Plaku i Nemerçkës
Dr Fatmir Terziu
Burri me një veshje të përkujdesur ndali hapat e tij të lëshuar ashtu nxitimthi pikërisht aty ku vijëzat e bardha të gëlqeres ende ishin të pathara. Nga ai kënd Postenani i Leskovikut dukej si një skutë e marë nën sqetull nga majat përreth. Horizonti shkulte dhëmballat e akullta të dimrit të fundit, të cilat i ishin ngulur në trupin e tij, që nga ikja e shpejtë e Diellit andej matanë kreshtave të larta.
Dhe pasi fshiu sytë mirë e mirë, ndoqi ngadalë e ngadalë ato vijëza të bardha derisa më në fund mbërriti pikërist aty, ku burra e gra, fëmijë e pleq jepnin e mernin me furça të sajuara bimësh, që lyenin murret e asaj ndërtese disi të vjetëruar nga ikjet e hershme të të zotëve të shtëpisë. Dhe pastaj mori frymë thellë...
E pa bardhësinë që kishin marë murret e asaj shtëpie dhe menjëherë fytyra e tij e qeshur shëtiti tërë hapësirën që merrte ngjyrimin e stinës që po vinte e përshpejtuar, si kurë ndonjëherë. La çantën e tij të madhe dhe menjëherë u bë njësh me të tjerët…
***
Nga ajo kohë kanë fluturuar vite. Por, diku në një cep të Postenanit ende mbahen gjallë në memorje hapat e Thanas Sinës. Hapa që ia përjetoi shkumba e bardhë e gëlqeres së tejpjekur me të cilën ai gatoi shkronjëzat e ëmbla të shqipes. Dhe ajo shkumbëbardhësi gëlqerore që sillte në mjedisin e Leskovikut të vitit 1859 trokthëzat e vocërrakut që do të bënin më vonë mjedis dhe nder mes emrave krenarë si Pandeli Sotiri, Thoma Avramie më tej me emra të tjerë të krenarisë kombëtare si Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Janko Minxha, KristaqVaja etj, duket se janë ngjyer mes grisë së kohës që përditë e më shumë bën heshtasin.
I lindur në mjedisin e fshatit të Jani Vretos, i arsimuar në bankat e asaj shkolle, ku më parë ishin ulur Kostandin Kristoforidhi, Naim Frashëri, Sami Frashëri e të tjerë, i brumosur që në moshë të re me idetë e rilindësve, 'Plaku i Nemerçkës' që kishte lënë pas mjedisin e anëtarëve të Shoqërisë së Stambollit dhe pjesëtarëve të familjes Qiriazi, ardhja dhe heshtja e tij ishte pikërisht në atë mjedis tashmë një përshpirtje kohërash që e ngjizën atë dhe e lidhën fort me dashurinë për ato vise të mjaltëta.
E ndërsa diku heshtja zvarritet mes grisë së kohës, ajo që bëhet më e dhimbshme është vendi bosh në mjediset e Bibliotekës Kombëtare. Në këtë kënd të shpien kujtimet e një ish nxënësi të tij, Thanas Viso Mborja, që me kohë është shprehur qartë se Thanas Sina, i quajtur me pseudonimin 'Plaku i Nemerçkës', kishte përgatitur edhe disa tekste mësimore. Tekstet e tilla, nën emrin e tij, duket se janë thjesht një plangë tisesh të kohërave.
Titujt e tyre 'Dituri e natyrës'; 'Fizika'; 'Zoologjia' edhe pse kanë këndin e tyre bosh, sidoqoftë edhe nëse kanë mbetur diku në dorëshkrim, për hir të vlerave dhe respektit ndaj një figure të tillë, duhet patjetër një përkujdesje. Aq më shumë kur fonde të shumta janë shkrirë e shkrihen për 'kërkime' personale të stafeve që ndërrojnë kostumet dhe shijet politike në mjedise të tilla, natyrshëm mungesa e teksteve të këtij burri të shquar është akoma më shumë gri dhe grishëse.
Por një gjë është e qartë se shkrimet e tij nën pseudonimin 'Plaku i Nemërçkes' mbetën një vlerë në faqet e gazetës 'Drita' të Sofjes, të cilën e hapi bashkë me Shahin Kolonjën, por edhe në faqet e gazetës 'Bashkimi i Kombit', të cilën e hapi bashkë me Muço Qullin në Manastir, apo edhe tek 'Kalendari' i Manastirt të botuar nga ish fshatari i tij Cile Vreto.
Comments