top of page

Persianët



Astrit Lulushi


Luftërat Greko-Persiane (v.490 pes) shpesh portretizohen si një betejë midis së mirës dhe së keqes. Ky është njëkohësisht ekzagjerim dhe thjeshtim i tepërt, por nuk ka dyshim se kjo luftë apo seri luftërash, të zhvilluara midis disa prej qytetërimeve më të fuqishme të epokës së lashtë, ndihmuan në përpilimin e rrjedhës së historisë njerëzore.

Grekët e tregojnë historinë e lashtë persiane sipas tregimeve të lashta greke, ndryshe nga ajo që tregohet nga vetë persianët. Por larg nga të qenit barbarë, persianët ishin të sofistikuar kulturalisht dhe shoqërisht, ekonomikisht të fortë, ushtarakisht të fuqishëm dhe të talentuar intelektualisht.

Krijimi i perandorisë bëri të mundur kontaktin e parë domethënës dhe të vazhdueshëm midis Lindjes dhe Perëndimit dhe përgatiti terrenin për perandoritë e mëvonshme të antikitetit. Perandoria Persiane hapi, për herë të parë në histori, një dialog ndërkombëtar, sepse, në përgjithësi, persianët ishin despotë të ndritur. Ndryshe nga romakët, persianët nuk kishin dëshirë të impononin gjuhën e tyre mbi popujt e pushtuar.

Nga Britania në Siri, romakët përdorën latinishten si gjuhën e biznesit, financave, ligjit dhe rendit; për të qenë dikush në perandorinë romake, kërkohej latinishtja. Persianët nuk e detyruan kurrë gjuhën e tyre mbi popujt subjekt. Ata preferuan të përdornin gjuhët lokale për dekretet e tyre dhe përdorën aramaishten si një formë lingua franca në të gjithë territoret perandorake për të ndihmuar në lehtësimin e komunikimit. Në sferën e fesë, gjithashtu, mbretërit persianë ishin të kujdesshëm që të shfaqeshin si përkrahës aktivë të kulteve vendase, qoftë edhe vetëm për të siguruar kontrollin e faltoreve të pasura dhe respektimin e priftërive të fuqishme. Edhe në rajone të vogla administrative, Persianët u dhanë privilegje tempujve dhe pranuan mbështetjen që u kishin dhënë perënditë e tyre vendase. As një 'pamje' persiane nuk iu imponua arkitekturës së perandorisë, siç bënë romakët. Kjo mendësi mund të përmblidhet me një fjalë të vetme persiane të vjetër që Dari i Madh e përdori për të përshkruar perandorinë e tij: vispazananam - 'shumëkulturore'.

Mbishkrimet e lashta perandorake persiane mburren kur theksojnë diversitetin e perandorisë (megjithëse ata gjithmonë e privilegjojnë Persinë). Siç e thotë një mbishkrim i Darit, 'kjo është mbretëria që unë mbaj, nga Saka deri në Etiopi, nga India deri në Spartë’. Një mbishkrim tjetër përcakton Persinë si qendër të botës, por tregon se perandoria iu dha Darit si një dhuratë nga Ahura-mazda, 'Zoti i Urtë', hyjnia kryesore e panteonit pers.

Dari dhe pasardhësit e tij kontrollonin një perandori që shtrihej nga Persia deri në Detin Mesdhe në perëndim dhe në Indi në lindje. Në jug shtrihej deri në Gjirin e Omanit, dhe në veri deri në Rusinë jugore. Perandoria përfshinte Etiopinë dhe Libinë, Greqinë veriore - Shipërinë jugore - dhe Azinë e Vogël, Afganistanin dhe Punjabin deri në lumin Indus. Nuk kishte asnjë mbretëri në tokë për të rivalizuar pasurinë e saj.

Më e mrekullueshme është rritja drejt madhështisë. Ajo u ngrit nga një territor i vogël fisnor në atë që tani është provinca moderne Fars në Iranin jugperëndimor. Në persishten e vjetër, gjuha e tyre njihej si 'Pars' ose 'Parsa'. Kjo u shqiptua më vonë nga grekët e lashtë si 'Persis' dhe është ai emër që ka ardhur si 'Persia'. Familja sunduese e Perandorisë Persiane, ishin Akamenidët, të cilët morën emrin e tyre nga një themelues me të njëjtin emër, 'Achaemenes', një paraardhës i Kirit të Madh dhe Darit të Madh. 'Achaemenes' ishte gjithashtu një përkthim grek i një emri persian: 'Haxamanish', e cila rrjedh nga persishtja e vjetër haxa - 'mik', dhe manah - 'fuqi e të menduarit'.

Edhe shumë fjalë shqipe si; bel, çark, çengel, qase, qese, shishe, xha, etj, mund të jenë nga kjo periudhë e lashtë dhe jo nga koha osmane.

46 views0 comments

Hozzászólások


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page