——
Fryn erë. Në rrugë: vetëm.
Dhe era që shkelmon një gazetë.
Vetëm. Dhe qielli pa yje, krejt i shkretë.
Ca drita sylodhur shikojnë retë.
Vetëm. Gjithnjë vetëm.
Hapat më çojnë në bregdet.
Si gojë palaçosh më përqeshin dallgët
Këmisha gufmon si t’ ishte velë
Hej, këmishë, më merr, më ço larg!
As pulëbardhat s’vërtiten përqark.
Nën këpucë kërcet një guaskë.
Përpëlitet deti në damlla plot jargë
Vjen lëpin këpucët si të ishte mackë.
Vetëm. Buzë detit: vetëm.
Marr një shkop në dorë: bëhem dirigjent
Hej, mor deti i marrë, kthehesh në orkestër:
Tunxhe, violina, daulle, fanfarë
Kontrabas, oboe, klithma-klarinetë
Simfonia e fundit: Vetëm Vetëm Vetëm...
Comentarios