
. Kortezhi dukej sikur zvarritej. Makinat lëviznin si të mpira. Në krye ajo me të vdekurin. Njerëzit brenda autoveturave heshtonin, ndjenin bezdi prej fjalëve. Edhe gratë, që kur s’flasin u duket se do t’u pëlcasë barku nga fjalët, lëviznin buzët memecuar e, për t’u kuptuar me njëra-tjetrën, shenjonin edhe me sy e vetulla. Varrezat ishin në anën lindore të qytetit, faqe një kodrine. Tre kilometra nga shtëpia e të vdekurit deri te vendprehja e përjetshme, të gjallëve po u dukeshin si tridhjetë.
. Te sheshi i vogël në qendër të varrezës, kryemakina qëndroi, drejtuesi i saj hapi dy kanatet e pasme të xhamta, duart e disa burrave shkëputën arkivolin, e vendosën mbi supe dhe i prinë turmës për te varri i sapohapur. Dheu i shkrifët u ngjesh nën peshën e katërkëndëshit të drunjtë. Dy varrmihësit dhe dy djem të rinj kapën cepat e litarëve. Tendosën trupat dhe duart, në pritje të komandës “ Kujdes! Uleni me ngadalë ”. Po ku është folësi ?! Ishte bërë rregull që para dhënies së komandës lexohej një nekrologji, nga një i afërm apo dikush tjetër, i ngarkuar prej tyre, për t’i bërë nderet e fundit jetëshuarit.. Heshturazi njerëzit lëshonin shikime mbi njëri-tjetrin. “Ua ?! As dy fjalë nuk do fliten !?... Si ?! Asnjë prej fëmijëve të të ndjerit nuk ka ardhur ?!... More edhe te shtëpia ata s’ishin !... E po, nuk u dihen hallet njerzve! Kush e di ç’kanë brenda për brenda ?! … Jo, jo kjo nuk u falet ! S’ka kandar që e mban këtë!”. Varrmihësi që qëndronte në anën e djathtë të gropës u bëri shenjë litarmbajtësve. Arkivoli rrëshqiti ngadalë deri sa preku mbi dyshemenë e dheut të hapur. Pesë pllaka betoni u vendosën mbi të. Trupa të kërrusur që ngulnin gishtat mbi pirgun e dheut, mbushnin grushtet e i shkarkonin duke mërmëritur : “Të qoftë i lehtë dheu !”, “T’u prehtë shpirti në paqe!” Dëgjoheshin vetëm fshap-fshupet e lopatave që kafshonin dheun dhe e lëshonin atë duke kaluar dorë më dorë. Vendosja e dy kurorave nga fqinjët mbi kurrizpeshkun e dhertë u mor nga njerëzit si sinjal për ta lënë pas të sapombuluarin dhe për t’u kthyer te makinat, nga kishin ardhur.
. Kohët e fundit ai ishte rënduar nga shëndeti. Gruaja bënte vite që qe ndarë nga jeta. Kishte dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Të dy të martuar. Të dy me fëmijë. Të dy jetonin më vete. Në sediljen para meje, në një prej makinave të kortezhit, dy burra kokëafruar bashkëbisedonin me zë të ulët, por jo aq sa të mos i dëgjoja unë. “ Vija shpesh për ta parë. Po, nga fundi më rrëfeu me gojën e tij… Një pasdite vajza ia kishte sjellë bisedën rrotull se duhej ta shiste shtëpinë. Ajo ishte martuar pa dasëm dhe s’kishte marrë pajë. Lekët e shitjes së shtëpisë të ndaheshin në tri pjesë dhe asaj t’i jepnin dy e, djalit një”. Frenimi i mjetit i detyroi folësit të oshonin fjalët si shiriti i ndonjë magnetofoni të pluhurosur. “ Djali,- ngjitën ata ku ishin shkëputur,- që para se të sëmurej, i kishte rënë drejt, se duhej ta shiste shtëpinë. Të gjitha lekët i takonin atij si trashëgimtari i vetëm. Ditët që i kishin mbetur le t’i shtynte në azil...Ai nuk i kishte kthyer përgjigje, as njërit, as tjetrës… Vëlla e motër nuk kishin duruar, i kishin zbrazur ato që mendonin. Por secila kërrabë tërhiqte nga vetja…Tonet e larta, zënkat dhe kërcënimet i groposën buzëqeshjet dhe dashuritë e dikurshme”.“Nga ne fqinjët jeni të lutur ta respektoni “rahmetliun”edhe për drekën që kemi porositur te lokali “Bamirësia” , - u dëgjua mbi zhuzhimën e pëshpëritjeve zëri i një mesoburri topolak, te sedilja pas shoferit
. Bashkëfolësit para, ligjërimet i shoqëronin edhe me lëvizje duarsh. Fragmente fjalish arrinin deri te veshët e mi. “Tri pjesë i takojnë vajzës !” “Jo ! Djali është trashëgimtar i vetëm i gjithë pasurisë !” “Dashke të më nxjerrësh qose- ë ?! Jo more !… Yy, barkpangopur!…” “ Bjeri, bjeri legenit ! Ohu, kaq ta bësh dhëmbin, s’të jap asnjë kacidhe !” “Ah, baba zeza ! Një shtëpi dhe s’po e kullandris dot ! Pa le të kishe më tepër në dorë !” “Po s’e mbarove këtë punë sa je me frymë, as kur të vdesësh s’do të përcjellim !” Kujtesa ime vraponte nëpër vite. “… Në mbrëmje bashkë me të rriturit je edhe ti i ftuar. Prindërve u kemi marrë ne lejë. Të takon. U lodhe duke ndarë petulla gjithë ditën kur na lindi bebi, tek miqtë dhe shokët e familjes sonë. E mban mend para tre vjetësh, atë darkën e madhe që bëmë kur i vumë emrin vajzës ? Darka e sotme do të jetë akoma më e madhe, sepse ky është djalë dhe gëzimi ynë shkon deri në qiell. Pa ardhur ti nuk ia vendosim emrin. Shko bëhu gati dhe mirë na ardhsh! Mjeti frenoi. Kishim mbërritur te lokali. Njerëzit përtueshëm shkëputeshin nga sediljet dhe shtynin këmbët për nga dera e hapur.
Comments