top of page

PERIPECITË E PATRIOTIT TË SHQUAR...


PERIPECITË E PATRIOTIT TË SHQUAR RILINDAS, LEONIDHA NAÇI, PËR BOTIMIN E GAZETËS “E DREJTA”

Si vdiq në torturat e Sigurimit të Shtetit rilindasi i shquar Leonidha Naçi dhe si u persekutua familja e vëllait të tij rilindasit Nuçi Naçi


Nga Enver Memishaj


Po botojmë një ankesë të rilindasit të shquar dr. Leonidha Naçi, që vdiq nga torturat, në burgjet e zeza të diktaturës komuniste. E botojmë si dokument historik që flet shumë, por edhe si fakt që njerëzit e mirë dhe patriot i ndjek gjithnjë një fat i keq. Ambicja dhe padituria i ka bërë njerëzit të sulmojnë me shpifje edhe patriot të shquar si Leonidha Naçin.

Ankesat e Leonidha Naçit janë hartuar me llogjikë, me shkrim të bukur me shumë pak gabime gjuhësore çka flet për kulturën e tij, por me gjuhën e kohës të para më shumë se 100 viteve.

Ankesat po i botojmë me ndonjë ndryshim të pa rëndësishëm që nuk e prek dokumentin as në formë dhe as në përmbajtje, p.sh.: Kemi vendosur shenjat e pikësimit dhe ndonjë koregjim si shkrimi ndonjë fjale gabim me shkronjë të madhe si Direktori – direktori; Parlamenti – parlamenti; Qeveria – qeveria; ose ç’do – çdo; t’onë – tonë; t’ime - time etj ose kemi ndrequr ndonje gabim si çëstja – çështja; së ndertës – së nderuar etj.

Nga kjo korespodencë kemi se ç’mësojmë edhe sot pas më shumë se 100 vjetëve, kur Leonidha flet se çfarë lirie kanë pasur shqiptarët që në kohën që fillonte të merrte jetë shteti shqiptar, liri e cila iu pre shqiptarëve që më 29 nëntor 1944, etj.

* * *

Para se të paraqesim kërkesë – ankesat e Leonidha Naçit, duhet të themi dy fjalë për aktivitetin e shquar atdhetar të vëllezërve Naçi. Profesor Xhevat Lloshi në një artikull të tij me të drejtë thotë se emri i Leonidha Naçit (1875-1947) nuk është aq i njohur sa i disa rilindësve të tjerë dhe as në “Fjalorin enciklopedik shqiptar” nuk del si emër më vete. Por prof. Lloshi gabon në të dhënat e tjera biografike që jep për Leonidha Naçin si vendlindjen nga Vlora, vitin e largimit nga jeta etj.


Vëllezërit Nuçi Naçi dhe Leonidha Naçi ishin bijtë e tregëtarit korçar Dhimitër Naçi i cili kishte mundësi dhe i shkolloi të dy djemtë jashtë vendit. Të dy këta si rilindas të shquar e shkrinë jetën e tyre për lirinë dhe lartësimin e popullit të tyre.

Naum Dhimitër Naçi (1871 - 1927) i njohur edhe si Nuçi Naçi, ishte “Mësues i Popullit”, atdhetar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, dhe njëri ndër drejtorët e “Mësonjtores së Parë Shqipe”Korçë

Më 1901 botoi në Sofje broshurën “Korça dhe fshatrat përqark”. Për dy vjet drejtoi gazetën shqip “Zgjimi i Shqipërisë” që dilte në Janinë.

Të dy vëllezërit e shkuan më shumë jetën e tyre jashtë duke punuar për atdheun e tyre. U kthyen të dy në vendlindje në Korçë në vitin 1920, pas Kongresit të Lushnjës dhe Luftës së Vlorës. Nuçi vdiq 7 vjet më pas duke shkruar kujtimet për Mësonjëtoren e Parë Shqipe.

Vëllai tij dr. Leonidha Naçi më 29 gusht 1908 u diplomua në Greqi si mësues i gjuhës shqipe. Në atë kohë kaloi në Athinë Ismail Qemali i cili i kërkoi të kthehej në Vlorë për të organizuar një klub patriotik dhe shkollën shqipe.

Në Vlorë dr. Leonidha Naçi do të ishte një nga organizatorët kryesorë të themelimit të klubit patriotik “Labëria” që filloi nga veprimtaria patriotike në fund të tetorit 1908.

Shqiptarët nga data 14 deri më 22 nëntor 1908 do të mbanin Kongresin e Manastirit, ku morën pjesë 32 delegatë që përfaqësonin 23 qytete shoqëri e klube, por edhe 18 delegatë pa të drejtë vote.Në këtë kongres u morën vendime të rëndësishme që determinuan fatin e përparimit e zhvillimit të vendit, u miratua alfabeti me shkronja latine, u vendos hapja e shkollës normale në Elbasan etj.

Leonidha Naçi do të kishte nderin të ishte përfaqësues i klubit “Labëria” të Vlorës e Labërisë.

Pas kthimit nga Manastiri në Vlorë do të hapej shkolla e parë shqipe dhe Leonidha do të ishte drejtori i saj.

Të edukur me ndjenja patriotike dy nënoficerë nga Tragjasi vranë në Vlorë dy oficerë turq që shanin e fyenin me fjalë të ndyra popullin shqiptar. Turqit bënë raprezalie prandaj shumë patriot vlonjatë u arratisën disa u kapën dhe u burgosën.

Leonidha Naçi i përndjekur si drejtues i klubit “Labëria” detyrohet që në vitin 1910 të kthehet në Korfuz, ku do të vazhdoi veprimtarinë atdhetare. Atje do të emrohej professor i gjuhës shqipe në shkollën shtetërore të atij qyteti dhe do të botonte shqip gazetën “E drejta”.

Në vitin 1911 ka vizituar një muze të Athinës ku ka parë atje një portret të Skënderbeut. Këtë gjetje ka dashur ta ndajë e propagandojë me atdhetarët e tjerë në Aleksandri, ku ishte anëtar i klubit “Vllazëria”, prandaj ka porositur një fotograf dhe e ka shpërndarë portretin e Skënderbeut.

Në Korfuz tenton të bëjë një kongres me të gjitha shoqëritë e kolonitë shqiptare por pengohet nga autoritet greke. Mban lidhe me të gjitha shoqëritë atdhetare në të gjithë botën.

Më 1928 do të merrte pjesë në një nga mbledhjet për të ngritur sërish “Komisinë letrare” sipas asaj të dhjetë vjetëve më parë në Shkodër.

Është interesuar për dorëshkrimin e “Fjalorit të gjuhës shqipe” të Kostandin Kristoforidhit që më 1894, madje ka shkruar (1937) se e kishte në duar, përpara sesa ta merrte për botim Diogjen Haritoja.

(Shih për më shumë: Gazetën “Bashkimi i Kombit” dt. 21.3.1944; B. Gaçe “Lëvizja Kombëtare në Vlorë” Tiranë 1999, f. 241 – 245)


PERIPECITË E PATRIOTIT TË SHQUAR RILINDAS, PËR BOTIMIN E GAZETËS “E DREJTA”

Në vitin 1920 pas Kongresit të Lushnjës dhe Luftës së Vlorës Leonodha Naçi u kthye në vendlindje, në Korçë, që të jepte edhe ai ndihmesën e tij në ngritjen e shtetit shqiptar. Ai mendon të vazhdojë në atdhe botimin e gazetës “ E Drejta”, dhe për këtë u drejtohet autoriteve të kohës, por çuditërisht e refuzojnë duke shpifur se gjoja ishte anëtar i qarqeve antishqiptare greke!!! Me shumë mundime arrin ta nxjerrë gazetën vetëm pas tre vjetëve në vitin 1923.

Në periodikun shqip, në Bibliotekën Kombëtare, kemi gjetur se gazeta e përjavëshme, politike, e shoqërore në gjuhën shqip e greqisht është botuar në Korfuz në vitet 1910 – 1913, ndërsa është botuar në Korçë në vitet 1923 - 1924. Në Bibliotekën Kombëtare gjenden këto numura 1,8,15,16 të vitit 1923 dhe nr.17 e vitit 1924.


KORESPODENCA E LEONIDHA NAÇIT PËR NXJERRJEN E GAZETËS “E DREJTA”

“Së nderuar Prefekturës të Korçës, Korçë, ?. 12. 1920

Zoti Prefekt!

Unë nënshkruari marr nderin t’ju paraqit çka vazhdon:

Prej vitit 1910 deri më 1913 kam botuar në Korfuz një gazetë në gjuhën shqipe me emër “E drejta” me anë të së cilës kam mrojtur të drejtat e kombit tonë në një kohë që atdheu i jonë ka qenë nën okupacionine të ndryshme.

Por sot, pasi me emër të Zotiti atdheu jonë u librua dhe u bashkua, tuke dëshëruar të vazhdoj punën time këtu, me anë të kësaj gazete, marr nderin t’ju lutem, të kini mirësinë të merrni masat e duhura, që të më nepet, pasi të bëni formalitetet e nevojshme, leja e duhur që të botonj gazetën time “E Drejta”

Me shpresë që z. juaj do t’i nepni një përfundje të mirë kësaj kërkesës sime marr, nderin t’ju paraqit falenderimet e mia më të përzëmërta.

Me nder Leonidha Naçi”

Pasi merr kërkesën prefekti Lutfi Zavalani i kërkon mendim Drejtorisë së Policisë së Korçës, e cila i përgjigjet negativisht kërkesës duke thënë: “Pas anqetit që bëhet nga ana e kësaj zyre, z. tij megjithqë quhet nga ndenjësit e këtij qyteti, po fatkeqësiht gjithë jetën e vet e ka shkuar në Greqi dhe si me gazetën ashtu dhe me çdo mënyrë tjetër, është përpjekur dhe po përpiqet për të përmbushur vepra dhe qëllimin e qeveris greke… Nga ana e kësaj zyre s’jepet dot mendim për dhënien e lejes që kërkon. Korçë 14. 1. 21 Me nder Drejtori i Policisë ? Progri”.

Prefekti ia përcjell mendimin e policisë Ministrit të P. Brendshme “me lutje të na lajmërojnë a mundet t’i jepet leje të nxjerrë këtu një fletë z. Leonidha Naçit i cili kërkon duke thënë që është e ka qenë një nga patriotët që ka lëftuar për çështjen kombëtare. Na jep dhe një fletë që e nxirrte në Korfuz të cilën po ua dërgojmë bashkangjitur për të provuar patriotizmin e vet.

Nuk i dhamë leje meqënse polici e këtushme e ka referuar si njeri që punon për të huaj.

15. 1. 21 Lutfi Zavalani”


Pas rëfuzimit Leonodha Naçi është i detyruar t’i drejtohet Ministrit të Drejtësisë Xhafer Ypit, të cilit i parashtron edhe biografinë e tij:


“Zotnisë së Tij Xhafer Ypit, Ministër i Drejtësisë.

I ndershëm Zotri!

Prej 10 muajsh më parë kërkova nga prefektura e këtushme leje për të nxjerrë prapë në atdhe gazetën time “E Drejta”, që nxirrja në kohën e tiranisë turke në Korfus. Ndalime dhe pengime të fshehta më shtërnguan të kërkonj lejen prapë zyrtarisht, në dimror të motit 1920 kur ish zëvëndës prefekt z. Lutfi Zavalani.

Një nga nëpunësit që ish kopetent për të dhënë shpegime mbi mua, zotit prefekt, pas ligjit turk me të cilin sundonemi, paskërka dhënë shpegime të liga, mbi sjelljet time, sikundër më tha miqësisht zoti zëvendës prefekt i asaj kohe.

Kërkesa time dhe informacinet e mbledhura u dërguan në Ministri të Punëve të Brendshme. Me një telegram u adresuash Këshillës së Naltë dhe Kryeministrit dhe kërkova për ndalimin 10.000 franga çpërblim. Përgjigje në telegram s’mu dha, po policia më komunikoi verbalisht së “s’më nepet leje për gazetën”.

Prita të hapet Këshilla Kombëtare dhe të bënj të qarat e mia kundreq Ministrit të Punëve të Brendshme për veprimin ilegal që bëri kundreq meje dhe përgjithësisht kundreq lirisë së shtypit kurse një tjetër ngjarje ilegale dhe kundra lirisë së një nënshtetasi dhe një atdhetari më vuri në mejtim se është në rrezik dhe liria time personale.

Direktori i Policisë i urdhëruar nuk di nga, më thërriti dhe më bëri pyetje fort të çudiçme midis të cilave se ç’nënshtetësi kam?

Mbi këtë pyetje i dhash përgjigjen e duhur se është e ditur prej gjithë nesh që kemi rrojtur jashtë që çështja e nënshtetësisë e atdhetarëve, punëtorë për kombin është e pa zgjidhur.

Kur pas pak kohe më thërret prapë policia dhe direktori saj më thotë kur do të hikinj prej këtej?

Domethënë kur do ike prej atdheut tim, për lirinë e të cilit kam sakrifikuar 25 vjet punë, me një politikë gazetari të hapur dhe të biseduar.

U çudita me këtë pyetje kaq të çudiçme dhe, u përgjigja, se do të shkoj a se do të rri, pas nevojave të mia personale.

Atëhere direktori i policisë më tha se ka informacione të liga kundreq meje se vete dhe vizitoj Mitropolinë.

I thash se kjo është puna time personale dhe se në është që qeveria e ndalon le të ma thotë, ose le të bënjë anikemt e duhura dhe le të provonj në gjyq që vizitat time në Mitropoli u sjellin dëm interesave të atdheut dhe jam i bindur në dënimin ligjor.

Direktori u përgjegj se do të bënte anketat , përfundimet të së cilës po i pres.

Zotni!

Më duket se të tilla vepra të bëra prej nëpunësve të shtetit me shkak çnderimi të njerit ose të tjetrit patriot dhe më tepër, prej atyre që kanë bërë therori për atdhenë dhe prej njerës që gjer dje ishin kundërshtarë, se istoria e punës tonë kombëtare është edhe e gjallë, sjellin dëshpërim dhe ftohtësi, midis atyre për nxehtësinë e të cilëve ka ende nevojë atdheu. Më duket se qeveria dhe parlamenti duhet të marrë masa të rrepta kundreq atyre të cilët me të tilla vepra duan të tregojnë se i shërbejnë atdheut, interesat e të cilit gjer dje i kundërshtonin që të mos të prishnin prehjen personale.

Si do të njihen kundërshtarët e çështjes tonë kombëtare, kur po shohim se hiqen për mëri të veçanta të njerit a të tjetrit nëpunës, atdhetarë të njojtur, që jetën e shkuan nëpër burgjet e Turqisë dhe në mërgim nën vështrimin e policisë të vendit në të cilin rrojtën, duke punuar me djersën e tyre punëra të veçanta dhe duke mos lënë rastin t’i ndihmojnë çështjes kombëtare?

U lutemi pra Zotri Ministër, të bëni çapet e duhura pranë qeverisë për lejen të gazetës time “E Drejta” dhe të urdhëronjë vështrimet e nevojshme nëpunësve kopetentë të cilët dua të besonj se bëhen të tilla gabime nga mos e patura stërvitjen e duhur si atë që bëri kundra meje dhe lirisë time personale Direktori i Policisë Korçës.

Korçë më 7 qershor 1920 Me përhunjësi Dr. Leonodha Naçi”


FUNDI TRAGJIK I LEONIDHA NAÇIT DHE PERSEKUTIMI FAMILJES SË TË VËLLAITNUÇI NAÇIT.

Rilindasi i shquar Leonidha Naçi pati një fund tragjit, gjatë diktaturës komuniste. Ai nuk mund të pajtohej me arrestimet dhe pushkatimet e patriotëve apo kundërshtarëve të komunistëve, prandaj atë e arrestuan fill pasi erdhën në pushtet komunistët, në vitin 1945, por nuk doli më nga burgu. Vdiq atje, në burgun e spitalit, i maskruar nga torturat.

Po kështu u persekutua edhe familja e të vëllait Nuçit.Vajzën e Nuçi Naçit, Teftën me arsim të lartë, e lanë pa punë, sepse e konsideronin si spiune të italianëve, ngaqë kishte punuar si mësuese dhe përkthyese në shkollën italiane, e cila ishte hapur para çlirimit të vendit. Nuk morën asnjëherë parasysh që kishte qënë sekretare e Ilo Mitkë Qafzezit, në shkollën e mesme qytetëse të asaj kohe. Nuk morën parasysh që kishte përfunduar studimet në Intitutin e Parashqevi Qiriazit në Tiranë.

Nuk morën parasysh se zotëronte disa gjuhë, anglisht, frëngjisht, italisht, greqisht dhe rumanisht. Nuk morën parasysh që ishte e bija e Nuçi Naçit. Atë do quanin një sipunkë të italianëve dhe bijë të një tregtari. Se çfarë do të sipunote ajo mund ta thonë komunistët injorantë. Të njëjtin fat pati edhe Roksana vajza tjetër e Nuçi Naçit.

Djali i Nuçit, Sotiri, punoi gjithnjë fshatrave të largët, i pa përfillur ndonjëherë dhe I pa respektuar. Ai kishte qënë bashkënxënës me Ramiz Alinë, madje kishin qëndruar bashkë në një bangë, në Tiranë. E megjithatë Ramiz Alia nuk e përmëndi asnjëherë Sotirin.

Kështu sakrificat që rilindasit e shquar vëllezërit Naçi, Nuçi dhe Leonidha bënë për Shqipërinë gjatë gjithë jetës së tyre u harruan dhe u mohua dhe u shpërblyen me burgje e persekutime nga regjimi diktatorial komunist.


Rilindasit e shquar vëllezërit: Nuçi Naçi dhe Leonidha Naçi dhe dokumentacioni, fotografia e Kongresit të Manastirit...



45 views0 comments

Commenti

Impossibile caricare i commenti
Si è verificato un problema tecnico. Prova a riconnetterti o ad aggiornare la pagina.

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page