati, Shtjefen Çefa, ka qenë një ndër themeluesit e Shoqërisë “Bogdani” (1919-1944), një shoqëri e shquar kulturore laike demokratike. Kreu shkollën fillore e të mesme dhe Institutin Pedagogjik 2-vjeçar në Shkodër, dy vitet e fundit të arsimit të lartë në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhës, Letërsisë e Historisë së Shqipërisë – Dega e Korrespondencës.. Ka shërbyer si mësues në shkollat 8-vjeçare dhe të mesme. Mbas rënies së diktaturës, ka qenë një ndër themeluesit e gazetës demokratike “Shkodra”, e para gazetë lokale demokratike në Shqipëri, dhe anëtar i këshillit botues të saj. Gjithashtu ka qenë anëtar i këshillit botues të revistave “Rrezja e jonë” dhe “Kumbona e së Dielles”, që filluan të botohen në Shkodër në atë kohë. Për një periudhë të shkurtër, ka punuar si drejtor i Radio Shkodrës. Në vitin 1993, ka emigruar familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitet 1994-2007 ka qenë editor i gazetës “Dielli”, organ i Federatës Panshqiptare Vatra.
Ka botuar përmbledhjet poetike: “Dritarja e një britme” (1999), “Heshtja ka tingull guri” (2002), “Fjalë në vargoj të muzgët” (2003), “Flatrime me krahë të premë” (2008), “Bardhësi me zbritje bore” (2016); antologji poetike me poezi nga përmbledhjet e mësipërme dhe me disa poezi të pabotuara. Po në këtë vit, u botua në Bukuresht një antologji poetike me poezi të autorit, e përkthyer në rumanisht dhe e pajisur me shënime kritike nga Kopi Kyçyku dhe me një parathënie të Ardian-Christian Kyçykut, me titullin “Fereastra unui strigat” (“Dritarja e një britme”). Ka botuar librat: “Një sprovë e psikologjisë etnike të popullit tonë” (në dy pjesë); “Edukatë popullore shqiptare”, “Në hullitë e fjalës artistike” (Kritikë letrare: syzime-analiza-intervista), “Ftillime publicistike”, “Libri i Portreteve”, “Me Nolin e Konicën tek ‘Vatra” – ese, dhe një përmbledhje poezish të përkthyera nga italishtja dhe anglishtja.
Comments