Petrit Malushi: Përrallat e Vulëvënësve
Një vulëvënës brenda në zyrë !
Punon, lodhet nga hallet,
I shtohen rrudhat në fytyrë,
Por vrulli nuk i ndalet.
Nga trotuari për matanë,
Zhytur në punë të vet,
Lypësi që pret paranë
Me dorë e përshëndet.
Një vulëvënës ulur n‘kolltuk !
Bluan, gatuan mendimet.
„Nuk bëj shaka, nuk është truk...
Përgjysmë do t’i ul çmimet !”
Te një market, aty nga darka
Blerësit mallkim lëshojnë:
“Në xhep s’na mbetën as dy qindarka,
Mbi stekë çmimet kalojnë !...”
Një vulëvënës në karrige gri !
Bën mbledhje, lëshon fjalë
“Taksa do heqim dy ose tri...
Buxheti fiks të dalë !..
Pak ujë pikoi çezm’ e pallatit,
Llampat ndriçojnë zbehur.
Por, fatura si mulli fshati
Ngarkuar vjen, e krehur.
............................................
“Vulëvënësa jeni kryefjala
Kur flisni dhe në të shkruar !
Kaq bukur nga këto përralla
As gjyshet s’na kanë treguar !”
„Jetëshkrim“
Të tijin jetëshkrim piramidë e ngriti,
U dergj me ditë përmbys mbi fjalorë.
Fjalë gjurmoi, qëmtoi, i siti,
“Të artë” e bëri, e gdhendi me dorë.
“Brezat ardhës për mua ta dinë!
Maja arrita, s’u ndala në jetë…
I lidhur veç me ndershmërinë,
I papërlyer, i thjeshtë, i drejtë…”
Qeshi redaktori për të zgjedhurat fjalë.
Një mbrëmje i tha “O mendje dhelpër!
Ti, gozhdë do mbetesh ndër të gjallë,
Veç për mashtrime, jo për gjë tjetër!”
Comments