top of page

Roman për një epokë

Updated: Oct 20, 2019



Shkruan Viron Kona

Pus i thellë ky “Bunari” i Fatmir Terziut!

-Roman për një epokë-

“Lum ti, moj Shqipëri!” thashë,/Armët e tija kur i pashë,/Ndë Blevedere në Vjenë,/Sikur pashë Skënderbenë.” Naim Frashëri

Fillimisht më erdhi në mendje pusi ynë i shtëpisë. Prindërit na porositnin të tregoheshim të kujdesshëm, të mos hidhnim atje mbeturina, sepse atë uji e përdornim për të pirë, për t`u larë e për të vaditur, ai ndihmonte jetën e familjes sonë por edhe të gjësë së gjallë apo bimësinë që rrisnim në kopshtin tonë të vogël. Ai pus lidhte sipërfaqen me tokën e nëndheshme, me përrenjtë që buronin nën tokë, që ushqenin rrënjët e bimëve, por dhe vetë jetën. Por ai ishte dhe frigoriferi i kohës, atje ne hidhnim shalqinj, pjepra dhe përgjithësisht zarzavate për t`i mbajtur të freskëta...

Janë me mijëra e miliarda përrenj nën tokë, me miliarda damarë të saj, ku rrjedh uji jetëdhënës, që ushqen fushat, pyjet, bimësinë e kodrave, faqet e maleve, luginat, gjithë jetën. Uji është gjithçka, rruzulli tokësor përmban 71 për qind uji dhe 29 për qind është tokë. Edhe trupi i njeriut është 70 për qind uji...Edhe kur kërkohet jeta në kozmos, synimi i parë është gjetja e ujit; edhe kur kërkohet vendi për të ngritur një fshat, një qendër banimi, pyetet: ujin, si do ta sigurojmë ujin, ku ka ujë? Edhe qytetërimet më të mëdha lindën buzë ujit, buzë lumenjve. Në ato vende njerëzit gjenin kushte më të mira dhe më të përshtatëshme për të zhvilluar jetën e tyre. Kështu kanë vepruar egjiptianët, të cilët ngritën qytetërimin e tyre në brigjet e Nilit; semitët dhe babilonasit, në brigjet e lumenjve Tigër dhe Eufrat; indianët, në luginat e lumenjve Ind dhe Gand; kinezët në luginat e lumenjve Uanche dhe Jance. Kështu në çdo kohë sepse uji është gjithçka, pa ujë jeta do të ishte e pamundur.

Vesë e hollë në tokën arbërore

E takojmë vazhdimisht Fatmir Terziun në libra, në filma, në dokumentarë, në romane, tregime, vëllime poetike, në shkrime publicistike, artikuj, ese, studime, kritikë, në vlerësime dhe kushtime. E takojmë përditë edhe në Portalin “Fjala e lirë”, që ai drejton aq suksesshëm e ku kontribuojnë me dije, artikuj dhe krijime qindra njerëz të letrave. Krijimtaria e tij vetjake, tashmë është shndërruar në një bibliotekë,Terziu është njëherazi një “hidrocentral” shkrimor, i pandërprerë, që prodhon pareshtur dritë, kulturë, paqe, mirësi dhe dashuri, teksa përhap si erërat e pranverës, aromë dhe bukuri, ndjenja dhe fryëmëzim. Meriton të vlerësohet ky NJERI, cili, sikurse edhe të tjerë përfqësues të dijes, të mendjes dhe të penës, pa u thënë askush, na ofrojnë përditë frymën e tyre të pastër dhe të shëndetshme, mirësinë, dashurinë dhe ngrohtësinë, veçanërisht sot kur ne në Shqipëri kemi nevojë për më shumë vlera të munguara, nga ato që na bashkojnë dhe, jo nga ato që na ndajnë. Terziu e bënë këtë, e bënë me të gjithë fuqinë e shpirtit dhe të mendjes së tij krijuese e brilante, e bënë si një atdhetar i madh.

“Bunari” për të cilin po shkruaj, hedh dritë mbi një periudhë epokale të popullit shqiptar, të shoqëruar me rrëfime që kanë në qendër kështjellën e Sfetigradit, ujin dhe gjakun, dritën dhe erësirën, lirinë dhe skllavërinë, mbijetesën e një populli të tërë për t`i bërë ballë pushtimit të osmanëve, të cilët kërkonin edhe t`u “stamponin” dhunshëm shqiptarëve skllavërimin, por dhe mendjen dhe fytyrën e tyre. Gjithcka rrëfehet dhe analizohet artistikisht në dritën e dijeve dhe të kulturës së popullit, në atmosferën tunduese që krijon pasuria dhe larmia e legjendave dhe e krijimtarisë popullore në shekuj, ku spikat trimëria në sheshin e betejës, sakrifikimi i luftëtarëve, heronjve dhe dëshmorëve.

Përmasat dhe denduria e rrëfimeve vijnë e rriten, ashtu si përrenjtë e nëndheshëm të ujit, dalin në sipërfaqe në mënyrë të beftë dhe i bashkohen natyrshëm lumit të madh artistik që shtohet e vrullon pareshtur. Lexuesi përfshihet në “kurthin” artistik e mjeshtëror të shkrimtarit, tërhiqet pareshtur nga fjalët kyce: Sfetigrad, përkrenarja e Skënderbeut me brirët e dhisë, kodra e diellit, kodra e gjakut, toponime të panumurta që rrëfejnë se në këtë tokë, edhe një grimcë rëre, edhe një pëllëmbë toke, edhe një burim që rrjedh pikë-pikë... fsheh përbrenda histori të jashtëzakonshme që shpesh nisin me një fjalë të urtë, me një varg, me një tingëllimë kambane, me një çudi, me një tingull lahute, me një pikë vese...kurse, në vazhdim, fare natyrshëm rrëfimi artistik shoqërohet nga tempo ritmi dhe sfondi muzikor i këngës:“Oh, rosa rosit vo Arbanoshka zemlja...” (Bie vesë e hollë në tokën Arbërore).

Sfetigrad 1448

Beteja e Sfetigradit zgjati nga 14 maj deri më 31 korrik 1448.Kështjella kishte emrin Sfetigrad (qytet i shenjtë) sepse aty ndodheshin shumë vende kulti. Ishte kyci i Arbërisë nga ana e lindjes.Ushtria osmane kishte rreth 80 mijë ushtarë, të armatosur me armët më moderne të kohës.Drejtohej nga Sulltan Murati i Dytë së bashku me të birin Sulltan Mehmetin e Dytë, i cili pas vdekjes së të atit do të merrte drejtimin e Perandorisë si një ndër Sulltanët më të famshëm, i mbiquajturiFahtiu, “Pushtuesi”.. “Ai ishte më i egëri i sulltanëve. Ai ishte edhe më i armatosuri. Topat e tij të rrëndë bënin kërdinë. Topat dhe armët e zjarrit u përdorën prej tij për herën e parë në rrethimin e Sfetigradit. Pasi u ça një pjesë e mureve, Turqit bënë sulme të përgjithshme kundër fortesës, por u prapsën me humbje të mëdha...” Luftimet për marrjen e kalasë ishin të përgjakshme. Kështjellën e mbronin rreth 2000 luftëtarë arbër, kryesisht dibranë, me kryekomandant mirditasin Pjetër Perlati. Me qindra të vrarë nga të dy krahët. Mbrojtësit s`kishin ndërmend të dorëzoheshin.

Skënderbeu sulmonte me stilin, me mjeshtërinë dhe taktikat e tij ushtrinë më të madhe dhe më të fuqishme të kohës, duke depërtuar shkatërrues dhe gjëmimtar deri edhe në qendër të saj. Pastaj tërhiqej po me aq shkathtësi. Se, tërheqja me organizim dhe pa humbje, ishte mjeshtëri dhe aftësi e gjeneralëve të mëdhenj. Edhe Bardhyli, një mbret tjetër ilir përpara tij, ishte nga ata mbretër luftëtar gjenial, që mbahet mend në artin luftarak për tërheqjen e ushtrisë nga beteja në mënyrë të organizuar dhe pa humbje. Dhe, të mos harrojmë se, kur përmendim mbretin ilir Bardhylin, bëjmë fjalë për beteja si ajo me Filipin e Dytë të Maqedonisë, babanë e Aleksandërit të Madh, kur ai ishte në kulmin e fuqisë me falangat e tij të famshme. Ushtria që tërhiqet në panik shkërmoqet, shkatërrohet tërësisht, është e humbur. Ata që ishin të zotë në tërheqje, kanë pasur mundësitë taktike të ndryshonin befasisht fatin e betejës, duke sulmuar përsëri armikun kur ai ishte i përfshirë në eufori dhe festimet e fitores. Edhe trojanët, persianët, osmanët, edhe Napoleoni, edhe shumë të tjerë e kanë pësuar dhe e kanë shkatërruar ushtrinë me tërheqjen e tyre nga një betejë apo luftë. Kurse me Skënderbeun ndodhte ndryshe. Ai tërheqjen e konsideronte pjesë të betejës, ajo ishte në planet e tij taktike, ai e kishte stil të luftimeve sepse ndryshe nuk kishte sesi t`i përballonte dhe t`i shpartallonte njërën pas tjetrës ushtritë gjigande osmane. Në çdo betejë, raporti i tij me armikun ishte si te historia e famshme biblike, e ndeshjes së Davidit me Goliatin.

Kur Sfetigradi ishte i rrethuar dhe sulmet pushtuese të Sulltanit pësonin dështime pas dështimesh, gjithka u përqendrua në gjetjen e burimit të ujit që ushqente pusin e kështjellës. Uji u shdërrua në kryefjalën që artikulohej pareshtur që nga vet Sulltani e deri tek ushtari i fundit i asaj ushtrie gjigante. Si e merrnin ujin ata atje lart, si shuanin etjen në ata shkëmbinjë të thepisur mbi të cilët ngriheshin muret e asaj kështjelle, që e mbronin me aq zjarr si shqiponja folenë? Gjetja dhe zbulimi i atij burimi uji përfytyrohej dhe ëndërrohej non stop 24 orë nga të gjithë, shfaqeshin hipoteza të panumurta për fshehtësinë e tij, për vendin ku ai mund të rridhte dhe mbushte me ujë pusin e kështjellës, por edhe ofroheshin florinj për atë që do të tregonte sekretin, vendndodhjen e burimit të fshehtë. Ndonëse emri “Sfetigrad” ka kuptimin i shenjtë, më i shenjtë akoma ishte uji që e mbante në këmbë atë kështjellë trimëreshë, ashtu siçmban uji i nëntokës një lis shekullor që rritet e rritet trimërisht drejt qiellit dhe diellit, por, që, nëse nuk do të kishte atë rrjedhë uji atje nën rrënjë, ai do të binte në tokë i pafuqishëm.

Ndonëse u mbrojt trimërisht Sfetigradi ra. Pavarësisht emrit të shenjtë ai ra. Ra sepse osmanët më në fund e zbuluan burimin e ujit, rrjedhën që furnizonte BUNARIN. Kush e tradhtoi Gjergj Kastriotin? Sigurisht që tradhtarët, keqbërësit, janë pjesë, rekuizitë e betejave. Tringëllimat e monedhave të floririt ishin tunduese. Ca pëshpërima dhe, pas tyre erdhi gjëma.

Pas zbulimit të ujit, me marrëveshje garnizoni doli i lirë nga kalaja. konfiguracioni i zonës ndryshoi, gjithçka ndryshoi. Fshati Koxhaxhik aty pranë do të thotë: “Betejë e madhe”. Ajo betejë s`mund të harrohej ndaj dhe i mbeti ai emër. Kurse, po aty, “Kodra e diellit”, toponim i përhapur në trojet arbërore, por edhe në ditët e sotme, nga “Kodra e Diellit” u quajt “Kodra e Gjakut”!? “Kodra e Diellit u bë shesh beteje. Aty dheu u skuq. E kuqja e saj të vriste më shumë. Të vriste. Dhe ashtu ajo mbeti “Kodra e Gjakut”. Aty pastaj ata vunë çadrat. Ndejtën gjatë. Aq gjatë sa u bë gjëma. Gjëma që na rivrau Bunarin, jetën, lumin, ujin, tokën, tërë këtë tokë që..., sot vuan atë mallkim shkatërrues, vuan tullacërrinë e moçme..”.

Dy brirëshi

Një projektor drite lëviz në thellësi të erësirës që mbulon kohët e shkuara me qëllim që të zbulojë dhe të ndriçojë simbolikën:Brirët e dhisë, brirët e kaut, të demit, të dashit, të drerit... nuk janë vetëm thjesht shenja dalluese, ato janë edhe shenja të fuqisë, të forcës, luftuese e mbrojtëse. I ka pasur në përfytyrim shoqëria njerëzore përherë; ato gjithnjë kanë ngacmuar mendimin dhe përfytyrimin, i cili është ngritur edhe në hapësirën e thellë kozmike duke e pagëzuar deri edhe një yllësi me emrin e brirëve, Yllësinë e Bricjapit.Ishte i lumtur ai njeri, ditëlindja e të cilit, i përkiste asaj shenje zodiakore. Perandori i Romës August Oktaviani, në nderim të kësaj shenje preu një monedhë me figurën e dhisë së egër.Teksa, lexuesve u shkon mendja edhe te paralele të tjera të brirëve: brirët e perëndisë Pan, brirët e “përbindëshit” të Kretës, brirët në përkrenaret e vikingëve, brirët te versioni etimologjik i fjalës tragjedi,që do të thotë “kënga e cjapit”. Brirë në përkrenare ka mbajtur edhe Pirroja i Epirit, edhe Filipi i V i Maqedonisë...

Kemi ditur edhe më parë për brirët e përkrenares së Heroit tonë Kombëtar. Historia rrëfen në mijëra e mijëra faqe për to, por Fatmir Terziu, duke i vënë në dukje këta brirë simbolikë, i veçon dhe i ndriçon ata me projektorin e tij origjinal: Ai që e mbante përkrenaren me dy brirë atë kohë ishte Një dhe vetëm Një, ishte Ai, Gjergj Kastrioti, kryetrimi i mbiquajtur nga turqit Skënderbe (Aleksandër), gjenerali i pathyeshëm. Këtë fakt e kemi kaluar të gjithë ndërmend, por asnjëherë nuk e kemi ndriçuar si objekt dhe metaforë të veçantë. Mendja e shkrimtarit, po. Ai e ka bërë, ai e ka ngritur në piedestal dhe, duke hedhur më shumë dritë mbi të, na ka vënë në mendime të tjera, na ka krijuar vizione më të thella, më të qarta, na ka bërë të meditojmë më shumë për atë përkerenare dhe simbolikën metaforike të saj.

Brirët e dhisë apo të cjapit gjithnjë kanë treguar shkathtësi, forcë, guxim. Dhitë kalojnë lehtësisht në mjedise të pashkelura, në mjedise dhe shtigje të rrezikshme. Dhitë kërcejnë “shkëmb më shkëmb”, nuhasin shpejt rrezikun, dinë të shmangen nëpër “shtigje” e të mbrohen, nuk janë si delet që bëhen tufë dhe hidhen bashkë në humnerë, dhitë e kapërcejnë humnerën. Ato kanë aftësinë ta ngatërrojnë kundërshtarin, duke e futur atë në shtigje dhe mjedise ku ai ndihet keq, sepse atje ato kanë domenet e tyre, atje ato janë zot, janë gjithçka, atje jetojnë dhe mbijetojnë, nuk përkulen; prej atyre thepisjeve, skarpateve, gërxheve dhe lartësive ato shohin dhe vigjëlojnë krenare mjedisin, ato i prezantohen jetës plotë shkathtësi, lehtësi, elegancë, qëndrim plot madhështi, krenari dhe bukuri nga majat e piedestaleve të tyre, shkëmbinjve natyrorë, teksa në popull nderohet kulti i tyre si simbol i zanave shqiptare. Diku, edhe kulti i dhisë Amaltea, që ushqeu me qumështin e saj Zeusin kur ai ishte fëmijë. Kulte, pandehma, rrëfime fantazmagorike, shumë gjëra mund të themi edhe ne sot për bukurinë, funksionin, forcën dhe fuqinë e brirëve sulmues e mbrojtës, duke e lidhur këtë edhe me dëshirën apo parapëlqimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut për të mbajtur në përkrenare pikërisht atë simbol. “Kastriotët, midis lindjes dhe perëndimit, mbanin stemën e shqipes me dy kokë por e veçanta është se Skënderbeu mbajti veç saj, si personale, përkrenaren e famshme të tij. Çfarë do të thotë ai me ato dy brirët e cjapit? Kujt i drejtohej ai me ato simbole surrealiste dhe përse fisnikë të tjerë shqiptarë pas tij ose njëkohësisht me të nuk e mbanin atë simbol? Mos ndoshta duheshin merita të caktuara për të mbajtur një përkrenare me të tilla simbole? Përse kjo përkrenare u transportua brez pas brezi dhe u ruajt në muzeun e Vienës?”

“Bunari” nis e trazohet, autori shpjegon, hulumton, ai futet thellë në mite e legjenda, kërkon në arkivat e mendjeve të personazheve të tij, në përfytyrime, e mbi të gjithë na adreson qartë dhe saktë se çelësi i enigmave dhe mistereve mund të gjendet nëse kërkojmë në kulturën e popullit, në dijet, në bisedat dhe fjalët e tij të mençura, në rrëfenjat, sentencat dhe batutat, në këngët popullore, në ligjërimet, vajet dhe rritet e një populli kur ai shpreh dhembjen, hidhërimin, kur ai shpreh ndjenjat e gëzimit, kur feston, kur me britma e pasthirma jep lajmin e rrezikut apo të shporrjes së armikut, lajmin e fitores....Shkrimtari e kërkon kudo këtë shpjegim, edhe në kulturën e lashtë pagane, edhe në dallgët kulturore, filozofike, folklorike, studimore:“Simbolizmi i dhisë lidhet me Perëndinë Pan, ndërsa brirët e dhisë datojnë në kujtimet e hershme primitive...Babilonasit kishin vetë një simbol dhe simbolikë të tillë në jetën e tyre që lidhej me Bricjapin dhe duke u mbështetur në këtë simbol shkencëtarët dhe ndërtuesit ndërtuan tempullin e parë. Brirët e dhisë kishin simbolizuar thelbin e Tempullit. Por, përveç kësaj që brirët e dhive simbolizojnë ndërtimin e Tempujve apo shtëpive të perëndive, vetë dhitë njihen si përfaqësuese aktive të seksulitetit mashkullor, madje edhe si simbole të lidhura tek vetë pjelloria e natyrës...”Edhe në popull, edhe te populli shqiptar, brirët kanë qenë dhe janë simbole të parapëlqyera, të kërkuara. Shenja të tyre i sheh edhe sot, majë çative, mbi dyer në hyrje të shtëpive, majë grazhdeve, në mjedise mbjelljeje dhe korrjesh, ku nis dhe zhvillohet jeta...Ato konsiderohen shanse fati, shëndeti dhe begatie për jetën dhe të ardhmen.

Dy brirëshi i përkrenares së Skënderbeut përfaqësonte perëndimin

Mendimet trazohen:“Ai kishte fuqi Hyjnore, po, po duhet besuar. Kjo duhet besuar. Jo më kot ai ishte i përzgjedhur. Jo më kot ai mbajti dy brirët në kapelen e tij aty nis e fillon ftillimi i arsyes. Ai ishte i pari...” Ndonëse ishte njeri real, nga bëmat Ai adhurohej dhe nderohej si njeri i rrallë, i veçantë, me një fuqi që i tejkalonte fuqitë e reales dhe të natyrshmes. Përgjithësisht në mesjetë njerëzit e nderonin një kalorës luftëtarë, e nderonin, e adhuronin apo dhe i frikësoheshin një mbreti apo udhëheqësi. Por Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte i një lloji tjetër, ai nuk ishte një “mbret” (Zot apo Princ) që qëndronte i ulur në poltron me skeptër në dorë e kurorë në kokë dhe prej andej drejtonte me urdhra popullin dhe ushtrinë. Jo, ai ishte një luftëtar i madh, që ndodhej çdo çast në krye të kalorësisë apo këmbësorisë së tij sulmuese dhe luftonte me shembullin e tij ashtu si dikur Akili, Hektori, Aleksandri, Cezari, Pirroja... Bashkëkohësit e tij, e, veçanërisht Barleti na sjellin shembuj të panumurtë të ndeshjeve dhe dueleve që ai kishte bërë në Pallatin Perandorak të Osmanëve ashtu dhe pas kthimit në Arbëri, kur dy ushtritë armike ndodheshin përballë njëra - tjetrës dhe ai i përgjigjej trimërisht dhe pa iu trembur syri sfidave të gjeneralëve dhe pashallarëve osmanë, që kërkonin lavdinë në ndeshje direkte me kryetrimin shqiptar. Ata shpesh herë edhe njiheshin, ishin rritur duke mësuar bashkë artin mjeshtëror të luftimit me armët luftarake të kohës, kishin mësuar bashkë artet marciale të luftimeve trup me trup në shkollën e jeniçerëve, kishin bashkëpunuar dhe hishin hedhur në beteja të përbashkëta dhe në bedenat e kalave duke u ndeshur me kundërshtarët për jetë a vdekje, ia njihnin aftësitë dhe zakonet njëri-tjetrit, emri i Tij ishte në elitën e kryeluftëtarëve dhe të gjeneralëve të Sulltan Muratit të Dytë, ndaj dhe ai e pagëzoi me emrin Skënderbe (Aleksandër). Skënderbeu, jo vetëm nuk u shmangej sfidave të dyluftimit, por ndodhte që edhe ai vet kur e shihte të nevojshme i sfidonte pashallarët turq në dyluftime, duke dalë përherë fitimtar. Bëmat e tij u përfshinë shpejt në gjirin e legjendave, morën përmasa mitike, ndaj emri i lakohej dhe përmendej që nga shtëpitë e thjeshta fshatare e qytetare të kohës e deri në sarajet e mbretërve më të famshëm të lindjes dhe të perëndimit. S`kishte luftëtarë atëherë, edhe të Arbërisë, edhe të Perandorisë Osmane që nuk e përmendte emrin e tij. Por, dhe shtetet dhe popujt nën sundimin e Perandorisë Osmane, edhe Europa që rrezikohej nga ato pushtime, i kishin kthyer sytë nga Skënderbeu. Ata e kërkonin atë luftëtar të madh që t`i udhëhiqte, që të mbronin Europën nga vërshimi osman. Atëherë, simboli i dy brirëve ishte bashkëkohorë, ai përfaqësonte një metaforë të besueshme dhe të dëshirueshme. Madje, aso kohe, rrëfehej se në lashtësi, dashi me dy brirët e tij përfaqësonte Lindjen, Perandorinë e Persëve të vjetër, kurse Cjapi dy brirësh përfaqësonte Perëndimin, Aleksandrin e Madh të gjithëfuqishëm që shkatërroi Perandorinë Persiane. Besimi i europianëve te Skënderbeu, që identifikohej shpesh me fuqinë e Aleksandrit, rriste besimin tek Ai si një udhëheqës dhe gjeneral gjenial ushtarak. Koha tregoi se ai e kreu detyrën, ndonëse i vetëm me popullin shqiptar, ai e ndali vërshimin osman, u shndërrua në një mur të pathyeshëm dhe të pakapërcyeshëm duke e shpëtuar Europën, një kontribut real dhe monumental ky i Skënderbeut, i heroizmit dhe sakrificave sublime të popullit shqiptar. Duke u përballur me Perandorinë Osmane, Gjergj Kastrioti Skënderbeu tregoi me vepra se ishte fund e krye perëndimor. Miqtë e tij ishin perëndimorët, deri në fund të jetës. Qytetërimi i përkiste perëndimit dhe, Gjergj Kastrioti ishte elitë e atij qytetërimi. Historia e kryetrimit tonë dhe legjendat që krijoheshin natyrshëm rreth tij vazhduan edhe më pas, në dekada e shekuj e deri në ditët tona, teksa piedestali i tij lartësohet, emri bëhet më heroik dhe më i lavdishëm, ndërkohë që harmonizohet plotësisht edhe me “Shën Gjergjin” që konsiderohej atëherë perëndi mbrojtëse e Arbërisë. Ka kohë që ai është në legjendë dhe prej saj s`ka askush forcë që ta nxjerrë, sepse Ai dhe vepra e Tij janë vet legjenda.

Adhurim

Pas 500 vjetëve, më në fund shqiptarët arritën të shihnin nga afër armët origjinale të kryeheroit shqiptar. Në 100 - vjetorin e Pavarësisë, ato i sollën nga Vjena (dy shpata, njëra prej të cilave ceremoniale), përkrenaren, një pikturë në vaj, gravura e përmasave të mëdha të kodeksit me të dhënat e jetës së Skënderbeut...Përkrenarja peshon 3000 gramë, ajo është në ngjyrë të bardhë me rrafshe të arta dhe ka sipër një kokë dhie të artë me dy brinjë. Njëra shpatë është me dorezë kadifeje në të cilën shënohet emri i Skënderbeut dhe peshon 1300 gramë. Shpata tjetër është me dorezë lëkure, e cila nga pesha e rëndëdhe prej shenjave të gjakut që duken është e madhërishme, pesha e saj është 3.2 kilogramë.

Nëse armët dhe përkrenarja origjinale do të vazhdonin të ekspozoheshin ende te Muzeu ynë Historik Kombëtar, atëherë qindra dhe mijëra shqiptarë të tjerë, por edhe nga bota do të vazhdonin të vërshonin drejt tyre si drejt një peligrinazhi të madh dhe të pandërprerë. Skënderbeu ishte për shqiptarët bashkëkohës sa real aq edhe hyjnor, por i tillë mbeti edhe për ata që erdhën më pas, dhe për ne që jemi sot, edhe për ata që do të vijnë. Jo se ne, si një popull i vogël, kemi nevojë dhe i “krijojmë” heronjët dhe shenjtorët, por sepse ne i kemi realisht ata. Ata janë shtylla të Historisë sonë Kombëtare.

Aleksandri i Madh është mbiquajtur Dybrirëshi, por Ai e konsideronte vetveten të shenjtë dhe, me këtë shenjtëri, por dhe me aftësitë e mëdha ushtarake, sigurisht, ai arriti fitore të atilla që s`i kishte arritur askush përpara tij. Me Skënderbeun ndryshonte puna. Ai as lindi dhe as u rrit me aureolën mbrojtëse të shenjtërisë, ai e fitoi atë në beteja luftarake të jashtëzakonshme, ai kreu vepra të mëdha, që detyrimisht harmonizoheshin edhe me shenja nderimi të kohës siçishte dhe mbajtja e asaj përkrenare me dybrirë. Ishin veprat e tij në shërbim të atdheut dhe të Europës që e bënë atë një udhëheqës legjendar. Hyjnizimi dhe adhurimi i emrit të tij në popull, përfshirja në mite e legjenda ishte rrjedhojë e bëmave heroike që ai me populliin kreu në dobi të atdheut. Fitoi kaq shumë qytetari mbajtja e dy brirëve në përkrenaren e Skënderbeut, saqë edhe sot është vështirë që të mendojmë një imazh ndryshe për heroin tonë, gjithnjë ai përfytyrohet me përkrenaren e tij, madje piktorët dhe skulptorët e paraqesin me atë përkrenare edhe në beteja (ajo peshon tre kilogram dhe doemos që do ta pengonte Skënderbeun në luftime). Aq më tepër që ai preferonte të ishte i lehtë në luftim, që t`i lejohej cdo lëvizje dhe shkathtësi, që të demonstronte lirshëm aftësitë dhe zhdërvjelltësinë e tij.

Kuptohet, përkrenarja me kokën e dhisë ishte një simbolikë, një shenjë nderimi, e cila besojmë se përdorej nga heroi ynë në çaste zyrtare dhe ceremoniale. A e pati vet Skënderbeu idenë e vendosjes së kokës së dhisë në atë përkeranare apo ia dedikuan për nder të veprave të tij, kjo është një pyetje që ende s`ka një përgjigje shteruese, por ajo që është më se e sigurtë është se ai e meritonte plotësisht atë përkrenare, atë simbolikë që adhurohej. Sa për emërtimet: mbret, zot, princ, kur flitet për Gjergj Kastriotin Skëndebeun, ato janë dytësore, roli dhe vepra e Tij i përfshin ato. Ai ishte dhe është Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Heroi Legjendar i Kombit Shqiptar. Edhe Cezari nuk u bë Perandor, por ai mbeti në histori si Jul Cezari, më shumë se çdo Perandor i Romës.

Sikur bota të dinte më shumë për historinë dhe kulturën shqiptare

“Bunari” ka në qendër një personazh origjinal dhe interesant rreth të cilit autori vërtit e thur si rreth një boshti fabulën e romanit. Nuhi Karamuca, të cilit i kanë dalë dy brirë në ballë e që tashmë, pikërisht për ato brirë është bërë objekt studimi, eksplorimi nga shkencëtarë, mjekë të shumë vendeve të botës në spitalin Shën Gjergj të Britanisë. Aty vijnë dhe diskutojnë, studiojnë, pyesin, kërkojnë informacion, bëjnë shpjegime dhe interpretime. Edhe personazhi ynë Stefani, që është në rolin e studiuesit, bashkëbisedon dhe debaton, por edhe informon dhe hap shtigje të rrjedhave nga do të shkojë linja kryesore e romanit. Marrim vesh që, diku në atë zonë përqark kalasë, lindi dhe një fëmijë me brirë, që u zhduk pas disa ditësh... Libri që të intrigon është jetëgjatë, ka shumë vlerë dhe ndër vlerat e tij themelore është se të vë në mendime,të bënë që të mos e lëshosh nga dora, të bënë t`i kthehesh dhe t`i rikthehesh kësaj apo asaj faqeje, të meditosh për çfarë shkruhet, për idetë e guximshme që shkrimtari ynë i trajton thjesht dhe me bukuri tronditëse.

Duke lexuar, zhytesh në arsyetime, sa filozofike, artistike dhe historike, aq edhe nxitesh nga mendimi tundues e pyetës se sa mundësi kemi në shqiptarët për të plotësuar atë “boshllëk” atë “tullacëri” faktesh historikë, gjeografikë, kulturorë, gjuhësorë, arkeologjikë, etnografikë etj. Fijet janë, madje të shumta, por ato duhen tërhequr me kujdes, të shpleksen ngatërrimet e qëllimshme, të qartësohen situatat, të kërkohet në arkiva, të përqendrohemi me më shumë besim te dijet e thella të popullit deri te paganizmi i tij. Edhe sot, shmilasit e çermenikasit bëjnë be` apo betohen: “Për atë diell!”, “Për atë qiell!”, “Për atë hënë!”, “Për atë Dhe` që do të më tresë!”. Ata thonë Kyedheu, siçne sot themi kryetar komune, ne themi kryetar shteti, ne themi kryetar bashkie...Kurse arbreshët, ta zëmë ata të Italisë, e ruajnë edhe më të pastër kohën e tyre, sepse ata u larguan menjëherë pas pushtimit dhe nuk ranë nën ndikimin osman. Gjithsesi, vet trevatshqiptare janë jashtëzakonisht të pasura, ato fshehin brenda vetes pasur shpirtërore marramendëse, që shfaqet në histori dhe folklor, në mite dhe legjenda, në krijimtari gojore: rrëfime, vargje, tregime, nëpërmjet këngëve, valleve, nëpërmjet zbulimeve arkeologjike dhe etnografike, nëpërmjet veshjeve dhekostumeve, nëpërmjet punimeve artizanale të drurit, të baltës dhe të gurit...

Duke zbatuar një urdhër të Senatit Romak, ushtria romake nën drejtimin e Konsullit romak Pal Emili, në vitin 168 p.e.s plaçkiti dhe shkatërroi krejt rreth 70 qytete të Epirit dhe të Ilirisë. Sulltan Mehemeti Fahtiu (“Pushtuesi”) pas vdekjes së babait të tij Sulltan Muratit, i cili nuk ia arriti ta pushtonte dot kalanë e Krujës, u betua se do ta zhdukte nga faqja e dheut Kombin Shqiptar, racën shqiptare, gjuhën shqipe. Hakmarrja ishte e madhe, e jashtëzakonshme. Nëse pas pushtimit të Kostandinopojës më 1453, Mehmeti i Dytë dha urdhër që tre ditë e tre netë ushtarët dhe ushtria e tij të hakmerreshin me Kostandinopojën, kur erdhi koha që, 10 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, ai arriti ta pushtonte Arbërinë, urdhëri dhe betimi i tij ishte që Kombi Shqiptar të shfarrosej, të rrafshohej në gjithçka, në ekonomi e kulturë, në legjenda dhe gjuhë, asgjë të mos ekzistonte, që në këtë truall të mos lindnin më njerëz të racës shqiptare, të mos lindnin më Skënderbej...Por nuk ia arriti. Arbëria qëndroi dhe mbijetoi. Edhe populli, edhe kultura, edhe legjendat, edhe gjuha, edhe kështjellat.

Sot ato po rrezatojnë edhe për brezat e rinj, edhe për popujt e botës. Ndonëse të shkatërruara në shekuj luftërash, kështjellat shqiptare janë sot simbole, janë tërheqëse për këdo, edhe për brezin e sotëm të shqiptarëve, edhe për brezat e të huajve që mbeten të mahnitur përpara historisë dhe madhështisë së tyre të dikurshme... Shqiptarët po i ringjallin, po i rigjallërojnë, po u japin jetë... Ata shkojnë në Baba Tomor, si dikur grekët e lashtë në Olimp. Festat pagane janë gjallëruar si dikur: Dita e Verës, Dita e rrushit...Në qytetet e lashtë po luhen pjesë tatrale, zhvillohen koncerte artistike dhe muzikore, çelen eskpozita, zhvillohen parada veshjesh, konkurse bukurie... Pasuritë kulturore nuk gjenden vetëm në libra, ato gjenden te muret e kështjellave, te çdo gur i tyre, te skenat teatrale, tek mozaikët dhe pikturat murale, te gdhendjet në gurë e drurë dhe vizatimet në shpella... Kurse toponimet? Ato janë me mijëra. Dhe, pikërisht, me “Bunarin”, Fatmir Terziu na nxit, na vë në mendime dhe na ofron me këto vlera të jashtëzakonshme që historiografia jonë duhet t`i trajtojë, t`i pasqyrojë, por dhe t`i pasurojë më tej duke u dhënë fytyrën dhe pamjen e dikurshme, forcën dhe rrezatimin që kanë pasur dhe kanë pasqyruar. Për fat të keq kemi ende shumë boshllëk të pazbuluar, të pa kërkuar, të pa ndricuar. Kemi “boshllëk” që duhet ta plotësojmë. Dikur, Pisistrati (tiran i Athinës) vuri një brezë të tërë shkrimtarësh që sistemuan Iliadën dhe Odisenë. E lehtë s`ishte, por edhe e pamundur jo, përderisa ata me ato mjete të atyre kohëve e rikrijuan Iliadën dhe Odisenë. Ne duhet të nxjerrim nga rrënoja dhe të sistemojmë dhjetëra e qindra legjenda, fjalë të urta popullore, të kërkojmë dokumente të tjera të vjetra të shqipes së shkruar, të zbulojmë të tjerë vendbanime dhe qytete të lashtë, të pasurojmë më tej këta që janë zbuluar. “Grinden” mes tyre historianët grekë dhe shtatë qytete greke për origjinën dhe vendlindjen e Homerit; “Grindemi” mes vetes ne shqiptarët për vendlindjen e Skënderbeut, heroit tonë kombetar. Kjo grindje është e bukur, sepse të mirën dhe të mirin të gjithë e duam. Nuk është gjë e keqe pse grindemi, por në këtë grindje të arrijmë të hedhim më shumë dritë, të zbulojmë më shumë, edhe për Gjergjin tonë, edhe për shumë e shumë detyrime të tjera që i kemi historisë dhe kulturës sonë kombëtare. Për këtë, mendjet krijuese e projektuese si kjo e Fatmir Terziut na ndihmojnë, na nxitin, na e ndriçojnë fushë pamjen...

Nëse atë nam të keq politik të politikanëve tanë do të zëvendësonim dot me namin e mirë të historisë dhe të kulturës sonë kombëtare, atëherë Shqipëria do të ishte ndër vendet më të përzgjedhur të botës për t`u vizituar. Sepse gjithnjë ka qenë mes më të fuqishmëve dhe ka mbijetuar trimërisht, madje shpesh, më në lashtësi, ka qenë një prej tyre. Ka qenë dhe është midis grekëve, romakëve, maqedonëve, ka qenë rrugë kalimi për udhëtarë nga e gjithë bota, ka qenë vend ku janë kryqëzuar rrugët e historisë, të betejave dhe të luftërave. Nga Jugu në Veri dhe nga Lindja në Perëndim të trojeve shqiptare gjen gjurmë të historive dhe njerëzve të jashtëzakonshëm. Por, bota, ka ende pak njohuri për historinë shqiptare, për kalatë: Rozafën, Krujën, Kaninën, Amantien, Lisin, Petrelën, Prezën, kalanë e Ali Pashës, Beratit, Gjirokastrës, Elbasanit, Tepelenës...Për qytetet e lashtë: Apolon, Butrint, Orikum, Bylys, Dyrrah, Scodër, Gajtan, Antipatrea, Antigone.... Por dhe sa heronj, objekte, qytete të nëndheshme, sa pasuri kulturore, arkeologjike, etnografike, folklorike etj.,janë të mbuluara nga balta e harresës dhe e pushtimeve? Ato janë me dhjetëra, me qindra, me mijëra. Duke u marrë ashtu siç duhet me to, ne do të ishim ndër vendet më të pasura të dheut, do të ishim vend peligrinazhesh, do të vizitoheshim nga miliona turistë, ashtu siç ndodh në Greqinë fqinje, ashtu sic ndodh në Romën përballë, ashtu siç ndodh në Stambollin aziatik dhe evropian. Sa herë shkojmë e vizitojmë këto shtete, ne shohim edhe shembëlltyrën tonë!

Jeta nuk ka filluar kur kemi lindur ne

Libri “Bunari” është një kambanë, një thirrje për shkencat historike, arkeologjike, etnografike etj., që të zbulojnë atë që është mbuluar padrejtësisht nga hiri i kohës, që është mbuluar dhunshëm për të tjetërsuar historinë dhe identitetin e një populli të lashtë. Dhe çelësin e kemi në duar, mjafton ta vëmë në lëvizje, gjithçka e kërkuar gjendet te populli, te gjurmët e tij, gjendet te gojëdhënat, te toponimet, te këngët dhe folklori, te pasuria e madhe shpirtërore e popullit, burrat dhe gratë, e veçanërisht te gratë, sepse janë ato që u mësojnë fëmijëve që në djep gjuhën shqipe, me fjalë, me përkëdhelje, me këngët e djepit që në thelb janë pjesë legjendash, rrëfimesh historike të trashëguara ndër breza njerëzish. Gratë, përgjithësisht qëndronin në vend, burrat shkojnë në kurbet, shkonin atëherë, shkojnë dhe sot. Ata shkonin në luftime dhe s`ktheheshin, kurse gratë ishin aty, në atdhe, rrisnin fëmijët, mbanin vazhdimin e jetës ilire-arbërore-shqiptare në tokën mëmë. Me pak fjalë, me disa batuta, me disa shprehje e fjalë të urta, apo me fare pak vargje, ky popull rrëfen histori dhe kulturë disa qindra vjeçare. E tillë është kënga “Mbeçë more shokë”, një këngë nizamësh e kënduar nga këngëtari i shquar Demir Zyko nga fshati Gjerbës i Skraparit. Një këngë me vetëm 12 vargje, por me një përmbajtje të thellë unike, një këngë nga më të bukurat e këngëve të nizamëve. Teksti i saj përbëhet nga fjalët e një ushtari që po jep shpirt diku në rërat arabike, pranë Urës së Qabesë dhe që shpreh dëshirën për t`i çuar falë me shëndet nënës së tij që e pret atje larg, teksa i jep porosi që ta shesë kaun e zi, që të mbajë familjen, pasi ai nuk do të jetë më në gjendje t`i ndihmojë ekonomikisht: Mbeç, more shokë, mbeçë/Përtej Urës së Qabesë/Falë me shëndet nënësë,/Kaun e zi le ta shesë.Më tej poeti popullor shpreh dhembjen e thellë dhe fjalët e birit për nënën, e cila po e pret t`i gëzohet, ta martojë dhe të trashëgojë jetën, por, djali:Në pyestë nëna për mua/I thoni që u martua/Në pyestë se ç`grua mori/Tre plumba te kraharori.Në këngë flitet për vdekjen por vdekja nuk përmendet:Në pyestë se ç`kalë hypi/Atje tek hypën meiti/Në pyestë se ç`krushq i vanë/Sorrat e korbat e hanë.Teksa shkrimtari ynëIsmail Kadare me të drejtë thotë: “Në qoftë se ndonjë ditë popujt që kanë vuajtur dikur nën sundimin otoman, do të binin në marrëveshje për të ngritur një monument të përbashkët në kujtim të miliona bijve të tyre të vdekur gjatë shërbimit ushtarak në ushtrinë shumëkombëshe osmane, vështirë se mund të gjendet një tekst më universal për t`u gdhendur mbi këtë monument se kënga shqiptare e Urës së Qabesë.”

Kurse populli i Labërisë së Vlorës, nëpërmjet këngëtarit kallaratas Zeqo Hoxha, përcjellë këngën: “Ç`u këput një këmbë mali”, e cila është njëherazi vajtim dhe mallkim kundër pushtuesve osmanë, që i kishin shkaktuar aq të zeza popullit: Ç`u këput një këmbë mali,/O Stamboll, të djegtë zjarri./Djemtë tanë, hajmedet,/djepi that` e vatra shkretë.”

Fatmiri studion dhe kërkon, në arkivat britanike, dhe, atje, ai është një fill i artë e i rëndësishëm i Ariadnës, sepse edhe atje mund të gjenden gjurmë të kulturës dhe të historisë sonë. Ishte arkeologu i madh, anglezi Evans, që erdhi e kërkoi në veri të Shqipërisë dhe kreu zbulime arkeologjike dhe më pas ai zbuloi Kretën. Ishte Eduart Liri, që fiksoi bukuritë dhe lashtësitë e kështjellave, portretet dhe veshjet kombëtare shqiptare me penelin tij; ishte Bajroni që u frymëzua aq shumë sa tek “Cajlld Haroldi” vargjet më të bukur, me siguri janë ato për shqiptarët dhe Shqipërinë, por besoj edhe kostumi më i bukur popullor që ai ka veshur, është ai shqiptar; ishte Edit Durham, që eksploroi pasuritë shpirtërore dhe etnografike të popullit shqiptar, që zbuloi aq shumë veshje etnografike, aq shumë cilësi dhe virtyte shqiptare, ishte ajo që vuri në dukje se “Kudo në Rumeli njerëzit përgjigjen:  jam ortodoks apo katolik, ndërsa në Shqipëri edhe bariu më i thjesht me krenari thotë: unë jam shqiptar…”  Shqiptar, më shumë se një fe, më shumë se një besim, një komb i shkëlqyer.

“Bunari” një kanistër me bukuri vlerash artistike

Gjithnjë kam menduar se është i suksesshëm ai shkrimtar që njeh me themel objektin dhe subjektin për të cilët shkruan e, si rrjedhojë bëhet bindës dhe tërheqës për lexuesin, e bënë atë të ndjejë kënaqësinë e rrëfimit, e emocionon dhe e mban fort të lidhur pas faqeve të librit, ndërkohë që i sjellë si pa kuptuar dije dhe informacione të dobishme që e bëjnë të krahasojë përvojat e veta, teksa entuziazmohet kur ndjen forcës e krijuesit origjinal që di të bëjë art të vërtetë, ashtu siç,Fatmir Terziu, penën e hollë e rrëshqet butësisht dhe lirshëm, herë e lakon si një balerinë reshtave dhe paragrafeve, herë ngre me të buçimën dhe jehonën e zhurmave të luftës, trokun e kuajve, vringëllimat e shpatave, gjëmimin e topave, krisjen e mureve, thirrmat dhe sokollimat e luftëtarëve që përleshen për jetë a vdekje.... Te “Bunari” ndjen deri dhe erërat dhe flladet që fryjnë, vërshimin dhe përleshjen e reve në qiell, shkrepëtimat e rrufeve, ngrohtësinë e rezeve të diellit, rrjedhjen e lumit dhe të përrenjve, zërat e njerëzve, të moshuar dhe të rinj; ndjen gurët e mullirit të blojes, këngët e vajzave, të qeshurat, të qarat, lodrat e fëmijëve, blegërimat dhe këmborët e bagëtive. Janë tërheqëse dhe realiste përshkrimet që autori i bënë dy Dibrave, duke veçuar karaktersitikat e tyre, përshkrimi i relievit, i luginave, maleve, kodrave, përshkrimet e skenave plot kolor të jetës me të gjitha shfaqjet që nga lindja e deri në vdekje. Ai e tërheq mjeshtërisht lexuesin drejt përmbajtjeve të rrëfenjave, legjendave, episodeve dhe ndodhive të çuditshme; portretizon tipa dhe karaktere origjinalë, përshkruan me delikatesë dhe ndjeshmëri bukurinë femërore, siçështë përshembull përshkrimi plotë hijeshi dhe delikatesë i vajzës 15 vjeçare Ançës me “fustan basmaje të qepur andej nga matanë majave të larta. Nuk dihej se ku, por ishte i qendisur bukur. Lule i tëri në kraharor. Ançes pesëmbëdhjetëvjeçare i shkonte shumë. Aq shumë sa edhe më laiku i ngulte sytë tek ajo vajzë. Gjoksdalë. E bukur nga tërë konstrukti. Këmbëgjatë, belhollë, flokëmjaltë, syqiell, bojaneshë e tëra. Eh, si ishte ajo.” Lexuesi entuziazmohet dhe emocionohet nga bukuria dhe përshkrimet realiste e idilike aty te “Bunari” dhe vargjet zjarr të djaloshit të dashuruar: “Dil moj cucë te bunari,/ se për ty m'ka marr malli,/ malli yt o nuk po më hiqet,/ zemra ime flak po m’digjet./Hajde cucë hajde bre,/ faqet kuq si molla i ke,/ faqe kuqe sytë e zi,/ mos më le moj në vetmi./ faqe kuqe sytë e zi,/ mos më le moj në vetmi...

Ijep vlerë origjinale librit përdorimi me vend i toponimeve dhe i emrave të mjediseve të zonës, emra që krijojnë efekt te lexuesi, bëjnë përshtypje dhe e bëjnë atë të përqendrojë më shumë vëmendjen: “Lugina e Prerë me Shpatë”, “Karrigja e Skënderbeut”, “Arra Budallaqe”, “Shtegu i dhive”, “Shkëmbi i Xhemos”, “Tre Lisat e Damllosur”..., ndërkohë që lexuesit i lind kureshtja për të ditur më shumë rreth tyre, teksa autori me bukuri dhe elegancë ia plotëson shpejt këtë dëshirë duke shpjeguar përmbajtjet e tyre.

Frymëzimi dhe logjika artistike e ka çuar shkrimtarin edhe tek traditat popullore, te respektimi i tyre në doket dhe zakonet e jetës familjare dhe shoqërore, respekti dhe nderimi i mikut, folklori dhe veshja, mënyrat e ushqyerjes dhe e gatimit e deri dhe te përdorimi i bimëve medicinale me efekte pozitive mjekësore, i hithrave, qershive, rrushit... me aq shumë vlerë për popullësinë e zonës, por dhe për të rritur rezistencën e ushtrisë së Skënderbeut. I tillë ishte dhe përdorimi i bulgurit dhe receta e gatimit, e cila u mor dhe u përdor gjerësisht edhe nga vet Sulltani si një ushqim bazë për ushtrinë e tij gjigande. Teksa respektojmë këto vlera dhe prurje, sa artistike aq edhe shkencore, që shkrimtari përcjellë te lexuesi, sjellim ndërmend faktin mbase unikal ku një bimë mjekësore shqiptare ka emër mbreti: është bima me fuqiçudibërëse, që mban emrin botanik “Gentiana lutea”,bima e mbretit ilir Genti me aromë nga Malësia e Shqipërisë? Ilirët ishin të parët që e përdorën këtë bimë për të ulur temperaturën dhe për të shëruar sëmundje të zemrës, ajo është e lakmuar dhe kërkohet edhe sot me emrin Gentiananë tregjet botërore.

Sa më shumë e lexon librin, aq më shumë nxitesh të njohësh lashtësinë dhe historinë e popullit tonë, por po aq herë të shkon mendja te shumë e shumë gjëra që përqasen, që harmonizohen dhe të ngacmojnë mendimin të shprehesh, të thuash edhe ti diçka si lexues.

Sot e gjithë bota është një libër i hapur

Sot e gjithë bota është shndërruar në një libër të hapur, ku mësohet çdo gjë “sa hap e mbyllë sytë” e deri në detaje. E kemi këtë mundësi më shumë se në dekadat dhe shekujt e mëparshëm, për t`ia prezantuar tërë botës Kombin dhe Qytetërimin tonë të lashtë. Mendoj se, jo vetëm libri në fjalë, por edhe vet personaliteti i Fatmir Terziut, vet vepra e tij e gjerë dhe e shumanshme, e bënë mrekullisht këtë. Ta bëjmë edhe ne, të gjithë. Jeta, nuk ka filluar kur kemi lindur ne, por breza të tërë para nesh kanë punuar e kanë luftuar, janë përpjekur e kanë sakrifikuar për ta ndritur këtë vend dhe këtë Dhe`, për të shtruar rrugët për brezat e ardhshëm.

Të parët tanë kanë bërë për ne, atë që ne të gjithë bëjmë kur punojmë, sakrifikojmë dhe luftojmë aq shumë për fëmijët tanë, për të ardhmen e mbesave dhe të nipërve tanë, që ata të ndihen sa më mirë dhe krenarë me atdheun e tyre, të ecin të sigurtë në jetë.

Faleminderit Fatmir Terziu për këtë vlerë artistike që na ke ofruar, për shërbimin e madh që i bënë historisë dhe kulturës sonë kombëtare edhe me këtë “Bunar’” që rrjedh uji të freskët e jetëdhënës.

34 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page