Poetja Oralda Lahe është thjesht vetvetja, në një version të saj
Prof Dr Fatmir Terziu
Diçka për të menduar dhe gjithnjë në një mendim të thellë të sjell poezia e Oralda Lahes. Në të ka skena të cilat nuk duhet t'i bëjmë kurrë fotografi për t'i mbajtur mend, sepse ato janë më të paharueshme dhe mendohen më mirë kur jemi duke i lexuar personalisht. Po kështu, në dashurinë që sjell ajo mes vargut ndonjëherë fjalët nuk mjaftojnë dhe më mirë lihen ashtu disi pa stiluar, për të thënë të pathënën. Ja si rrjedh vargu i Oralda Lahes në këtë poezi: „Me flokë/të shpupurisur/vij drejt teje/E shëmtuar/dua të takoj/Pa zbukurime/e veshje/magjepëse./Me flokë/të shpupurisur./A do më dashurosh?!/E mbyta moralin/E një shoqërie/Flokët nuk prishen lehtë/As në të përtejmen/Botë të Vogël/Me të shpupurisurat/flokë vij/Dje, Sot, Nesër …“
Kjo është vërtësia, nëse ajo ndodh të jetë më afër reales, dhe nëse ajo ekziston, por sipas vargut të tillë nënkuptohet mes thjeshtësisë dhe se vetëm në heshtje mund të shprehim ndjenjat tona të dashurisë. Sytë tanë mund të flasin një milion fjalë më shumë çdo sekondë, sesa kordat tona vokale, sesa zbukurimet, veshjet, magjepsjet. Fjalët e tilla që vijnë nga e folura janë thjesht në mënyrën që ndan dy shpirtra. Pse të flasim kur sytë tanë mund të na bëjnë një, dhe buzët tona mund të puthen? Këtu nuk nevojiten fjalë. Këtë e ka një arsye më shumë, poetja Lahe, në tërësinë e saj të stiluar vëtëm në varg. Me këtë nëkuptojmë se fjalët mund të zbehen, por kujtimet e asaj që bëmë ato ditë të heshtura do të mbeten për ne për t'i menduar në ditë të qeta, sikurse është vetë jeta në mosstilimin e saj. Dhe jeta është një simbolikë e tillë ku diskursi shkon tek simbolika e trëndafilave dhe dashurisë. A e dini se trëndafilat bëhen të kuq kur shikojnë një grua të bukur? Ato janë rozë sepse kanë rënë në dashuri me buzët tuaja të ëmbla dhe rozë. Dhe zbardhen sepse kështu është bërë e pastër dashuria e sinqertë. E kështu me radhë janë sytë që hipnotizojnë dhe zëri i butë që dominon në vetminë e ftohtë, e më pas përqafimi, i butë dhe i ngrohtë, zbut ajrin e ftohtë. Pikërisht me puthjet e ëmbla bie në dashuri thelbi i shpirtit të njeriut. Me të ëndërron nga larg. Janë kujtimet që mbahen kudo.
E në rastin e Oralda Lahes „Të lind dëshira/të lutesh/për përqafimin/e njerëzve të tu/Një frikë/Turbullim/Habi/Të lind dëshira/Të ndezësh qirinj/Të përulesh/Të ndalësh/Të kërkosh/Të falësh/Në mungesa/Në mendje të qeta/Si pak herë/Të lind dëshira/Të përqafosh/Njerëzit e tu të dashur/Si dikur me naivitetin e/një fëmije…“ diksursi të ndryshon dhe të ka ndryshuar. Kjo sepse filozofia emesazhit të përqafimit tashmë ka kaluar në kornizë tjetër, në kornizës që thurret me normativin e vetë jetës. E në këtë diskurs krijon me kuptimin e thellë diçka më thelbësore, diçka për të menduar, ndoshta dhe buzë të paharrueshme. E ti shkon më tej se leximi i vargut, tek memorja, tek sinteza e memorjes dhe tek perceptimi. Natën e parë që të takova, shkova për të fjetur duke u përpjekur të kujtoja fytyrën tënde, por nuk munda ta dalloja.
E vetmja gjë, e vetmja karakteristikë që më erdhi kaq gjallë në mendje ishin buzët e tua, të bukura siç janë, siç e di që je. Buzët që ma puthin shpirtin. Janë buzët që dua të puth. Buzët tuaja,. Aq të ngrohta sa që shkrijnë buzët e mia. Buzët që më pëshpëritin në vesh. Buzët që dua të dëgjoj. Buzët tuaja. Buzët me të cilat dashurohem. E gjitha është një emetim me një etiketë që vjen nga mesazhi. Tashmë buzët shkojnë në udhëjetë, në nivelin që ata duhet të përfaqësojnë, e kështu Oralda ka të drejtën filozofike të na delegojë mesazhin se tashmë „përqafimi“ nuk është më ai primari, nuk është më ai përcaktori i Fjalorit të Gjuhës Shqipe, por diskursi që rreket të përfaqësojë vlerën ku udhëjetën e tjerr vetë njeriu dhe gjithnjë nëpërmjet një diçkaje për të menduar.
Dhe kështu mesazhi i këtij formati diskursiv të Oralda Lahes është edhe për një jetë të re, një katalog më vete, një udhërrëfyes filozofik për një të paardhur, me të cilin vetëm poetja dhe vargu i saj komunikon. Për këtë ajo zgjedh këto vargje „Nëse nesër vendos/të lindësh ti/krijesë e re/Mos kujto se/do të buzëqeshin/njerëzit/Ata do të puthin, tallen/do të bëjnë/çdo gjë me ty/Mos lind nesër zgjidh/kohën e ardhjes/të ikjes nuk dihet/Nëse lind nesër uro/nënën dhe mallko veset/kjo është jeta biri apo bija ime..“
Oralda Lahe në këtë strukturë të veçantë të mendimit të saj poetik ka dhe një „Siluetë“. E për këtë ka shumë e më shumë gjëra që agravohen duke bërë që mendimi të shkojë në një pikë të domosdoshme. Duket sikurse kërkon të thotë se dua të shkoj në një mënyrë, por rryma më çon në një tjetër. Në fund, mendon se janë të gjitha rrathë, spirale. Kështu mendon vetëm kur ka shkuar shumë larg, pasi nuk mund ta shihte që ishte një rreth që në fillim. E tek poezia e saj „Siluetë“ Oralda Lahe në formën më të ndjeshme saktëson „Silueta merr/formën që ke ti/Nuk më tremb/Silueta/E ikjes/Po ajo e ardhjes/Në ç'ëndërr sheh?!/Në çfarë mirazhi?!/A ka shkretërirë/më të frikshme/se kjo e jona?!/Gamiljet u shfaqën/E ti jo/Në ç'ëndërr/U pamë ?!/U fshehëm/Ne.“
Edhe rikthimi tek çmimet poetike që ka marrë Oralda Lahe flet për të veçantën e poezisë së saj. Pak kohë më parë ajo ishte në një konkurim me disa emra të njohur të poezisë, kur rrëmbeu çmimin e tretë të poezisë, me temë “Ulliri“, të organizuar nga Libraria ARTI në Ulqin. Edhe në disa konkurime të tjera ajo ka treguar ritmin e saj drejt lartësisë dhe kulmit të vargut. Duke parë thelbin strukturor që poetja përdor për të rrëshqitur përgjatë një vargu fjalish dhe figurash poetike derisa… arrin… në një verandë të mundshme zgjidhjeje… e treguar kryesisht përmes ndryshimit të dallueshëm të çelësit dhe pauzave të programuara nga ana tjetër është pak e zakonshme, nëse jo një pikë që dallon poezinë e Oralda Lahes. Poetë nga të gjitha kampet, skenat dhe traditat estetike e bëjnë këtë, por Oralda Lahe është thjesht vetvetja, në një version të saj. Dhe pas një sërë leximesh kam ndjerë mjaft mirë zërin e poetes për të menduar se vërtet ka diçka në këtë melodi të zakonshme të poezisë së saj që lidh me dashamirësi thelbin e mesazhit diskursiv.
Comments