PASURIA E NJË POETI
(Poetit, studiuesit dhe mikut të letrave Nehas Sopaj)
Nga Fatmir Terziu Dhe unë Nehas jam nga geni yt. Jemi një dhe, një shkëmb, një ujë dhe një zjarr, në qoftë se plugu mbjell, mjell në një ugar, në gjokset tona mbetet i njëjti mall, dhe në qoftë se unë e shpreh nga larg, edhe ti që prej lindjes e tret mallin tënd në varg. Dhe po të ketë ndokund tjetër diell, që të më djegë mua dhe ty ndryshe, dhe nëse udhë tjetër do të na ndihej, patjetër me mua ti në një sofër do të ishe, ashtu ka qenë edhe para nesh, vitesh, e vitesh. Nehas, ne jemi së bashku, edhe afër, edhe larg, se Toka jonë është vlagë, është dheu i tillë që s’njeh plagë. Nehas, ajo Tokë mbeti, pasuria më e madhe që ka poeti. MJESHTRI I FJALËS S’trokasin më këmbët e mbathura të kuajve në kalldrëm, në Shkup trokasin të tjera këmbë, të tjera gjëmojnë mes letrave të mbushura me madëm, Nehas Sopaj i mban rrëndë, e jeta i kthen në frymëzim,
vargje dhe këngë. Penat lëshojnë trokamat në shule dyersh, harabelat,
si korierë, majë Sllupçanit të Kumanovës. Është ritmi i kohës, auditoreve të Universitetit të Shkupit, ku letrat e zverdhura të historisë i mësohen botës, jashtë falangave të turpit. Nehasi i qep kostumin e shkulur prej trupit, Tokës,
dheut,
ujit dhe kësaj dite, që e gërryen erozionet ‘fan-diplomatike’. DHIMBJA E FJALËS Vështirë të hamendësosh, por këto gurë në Bit Pazar përdhimben me të njëjtën dhimbje si Nehas Sopaj. Jashtë dritareve të mëdha fate të thukta në sallë leksionesh, e imagjinoj që po shkruan në plazmë letre, shoh sytë e tij të lodhur që vrasin gjumin në të gjithë linjat e zbardhura me shkumës. Ai e ndjen dhimbjen e fjalës, sikurse gurët shkeljen e ashpër. E imagjinoj atë në këmbë në errësirë, të udhëhequr nga drita e pastër.
Comentários