top of page

Poetët nuk vdesin



Kushtuar mikut tim, poetit dhe kolegut tim Simon Kaca

Nga Sakip Cami

U bënë disa vite që Simon Kaca nuk jeton më. Nuk jeton fizikisht, por ai jeton në jetë të jetëve sepse poetët nuk vdesin, pasi kanë lënë pas poezinë e shpirtit të tyre. E kisha një peng për ta bërë këtë shkrim që në gjallje të tij, kur ma dhuroi me nënshkrimin e tij, me shkrimin e tij me kaligrafi të bukur, librin e tij poetik “Në sy fjalën ta lexoj” .

Sic e shikoni në këtë foto, me Simonin kemi qenë kolegë kur shërbenim si ushtarakë në qytetin e Bulqizës. Në këtë foto është edhe Islam Cenga, një poet tjetër, mësues letërsie në gjimnazin e këtij qyteti. Shkruanim në gazetën “Luftëtari”, “Ushtima e Maleve” , “Ushtria’’, shkruanim dhe botonim poezi në organet letrare.

Së bashku me Hajri Mandrin, në atë kohë drejtor i Kinoklubit të Bulqizës. Demir Rusin, shefin e shtëpisë së ushtarakëve, Halil Ramën, metodistin e shtëpisë së ushtarakëve, Pllumb Dervishin , metodistin e Kinoklubit të qytetit, kompozitorin Xhelil Ymeri, piktorin dhe muzikantin Azem Teta e shumë të tjerë kontribuonim për mbajtjen gjallë të jetës kulturore të këtij qyteti minator.


Simon Kaca

Shumë nga poezitë e atyre viteve janë përmbledhur edhe në vëllimin e tij poetik që e ka përgatitur për botim, një tjetër poet i shquar i Ushtrisë dhe i Shqipërisë Arben Duka. Ja si shkruan Arben Duka në parathënien e librit :”Poezitë e këtij vëllimi janë shkruar për vite me rradhë dhe të krijojnë një gjendje të këndshme shpirtërore kur i lexon. Simon Kaca të fut natyrshëm në botën e tij intime dhe mund të themi se libri në fjalë është personalizimi i vetvehtes. Në poezitë e Simonit përdoren me mencuri dhe masë figurat letrare me synimin për të mos i ndërlikuar ato e për të mos i bërë të padëshifrueshme si një kriptogram.”

Simoni është nga Ulza, qyteza buzë liqenit që mban emrin e saj. Ai shkruan për të : “Ulza !...Muza ime poetike që nuk shteron kurrë...Nuk shterron me Shkopetin si një djep që përkundet, me Bushkashin si bletë mbi nektarin e një lulefushe, me Stojanin si kurorë si mbi ballin e një nuseje, me Sanxhakun qerpikvajze mbi “syrin” e liqenit, me Lundrenë si flutur mbi krahët e një pishe, me Madheshin si një pikë loti në fytyrën e një fëmije, me Kokërdhokun si flokë dëbore mbi një tufë kacurrela e me sa e sa puhiza drite që vrullojnë nëpër zemra...

Vendlindja ime e shtrenjtë më rriti, u bëra oficer i Ushtrisë Shqiptare, më bëri poet, u riktheva si drejtues i saj për të punuar së bashku dhe këtë libër ja kushtoj Ulzës.

Nuk do të ndalem të bëj analizën e poezisë së Simon Kacës, por do të citoj një poezi të tij, duke ja lënë lexuesit vlerësimin, por duke menduar se humbën një poet, një njeri të mrekullueshëm, një drejtues model në shërbim të komunitetit.

Shko, poezia ime

Te shtëpi e vjetër

Dhe këpute një degë malli


Shko, poezia ime

Tek Liqen’ i Ulzës

Dhe merre një gur zalli


Shko, poezia ime

Tek flokët e thinjura të nënës

E puthe për mua


Shko, poezia ime

Tek zemra që pret

E thuaji:”Të dua”!

Kush është Simon Kaca ?

Simon Kaca është lindur në vitin 1960 në fshatin Bushkash afër Liqenit të Ulzës. Shkollën 8 vjecare dhe të mesme e kreu në qytetin e Burrelit. Më pas kreu studimet në Shkollën e Lartë të Oficerëve Tiranë ku u titullua oficer. Shërbeu në repartet e Bulqizës dhe të Burrelit. Pas lirimit nga ushtria në vitin 1992, shërben si mësues në Ulëz dhe më pas zgjidhet dy herë kryetar komune në Ulëz.

U nda nga jeta në vitin 2007 duke lënë pas krijimtarinë e tij poetike dhe veprimtarinë e devotshme në shërbim të komunitetit.



133 views0 comments

Komentáře


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page