top of page

Pasaporta e poezisë në portën e gjykimit popullor


Në Manifestimin " Makedonski Konaci": Puntorie Ziba, Fatmir Terziu, Svetllana Hristova-Jociq, Iliriana Sulkuqi

Pasaporta e poezisë në portën e gjykimit popullor

Dr Fatmir Terziu


Kur u ndodha këtë verë në një nga takimet e poetëve të Strugës, “Makedonski Konaci”, [Konakët Maqedonas] i ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Poetëve vendas, pashë se poezia kishte “Portën e saj”, dhe si pasojë kërkonte “Pasaportën” e ardhur jo nga zyra shtetesh, edhe pse ajo vinte në emër të përfaqësuesve të dhjetra e dhjetra shteteve, por në emrin e një Ligji të pashkruar që vjen nga shekujt.

Aty në krah të shkrimtarit shqiptar me banim në Maqedoni, Luan Starova, kritikut dhe poetit, Nuri Vinca, shkrimtares Puntorie Muça, apo edhe poetes Iliriana Sulkuqi, këtë e ndjeva më shumë. Starova në një bisedë të shkurtër, aty në tryezën e Restorantit, “Konakët e Strugës”, teksa po bisedonim për rolin e poezisë dhe poetit në këtë kohë që jetojmë, ashtu qetë në bisedë e sipër më tha: “Është kjo një mesele e vjetër. Është si në kohërat e vjetra. Në ato këhë me luftra. Ushtarët ishin fisnikët e qënies së vet dhe kalorësit fisnikët e ushtarëve. Por, shumë shpejt raportet midis ushtarëve të thjeshtë dhe kalorësve u ndryshuan. Ushtarët ishin ushtarë dhe kalorësit u bënë zotërit e luftrave, stolive dhe triumfeve. Pra kalorësit ishin obortarët! Kështu edhe me poezinë. Kur ajo është poezi ‘ushtare’, fati i saj mbetet në një luftë të hapur, kur ajo është ‘obortare’ ka edhe kulm, por ka edhe fund, si gjithë oborret, si gjithë Qeveritë”.

Por, nëse fjala e shkrimtarit shqiptar, Luan Starova, kishte filozofinë e saj, ajo që më udhëton në vite pas është dicka më e thjeshtë, disi me ngjashmërinë e saj.

***

Më kujtohet fillimi i viteve 90-të. Rradha të gjata për të blerë gazetën e vetme opozitare “RD”. Njerëzit ishin etanakë. E lexonin dhe gati e përpinin. Por, po ti pyesje lexuesit e saj, ata më shumë mbanin mend vargjet e disa satirave, vargjet poetike që thumbonin! Më pas, pas vitit 1995-të, ishte gazeta “Republika” që gati cdo numër botonte fabula të saj kritikuese të pushtetit në fuqi. Kështu ka ndodhur në fakt me kohë e ndodh edhe sot. Vargjet poetike e sidomos fabulat mbesin në tru. Pse? Sepse një fakt vjen nga larg në kohë. Vjen nga lashtësia e filozofëve grekë. Kjo, ndoshta, kryesisht nuk tregon atë që ne kemi mësuar vonë, atë që filozofët e Greqisë nuk u shfaqën për një kohë të gjatë në botë me veten e tyre, por nën maska të poetëve. Pra, Talis, Empidokles dhe Parminides kënduan filozofitë e tyre natyrore në vargje, edhe Pitagoradhe Fokilides që ishin këshilltarët moral të tyre bënë të njëjtën gjë, këtë e bëri edhe Tirtakus në çështjet e luftës, dhe Soloni në çështjet e politikës, ose më mirë, ata, duke qenë poetë , kanë vënë në lëvizje lezetet e tyre në ato pika të larta të njohurive, që më parë ishin të pazbuluara në botë. Madje duhet thënë qartë se Soloni ishte direkt poet dhe njihet nga shkrimi i tij “Ishulli Atlantik” që u vazhdua më pas nga Plato. Dhe dihet më shumë se cdo gjë se poezia e Platos ishte Filozofi, dhe bukuria më e madhe e veprës së tij ka mbetur në poezi. Poezia e tij ishte një dialog, ku ai ‘shigjetoi’ shumë kohëjetues të tij nën thumbin e shigjetës shpotitëse e ndëshkuese të fjalës. Edhe historianët kanë shijuar binjakëzimin me poezinë. Heroditie vulosi historinë e tij me nëntë “Muza” dhe të gjithë ata që e ndoqën më pas uzurpuan pasionin e ardhur nga poezia.

Pra me këtë fakt të padiskutueshëm, si filozofët ashtu edhe historianët hynë në portën e gjykimit popullor me pasaportën e madhe të Poezisë, që në gjithë shtetet dhe kombet në vite u bë gjuha më e ëmbël, më e interpretuar, sepse të gjithë e ndjenë shijen e Poezisë.


22 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page