top of page

Poeti Qazim Muska në poemën “Kënga e udhëtarit”...


PIRRO LOLI

NISU ! ( PËR KËNGËN E UDHËTARIT )


PIRRO LOLI


Poeti Qazim Muska në poemën “Kënga e udhëtarit” këndon për njeriun që tërë jetën është qenie në lëvizje, gjithmonë në udhë në të gjitha pikat, e mundshme, kthesat, ngjitjet apo zbritjet drejt një stacioni të dashur ose drejt fundit, në tokë , det a në qiell. Me refrenin urdhërues “nisu”, a me titullin pavetor, autori nuk na i fsheh dot thelbin e poemës - se është fjala për udhët e poetit, kësisoj, motori i nisjes bëhet më energjik e më universal. Poeti ecën edhe mbrapsh në kohë për të përqafuar hijet e pikturuara në shpirt, e ndërkohë edhe më me furi në të ardhmen.

Asnjë rrugë nuk është e lehtë. Përplasu me mure, thotë poeti. “Ktheja shpinën territ”.Dhe nisu përsëri!

Toka është e vrazhdë dhe gjithnjë e etur, deti është i ngjitur me qiellin ; ka erë deti e qielli -furtunë. Ka sirena dhe zgalemë. Mbi ballë mund të të shkrepin vetëtimat e toka të përgjaket në këmbët e tua. Rruga e jetës dhe e krijimtarisë është dhe gjarpër që të përdridhet në dorë. Ka dhe semaforë me sy të lig; por ti ecë, kthehu dhe përsëri nisu! Nisu! Mos u tremb poet! “Kohët që të mbrujtën t’i kanë shënjuar udhët.Nordi është udha jote, poezia, e bukura ose dhimbja. Kudo ka njerëz, nisu për njeriu. Kudo ka plagë , nisu te plagët, kudo ka sirena , vdis në gji të tyre... Erërat që të rrahën shpinën do të të ndihin fatit”.

... E pikësëpari, poeti, kur e ndjen se ka diçka për të thënë i duhet të niset drejt vetes – e kjo – më e vështira rrugë për poetin udhëtar( lexo “origjinal”); i duhet ta lërë gjithmonë farin ndezur për kthim se andej duhet të niset rishtas e rishtas..- për më larg, për më thellë, për më lart- . S’kanë rëndësi stacionet e arritura, funddetet me shpirtra të mbytur, bubullimat nga lart, ishujt, me “ca vatra të fikura, me një yll të ndezur harruar diku.”...

E kam ndjekur marshimin e vështirë të Qazimit, hap pas hapi në udhëtimet e tij. Në rrugë e kam njohur. Jemi përshëndetur si dy udhëtarë që nuk e dinim ku do shkonim. As unë, as ai. Modestia e poetit shpesh nuk është bindëse. Opinioni që krijohet sot nga reklamat , TV-të e paratë, kërkon dhe zë tjetër, ndoshta një brez mbrojtës rebel,... Po Qazimi është burrë me tone të ulëta. Dhe ia ka lënë veprës të flasë, jo mikrofoneve, jo klaneve me anëtarësi njohjeje kolektive. Ai është i ndërgjegjshëm për vetveten, për “stacionet” e arritura. Dhe hap pas hapi, këmba këmbës si kolegë, më ka tërhequr pakënaqësia e tij, dyshimi ndaj vetvetes, ndaj poezisë, ndaj pozicionit të të bukurës e të shëmtuarës. Këmba këmbës. Janë kuptim plotë që në tituj librat e tij. Ai e di se gjithçka ka ndryshuar në letërsinë dhe kulturën tonë. Dhe që në librin e parë, vargjet e bindin autorin se “Era s’fryn si më parë”, se, në të dytin, është mëkat për poetin Të flerë kur është zgjuar; i ndërgjegjshëm ky se “Ende s’kemi ardhur”, e pse jo, shembull ky për të gjithë ata që, që në vargëzimin e parë, flasin e pozojnë, “unë si poet, ose ne poetët...”; Kam lexuar tregime interesant nga Qazimi e pres t’i marr në një libër; kam lexuar romanin (si dramë), “I yni përballë...”shkruar me një ndjeshmëri lotësh e ahesh për vllanë që iku para kohe se ishte pak çapkën dhe kishte një “të metë”, donte lirinë, dhe liria e e papjekur e mori ...Dhe poeti na i sjell përballë, viktimën e lirisë së paardhur.

.

Qazim Muska

..

Poeti kalon dhe nwpwr akte drame. Të qëllon dhe e përpjeta e thiktë dhe anija e mbytur, zbritja në humnerë, dhe zogjtë në qiell të ngrirë; po ti nisu , nisu! Mund të bëhesh zog e të këputesh si gjeth. Për ty më i e rëndësishme është nisja , starti, pa adresa fundesh.

Vrapo për t’u rrëzuar, digju në ajër si ballon mbushur me diell. Dhe mos harro ta marrësh tokën mbi shpinë se plagët e njeriut nuk kanë të sosur..

Gjethen e erës nuk e zë flama le të këputet pa adresë.

Mund të nisesh dhe mbrapsht të shohësh shpinën e asaj që ikën. Mund të nisesh dhe drejt harrimit me lot malli në sy; Mos u huto, rrugët e lagjes janë shumë të shkurtra. Ndryshku , gozhda, statujat memece, zogjtë e ngrirë e kanë të palexueshme lavdinë; ruaju nga lënda e sertë, vetëm shpirti ka emra lirie e dashurie. Mos kij frikë nga vetmia ktheje fytyrën nga ferri që të kuptosh parajsën...

Poeti duhet të jetë trim dhe i guximshëm. Gjaku duhet t’i hipi mbi damarë e gjaku të kërkojë zjarr; gjethja le ta këputi erën, vrapo! Ti nuk je marathonomak i fitores së një beteje. Ti je shtjellje, shtjellje drejt vetes. ciklon, baticë dhe zbaticë. Që harmonizon frymëmarrjen e detit. Pse jo, dhe vullkan që vdes nga vetvetja – kur lava e zjarrtë ngrin dhe i zë frymën të zotit , anipse mali pas tij - ashtu i ftohur- u bë më i lartë se më parë...

Gjëmimet dhe shirat na thonë se pranvera vjen ngadalë.... akujt po shkrijnë , thonë metereologët , por ti nisu atje në Groenlandë , dhe mbill një tufë fluturash bore në respekt të të dimrit dhe akullit plot dinjitet. . Mos kij frikë se ftohesh, ty të mbron poezia, poezia dhe fluturat e bardha se vetëm në rrugë e në erë rriten poetët. Në rrugë janë jargavanët e në krahët e erës qëndrojnë shtëpitë e poetëve.

Ti nisu e nisu përsëri e përsëri, se Troja vazhdon të digjet e kuajt, si lajmëtarë të paqes kanë nevojë për koncerte e tufa trëndafilësh të bardhë; ti nisu dhe mos harro të marrësh me vete thikat e kirurgut se kjo tokë ka shumë gropa, urrejtje, plagë e metastaza...

Mund te nisesh me det ...Zgjidhe cimën nga barka e vjetër dhe hapi velat, o marinar i vjetër! Ti nisu i ndërgjegjshëm se po ndryshon era dhe furtuna, dashuria dhe seksi; Ti e di se atje në atë ishullin që do të shkosh , atje tej, atje në mosdukje, atje ku yjet janë fikur, atje ku përgjon harrimi, atje ku mbi pragje ka mbirë bari i verdhë e në heshtje ia behin pshehrëtimat. Shko , i dashur! Sido që ka qenë fëmijëria e adoleshenca jonë, e ashpër dhe e varfër, për poetin mbeten nga zonat më të dashura me gjelbërim të përhershëm. Do të shkosh në një ishull te largët të harruar? Nuk të pritet? Mos atje janë fikur zjarret dhe një yll i njohur po loton ? Ah, sikur! Pse këmbëngul kënga jote për të shkuar tek një ishull. Je i falur , poet! Secili ka ishullin e vet të kujtimeve. Dimesionin e madh të asaj qenie që na ka ikur, që na mungon, por në rrudhat e ballin na kanë mbetur gjurmët, puthjet si fosil buzëkuqesh në buzë. Ai “ishull” është kujtesë , mall, zemër e zhuritur, gjelbërim i përhershëm, fëmijëria; me atë fantazinë aq të pasur. Që i kapte të tërë zogjtë e qiellit. Që i përqafonte të gjithë yjet e natës. “Lumi i fëmijërisë ujit këmbët e një pylli e pylli në gjirin e një fushe farfurin i gjelbër”;Kujtesa, e shkuara për poetin janë pllaja të pasura dhe të paharrueshme; Është “dje-ja”. Poeti ka lindur dhe ka vdekur dje. Pa prolog, pa epilog. Vazhdimësi e pa këputur. Kohë dramatke. Më e kapshme se “soti”, e pse jo dhe e ardhëshmja për një poemë të re; sytë e poetit shohin që nga larg si po përtërihen tërndafilat e vyshkur. Atje dhe përshëndetjen ta jep bashkë me jargavanët dhe çdo bli hap krahët të të përqafojë – se ka një “kod të fshehtë për të të thirrur” ; Poeti dhe blini, poeti dhe një sykaltër atje...

Nisu e shko!

Ëndërrat janë gjithnjë të etura, ato i ushqen bari e gjethja e pemës, ato nuk fiken nëpër vorbulla ; pena e poetit i çon dhe nga varri -Nisu e shko- ! E shkuara e poetit zgjatet edhe në të ardhmen, se sythet e saj gjithnjë të blertë mbijnë në çdo tokë .

! Nuk e besoj që V. Hygoi i ka thënë për poetët këto fjalë Po rrojte me kujtime, do hiqesh zvarrë dhe çdo ditë do të vdesësh nga pak." Jo dhe jo. Busulla e poetit nuk ka vetëm katër drejtimet treguese të horizonitit. Ajo më tepër është një radar rrotullues gjithë drejtimesh që të gjitha përfundojnë në një stard të ri. Dhe ja, tek një nisje tjetër poeti është më bindës, dhe nuk i shmanget realitetit dramatik. Ate tek ai ishulli i dashur nën hijen e ullinjve, te rrënjët ka eshtra dhe gjak.E shkuara ujësi e shpërfillur, historia herbarium i pambaruar. Mund t’i ndërrosh gjethet, mund t’ua përziesh aromat,t’ua rishkruash eshtrat - e shkuara kohë e pakryer. Mbetur në kujtesën tonë qytet gjurmësh arkaike, ishull i thatë pa pemë, pa zogj, statuja e monumente pa zë, balada malli, shkruar me gjak e me lotë.

Poeti gjithnjë e gjithnjë e sfidon harresën ; ai urren ata që shpërfillin dashurinë dhe lirinë; ai përqafuar është me njeriun e gjithnjë përplaset me urrejtjen. Po ti, Qazimit i shkon dhe drama dhe dashuria. Dhe më thotë,shiko, në degë pishash kanë mbetur varur tingujt e kitarës. Po, i them. Orfeun e copëtuan femrat që e donin!...

Busulla e poetit nuk ka vetëm katër drejtimet treguese të horizontit. Ajo më tepër është një radar rrotullues gjithë drejtimesh që të gjitha përfundojnë në një start të ri. Poetigjithnjë e gjithnjë e sfidon harresën ; ai urren ata që shpërfillin dashurinë dhe lirinë; ai përqafuar është me njeriun e gjithnjë përplaset e puthet me dashurinë... Ja shiko, në degë pishash kanë mbetur varur tingujt e kitarës. Të përhershme, të pashuara në gjoksin e çdo femre.

Orfeun e copëtuan femrat që e donin , por nga harpa e tij “Në degë pishash kanë mbetur varur tingujt...”Të pa shuar në mijëra vjet, të pa tretur në gjoksin e çdo femre.

Pra, nisu e shko! Merr prej të heshturve të fundmit amanetet si ai burri me zemrën në dorë që ecën pas diellit mbi shpinë të legjendave. Nisu e shko!


21 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page