Gjeneral ® Piro Ahmetaj:
"3 mos (për) puthjet kritike të z. Macron me USA/NATO/BE”!
Kontrata për shitjen e avionëve luftarak si dhe mesazhet e Presidentit të Francës Emanuel Macron gjatë “vizitës historike” në Beograd (29-30 Gusht 2024), vijojnë të mbeten në “top-ngjarjet dhe top-lajmet”, për kancelaritë, institutet dhe mediat e kryeqyteteve të Ballkanit, 32 vendeve të NATO, BE, Rusisë, Kinës, etj.
Në “kapacitetin e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-s”, në vijim po paraqes një përmbledhje strategjike mbi tre qëndrimet, ose 3 mos (për) puthjet kritike të z. Macron në raport me domosdoshmërinë kritike për forcimin e kohezionit që ka Aleanca Euroatlantike (USA/NATO/UK/BE):
Mos (për) puthja nr. 1, në planin ushtarak: nënshkrimi kontratës për shitjen e 12 avionëve luftarakë Francezë të gjeneratës me kosto rreth 3 miliardë $, ose dyfishi i buxhetit vjetor të mbrojtjes së Serbisë! Rafale kushton mbi 115 milion $, apo gati gjysma e një F-16/USA me 60 milion $. Sipas kontratës së nënshkruar, nga buxheti vjetor i mbrojtjes (1.5 miliardë €), për secilin nga 5 vitet në vijim (deri 2029) Serbia do duhet të paguaj Francës 600 milion $ (pa përfshirë koston e lartë të armatimit, mirëmbajtjes operacionale, trajnimeve, etj), që do të thotë afro 50 % të buxhetit vjetor të mbrojtjes?!
Para Serbisë, edhe Kroacia dhe Greqia kanë blerë avionë Rafale nga Franca. Por Kroacia që ka një buxhet për mbojtjen pothuaj të barabartë me Serbinë, bleu 12 avionë të përdorur me kosto rreth 1 miliard $. Ndërsa Greqia, që ka buxhetin 7 herë më të madh se Serbia (8.2 miliardë €), harxhoi 2,5 miliardë $ për 24 Rafale. Gjithësesi ky krahasim nuk është as arsye, as justifikim dhe as përgjegjësi gjeopolitike për rikthimin e rajonit te gara e armatimeve ose te “Ballkani fuci baruti”… !
Për ta çliruar nga termat luftarake, po sjell në vëmendje një satirë të gjetur të politikanit dhe publicistit, Ben Blushi: “Presidenti Vuçiç, i ngjan një gjuetari që blen armë të shtrenjta edhe duke e ditur që nuk do t’i përdorë kurrë”. Por kjo është shumë e tepërt se përrallat me gjahtarë, për barrën mbi taksapaguesit por edhe për tu aplikuar në realitetin e aleancave gjeopolitike në Ballkan.
Nëse shikon hartën e Serbisë, të gjitha vendet ndërkufitare, janë anëtarë të NATO-s (Hungaria, Rumania, Bullgaria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Shqipëria), ndërsa Serbia nuk mund të përdorë avionët Rafale kundër asnjë shteti anëtar të NATO-s. Nga ana tjetër, asnjë nga vendet e rajonit nuk kërcënon Serbinë por as “Ajo s’ka këllqe për t’u përballur me fuqinë ushtarake të vendeve ndërkufitare” si dhe “përsa kohë do vijojë të ketë prezencë të SHBA/NATO në Rajon, agresioni ushtarak kundër tërësisë territoriale të Kosovës, mbetet një mision tërësisht i pamundur”.
Në planin e përfitimeve politike, Aleksandër Vuçiç zgjodhi t’i blejë avionët luftarakë në Francë dhe jo diku tjetër, jo vetëm pasi p.sh “SHBA kurrësesi nuk do ti jepte aleatit të Putinit F-35”, por sepse ishte jo rastësisht Franca që bllokoi për një datë të panjohur anëtarësimin (duke bindur edhe Gjermaninë dhe Italinë) anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, megjithëse asambleja e këtij Këshilli, përfshi edhe deputetët francezë, votuan me shumicë absolute pro Kosovës. Në këtë mënyrë Vućič nuk bleu armë (avion luftimi Rafalo) por mbështetjen e Francës dhe ndoshta ndonjë vend tjetër të Evropës.
Në planin ekonomik, Pasi mori 3 miliardë $, z. Macron tha në Beograd: “Franca do jetë mbrojtësja më e madhe e të drejtave të serbëve në Kosovë, ndërsa nuk i zuri as në gojë serbët e Bosnj” (?!), ndërsa në korrik, Serbia i dha Gjermanisë pasurinë më të madhe, litiumin. Serbia do ta paguajë këtë çmim, sepse Vuçiç nuk mund ta pranoj të mbetet në histori si tradhtar që “njohu Kosovën”. Kur Rafalët do vijnë në Serbi (2029), me siguri as Macron as Vućič nuk do jetë në pushtet, pasi edhe pse bën të mbi-pushtetshmin, Vućič është më i dobët se kurrë. P.sh gjedhjet për Bashkinë e Beogradit, i “fitoi” duke sjellë 40 mijë votues nga Bosnja, ndërsa mbas 5 vitesh, avionët Rafale ndoshta do të fluturojnë mbi Beograd si një lamtumirë dashurie.
Mos (për) puthja nr. 2: në shkurt 2024, Presidenti Macron bëri një deklaratë të fortë dhe provokuese për parimet e Aleancës: “Franca nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të trupave tokësore në Ukrainë”, duke shtuar se: "Asgjë nuk mund të përjashtohet në një luftë në zemër të Evropës. Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të siguruar që Rusia të mos e fitojë këtë luftë" !
Më tej, z. Macron shtoi se 25 vitet e fundit, shumë udhëheqës persërisnin: “kurrë tanke, kurrë avionë, kurrë raketa, etj, deri sa në frontin ukrainas, situata po bëhej më e ashpër ndërsa Rusia po vazhdon sulme ushtarake si dhe për dezinformimin e publikun ukrainas”. Prandaj kërkoi “krijimin e një koalicioni për goditje dhe furnizim me raketa me rreze të mesme dhe të gjata”.
Këto ishin deklaratat e z.Macron në mbyllje të samitit special në Paris në mbështetje të Ukrainës, ku 21 krerët e shteteve evropiane, nga ShBA-ja, Kanadaja, UK, mikëpriteshin në Pallatin Elysee.
Mos (për) puthja nr. 3: rreth 5 vjet më parë, në korrik 2019, si kundërpërgjigje ndaj presionit të Presidentit Trump ndaj vendeve të mëdha të NATO-s, si Gjermania, Franca, etj për mos pagimin e 2 % për mbrojtjen vjen deklarata “e fortë” e Presidentit Macron: “NATO po përjeton vdekje klinike dhe BE duhet të ndërtojë sovranitetin ushtarak”, ndërsa ndoshta e tejkaloi kur tha se: “Washingtoni po i kthen shpinën Evropës..” ?!
Kur Presidenti Macron u pyet nëse besonte në efektivitetin e Nenit 5 të traktatit themelues të NATO-s (nëse një shtet anëtar sulmohet, të gjitha vendet përfshihen në lufte): “Nuk e di. Çfarë do nënkuptojë Neni 5 nesër? dhe argumentoi se “Evropa qëndron në skajin e një gremine dhe do të ketë më kontrollin e fatit të saj, vetëm nëse fillon të përgatitet dhe sillet si një fuqi gjeopolitike”.
Është po ashtu e njohur, që z. Macron ka bërë thirrje që BE dhe vendet perëndimore të rishikojnë rolet e tyre në botë si dhe të përshtaten me realitetet e reja globale duke konstatuar se: “hegjemonia perëndimore ka mbaruar dhe se do të ishte gabim të përpiqemi të izolojmë Rusinë” ?!
Gjithësesi, nuk është hera e parë dhe as një zë i vetmuar në 75 vjet histori suksesi të NATO-s: “si Aleanca më e fuqishme e historisë së njerëzimit dhe vlerave Euroatlantike”! Kujtojmë rastin e Turqisë, me raketat Ruse S-400, qëndrimet kontroverse të 2-3 vendeve në lidhje me luftën e Putinit, etj.
Konsiderata dhe mesazhe gjeostrategjike, mbi 3 mos (per) puthjet e sipërpërmendura:
Pa asnjë mëdyshje, Franca është në të drejtën sovrane, për të mbajtur dhe zhvilluar aleancat historike, strategjike, ekonomike, kulturore, gjeopolitike, etj. Por, kur vjen fjala te shitja e armatimeve moderne (Rafale) armiqve potencialë ose aleatëve të tyre (miku i armikut është armiku i përbashkët) si dhe peshën jetike e kohezionit për ta mbajtur të pamposhtur fuqinë ushtarake të NATO-s, si çdo anëtar tjetër ashtu edhe Franca, është e imponuar të respektojë parimet dhe detyrimet bazë të ndërsjelljes mes 32 vendeve anëtare!
Në pamje të pare, duken si kontraditore mes 3 mos (për) puthjeve të sipërpërmendura: “shitjen e avionëve Rafale, ndërthurja me trupa në Ukrainë dhe NATO ne vdekje klinike”. Por besoj se arsyeja e përbashkët për të tre mos (për) puthjet, mbeten: “kuotat elektorale të z.Macron, si dhe përpjekjet për rritjen e peshës gjeopolitike të Francës brënda dhe jashtë Aleancës Euroatlantike”.
Kjo "s'është Evropa ime", pohoi me revoltë, politikani i njohur gjerman, Michael Roth (25 vjet anëtar i Bundeswerit, 8 vjet Ministër për Evropën në kabinetin Merkel), pa ju tharë boja marrëveshjes së Francës për t'i shitur avionë luftarak Serbisë. Një deklaratë e pa dëgjuar edhe në raste ekstreme pro-serbe që nga1999. Për më tepër, shitja e avionëve Rafale ushtarëve të Millosheviçit mbetet e papranueshme jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për USA, NATO dhe BE.
Në fakt, me shumë të drejtë shtrohen 5 pyetje: ku po shkon Franca me mos (për) puthjet Euroatlantike (?) A mos Franca në marrëdhëniet me Serbinë po përsërit sjelljen kur Rusisa pushtoi Krimenë (?) A ka filluar Franca të ringjallë aleancat e saj historike dhe ambiciet gjeopolitike në rastin e një lufte të në ballkan (?). A është e pranueshme që Franca shet avion luftimi Serbisë që mbetet kërcënues i vetëm i paqes ne Ballkan, përfshi sovranitetin e një shteti sovran/Kosovës (?). A mundet Franca apo edhe në kuadër të BE të ngrenë kapacitete për tu “vetë-mbrojtur pa fuqinë ushtarake të SHBA dhe UK” ?!
Mbas viteve 1990, kur ishte “duke u shkërmoqur pa luftë” Traktati i Varshavës, faktorë dhe Oponent të vijës së parë nga kontinenti evropian, “nxitimthi” shtruan pyetjen: “misioni u KRY, pse na duhet NATO”? Ndërkohë, që BE nëpërmjet marrëveshjeve (Berlin++) ka përditësuar arkitekturën politike dhe fuqinë ushtarake (ESDP/PESCO), etj, ende mbetet për tu konfirmuar: “nëse BE është konkuruese apo komplementare me NATO-n” ?!
Mos të bëjmë naivin për të ushqyer “populizmat antiamerikane” apo me citstet e “rreziku anglo-amerikan”, pasi besoj se përgjigjen e dinë të gjithë, përfshi edhe Presidenti Macron! Historia na kthen në rrethanat e përgjakshme të para-Luftës së II-të botërore, kur vendet e Europiane, bënin “nën dhe”, marrëveshje me Hitlerin, duke pritur që sipas premtimit të ciklopit, se ʺAi do ti hante të fundit..”.
Do uroja të isha gabim, por në analizën strategjike, këto mos (për) puthje “të forta”, synojnë: “të ushqejnë ushtrinë e militantëve të rinj me lavdinë dhe ambiciet e vjetra të Francës”, duke ri-kujtuar se, mbase jo fare rastësisht por në emer të këtyre ambicjeve, Presidenti Charles de Gaulle, në 1966, “vetë- ngriu” statusin e pjesëmarrjes së Francës në Strukturën e Integruar Ushtarake të NATO, për plotë 42 vjet (1967 - 2009)!
Sigurisht që ka mendje të ndryshkura në Moskë, Beograd dhe jo vetëm që mbajnë ndezur fitilat e një lufte Ballkanike. Strategu i mirënjohur i Ballkanit, Bugajski, e sheh ende Serbinë si peng i Rusisë në Ballkan: “Moska mund të përdorë serbët për të nisur një luftë të re në rajon”. Për më tepër, kjo ndodh në një kohë kur krahas rraskapitjes turpëruese që e pret këtë dimër në Ukrainë, Rusia - Putiniste i ka humbur edhe shpresat për të ndezur një front të ri lufte në Ballkan duke frymëzuar grupet kriminale apo axhendën e politikanëve ekstremist të tipit Dodik, etj! Kjo demonstrohet edhe në mesazhet e forta nga Washingtoni zyrtar: “USA mbeten të përkushtuara për të mos lejuar një luftë në Rajon” si dhe nga BE: “përparimi në rrugën e BE-së është tejet i rëndësishëm për paqen e rajonit te Ballkanit perëndimor”.
Në shtesë, përtej zgjimit (apo blerjes) se aleancave historike, përtej “armatosjes deri në dhëmbë” të Serbisë si dhe përkundër shpërdorimit të Beogradit për interesat e Kremlinit, besoj fortë se paqja mbetet misioni i vetëm, në mënyrë që siguria të konsumohet përtej historisë së përgjakshme, në interes të bashkëjetesës paqësore dhe perspektivës Euroatlantike për 6 vendet e Ballkanit perëndimor.
Prandaj, aktorët zyrtarë dhe strategët/kolegët në rajon, Washington, Bruksel, etj do t’i sugjeroja që perspektivën e paqes në Ballkan do duhet ta para-kushtëzojnë jo me rikthimin e garës se armatimeve, por me “mbjelljen” e 2 Masave të Mirëbesimit Reciprok, nëpërmjet të cilave Beogradi Zyrtar dhe aleatet e tij “të imponohen” se: (1) “do të ruajë balancat e fuqisë ushtarake (Mig -29, Rafale, raketa, etj) deri në nivelin të mos kërcënojë fqinjët (pëfshi Kosovën); (2) nuk do të vendosin instalime dhe aktivitete ushtarake (20 km distancë ajrore dhe 5 tokësore), në kufijtë shtetërore mes vendeve. Këto 2-kushte duhen të monitorohen nga USA/NATO/BE, që mbeten faktor kritik për paqen dhe integrimin e vendeve të Ballkanit perëndimor.
Po ashtu, do t’i këshilloja vëllazërisht faktorët politik të Prishtinës që: “riciklimi i aleancave historike si dhe kërcënimet e Beogradit ndaj integritetit të Kosovës si dhe prezencës së NATO-s, SHBA-ve”, kurrësesi të mos i konsiderojnë me triumfalizëm populist si rrethana të dhuruara për Kosovën, por mbi të gjitha si përgjegjësi e lartë shtetërore për të ndërtuar “Kosovën moderne/euroatlantike”, përtej prezencës së NATO-s (që nuk mundet të jetë e përjetshme …); ku mbi të gjitha, qytetarët pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe në faktorizimin të rolit të Kosovës nga konsumatorë në kontribues për paqen, stabilitetin demokratik dhe për integrimin në NATO dhe BE!
Në të njëjtën kohë, do të ri-këshilloja faktorët shtetërorë në Tiranë dhe Prishtinë, që për interesa jetike kombëtare të përulen në gjunjë para historisë se përgjakshme dhe përgjegjësive shtetërore duke jetësuar një Platformë të përbashkët: “2-Shtete sovrane 1-Komb i vetëm” për mbrojtjen e interesave kombëtare, duke garantuar SHBA dhe NATO se kjo “qasje vonuar” nuk kërcënon askënd, as Serbinë, por do të kontribuojë për paqen afatgjatë ndërmjet vendeve të rajonit”.
Së fundmi, do ishte qesharake nëse do të pretendoja se sa me sipër do të shërbente si “erueka”, ose si një analizë shteruese. Gjithësesi, shpresoj të kontribuojë sadopak, për të përditesuar në dinamik “opinionin strategjik, zyrtar dhe publik” në rrafshin mbarëkombëtar, rajonal, në NATO dhe jo vetëm.
Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:
Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,
Zv/President i Këshillit të Atlantikut; & ish:
Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,
Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,
Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.
Comments