Po tani do të ketë përgënjeshtrim?
Pas vendimit dhe deklarimit të hapur nga Kryeminstri i Britanisë së madhe, Rishi Sunak, se „kishte rënë dakord me një marrëveshje me Shqipërinë për të kthyer të gjithë qytetarët e saj që vijnë në Mbretërinë e Bashkuar përtej Kanalit me varka të vogla“, ka të ngjarë që përsëri të fillohet loja me përjashtim nga marrëveshja, dhe me atë që tashmë njihet si e kemi thënë dhe s'e kemi thënë, pra për ta mohuar marrëveshjen. Sidoqoftë dihet tashmë se ku qëndron problemi.
Për më tepër, injorimi i problemit dhe miratimi i heshtur i marrëveshjeve për migracion të paligjshëm në të vërtetë minon rastin për një qasje më liberale ndaj migracionit, po aq dhe kuptimit të thelbit të tij, se përse vijnë shqiptarët në UK. Më saktë a i intereson dikujt se përse e braktisin vendin e tyre shqiptarët, sidomos të rrinjtë? Nëse një komb nuk di ku i ka plagët, dhe nëse qeveria e këtij kombi nuk i bën ilaçin plagëve, ato natyrisht nënkuptojnë shumë gjëra të tjera. Ne në këtë media të lirë, duam një qasje të hapur, liberale ndaj mirëkuptimit, ndaj plagëve dhe halleve, ndaj shqetësimit, ndaj vetë emigrimit. Por parakushti për këtë është problemi që kanë sot shqiptarët dhe debati i duhur demokratik. A duhet kuptuar se shumë gjëra nuk shkojnë?
A është vërtet kaq e vështirë për t'u kuptuar? Ndërsa qindra shqiptarë detyrohen të ikin dhe të bëhen të paligjshëm dalin në breg çdo muaj, një krizë e vërtetë thellohet, dhe kjo krizë tashmë nuk është tek fakti, por dhe tek sinqeriteti i qeverisjes. Përse bëhen marrëveshjet fshehurazi? E megjithatë ata që qëndrojnë mbi këtë plagë e dhimbje të madhe të shekullit vazhdojnë ta injorojnë këtë krizë, që nis aty në hallin më të madh të Shqipërisë, që me sa duket i shmanget përditë e më shumë vetë Demokracisë. Nëse ata duan të luajnë kukafshehtas me shqiptarët, kjo është një lojë e vjetër dhe ka një faturë të dhimbshme patjetër. Për momentin, ata vetëm blejnë birbila dhe pipëza për gjuhën e duhur të pushtetit dhe i marrin njerëzit si dolli nëpër gota, atje me ato fjalimet e tyre idiote, plotë të sharra e të kota.
Comments