top of page

PERLA


Violeta SEKOVSKA

Violeta SEKOVSKA është bibliotekiste e diplomuar dhe përfaqësuese e poezisë bashkëkohore maqedonase. Ajo ka shkruar poezi që në moshë të re, por poezinë e saj filloi ta prezantojë në vitin 2011 me përmbledhjen e parë me poezi "Maqedonia", pastaj botoi përmbledhjet me poezi: "Drenusha dhe dreri", "Unë ekzistoj" dhe "Damarët". Përmbledhja "Elementi i pestë" dhe përmbledhja e fundit "Soditje" u mbështetën nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë.

Më pas boton përmbledhjen "Perla" dhe përmbledhjen me poezi për fëmijë "Bota e Jakobit". Sekovska është krijuese dhe krijuese ideore e shfaqjes poetiko-muzikore "Me dashuri për Maqedoninë" me të cilën ajo është shfaqur në të gjithë Maqedoninë, në Republikën e Shqipërisë, Mbretërinë e Danimarkës, Republikën e Kroacisë, Republikën e Serbisë dhe Republikën të Malit të Zi. Poezia e Violeta Sekovska është vlerësuar shumë herë dhe vargjet e saj zbukurojnë shumë përmbledhje poetike dhe antologji në botë. Poezia e saj është konceptuar në mënyrë harmonike, e llogaritur metrikisht sikurse krijimtaria mjeshtrinjve të vjetër të humanizmit dhe rilindjes. Motivet e saj janë motive atdhetare, shpirtërore - fetare dhe dashurore.
Poezia e Violeta Sekovskës nuk e lë indiferent lexuesin, adhuruesin e vërtetë të fjalës së shkruar, sepse lexohet lehtë dhe është tërheqëse - e kuptueshme.


Violeta SEKOVSKA

Poezi


PERLA

Dashuria heshti,

perla u shqye,

gruaja,

dritë në natë.

Çmenduri e amshueshme,

nata, hëna, gruaja,

bardhësia e lëkurës së saj.

gjithçka është e zjarrtë,

nuk ka zjarr,

gjithçka është dashurore,

nuk ka dashuri.

Natë e ngrirë.

Shpresë e ngrirë.

Zemër e ngrirë.

Po iki!

Do ta kërkoj dashurinë tënde

nëpër dimra të huaj.



MJEGULLA E FJALËVE


Sytë e tij shikojnë zjarrin,

shkretëtira e dashurisë së tyre,

e gozhduar në mall,

e lodhur nga gënjeshtrat,

fitore e heshtjes,

zemra sytë ia mbyll,

nuk kupton sa dhimbje

ka dashuria...

Ferra në shtrat,

lotët në këngë,

libri i dashnorëve

shkruan faqen e fundit.

Mjegulla e fjalëve,

ngulfat zemrën,

ngadalëson rrahjet,

i dëshiron lumturi dhimbjes...

Ndjen!

Përqafim të zbrazur.

Puthje pa shije.

Shuhen zjarret.

Shteren burimet.

Errësira mbisundon.


Ndoshta një ditë...



AQ


Unë jam e dashuruar

dhe e padashuruar aq sa ti.

Mendove, më shumë?

Jo, njëjtë!

Zgjuar e prek

tehun e fundit.

Shihemi ballë për ballë

me errësirën,

terr, përherë të fundit,

të prek butësisht,

malli në heshtjen tënde,

thirrje e ashpër e zbrazëtirës,

e humbur nga humbësi.


SHQETËSIM


A ka pasuri

që mund të blejë

shikimin e të dashuruart?

Butësitë, prekjet,

nga fillimi deri në fund

të bashkimit.


Real – joreal

të përqafuar jo të përqafuar,

afër njëri- tjetrit.

Si drenushë

ndjenë shqetësim në shpirt,

frikë nga largimi,

frikë nga vetmia,

frikë nga MOSDASHURIA.


Ta përzgjedhë dhembjen,

me lot

rrugën t’ia lajë

sepse është një pikë

në tërësi.


Gjithçka është këtu

edhe psherëtima dhe ofkëllima,

kurse ne nuk jemi.

Ku rrinë mendimet e fshehura?

Vallë ne kemi mundësi që të zgjedhim?

Zgjedh zemra gjatë lindjes dhe vdekjes,

për mua, për ty, për ne.



TË PANJOHUR


Hapëroi në kopshtin tim të fjalëve,

krijoi çerdhe në tufën time

të dhimbjes së dashurisë.

I hudha të gjitha metaforat nga kënga ime.

E zhvesha.

Zbrazëtira u shkri në këngë.

Kaloi afër meje i heshtur,

vetmuar, por unë me atë heshtje,

zemrën do ta mbush.

Shekujt kalojnë, i njëjti qiell,

enë toke e prej saj thithin dashuri,

dy shpirtra të panjohur.


SHTRËNGO DHËMBËT


Merr frymë.

Mos u mundo

t’i numrosh kujtimet,

dhemb.

Mos i hap plagët,

mos i zgjo prekjet

e fshehura në shtrat.

Vetëm, merr frymë!

Nxehtësia do të t’i kaplojë

shpatullat,

do të ta kaplojë trupin lakuriq,

do të të shtrydhë, do të grabisë.

Dashuria është më e vjetër se sëmundja,

apo sëmundja e dashurisë.

Një fytyrë kanë!

Lulebar shërues për sëmundje – dashurie.

Rrjedhin në kohë, të shtangin,

rrjedhin jashtë kohës, të tejkalojnë...

Shtrëngo dhëmbët, MERR FRYMË!!


Përkthim nga origjinali:

Adem Abdullahu

104 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page