Poeti Daniel Gazulli më ngacmoi kujtesën
I dashur Profesor Fatmiri,
Në Portalin tuaj “Fjala e Lirë” të ditës së sotme, lexova letrën që ju ka dërguar poeti Daniel Gazulli më 01 janar të vitit 2011. Sa dashamirëse, aq edhe prekëse, sidomos për atë porosinë e fundit që ju ka dhënë:
“Të falnderoni Zotin për atë që keni dhe të mos kërkoni kurrë ma shumë; ajo që keni asht burimi i gëzimeve; ajo që do të lakmoni, mund të bahet burim i një jete në ankth”.
Por mbresa të thella më la poezia e tij me titull “Pak dhe të shkrifët”. Emocione të fuqishme më ngjallën vargjet në vijim:
Do të kisha preferue
mbi varr të kisha dhé të shkrifët
ku të harbonin lulet.
Me këtë poezi, ai poet i talentuar i ka bërë një nderim të jashtëzakonshëm vetvetes. Thjeshtësia është virtyti më i shkëlqyer që karakterizon njerëzit me shpirt të madh. Me këtë poezi, ai u ka dhënë një leksion fantastik të gjithë atyre që edhe nga pasjeta kërkojnë të shkëlqejnë me vendprehje madhështore eshtrash, me mbishkrime përcëlluese.
Poezia e Daniel Gazullit më solli në kujtesë porosinë që kishte lënë Lev Tolstoi për pasjetën. Si gjeni i penës, ai zë një vend nderi të veçantë në aradhen e personaliteteve të shquara të kulturës botërore. Por vendprehja e eshtrave të tij, në përputhje me porosinë e tij, është kaq e thjeshtë, saqë të ngjallë ndjenja të fuqishme admirimi për këtë shkrimtar me emër të madh, i cili mbante edhe titullin “kont”.
Siç shihet edhe nga fotografia e mëposhtme, ajo është vetëm një ngritore dheu, që duket si “e pompuar” që nga nëntoka, është një kodrinëz e mbuluar nga bari, pa kryq, pa përmendore, pa një tabelë me datat e lindjes dhe të vdekjes dhe pa kurrfarë mbishkrimi se kush prehet aty.
Nuk është e lehtë të vazhdosh të jetosh edhe pas vdekjes. Këtë privilegj e gëzojnë vetëm njerëzit e mëdhenj që janë model thjeshtësie.
Kolumbus, Ohajo
14 maj 2020
Comments