Pesha e mendimit në një foto
-Mosha e Kadaresë, si pesha e mendimit shqiptar-
Nuk e kisha një foto me Kadarenë, tani kam disa. Si duket u desh botimi i novelēs sime “Viza Amerikane” që të më vinte shansi i bukur “Një foto me Kadarenë”, falë dashamirësisë së mikut tim Çerçiz Loloçi. Për herë të parë isha aq pranë Kadaresë, që më dukej si një kështjellë e ndritshme.Vitet “ulur” këmbëkryq në ballin e madh e pakrrudhëzuar të shkrimtarit, “përleshen” magjishëm me Mendimin Kadare. I puth dorën solemnisht e më duket sikur puth vargmalet e veprës Kadare. Më shikon i heshtur me ata sy ku si vullkan ka shpërthyer fantazia krijuese e pashoqe. Shkrimtari flet pak. “Si të quajnë?!… më pyet ngadalë. Sytë e Tij përpëliten ndërsa i them emrin. Ai mbase nuk e ka fiksuar kurrë emrin tim, ndërsa më sheh mendueshëm si për të kërkuar në thellësi ndonjë personazh që mund t’i ngjaja. Befas gjithë mitet e dikurshme për të “si mendjemadh”, si “mospērfillës” rrëzohen në dysheme e bëhen thërrime…
Kadarenë e kam pranë: Njeri, të heshtur, të bukur si balli i “pushtuar” nga mendime.
“Të kam dashur dhe të dua” i them. Je krenari…
Më dëgjon i menduar. E di që nuk mund të më sjellë në mendje kurrkund edhe pse unë kam jetuar për dekada me fantazitë përplasëse të Kadaresë, si krijuesi që më ka përfshirë në furtuna përvëluese leximi.
“Ndizem” nga gjithfarë fantazish kur jam kaq afër Kadaresë. Më duket, i imi, i juaji, i atyre, i të tjerëve , i Veriut e Jugut, i Lindjes dhe Perēndimit dhe mbi të gjitha i Yni. I kujtoj një moment kur do botoja një shkrim disi kritik nga një student në gazetē, dhe Kadrie Kadare e nervozuar do më thoshte “Mos ma kritiko Ismailin”. Ai qesh lehtë duke më parë e më thotë: “Ka vdekur Kakuja , ka vdekur…” I shpreh ngushëllime edhe pse disi vonë… Shkrimtari më sheh në sy me një mallëngjim e dashuri për jetën si askush Tjetër. Jam përballë Njeriut të penës që “ngjall vdekjen” duke e bërë jetën të pavdekshme…
Jam i shokuar pranë Kadaresë dhe ndiej së thelli se e dua, se e kam dashur edhe kur nuk jam pajtuar, se e kam ndjerë edhe kur kam qënë larg…
“Na ke frymëzuar ndryshe”, i them dhe i kujtoj një moment gati 4 dekadat të shkuara kur në konferencēn e talenteve të reja në Durrës Kadare me guxim do na thoshte: “Në letërsi njeriu futet për tu bërë i madh”. E vetmja këshillë që mbeti… “Nuk e mbaj mend…” më thotë qetësisht dhe i kujtoj se sa e mençur e universale ishte ajo thënie e krejt fjala e Kadaresë ani pse “kritika e kohës” u vërsul egërsisht gati për ta “pushkatuar” egon moderrniste Kadare.
Bujar Hudhri futet në bisedë dhe kujton detaje të tjera në luftën pafund “ideve të errëta” të shkrimtarit të dy shekujve. Të duket sikur Kadareja nuk beson “të shkuarën e Vet”. Çerçiz Loloçi shton saktësi e detaje nga “ushtria” e pa gjumë për ta zhbërë Fenomenin-Kadare, por mbetën “ushtri e vdekur”.
Ndihem njeri me Kadarenë dhe Ai sikur bëhet për herë të parë një “bashkëbisedues i heshtur”. Ndihet se i ka thënë të tëra e tani “dëgjon të tjerët”. Dua të “pushtoj” fort Mendimin Kadare.
Dikur në kafenenë e madhe të Lidhjes së shkrimtarëve, e kam soditur largësisht energjinë e Tij debatuese. Ishte Kadareja i Ri që me Mjeshtërinë e paparë Krijoi Veten.
Përballë heshtjes çapitëse të Kadaresë pyes veten: Çfarë të keqe ka të “krijosh Veten”? A nuk është kjo në “genin e njeriut” që ndërtoi Amerikën?
Nuk e di sa vijoi qënia ime fizike “pranë Kadaresë”. Ishte një fluturim kohe si “humbja e peshës në Hënë”. Ismail Kadare ishte pranë meje, si një mal i lartë nga ku “Vështroja Shqipërinë”.
Mallkova veten që nuk pata më shumë kohë. Të nesërmen Unë duhet të fluturoja për në Amerikë, e koha rrokullisej bashkë me “ankthin në qiell”. Kërkova ndjesë për vizitën e beftë. Sytë e menduar të Kadaresë sikur deshën të më thoshnin “diçka të pathënë”.
Ika duke marrë me vete “Ballin e menduar” të Ismail Kadaresë. Ika shpejt e rrëmbimthi duke kthyer minutat në shekull. Isha me Ismail Kadarenë dhe prej atij momenti Unë nuk do të jem “Ai që kam qënë”. I “vodha” mendimet Kadaresë për t’i sjellë në Amerikë si provë e Identitetit të Pavdekësisë Shqiptare.
Duke i shkruar këto radhë ndërsa jam në qiell të hapur mbi Atlantik, them së “urretja epileptike” për Fenomenin Kadare, as më shumë e as më pak, është “Mëkati Ynë i radhës”, është urretja ende e pashpjegueshme e shqiptarit për shqiptarin. Ai mbetet deshima e gjallë e mbijetesës sonë gjithëkulturore e gjithëintelektuale. “Ta ruajmë Kadarenë, thashë me vete, sepse një ditë edhe mund të na i “vjedhin” …
Më në fund e kam një foto me Kadarenë. Kam edhe të thënën e pasfotos nga vetë Kadareja, siç ma pohoi Çerçiz Loloçi: “Sot ndodhi diçka e bukur “. Nuk ishte thjesht vizita e “blic” e një shqiptaro-amerikani, por nostalgjia e shkrimtarit për miqësinë me Lasgush Poradecin, që me sa duket dita ta rrëmbeja falë edhe instiktit pragmatik amerikan.
“Sot ndodhi diçka e bukur” paska thënë Kadareja. E fjala e thjeshtë shqip merr një nur e domethēnie të veçantë. E tha për mua, e tha për Ty…
Isha në Shqipëri. Pashë Miqtë e mi. Pashë Kadarenë…
Shefqet Meko
Shkruar në qiell mbi Atlantik, 20 Prill 2023
Comments