top of page

Petrit Malushi: Bedri Alimehmeti, “një gur smerald” i letërsisë dhe qytetarisë tiranase



 

 

Bedri Alimehmeti, “një gur smerald” i letërsisë dhe qytetarisë tiranase

 

Prej një viti mungon mes nesh gazetari,shkrimtari dhe publicisti Bedri Alimehmeti, që nuk reshti së shkruari deri në ditët e fundit të jetës. Duhet ta quajnë veten me fat ata që e kanë patur mik, shok dhe koleg Bedriun. Ai ishte ndër ata njerëz që brenda vetes mbarte vlera që rrallë mund t’i kenë persona të tjerë. Këtë e reflektonte në çdo mjedis që mund të ndodhej, duke manifestuar vlerat e një prindi të përkushtuar, e një qytetari shëmbullor e sqimatar, e një shoku dhe një miku të sinqertë, e një kolegu të pakursyer, e një krijuesi shumëplanësh e të palodhur, me botë të madhe e ndjesi të hollë.                                                                                                                          .       Për Bedriun, ata që e kanë njohur nga afër, mund të flasin gjatë dhe mund të shkruajnë faqe e kapituj pa fund. Unë dhe Bedriu punuam bashkë të dy për shumë vite te gazeta “Sport Ekspres”.  Kohështrirja e të shkruarit prej tij kap dhjetra vite, organet ku janë botuar materialet janë të shumtë, llojshmëria e krijimeve është e larmishme, gjinitë e letërsisë janë lëvruar me tema e probleme të së shkuarës dhe të së tashmes.      

Bedriu ka shkruar për fëmijë, për të rinj, për të rritur, ka shkruar poezi, prozë, librete artistikë, krijime humoristike, shkrime historikë, sportivë, të trashëgimisë kulturore, të traditave dhe zakoneve autoktone tiranase etj.  Si autor ka lënë pas një thesar të pasur në letërsinë artistike, me vëllime poetikë, vëllime me tregime, një numër novelash, romanesh, veprash historike e studimore.    E veçanta e këtij autori është se ka qëndruar brenda kornizës së jetës qytetare, pa e kapërcyer “vijën e verdhë” për t’u shtrirë në zona periferike dhe rurale. Jo se nuk mund ta bënte këtë, por sepse ai ishte lindur e rritur, kishte punuar e ishte formuar në një mjedis familjar dhe shoqëror puro qytetar. Këtë mjedis, veçanërisht atë tiranas dhe të Shqipërisë së Mesme i njihte deri në qelizë dhe rrënjë. Bedriu kishte një formim të jashtëzakonshëm për njohjen e zakoneve dhe traditave të familjeve tiranase në raste gëzimesh,fejesash e dasmash,veshjet,këngët,vallet,njihte sjelljet në ceremonitë mortore dhe organizimin e ritualeve në të tilla raste. Njihte pasurinë gjuhësore, të cilën e përdorte edhe në personazhet tipikë të veprave të tij. Njihte ndërtimin dhe respektimin e marrëdhënieve brenda familjes,fisit,fqinjëve,të shtresave shoqërore e intelektuale. Kishte një kulturë të plotë fetare,jo vetëm për fenë islame të cilës i përkiste si mysliman,por edhe për fenë e krishterë e fenë katolike.   

Kishte një kujtesë brilante për familjet autoktone tiranase në emra trashëgimtarësh, personazhesh, karrierat e tyre,arsimimin,profesionet,pronat e pasuri të tjera,rrugicat, muret rrethues,gardhet, bahçet, pemët,l ulet e aromat e tyre. Ishte gjithmonë perfekt dhe thëniet e tij mund t’i merrje si një dokument zyrtar. Nuk rastiste që ndonjë thënie të Bedriut të mund ta ndryshonte dikush për nga saktësia e vërtetësia.        

Ky formimi i ngjeshur dhe talenti i të shkruarit,të harmonizuara bukur në funksion të njëra-tjetrës,ishin dy faktorët që i sollën Bedriut sukses në ngjizjen dhe realizimin e veprave artistike të pëlqyeshme nga të gjitha nivelet dhe komunitetet e lexuesve.

.     Poezitë,skicat e shkrimet e para Bedriu në shtypin e kohës i ka botuar në fillimet e viteve ’60-të. Por lufta e klasave e penalizoi nga kjo e drejtë për një kohë të gjatë. Arriti ta shikonte sërish dritën e botimit nga mesi i viteve ’70-të në letërsinë për fëmijë tek revistat “Pioneri”, “Fatosi”, “Yllkat” etj. Me përmasa të plota Bedriu u shfaq dhe u bë i njohur vetëm pas viteve ’90-të në organe të ndryshme të shtypit letrar, shoqëror e sportiv. Ka drejtuar gazetat “Dajti”, “Tifozi”, “FK Tirona Futboll”.  Ka shkruar me dhjetra tregime , novela, reportazhe, portrete, poezi e poema.  Faqet e revistave e gazetave “Drita”, “Sport Ekspres”, “AKS”, “Rinia”, “Drita Islame”, “Liria”, “Kunji”, “Poezia-Plus”, “Grenxa”, “Test”, “Revista Familjare”, “Mrekullia”,”Filizat””Koha jonë”, “Panorama Sport”, “Sporti Shqiptar” janë të mbushura plot me to.  

.     Prej titujve të librave që ky autor realizoi sa ishte gjallë dhe i la pas për të qenë midis nesh dhe për të mos e harruar mund të përmendim vëllimet e para me tregime për fëmijë  “Një ndodhi në ashensor”,  (1997), “Musafire në shtëpinë e shoqes”, (1998), monografinë  “80 Vjet Sport Klub Tirana”  dhe dokumentarët televizivë “Tirana 80 vjet kryeqytet i Shqipërisë”,  (2000), “Një zë i paharruar, Kasem Hallulli” (2001). Serinë e botimeve Bedriu e pasuroi me

veprën studimore: “Tirana e përgjakur”,viti 2001, me novelën  “Venusi perandorak” (2002), me vëllimet me tregime “Natë madrilene” (2004) dhe “Tregimet e Tironës 1” (2011), “Një mbrëmje tek bar “Capriccio” (2012) që është mbushur me tregime nga baret e bllokut. Në vitet e mëpasme ka botuar librat  “Mbiemrat e familjeve të Tiranës” (2014), vëllimet me poezi ”Kjo këngë për ju” (2015),  “Mëhalla e vjetër” (2015),  “Dhe prap zuri shiu në Tiranë (2017), “Shpirt Tiransi” (2019), romanet  “Broduej i Tiranës” (2018), “Tregimet e Tironës 2”, (2021), “Duhet të më harrosh” (2022) , që është botimi i tij i fundit. Ndër librat sportivë janë : monografia “Skënder Halili vezullimi i një ylli”, (2008) dhe  “Gjigandi Arben Minga” (2009), “Osman Pengili njeriu e sportisti model”, ( 2010),  “Shyqyri Rreli një jetë për futbollin shqiptar”, (210),                                                            .        

Duke qenë redaktor gjuhësor e letrar i numrit më të madh të veprave të Bedri Alimehmetit kam vërejtur se tregimet, skicat, novelat, romanet, vjershat e poemat e Bedriut gjallonin nga qytetaret e qytetarët tiranas, personazhe të tipizuar historikë, shoqërorë, familjarë, artistë, sportistë, inxhinjerë, mësues e njerëz fare të thjeshtë.

.       Ç’ka shkruar miku, shoku, kolegu, prindi, bashkëshorti, tiransi Bedri Alimehmeti nuk mund t’i rrokë dot një shkrim dhe një takim i vetëm. Qoftë i paharruar kujtimi, emri dhe vepra e tij. Respekte gjithmonë për këtë “gur smerald të qytetarisë dhe letërsisë tiranase”.      

 

42 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page