Poetit
“Ai e pëlqente cigaren, tymin e saj dhe kalonte nëpër buzë aromën dehëse të një gotë rakie.”
Një memorje për një poet gjeneratash.
Nga Fatmir Terziu
“E bëri nga balta.” Ai tha.
“E shijoj si një misërnike nga Devolli,
dhe e shoqëroj mendimin tim duke numëruar rruzat në gotën qelibar.”
Tymi plot nikotinë. Ndaloi
la shenja dinake mes gishtave,
pastaj vetvetiu vazhdoi dhe shkroi,
“Eh, më pëlqen pirja e cigareve, ndërsa rrokullisi penën.”
Ai shkroi,
pastaj vazhdoi të mendohet
duke shkelur rrëndë, sikur hamendësisht shkelet një kërmë,
bishtin e lagur të cigares me të pështirë,
ashtu këmbë mbi këmbë,
një gjymtyrë e shtruar mbi tjetrën e shtrirë.
Tamam një poemë.
“Por unë nuk më duket se e pashë me një çakmak në dorë.
A mundet njeriu të shohë,
kur ndizet një cigarë në thellësi të vjershave?”
“Ju shikoni! Këtu nuk ka xhepa për orendi të tilla,
fundja më mjaftojnë këmbët, duart, buzët e ngrira,
të tjerat m’i kanë “konfiskuar”
bashkë me ajrin e pastër, me baltën,
me Devollin,
me mushkën xanxare
a nuk e dini?”
Konsideratë. E gjitha mes vargut të lagur,
vargu mori dhe dha frymë
duke dihatur,
dhe tentoi fuqishëm të dalë jashtë,
ngricat e ngadalta ishin bërë zullum të tymit që shpërndahej në ajër.
“Unë e dija se shkëlqimi dhe rrënia kishte gjithnjë plot Zylo,” tha ai.
“Dua të them, se ishte i sigurtë se Zylo ishte ende mes nesh
shkëlqente, ngrihej dhe rrëzohej
dhe prapë rishkruhej,
rilexohej,
ndoshta pa e vënë re në tymin e madh të kohës.
E vura re vetëm që ai më vinte re.
Ndoshta ishte mënyra se si flokët u mbështollën ashtu,
rruga ishte shtrirë si një kraharor i gjerë,
jepte e merrte frymë thellë.
Retë sakatonin gotat me shampanjë dhe gajaseshin të lagur në botën intime ...
Kjo e bëri të rimendohet atje thellë,
të ringrihet
të shuajë tymin mbi cigarë
të ecë gjatë.
Gjatë...
Por unë kurrë nuk e pyeta për të ndezur cigaren time
për baltën, tymin, mushkën e lodhur
ose këmbët e mia
të degdisura nëpër gjeografira të shara e të ofenduara
nga nëna, motra, baba e rrënja e fisi.
Kurrë.
Vargu ishte ndryshe nga gjeografia,
jeta nuk varej nga mjedisi,
vetëm nga liria.
Një tjetër unazë tymi,
një psherëtimë,
një kryqëzim dhe kalim i gishtave përsëri mbi poezi.
Nuk kisha asnjë ide,
çfarë tjetër ishte për të bërë pa Atdhe?
Por për t’u lutur ende në Atdheun tim të bukur,
me këmbët e mia të lodhura,
pirja e duhanit ishte një brengë, duke u përpjekur të kuptoj se ...
ishte lufta e pashpallur e tymit mes tymit
në një gjeografi të tymtë,
të izoluar.
Comments