top of page

Perceptimi në tregimin e Izet Shehut


Izet Shehu 15 dhjetor 1942 - 25 nëntor 2012

Perceptimi në tregimin e Izet Shehut

Dr Fatmir Terziu


Abstrakt


Në krijimtarinë e shkrimtarit Izet Shehu, unë gjeta perceptimin si karakteristikë të krijimtarisë së tij për të realizuar ‘vizatimin’ që ai  krijon në prozën e tij me anë të fjalës. Dhe ky perceptim pranohet si një veçanti, thuajse në tërë krijimtarinë e tij, ku shihet se Shehu,  ka rrokur dhe zhvilluar një stil të hollë të komunikimit ose diskursit etik me lexuesin e tij. Qasja ime është që të respektoj dallimet dhe të llogaris perceptimin dhe kontekstin si dy anë të rëndësishme, në tregimin e këtij autori, por edhe të sqarojë perceptimin dhe konceptin që lidhet me kuptimin pas-metafizik. Unë në këtë studim do të ndalem të analizojë perceptimin në tregimin e Shehut si një marrëveshje teorike, për dy arsye. Së pari, unë do të argumentoj se çdo mënyrë e perceptimeve ose diskursit komunikues apo të etikës në krijimtarinë e Izet Shehut, bazohet në njohurinë e tij dhe bagazhin kohor, por edhe ndikohet nga angazhimet metafizike në tërë kontekstin evolues të jetë-krijimtarisë së tij. Së dyti, unë duke u ndalur në përdorimin e elementeve të teorive të tre filozofëve, F.H. George, Kant dhe Aristotelit, do të krijojë një arsye më të lehtë për të kuptuar prozën e Shehut, sidomos tregimin e shkurtër të tij, i cili ka importuar bashkë me njohurinë e tij dhe bagazhin historiko-njohës edhe diapozone metafizike në teori dhe se këto lënë shanse për të nënkuptuar aspekte morale të asaj ndërmarrje që ka të bëjë, me kohën, hapësirën dhe vendin, por edhe me lidhjet historike dhe mesazhet për brezat, mënyrën se si ata duhet të bëhen të qarta, nga pena e këtij shkrimtari. Së fundi, nëpërmjet tregimit të tij parë në një eksplorim të shkurtër nga këndi i disa teorive analitike dhe bashkëkohëse etike do të synoj, pasqyrimin dhe do të sugjeroj studimin e mëtejshëm të Shehut. Në këtë mënyrë perceptimi dhe “zgjidhja e problemeve” të përbashkëta të shoqërisë për të cilën dikton dhe shkruan Shehu, është thelbësore për të paraprirë njohjen e diskursit etik.

Perceptimi në tregimin e Izet Shehut

Perceptimi në tregim është një metodë që krijon një “varietet letrar” që ndikohet nga ambienti, rrethanat, kushtet dhe mjaft arsye të tjera që shihen nga syri i shkrimtarit. Ndërsa, Izet Shehu përdor të gjitha senset e tij për të realizuar mesazhin e duhur nëpërmjet perceptimit. Ai krijon duke formuar imazhin e plotë të asaj që percepton dhe ndihet i qartë në dhënien e perceptimit të karakterit, rrethanave të jetës së tij, të cilat i di mirë lexuesi pasi e lexon dhe kupton thelbin që ‘ne mund të jemi gabim në lidhje me atë që ndodh rreth nesh” (F.H. George:1962:12). Në tregimin e Izet Shehut, “Dino”, karakteri është një njeri-urë e dy kohërave, që sillet nëpërmjet perceptimit për të realizuar jetën e përditshme. Autori e sheh këtë si një arsye filozofike të tejkalojë perceptimin e tij, nëpërmjet pamjes vizuale të karakterit, nëpërmjet perceptimit nga sytë e të tjerëve. Dhe këtu pikërisht është fakti i shtruar nga tregimtari:

“Dino ishte një plak rreth të shtatëdhjetave, i thinjur dhe i shogët, por faqekuq. Kush e shihte për herë të parë, nuk e besonte se ai kishte bërë në kohën e diktaturës komuniste plot njëzet e një vjet burg politik. Fytyra e tij shprehte gatishmërinë për të marrë pjesë në gëzimin dhe hidhërimin e kujtdo.”

Në këtë perceptim, tregimi luhatet arsyeshëm për të diktuar një pasqyrë, ndoshta të ndikuar nga faktori kohë e për të tejkaluar normën e perceptimit. Një karakter i tillë si Dino, i tregimit me të nëjtin titull të autorit, Izet Shehu, duket se është një kontekst teorik për të treguar dyzimin logjik me anë të perceptimit. Kanti thotë: “Mendimet pa përmbajtje janë të zbrazëta, intuitat pa koncepte janë të verbra.” (Kant; 1980:24). Kjo natyrshëm shihet qartë në një mori fjalësh që lidhen jo vetëm me përshkrimin e tij fizik, që nis me ‘fytyrën’ e tij dhe përfundon me ‘gatishmërinë’ e karakterit për të qenë sërish aktiv në jetën e përditshme. Këtë autori e percepton. Natyrshëm që ai e di se ‘molla e kuqe e ka krimbin brenda’, por këtë detaj e flirton me një preambulë të bukur filozofike që vjen nga postulati m-l i kohës që e mbylli karakterin e tij për 21 vjet vjet e që lidhet me gatishmërinë e tij, pra “Gjithmonë Gati!”. Pika e fundit ngre një arsye më shumë për të kuptuar këtë ‘varietet letrar’ që vjen përpos perceptimit në tregim. Kjo pikë ndriçohet në tregim ngadalë. Gjuha merr një karakter të qetë, por nervozues në mendjen e lexuesit. Perceptohet çdo detaj. Fjalia është e saktë dhe e shkurtër. Komunikuese deri në detaj! Është një tregim që dallohet nga kompozicioni i tij i jashtëm, edhe pa u lexuar. Është një prozë që ka strukturë të jashtme model. Me një hyrje, mes dhe fund të përsosur. E gjithë kjo strukturë e perceptuar krijon mesazhin e fuqishëm që përmbyllet me një pyetje retorike, por tejet kuptimplote e filozofike. Kompozicioni i brendshëm i këtij tregimi është më i ndërlikuar. Futja e motivit është e arsyeshme dhe zhvillimi në dy kohë i motivimit kompozicional e bën atë të dallojë në llojin e vete. Tregimi duket si një arsye sqaruese në të lexuar ku naratori, (tregimtari) është njësuar plotësisht me tregimin, pra aty ku ai shfaq unin e tij brenda tregimit, dhe më tej ku karakteri duket paksa i çliruar nga ky “un”. Dhe heroi kryesor, Dino, është një rritje dhe zbritje në kurbën jetike të perceptuar nga Izet Shehu. Në këtë kurbë vepron thuajse tërë filozofia perceptuese. Autori sqaron në tregimin e tij:

“…Aty, mu tek këmbëza e parë e urës, një qen i zi e leshtor i lehu. - Qelbës i fëlliqur! – i thirri plaku me një ton të trembur. - Qeni u step dhe mori tutje nëpër kaçubet e dendura në breg të lumit. Dino kishte vite që mundohej dhe ushqehej me përralla. Në vitin 1992 mori gruan dhe ia mbathi për në kryeqytet. Fëmijë s’kishte. Kur u arrestua, e la gruan të re së bashku me nënën e tij. E gjora e priti për vite me radhë. Kur Dino u lirua, gruaja s’lindtte më, ndaj s’u gëzuan që s’u gëzuan me një bimëz të ngjizur me shpirtërat e tyre. Në kryeqytet, në fillim , u futën thuajse forcërisht në një dhomë të lagësht në katin e parë tek ish-shkolla e partisë. Pastaj, po forcërisht, i larguan prej andej. Ngritën një çadër në oborrin e shkollës. Edhe këtu i larguan…”

Pa perceptuar më tej, por vetëm me ‘qenin’ tek ura, thuajse kuptohet qartë e tërë fabula. Është jo më kot ky qen në tërë këtë perceptim letrar të autorit. Është një qen që ende ndikon, pengon, kafshon, zvarrit, dëmton, gjuan, qëllon, siglon dhe të nxjerr jashtë, pra të bën të shtosh retorikën e jetës duke të ndikuar tërësisht në jetën tënde, atë që autori e plotëson në perceptimin e tij:

 “- Ku të mbytemi, moj grua, ku?

- Në lumin tonë, - ia priti me një ton të përmortshëm e shoqja.”

Dhe “në lumin tonë” është sërrish një term filozofik që ndërlidh me anë të ‘urës’ perceptuese në dy kohë. A nuk është kjo edukatë që ndikohej dhe tentohej me fjalën ‘tradhtar i Atdheut’, për çdo njeri që kërkonte arsyet e jetës gjetkë?! Këtu filozofia gjen më shumë arsye për të qëmtuar në shenjë. E gjithë kjo shenjë qëmtuese sjell e përcjell qenin, urën, lumin, fatin e jetës, shtëpinë, lirinë, premtimin, kuadraturat e vuajtjes, bodrumin, listat, zyrtarët, letrat e gënjeshtrën…

Përtej perceptimit, latimi i fjalës

Në tregimin “Tapitë”, autori shkon më tej. Përveç elementëve pak a shumë të jashtme, karakterizimi, ose perceptimi i karakterit bëhet nëpërmjet gjuhës, fjalëve, stilit të të folurit etj. Përshkrimi është më i detajuar dhe mjedisi kryesor funksion në bllok. Funksionon si i tillë se vjen me një pasuri të shëndoshë perceptimi, që fuqizohet nga bagazhi i tij filozofik nga e kaluara dhe lidhja e saj materiale. Pikërisht, Aristoteli e shpjegon perceptimin në aspektin e ndryshimeve materiale. Dhe sipas teorisë së tij këto ndryshime materiale janë arsye të bagazhit të njohurisë. I tillë është ky bagazh edhe në tregimin e Shehut. Është një bagazh domethënës që shihet edhe në komponencën e tërësisë me shkrimtarët e tjerë në këtë pikë. “Shkrimtarët e tjerë dhe vetë Izet Shehu në poezitë dhe tregimet e tyre kanë folur për natyrën kriminale të së kaluarës sonë, për vrasjen e humanitetit nga ajo kohë, për varret pa emër, për burgjet e asaj kohe…” (Sadik Bejko, gazeta “Albania”). Po në gazetën “Albania” të datës 26 Shkurt 2009 shkruhet: “Izeti vazhdon të ruajë stilin e tij, të butë, të ngrohtë, vital e në çast po aq shpërthyes, instinktiv dhe të natyrshëm. Tregimet e tij janë panorama dhe galeri të gjera ngjarjesh dhe personazhesh.” Duke parë ‘tonin’ rreth të cilit Bejko hulumton dhe analizon Shehun, duhet theksuar edhe ajo që ka lidhje me tërësinë e perceptimit në tregimet e këtij krijuesi shqiptar. Shehu esencën e të gjitha krijimeve të tij e merr nga historitë e vërteta, faktet e dëgjuara apo edhe nga një ndodhi aty-këtu rastësore, e cila u shpëton njerëzve të thjeshtë por jo syrit të mprehtë vëzhgues dhe analitik të sprovuar të këtij autori, shkruan më tej në artikullin e lartcituar, gazeta në fjalë. Kështu mes këtyre fakteve mediatike, tregimi i tij “Tapitë” sintetizohet si një tërësi perceptuese. Thuajse me një motiv më të shpejtë, shfaqet tregimi “E puthura e vdekur”. Por, edhe pse ndodh me një shpejtësi rrufe, udhëtimi i tij perceptues është sa dinamik, aq edhe stimulues. Një stimulim që vjen nga ëndrra të perceptuara qartë. Ëndrra që shfaqen e fishken. Ëndrra që kaplojnë instanca njerëzore në itinerarin mashkull-femër, si një komponent kohor për të ndriçuar dhe dhënë sqarimin e duhur të ‘dritëhijeve’ që vijnë nga pesha e një kohe të pikturuar nën fuqinë e ‘puthjes së vdekur’. Është një puthje e vdekur që sjell treguesin në vetën e parë, Shegën si perceptim dhe shkas perceptues dhe lidhjen liri-privim me një derivat kohor që shpallet nën psallme dhimbjesh të jetë-familiares së strukur tek fuqia nënë-baba. Autori pikëlidh në këtë derivat dhe zbulon perceptimin e tij: “I ndjeri babai im, në atë kohë, ishte në sanatoriumin e burgut. Nëna s’kishte mundësi të vinte gjer atje, pasi ne ishim tetë pjesëtarë të familjes dhe, më i madhi isha unë, në atë kohë 12-vjeçar e kështu me radhë të tjerët, siç shprehej shpesh e gjora nënë: “si gurët e tepsisë”. Nëna ishte marrë vesh me Shegën, që e kishim banoren e lagjes, se, kur të shkonte ajo për ta takuar burrin e saj atje, në sanatoriumin e burgut, ku ishte dhe babai im, do të më merrte edhe mua me vete.

Shega e kishte miratuar këtë kërkesë të sime mëje. Me sa më kujtohet, se është një hon i tërë kohor që na ndan, nëna kishte përgatitur nja dy triko e tri palë çorape leshi, një kulaç, një copë djathi dhe ca gurabie. I kishte qepur në një thes bezeje.” Pastaj e gjitha është një pushtet intrigues dhe vlerat janë aq tërheqëse, por edhe aq mjeshtërore. Izet Shehu percepton bukur, po aq gdhend mirë fjalën e tij duke prurë tregime të latuara me forma të hershme në kohë të modernes në letërsi. A nuk është e tillë fjala e tij: “… në botë paskësh dy soje; sojli dhe sojsezë, fisnikë dhe harbutë. Çdo gjë e gjallë në botë u ndaka në ata që kafshojnë dhe në ata që kafshohen. Dhe ky qenka ligji, thelbi i kësaj jete të ndyrë. Kjo për njerëzit dhe kafshët. Pra, për çdo gjë të gjallë në këtë botë…” (Tregimi: “Tapitë”).

Duke përfunduar

Duke iu referuar filozofisë bashkëkohore të lidhur me perceptimin, tregimi i Izet Shehut, shihet si një prioritet që vjen nga faktorë të ndikuar nga stili i tij i vecantë. Një stil që vjen me një kërshëri të vecantë e tërheqëse. Izet Shehu mbetet kështu njeriu i letrave që ka krijuar në heshtje, por që ‘zhurmon’ vepra dhe krijimtaria e tij, e cila kërkon me nder vendin dhe pozicionin e saj në lëminë e letrave. Izet Shehu kështu prej kohësh e ka merituar këtë vend, natyrshëm sot mbetet vetëm një diktim nga ana e analizës së veprës së tij. Tregimi në të cilin mbështetet mendimi ynë është bazë e tre detajeve që domosdoshmërisht e kalojnë anën perceptuese, aq të domosdoshme për prozën bashkëkohore. Izet Shehu dhe tregimi i tij vijnë në kohë, hapësirë e vend me një pozicion të padiskutuar, të merituar pse jo mes vlerave europiane. Si kriter përcaktues të vlerave europiane të letërsisë shqipe, dikush përmend çmimet letrare që ka marrë ndonjë autor, por harron arsyen tjetër që vjen nga kushtet dhe rrethanat historike, koha, mungesa e përkthimit, analizës, apo edhe mjaft tendencave të tjera që zhurmojnë dhe pengojnë ecjen e krijimtarisë shqiptare. Në një kohë të tillë, kur duhen jo vetëm emra, kulisa dhe pseudovepra ecuria e krijimtarisë shqiptare dikton fatin e të qënit real, nëse do të ekzistonte ‘realizmi’ në këtë pikë. Izet Shehu qëndron krenar në këtë pikë me tërë veprën dhe stilin e tij. Detyra jonë është që t’a përcjellim mesazhin ogurmirë për të, mesazhin dashamirës e të merituar.

Referenca/Bibliografi:

“Albania”, 26 Shkurt 2009. Aristoteli, (1972). Cituar tek Sorabji, R. Aristoteli për memorien. Londër: Duckworth. Bejko, Sadik (2008) Artikull analitik në gazetën “Albania”. George, F.H. (1962) Kognicioni. Londër: Metuen dhe Co LTD Hepburn, R. Elizabeth (1997) Bota postmetafizike dhe diskurset etike. Liverpul: Revista e Filozofisë së Aplikuar. Kant, Emanuel (1982) Paqja perceptuale. Londër: Metuen Kant, Emanuel (1964) Metafizika e moralit. Londër: Penguin


21 views0 comments

댓글


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page