top of page

Petrit  Malushi: Kastriot Sabri Malushi, ”rini e këputur” për elektrifikimin



Vjeshta e parë e vitit 1968 në familjen e Sabri Çoban Malushit, në fshatin Leskovec, të zonës së Dëshnicës të Përmetit, do të vinte e rëndë. Në mëngjesin e datës 5 shtator u dhanë lajmin se djali i tretë i kësaj familjeje, Kastriot Malushi, në moshën 22-vjeçare, një ditë më parë ishte aksidentuar për vdekje në punë. Kastrioti punonte montator në Ndërmarrjen e Tensionit të Lartë në qytetin e Fierit, e cila varej nga e njëjta ndërmarrje me drejtori të përgjithshme në Tiranë. Ishin vitet e aksionit të madh për elektrifikim e plotë të Shqipërisë, shpallur nga partia dhe qeveria e asaj kohe. Elektrifikimi i të gjithë vendit përfundoi më 25 tetor 1970, datë që u dekretua si “Festa e Dritave”. Gjatë shtrirjes së linjave të tensionit të lartë në zonën e Myzeqesë, në punë e sipër aksidentalisht rrëzohet një shtyllë dhe e zë poshtë saj Kastriotin. Goditja ishte fatale dhe i shkaktoi vdekje të menjëhershme.          

                                  

Vlerësimi dhe jehona       

                                                                                                                                        

Vdekja e tij, duke qenë se ishte për elektrifikimin e vendit i kaloi kufijtë e të zakonshmes. U vlerësua si një akt heroizmi nga të gjitha instancat dhe nivelet e shtetit të atëhershëm. Vetë sekretari i parë i KQ të PPSH, Enver Hoxha vlerësimin maksimal për aktin e kryer nga Kastrioti e shprehu në letrën e ngushëllimit dërguar familjes së tij. Nga ana e saj familja i shkroi Udhëheqësit, se të motivuar nga lëvizja e kohës “Një bie, qindra ngrihen” do ta zëvëndësonin Kastriotin në vendin e punës. Kështu vëllai më i madh i tij, Çoban Malushi, motra e tij Sanie Malushi dhe shoku i tij i fëmijërisë Muharrem Qosja shkuan të vazhdonin punën për elektrifikim e vendit, në ndërmarrjen e Tensionit të Lartë në Fier. Të gjitha këto ngjarje, letra e Enver Hoxhës dhe letra e familjes u botuan dhe u pasqyruan gjerësisht edhe në faqet e shtypit periodik të kohës, veçanërisht në gazetën “Puna”, të datës 27 shtator 1968. Letra e Udhëheqësit, familjes së Kastriotit iu dorëzua me ceremoni të veçantë, ku të pranishëm ishin të gjithë banorët e fshatit dhe banorë të tjerë të fshatrave rreth. Ishin të pranishëm edhe  përfaqëues të ndërmarrjes së Tensionit të Lartë dhe drejtori i saj, Rustem Idrizi. Ceremonia u zhvillua në qendër të fshatit, tek “Ledhi i Kishës”. Letrën, pas leximit në publik, babait të Kastriotit, Sabriut ia dorëzoi në dorë sekretari i dytë i komitetit të partisë të rrethit Përmet, Spiro Jani, që bashkë me shumë zyrtarë të tjerë ishte i pranishëm. Nga komiteti i rinisë së rrethit Përmet i dërguar ishte instruktori Viron Thomallari, i cili në mënyrë simbolike i dorëzoi teserën e rinisë, vëllait më të vogël të Kastriotit, Petrit Malushit, dëshmitar okular i këtyre ngjarjeve dhe autori i këtij shkrimi. Pas ceremonisë,  pjesëmarrësit sipas zakonit të mikpritjes, prej familjes së Kastriotit u nderuan me shtrimin e një dreke. Dekorata e akorduar disa muaj më pas, për humbjen e jetës, ka këtë përmbajtje : Presidiumi i Kuvendit Popullor, me dekretin numër 4528 të datës 28 korrik 1969 dekoron  Kastriot Sabri  Malushi (pas vdekjes) me Urdhërin e “Punës” të Klasit të I-rë. “Për punë shumë të mirë dhe të ndërgjegjëshme që ka bërë në zbatimin e detyrave të planit, ka qenë mobilizuar për të vënë në jetë udhëzimet e direktivat e partisë lidhur me elektrifikimin e vendit, deri sa në punë e sipër aksidentalisht dha jetën”.                                                                                                           

Për ta përjetësuar, te vendvarrimi i tij në “Bregun e Bejkos” u ngrit një lapidar, i cili vazhdon të jetë edhe në ditët e sotme. Tjetër përjetësim ishte edhe vendosja e emrit të tij shtëpisë së kulturës së fshatit, e cila nuk egziston më. Vlerësimi i aktit të kryer nga Kastrioti, me humbjen e jetës në punë u bë edhe me marrjen e vendimit nga organet e pushtetit qëndror, që fshati i tij i lindjes të elektrifikohej menjëherë dhe më parpara se fshatrat e tjerë. Në festën e zhvilluar për elektrifikimin e fshatit u kënduan këngë edhe atë. Poeti Isuf Nelaj, në ato vite, mësues dhe anëtar i rrethit letrar të NBSH-së “Ylli i kuq” Kamëz, në faqet e gazetës “Puna” të datës 15 dhjetor 1970 botoi vjershën “Ti jeton mes nesh” Kushtuar Kastriot Malushit, rënë për elektrifikim e fshatit : Ti i shkrive njëzet e dy pranverat/ Që në shtylla me tela të qëndisnin malësitë,/ Të shpien këngën, gëzimin e ditëve të reja,/ Heroizmin tonë masiv e fjalën e Partisë/ Ndaj s’vdiqe, rron mes nesh gjithëmonë,/Mes valleve e këngëve që këto ditë shpërthejnë/ Pranë radios, apo në mbrëmjet që argëtojmë,/ N’tavolinë kur kupat e gëzimit ngrejmë./Si drita që vjen në dhomat tona të ngrohta,/Në dhomat e bukura, të pastra të shëndritshme,/Vjen dhe ti në kujtesën tonë/Si dëshmitar i këtyre ditëve të lavdishme.                 


Në foto : 1) Kastriot Sabri Malushi  01.01.1946 – 05.09.1968     2) Lapidari kushtuar Kastriot Malushit       3) Faksimile të shtypit të kohës

                                                                                                           

Letërshkruesit dashakeq…                                                                                                                                            

Jehona e aktit të këtij të riu 22-vjeçar nxiti shkrimtarin e njohur të qytetit të Fierit, Hysen Emiri të ideonte dhe realizonte një libër të plotë për të. Ndërkohë nga njohja që ky shkrimtar kishte me xhaxhanë e Kastriotit, Veli Malushi, i cili punonte në naftë dhe banonte në Fier, u mundësua qëndrimi i tij disa ditë në vendlindjen e Kastriotit. Pas grumbullimit të  materialit të nevojshëm, Hysen Emiri u kthye në Fier dhe e përfundoi librin. Por ky libër nuk mundi ta shikonte dritën e botimit. Pas vdekjes së Kastriotit e gjithë familja e tij u vendos në qytetin e Fierit, në gjirin e së cilës isha edhe unë, vëllai më i vogël dhe fëmija i fundit i kësaj familjeje. Në vitet e mëvonshme kam pasur biseda direkte shumë herë me shkrimtarin Hysen Emiri, me të cilin fati e solli të ishim banorë të së njëjtës lagje “1 Maj” të qytetit. Në praninë edhe të xhaxhit tim Veli, për mosbotimin e librit autori shprehej i vrarë  shpirtërisht se partiakët e fshatit kishin dërguar letra që “për arsye klasore” ky libër nuk duhej të botohej. Kureshtar e kisha pyetur se ndoshta ruante ende ndonjë dorëshkrim. Fatkeqësisht mu përgjigj jo, sepse kishte besuar shumë që do të botohej. Këtë gjë ma ka pohuar edhe djali i tij, gazetari i njohur Arbër Emiri, të cilin e kam mik, shok dhe koleg. Rregullat e kohës ishin që për gjithçka duhej të merreshin në konsideratë edhe opinionet e dërguara nga organizata bazë e fshatit të origjinës, ndërmarrjes apo brigadës ku punoje.  E njëjta gjë nga të njëjtët persona negativë e pa vizion u përsërit edhe kur kolektivi i Ndërmarrjes së Tensionit të Lartë, ku Kastrioti kishte punuar, propozoi që atij t’i jepej titulli “Hero i Punës Socialiste”. Këto janë të sakta dhe të vërteta, pasi në vitet e mëvonshme na i kanë thënë persona të pranishëm në diskutimet e situatave. Më domethënës, për të tillë njerëz, është një tjetër fakt i treguar nga Agim Zaimi, vëllai i Ylli Zaimit, “Hero i Punës Socialiste”, që në muajin nëntor të vitit 1975 dha jetën për të shpëtuar pronën socialiste. Për lexuesit shpjegoj se Ylli Zaimi dhe Kastriot Malushi janë kushërinj të parë. Sabriu, babai i Kastriotit dhe Sheqerja, nëna e Yllit janë motër e vëlla. “Pas vdekjes së Yllit,-tregon Agimi,- bëja stazhin e kandidatit për t’u pranuar anëtar partie. More, më thanë një ditë shokët e organizatës së partisë, nëse janë akoma mendjemykur e trutharë ata të fshatit të mamasë tënde, nuk jemi ne. Po si ore, Ylli është hero e babai juaj, Ganiu ka qenë partizan dhe ata shkruajnë të zezën mbi të bardhë. Hiç mos e çaj kokën. Ne dimë shumë gjëra më tepër se ata. Dhe nuk e morën fare parasysh “paçavuren” e shkruar prej tyre”.   Paradokse të kohës dhe të njerëzve keqdashës. Duket se ata ishin gatuar për të tilla gjëra. Madje kishte familje të tjera që prej tyre luftoheshin edhe më fort, prej të cilave po përmend atë të Bektash Bejkollarit, babain e mësuesit dhe shkrimtarit Bujar Bejkollari, familjen e Shyqyri Bejkollarit, i cili kishte qenë Kryetar i Këshillit Çlirimtar dhe ruante në shtëpi të vetmin Flamur Kombëtar, gjë që qëllimisht ia mohonin, familjen e Enver Metollarit, të Gani Mamullarit etj.                                                                                                                            

Krenarë në breza

                                                                                                                                                                  

Por familja e Kastriotit kishte një trashëgimi patriotike dhe atdhedashëse që nuk mund t’i mohohej nga gojëkëqijtë e syerrëtit. Gjyshi i Kastriotit, Çoban Malushi ka qenë emigrant ekonomik në Amerikë dhe anëtar i Shoqërisë Patriotike Vatra që në vitin 1912, në degën numë 19, në Nju Hampshir, fakte që ruhen të dokumentuara me fotografi dhe shkrime të kohës. Po ashtu janë të dokumentuara edhe kontributet e tij me ndihma financiare në dollarë për Revolucionin e Qershorit të vitit 1924. Ai vdiq në vitin 1930, duke lënë jetim gjashtë fëmijë, tre djem dhe tri vajza. Më i madhi ishte Sabriu, tetëmbëdhjetë vjeç. Dhe hajde mendo se çfarë “ shtrese e pasur” mund të jenë gjashtë fëmijë jetimë !!! Xhaxhai i babait të Kastriotit, Teme Malushi ka qenë në Luftën e Vlorës, më 1920. Djali i xhaxhait, Malush Malushi ka qenë partizan. Djali tjetër i xhaxhait, Neshat Malushi ka qenë student në Romë për financë dogane. Xhaxhai, Veli Malushi ka qenë komunist dhe kuadro në naftë, në Fier. Babai i Kastriotit, Sabriu u kap dhe u mbajt rob nga gjermanët në Luftën e Dytë Botërore dhe u dërgua në kampin e Janinës, bashkë me bashkëfshatarin Hysen Bejkollari. Nga gjermanët u kapën rob edhe Mustafa Malushi e Malush Malushi, të dy djem xhaxhallarësh të tij. Malushin, bashkë me bashkëfshatarin Shyqyri Bejkollari, të cilin gjermanët e kapën rob ashtu si të tjerët, i burgosën në  burgun e Korçës. Këto fakte janë të dokumentuara në librat e shkrimtarit dhe historianit Nuri Dragoj, mbi bazën e arkivave të shfletuara prej tij. Pas kapitullimit të Italisë, babai i Kastriotit mbajti në familjen e tij dy italianë, derisa ata u kthyen në vendin e tyre. Njëri prej të cilëve, me emrin Mario ishte oficer madhor. Një të tillë veprim human bëri vetëm familja e Shyqyri Bejkollarit, që mbajti një tjetër italian.  

                                                                                                                                                   

Rini e këputur” e Kastriotit

Malushit

                                                                                                                                                 

Sabri Malushi dhe Qamile Malushi, prindërit e Kastriotit, sollën në jetë tetë fëmijë. Por djali i parë, Gëzimi, djali i katërt, Petriti dhe një vajzë Sanie nuk patën fat të jetonin. Kastrioti lindi më 1 janar 1946. Ishte i treti nga djemtë që jetuan, pas Çobanit dhe Safetit. Pas tij ishte motra Sanie (ajo që jetoi) dhe Petriti (ai që jetoi). Sania dhe Petriti morën emrat e dy fëmijëve të mëparshëm që nuk kishin jetuar. Arsimin fillor Kastrioti e kreu në fshatin e lindjes. Klasën e pestë dhe të gjashtë i përfundoi në fshatin Bënjë të Dëshnicës së Përmetit. Sipas një bisede që kam patur me Bedri Kolleshin (vëllanë e shkrimtarit Lumo Kolleshi), i cili ka qenë shok klase me Kastriotin, më ka thënë se ai ishte një nxënës i nivelit mbi mesatar. Këtë e tregon edhe dëftesa e lirimit që ka nota katra, me sistemin e vlerësimit me pesë nota në ato vite. Klasën e shtatë e përfundoi në fshatin Topojan, ku për herë të parë filloi cikli i arsimit 7-vjeçar. Dëftesa e Lirimit mban numërin e veçantë 3929 dhe numërin e amzës 48, lëshuar më 22 qershor 1964. Dëftesa është e firmosur nga drejtor Rrapo Dalipaj, përfaqësuesi i Seksionit të Arsimit dhe Kulturës, Fore Manxhari, dhe shefi i seksionit të arsimit dhe kulturës Piro Jarazi, të rrethit Përmet. Mësues kujdestar ka qenë Hiqmet Zyberaj, nga qyteti i Vlorës.                                                                                                                                    

Pas përfundimit të shkollës 7-vjeçare, Kastrioti shkoi në qytetin e Tepelenës, ku jetonte familjarisht vëllai i tij më i madh Çobani. Atje punoi në Ndërrmarrjen e Asfaltimit të Rrugëve deri më 25 gusht të vitit 1965, kur shkoi ushtar në mbrojtjen e kufirit. Në librezën ushtarake të tij është shkruar se nga 25 gushti 1965 deri më 2 dhjetor 1965 ka qenë ushtar në repartin numër 140 në Prenjas. Prej datës 2 dhjetor 1965 deri më 28 shtator 1967 ka qenë në Shkodër, në repartin numër 298, dhe më pas deri më 15 dhjetor 1967, kur përfundoi shërbimin e detyrueshëm ushtarak, pranë repartit numër 5906 Vlonë. Sipas shënimeve që disponojmë, në Shkodër ka qenë në repartin ushtarak  Bajzë, Koplik, Posta Kufitare Tunel dhe Hot. Komandant reparti gjatë vitit 1966 ka qenë Hasan Gjoni dhe gjatë vitit 1967 ka qenë Hasan Ramlika. Për vigjiilencë të lartë në kapjen e shkelësave të kufirit komanda e repartit dërgoi një letër falenderimi pranë familjes e cila sipas udhëzimeve u lexua në komunitet. Po ashtu ishte zgjedhur edhe delegat në konferencën e XV të BRPSH të rrethit të Shkodrës.                                                                                                                                                   

Menjëherë, me mbylljen me sukses  të shërbimin të detyrueshëm ushtarak, Kastrioti u sistemua në qytetin e Fierit, ku jetonin dhe punonin vëllai më i madh se ai, Safeti dhe xhaxhai, Veliu. Filloi punë si montator pranë Ndërmarrjes së Tensionit të Lartë, ku i përkushtuar vazhdoi derisa u nda nga jeta, duke iu këputur kështu ëndërrat e rinisë dhe jetës së tij.                                                                                                                                                                                                


47 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page