PERUSTIA DHE DIKTATURA
-tregim-
Nga PANAJOT BOLI
Isha i vogël ahere. Ngrohtësinë e dorës së gjyshit akoma e ndiej në dorën time, se gjithmonë më mbante nga dora. Sikur trembej mos i ikja dhe më humbiste. Apo mos rrëzohesha dhe vritesha. Ngrohtësia e tij më jepte forcë, më bënte më të madh, më të fortë kur mbahesha nga dora e tij. Ishin pikërisht ato momente kur unë mundohesha të ecja vetë. Kishte mustaqe gri të lezetshme. I mirëmbante me merak. Kishte ca sy që të goditnin si shigjeta dhe shkëndijonin vazhdimisht. Kishte një shkathtësi që edhe të rinjtë ia kishin zili. Nuk e njoha gjyshen. Atë kisha edhe gjyshe, edhe gjysh. Nuk kishim kopsht për fëmijët. Kopsht për fëmijët ishte për mua gjyshi. I kapur prej dore kudo. Në kishë. Në hijen e manit, atje në qendër të fshatit ku mblidheshin burrat dhe kuvendonin. Në çezmë. Atje ku merrnim ujë të freskët me bucelën e vogël dhe një lloj ene prej kungulli që e ndreqte vetë ai. Ç’m’u shfaqën kështu mustaqet plot lezet që ia shtonin hijeshinë dhe burrërinë? Kujtoj ç’më tha një ditë mamaja: “Në shtëpinë tonë vinin ata të partisë për të bërë mbledhjet e tyre. Në mes tyre edhe një grua. Dy dhoma kishim. Ata mbylleshin në dhomën tjetër dhe diskutonin 34 shpeshherë deri në mëngjes. Që të mos dëgjonim ne, prapa derës varnin një velenxë. Në mëngjes gjyshi yt bëri banjë. Mirëpo pasqyra ishte në dhomën tjetër ku zhvillonin mbledhjet ata të partisë. Vajti deri te dera... u kthye përsëri. Ndenji edhe pak. Pastaj nuk duroi. Shtyu derën me forcë. Ajo u hap dhe velenxa ra përdhe. Shkeli sipër saj dhe vajti te pasqyra. Krehu flokët dhe rregulloi mustaqet.
Ata të partisë brofën në këmbë instinktivisht nga e papritura dhe shikonin me kureshtje gjyshin tënd. Kur mbaroi dhe u kthye te dera, ahere gruaja që ishte përgjegjëse e organizatës i foli rëndë-rëndë. - Nuk bën mirë, xhaxha, që futesh kështu në dhomën ku zhvillon mbledhjen organizata e partisë. Gjyshi ktheu kokën, e shikoi me indiferentizëm dhe mbylli derën i nervozuar.” E doja gjyshin. E adhuroja. Të gjithë e respektonin dhe unë mburresha me të. Ishte usta i mirë. Kur mbaronte çatinë e ndonjë shtëpie në fshat, dëgjohej zëri i tij kumbues dhe melodik si refren i një kënge teksa tundte një shami. ...Heeeeej. Me këmbë të mbarë. Ta gëzojë i zoti i shtëpisë. Të tjera u shtofshin! Ishte edhe një gjuetar i mirë. Kur zbriste nga mali i Druganos, në sup i varej lëkura e ujkut që i arrinte deri në fund të këmbëve. Ishte edhe amvis i mirë. Kur të gjithë iknin në punë dhe në shkollë, unë e gjyshi bëheshim nikoqirë të shtëpisë. Fshinim oborrin (unë mavro fshija, mundohesha edhe unë pas tij), piksnim qumështin, uleshim në dy stola të vegjël që i kishte bërë vetë ai, i mbaja napën që të hidhte qumështin e piksur, e thyente, si thoshte ai, që të dilte hirra, pastaj e varte në një çengel 35 dhe pas nja dy orësh e nxirrte dhe e priste me thikë dhe e kriposte.
Nuk harronte që të më priste majuckën dhe të më thoshte: - Haje, zogëza ime, të bën mirë, është i shijshëm dhe i freskët. Kështu bënte edhe kur gatuante gjellët e tjera. Më nxirrte nja dy-tri lugë në një kapak dhe unë i thosha: - Shumë të shijshme e ke bërë, gjysh! Ndonjëherë e pyesja: “Ke shkuar në shkollë ti, gjysh?”. “Nga jashtë kalova, brenda nuk u futa”, më përgjigjej në mënyrë enigmatike. Ahere më dukej e çuditshme kjo përgjigje. Mundohesha të gjeja kuptimin e saj. Më kot. Ngatërrohesha. Kaq më thoshte gjyshi. Më shumë jo. Një ditë, ndofta ishte me të mira, më tha diçka më tepër. “Kishte lopë babai im. I shkurtër, i mbushur, por shumë i sertë. Kureshtja ime ishte shkolla...
Një mëngjes, si vura lopët përpara, u afrova te shkolla. Vura veshin te vrima e portës. Të dëgjoja çfarë thotë mësuesi... U mundova nga vrima të shoh brenda në klasë. Të shoh ç’bëjnë nxënësit, moshatarët e mi... Papritur një zë më trembi. Koka ime goditi në dërrasën e vjetër të portës. Babai çoi shkopin e gjatë që mbante në dorë të më qëllonte. Porta u hap dhe mësuesi ngeli i shastisur përpara pamjes që pa. Nuk foli. Shikoi babanë tim që ngeli me shkopin në ajër... Edhe ai e shikoi vëngër. Unë u bëra tym teksa shpëtova nga shkopi i babait dhe vështrimi i mësuesit.” Përsëri nuk munda të nxjerr kuptim. Thashë, kudo që vente gjyshi, unë pas tij, pranë tij. Ai zgjaste dorën dhe më afronte më pranë. “Këtu afër meje, zogëza ime.” Kështu më fliste me përkëdheli. Kështu më thoshte edhe deri sa arrita në klasën e gjashtë. Se pastaj e humba 36 gjyshin tim të mirë.
Tani që shoh perustinë në oxhakun e shtëpisë së vjetër, aty ku rrija me gjyshin tim, buzëqesh i përmalluar. ...E mbaj mend mirë atë ditë. Ishte vjeshtë dhe në oborr binin fletët e fikut... Një ditë melankolike. Nuk e di pse më dukej ashtu. Në shtëpinë tonë kishte ardhur një mik i veçantë. Propagandist, më tha nëna. Kishte një kostum gri dhe këmishë të bardhë. Nuk kishte kravatë. E mbaj mend mirë. U ul në krahun e majtë të oxhakut. Nga e djathta gjyshi. Aty, i strukur afër gjyshit, si gjithmonë, unë. Gjyshi im rrinte serioz dhe i heshtur. Sytë e tij të gozhduar te zjarri në oxhak, kurse në dorë mbante një mashë me të cilën herë pas here trazonte urët me nervozizëm. Propagandistin e kishte sjellë babai. Kishte bërë sherr me gjyshin. Thoshin një fjalë të çuditshme: kooperativë. Jo, ngulte këmbë gjyshi. Biseda u nxeh dhe të dy i ngritën zërat. Gjyshi ishte i vendosur. Duke parë se gjyshi nuk bënte prapa dhe po e turpëronte në fshat, babai vendosi të sjellë propagandistin e partisë. Tani ai fliste vazhdimisht dhe gjyshi as gëk, as mëk. Në një çast ai e humbi durimin.
Me mashën që kishte në dorë, me një lëvizje që e habiti propagandistin, mori perustinë nga oxhaku dhe e vuri në mes të shtëpisë. - E di, çfarë më thua kaq orë, - i tha i inatosur gjyshi, - futu këtu, mes këmbëve të perustisë. Këtu do të kem, në shtrungë. Nuk ke ku të shkosh. Kështu do t’ju mbaj, të rrethuar e të lidhur këmbë e duar... I erdhi e papritur ky sulm i gjyshit. Ngeli për disa çaste pa folur dhe e shikonte me kërshëri. - Po, Lenin, tha... - Lëre Lenin... Unë Lenin e kam martuar. Ajo të shikojë shtëpinë e saj. - Lenini, xhaxha, Lenini... Ai bëri sikur nuk kuptoi dhe vazhdoi ta thumbonte. - Të thashë. Leni të shikojë shtëpinë e saj dhe të mos futë hundët në shtëpinë time. Gjyshi im kishte një vajzë të martuar në fshat me emrin Leni, domethënë, halla ime. Propagandisti u zemërua shumë. Gjyshi mori perustinë me dorë dhe e vendosi përsëri në oxhak. Gishtat iu skuqën ngaqë hekuri ishte i djegur. E hodhi shpejt brenda në oxhak dhe filloi t’u fryjë gishtave që iu përvëluan. Dhe bërtiti i inatosur. - Atë do të bësh ti me birin tim. Të na futësh brenda në perusti. Unë shikoja gjyshin. Nuk e kuptoja pse ishte aq i zemëruar dhe i shqetësuar. Jo vetëm kaq, u tregua edhe shumë i pakujdesshëm, se e kishte kapur perustinë me duar dhe për shumë ditë i leu me vaj vezësh që t’i shëroheshin. Më vonë, kur u rrita, kuptova... perustinë.
Comments