top of page

Poeti që shkruan për një poet e artist shqiptar...


Nuri Dragoj

Aktori strugian, Xhevat Limani, në një libër të Kristaq Shabanit


Poeti që shkruan për një poet e artist shqiptar ende jashtë kufijve të shtetit amë


Nuri Dragoj


Poeti dhe shkrimtari Kristaq F. Shabani, me librin “Pemnaja e artit të bleruar”, ka mundur të na sjellë fare pranë krijuesin dhe aktorin e njohur Xhevat Limani. Autori shetit me librin e vet herë me aktorin, herë me poetin dhe herë me dramaturgun Limani, duke shpërfaqur në çdo rast të rejat poetike, dinamikën aktoriale, botën e pasur shpirtërore, atdhetarizmin, por dhe ndjenjën e dashurisë, ku Limani na vjen si një lirik i embël. Xhevat Limani u lind në fshatin Fierishte të Strugës, ndaj ky libër merr rëndësi shumëplanëshe, pasi na tregon se Shqipëria është e shumë e vogël, se nuk mund të ndahet në Jug e Veri, Lindje e Përëndim. Kjo ndarje është bërë nga ata që e copëtuan, nga ata që duan sërish ta lënë të coptuar. Ndaj s’duhet të themi më “Strugë e Maqedonisë”, por vetëm Strugë, sepse është shqiptare.

Në kohën e sotme është disi e vështirë të gjesh në raftet e librarive vëllime poetike bashkëkohore, të shkruara me një teknikë të përkryer dhe të ngjeshur me mendim të pastër filozofik, ku ndjenja zbukurohet hijshëm nga fuguracionet e shumta letrare. Por kjo ka ndodhur me librat poetik të krijuesit, Kritaq Shabani, i cili është njëkohësisht poet, prozator, publicist, drejtues, organizator e redaktor librash.

Për të portretizuar një krijues që publikon një vëllim poetik, kërkohen metafora të fuqishme që kanë lidhje kryesisht me fenomenet natyrore, si tërmete, meteorë, rrebeshë, uraganë, apo ajzbergë. Por në rastin e artistit Xhevat Limani, me librin poetik “Pranverë dimërore”, gjithçka ndryshon. Kjo për faktin se Limani nuk është një udhëtar i rastit, që shfaqet përkohësisht në rrugët e universit letrar, për të mbledhur disa lëvdata gazetash, që t’i vendosë pastaj në albumet e biografisë së jetës, të cilat më vonë t’ua tregojë familjarëve, apo të afërmve. Përkundrazi, Limani nuk është banor i ri në universin e letërsisë, por një përfaqësues i racës së njerëzve të letrave dhe të artit, dhe do të mbetet i përhershëm, për të na rrëfyer hap pas hapi katalogët e krijimtarisë së djeshme, të sotme, por edhe nesërme.

Në mënyrë të vetvetishme, gjatë hyrjes në mjediset poetike, Limani na imponon qetësi dhe vëmëndje, ndërsa me dramat e tij na trondit e na lë pa gjumë. Kjo jo për shkak të efekteve artificale që lidhen me formën, por për shkak thelbit të universit poetik prozaik që shpalos magjia e veprës së tij te lexuesit. Gjithashtu, sipas traditës së vjetër të Parnasit, poetët imagjinohen si kalorës të hipur mbi pegasin e lashtë, apo në ditët e sotme, të hipur mbi podiumet e servilizmit politik, apo mbi reklamat e pushtetit, ndërsa poetët e suksesshëm vijnë mbi makinat e tyre të blinduara dhe zbresin si princër të vërtetë në sallat e promovimeve apo vitrinat e librarive. I tillë është Kristaq F. Shabani, por dhe Limani i marrë në skaner prej autorit të librit. Ai vjen në tregun e letrave pa dashur të bëjë zhurmë, sepse është i bindur që zhurmën e vërtetë e krijojnë ritmet e metaforave dhe kombinacionet e vargjeve, të cilat përbëjnë zbulim të veçantë në atmosferën dhe mjedisin e sotëm poetik. Ai ushtron profesionin e aktorit, i cili e nderon dyfish identitetin e mbretërisë së vetë në poezi.

Autori i librit, Kristaq Shabani, ka shumë kohë që eksploron dhe shkruan në zhanret e letërsisë, si në poezi ashtu edhe në prozë. Prej kohësh ka botuar krijime të spikatura që nderojnë çdo krijues. Po çfarë e bënë të veçantë mjeshtërinë letrare dhe kërkimet artistike të Shabanit, në raport me shumë libra të tjerë që janë shpërndarë me shumicë ngado? Karakteristika e parë ka të bëjë me profesionalizmin dhe zotërimin e talentit të lindur në përdorimin e figurave letrare, apo menaxhimin e situatave poetike, për t’i kthyer ato në çaste magjike, apo në gjendje emocionale. Veçon thjeshtësia dhe vërtetësia me të cilën na i përcjell ndjenjat e veta, forca e mesazheve që transmeton, një mënyrë e re të shkruari, disi e veçantë, por tërheqëse, në dukje e vështirë, por në fakt e prekshme, në aparencë i afron absurdit, por në të vërtetë është realitet. Hidhuni një sy vëllimeve “Pulsi i dhimbjes”, “Vilarët e verdhë”, “Esmerka me topuz”, “Virtyti i thyer”, “Gëzimi i vjeshtës”, “Paneli i llavës pikturon”, “Asfiksia e shembsave”, romanet “Kryefjala e fatales”, “Lodrim i madh i vdekjes”, “Shekulli i lotuar” etj., dhe do të kuptoni vërtetësinë e atyre sa thamë më sipër.

Ndjesia e parë që na përfshin pas leximit të librit “Pemnaja e artit të bleruar” ka të bëjë me krenarinë e çdo lexuesi për faktin se ai është bashkëkohës me autorin e librit dhe mund të konsultohet me të për shumë fenomene apo mistere shpirtërore, që di t’i zbërthejë aq bukur, vetëm një poet si ai. Ky konsultim ndodh nëpërmjet ballafaqimit me ndjenjat dhe mendimet që shpreh autori për fenomene të ndryshme të universit dhe natyrës njerëzore. Për ne shqiptarët kjo krenari është e dyfishtë, për faktin se ky poet i përket kombit tonë të përvuajtur, por të bekuar. Megjithëse personazhi i librit të Shabanit, gjatë jetës së tij është përplasur cep më cep fushave e hendeqeve të jetës, ka mësuar në shkolla, por u ka dhënë mësim edhe të tjerëve, ka aktruar e pritur duartrokitje të shumta. Kuptohet qartë se ai është poet e prozator i lindur dhe i përket i racës së talenteve europianë. Për këtë arsye, ne ndjehemi të privilegjuar dhe përfshihemi në emocion të shumëfishtë, pasi përfaqësohemi nga një pjesëtar i familjes sonë të përbashkët arbërore. Përveç të tjerave, emocioni dyfishohet edhe për shkak se ky talent i letërsisë, prek në mënyrë profesionale dhe poetike të gjitha skutat e mistershme të shpirtit njerëzor, duke i paraqitur ato si koordinata magjike. Dhe këtë e bën me poezitë, poemat, dramat e deri te romanet.

Eshtë e njohur kudo në botë shprehja që, “për të vlerësuar verën, nuk ka nevojë të pishë gjithë vozën, por mjafton vetëm një gotë”. Ky krahasim mund të përdoret edhe për poetët që dallohen qysh në vargjet e para, madje në poezinë e parë të çdo vëllimi. Kjo ndodh edhe me poezinë e parë të librit “Pranverë dimërore”, të poetit Limani, ne poezinë e poetit Kristaq Shabani, brenda këtij libri, titulluar “I çuditshëm ky “Zëri i Amerikës” dhe shumë poezi në librat e tij, ku ai shpalos metaforat dhe figura të pasura letrare, që vezullojnë si margaritarë të artit. Kjo poezi ngjan me rrezet e mëngjesit, që të mbushin shpirtin me gëzim e lumturi. Autori na sjell disa vargje të Limanit, në poezitë ku tregohet “fizionomia e lules”, gjetkë ku “lulja buzëqesh me bebëza malli”. Duket që në të janë rreshtuar sekretet e çudishme të poetit, që ia beson intimitetit të universit femëror, ditarit të tij poetik, i cili deri dje ishte tërësisht personal, por pas publikimit bëhet pronë e gjithë lexuesit. “Në kopështin e virgjër, ti qase vesën dhe lotin…s’ka shpresë për konet, Lulja ime…” Libri përmbledh tematikë të gjerë të jetës, por në radhë të parë ai është radioskopi e ndjenjave të fshehta të njerëzve, ndjenjave të dashurisë për vajzën, gruan, natyrën, atdheun… Ah, ti mal me borë, / Më dogje shpirtin e gjorë, / veç për timen Luleborë…Autori i librit na tregon se Limani kërkon të tërheq vëmendjen e njerëzve, të tregohen vigjilentë, të kujdesshëm, ta duan jetën e vendin, sepse lejimi i ngricave të akullta mund të çojë në “përmbysjen e gjithçkaje të krijuar”. Në veprën e tij ndihet varfëria, zgjatja e pranverës dimërore, një “Apotheozë veshur me rroba të tjera mjerimi eksterm”.

Në pamjen e parë, një njeri i palexuar mund t’i kuptojë disa nga vargjet e këtij libri, si një dështim dashurie apo pesimizmi njerëzor, si humbje shprese apo tendencë për t’u larguar prej saj. Në të vërtetë, për çdo njeri që e njeh poezinë, ai është një piedestal dashurie. Gjëja e parë që mund të themi ka të bëjë me formën e mrekullueshme të shkrimit të poezive. Në letërsi, të gjithë ata që shkruajnë e dinë që nuk ka rëndësi çfarë shkruan, por mënyra se si e shkruan atë që dëshiron të trasmetosh te lexuesi. Teknika bashkëkohore e shkrimit të poezive tregon se autori i librit, por edhe subjekti i tij, aktori Limani, është i përgatitur dhe i sigurtë për të qenë pjesëmarrës dinjitoz në këtë fushë. Vargjet ndërtohen me figura të shumta letrare, të cilat autori i ka gjetur me lehtësinë e një mjeshtri, që e identifikon atë si përfaqësues të vërtetë të racës së poetëve. Por i rëndësishëm është edhe fakti që këto figura janë të arsyeshme e të logjikshme dhe jo të hedhura kot e pa lidhje me kontekstin.

Janë të shumta poezitë e tij ku shpërthen ritmi poetik i vargjeve, ku zgjohet malli për vendlindjen, në të cilën flenë kujtimet e rinisë së dikurshme, por edhe pengjet e mbetura pezull nga koha. Autori nuk mund ta shmangë plagën e mungesës së lirisë, mos zhvillimit dhe legalizimit të gjuhës amtare, plagën e mërgimit, dhimbjen që të krijon distanca, boshllëkun e pashmangshëm të vetmisë, të cilat i shndërron në realitet artistik nëpërmjet gjuhës së poezisë. Vargjet gjëmojnë në brendinë e shpirtit të poetit, poezia shtrihet në hapësirë dhe në kohë, në ndjesinë e tij patriotike, ku dilemat e komplikuara retorike nuk i le pa përgjigje, ndonëse ai jeton në Strugë e jashtë saj, ka parë vende shumë më të zhvilluara e më sociale të botës. Dhe të mos zgjatemi. Lexoni librin e Shabanit për Limanin, por edhe “Pranverën dimërore” të tij, dhe do ta kuptoni që këto fjalë nuk kanë qenë të tepërta.

Do të duhej një libër i dytë, nëse do të shkruanim për dramën “Albaniada”, poemën dramatike “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, për vepra të tjera dhe dhjetra role të realizuara nga Limani në skenën e teatrit, por edhe në atë të kinemasë. Ndaj po ndalem pak te drama epike e Limanit, titulluar “Dodona”. Kjo për faktin se çështja e tempullit të Dodonës, faltores më të lashtë të kontinentit, por edhe më gjerë, i quajtur “tempulli pellazgjik”, vazhdon të mbetet nga më të debatuarat. Madje, ndaj saj, shpeshherë, mbahet qëndrim indiferent nga institucionet shkencore. Janë publikuar shumë libra pa baza të thella shkencore, të cilët kanë bërë që lexuesi të mendojë se ajo është pronë e një kombi të caktuar. Mirëpo autorët e antikitetit provojnë të kundërtën. Herodoti lë të kuptohet që ka shkuar në Dodonë dhe e ka pyetur atë, për të cilën thotë: Mbret i pellazgëve dhe i dodonëve, o Zeus / ti që nga larg sundon edhe Dodonën.... Sipas Hammond, në periudhën e viteve 1120-800 para e.re, Dodona i përkiste një mjedisi ballkanik. Robert Bell e cilëson, një nga kështjellat pellazge. Po sipas tij, Zeusi i Dodonës ishte perëndi pellazge. Studiuesi Arsim Spahiu shkruan se Dodoni qe bir i Zeusit dhe Europës (hallë e Ilirit). Orakulli që e kishte qendrën në malin Tomor (mbase është fjala për Dodonën dimërkeqe), i jep Zeusit titullin Dodonas. Pellazgët në poemat homerike janë konsideruar hyjnorë (Iliada, 840-841). Homeri tregon se Zeusi pellazgjik adhurohet në Dodonë të Epirit. Herodoti vë në plan të parë barbarët dhe jo grekët (shek. V para e.re). Ai pohon se, personat që shërbenin pranë faltores së Dodonës, i kanë thënë se grekët, emrat e perëndive i kanë marrë nga pellazgët. (Herodoti II, 52). Pellazgët i konsideronin hyjnitë të shenjta.

Këtë na thotë dhe autori i librit, Kristaq F. Shabani, referuar punimit të Limanit. “O mbret Zeus, Dodonës Pellazgjike,/ që banon larg duke sunduar Dodonën, që e rrahin dimra, të rëndë dhe të egër…Këtu Zeusi deshi të ndertohet / Faltorja më e vyer për njerëzinë, Orakullin e tij Dodonën Pellazgjike”. Është guxim i madh, jo vetëm të shkruash, por edhe të komentosh çështjen “Dodona”. Dhe këtë Shabani e ka realizuar me profesionalizëm. Tashmë dihet që Orakulli i Dodonës u themelua nga pellazgët, para ardhjes së grekëve. (Iliada II, 16). “O Zeus, mbret dodonas e pellazgjik, që banon larg dhe kujdesesh për Dodonën dimërkeqe, ku përreth janë sellët...”. Homeri në librin Odisea, na kujton Uliksin, që shkoi në Dodonë për t’u këshilluar me Hyjnitë dhe të dëgjonte nga lisi i gjatë fallxhor orakullin e Dodonës. (Odiesea XIX, 290). Lisat e transmetonin orakullin me fëshfërimën e gjetheve të lisit të shenjtë. Të njëjtën gjë bënin pëllumbat me anë të fluturimit, ndërsa kazani prej bakri, i jepte mesazhet nëpërmjet tingujve. Zeusi është zot i rrufesë dhe dukurive të tjera atmosferike. Orakulli i Zeusit në Dodonë njihet që në epokën e bronxit, ndërsa statuja e Zeusit në Delf, është ngritur nga grekët në vitin 430 para e. re.

Për shkak të deformimeve historike, temulli i Dodonës herë paraqitet në Thesproti dhe herë në Molosi. Botuesit e Strabonit në gjuhën frënge, bien dakord me Suidan, të përmendur nga Straboni, si dhe në një komentar të Homerit, i cili mendon se ishte një Dodonë në Thesali dhe tjetra në Epir. Mjeku i Ali Pashë Tepelenës, Henry Holland, shkruan se ajo mund të jetë në anën lindore të Arkatit, midis këtij lumi dhe Aelout. Pra, siç shihet, mendimet janë të ndryshme. Herodoti thotë se është në anën më të largët të Helopisë, të cilën e quan trevë “shumë pjellore e me luadhe të mira”. Apolodoni përshkruan moçalet që rrethonin tempullin. Holland supozon se ajo mund të ndodhet midis lumit të Artës dhe Aspropotamit, poshtë maleve të Xhumerkës.

Autori i librit në fjalë, Kristaq Shabani, duke cituar historianin Arvanitoi, na thotë se “Dodona ishte qendër Pellazge para helenike, shumë më e vjetër se gjuha, perënditë dhe mitologjia greke, si e tillë, ajo u njoh në krejt botën e lashtë dhe këtë realitet ekzistues e kanë pranuar vetë autorët e moçëm helenë”. Natyrisht, e vërteta nuk është saktësuar ende, sepse shumica e studiuesve që japin të dhëna për vendndodhjen e saj, nuk janë të sigurt. Duke qenëse kanë kaluar mbi 3000 vjet, është e vështirë të flasësh për moçalet apo lisat gjigant. Rëndësi merr fakti që pranohet nga shumica e autorëve se, Zeusi, jashtë Dodonës, nuk ka asgjë orgjinale. Kjo epërsi e kultit të Zeusit është në mënyrë të padiskutueshme, një veçanti krahinore, që e dallon Epirin nga bota greke dhe e afron atë me Maqedoninë. Straboni thotë se Diona është hyjni e Dodonës, para greke. Studiuesi Arsim Spahiu, përmend P. Grimal, që shpreh mendimin se të gjitha legjendat, ku hyn Hera, janë pellazge. Ajo u gëlltit nga Kroni, por u kthye sërish në jetë, fal dredhive të Metisit dhe forcës së Zeusit.

Rëndësi për ne ka fakti që Limani ka guxuar të flasë për Dodonën, ky na shfaqet Thoti, Ati, Mëma, Prometeu, Zojsi, Kori, Kreoni, Antigonea, Rozafa, Baletipor edhe Skënderbeu, Donika, Lekë Dukagjini, të cilët në gjuhën e aktorëve flasin shumë. Ndaj them se Limani ia ka arritur qëllimit, të cilën na e përjetëson dhe Kristaq Shabani me librin kushtuar aktorit strugian.


19 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page