PAS PANDEMISE, A DO T'IA JAPIM ME DOREN NJERI - TJETRIT?
Fillimi dhe fundi i historisë së një përshëndetje universale
S’pati sivjet as behar, as Ditë Vere, as Nevruz, as Pashkë e as Shën Gjergj. Këmbë e frymë njeriu në rrugë! Duket se nuk do të ketë as 1 Maj, as 5 Maj, as 9 Maj e as 1 Qershor të fëmijëve. Ngujimi, krantina, shkretia i ktheu sëprapthi fletët e kalendarit.
Një virus i çuditshëm me emrin Corona, si dikur kolera, ka pllakosur botën. Po bëhen gati tre muaj që bota jeton në ankth. Mijëra vetë vdesin çdo ditë. Askush nuk e di kur do të mbarojë kjo gjëmë.
Shkenca ka ngritur duart lartë. Jemi përballë një të panjohure, thonë shkencëtarët më të famshëm të botës akademike të mjekësisë, biologjisë, mikrobiologjisë, ekonomisë sociologjisë dhe shumë shkencave të tjera që lidhën me mënxyrën e tanishme globale. E ndësa shkenca është dorëzuar, politika, që ë ka çuar botën në atë derexhe, jo. Ajo dirigjon, ajo flet, ajo komandon, ajo manipulon. Dhe në fund, ajo me oligarkët e fuqishëm fiton, paçka se mbi kufoma.
Kapitali i gjen shtigjet për të dalë. Industria e Luftës së Dytë Botërore, e armëve dhe e municioneve, pas luftës u kthye në industri të prodhimit të makinave.
Firmat më të fuqishme të modës i lanë shalët, sutjena dhe bikinitë, tani po prodhojnë maska dhe dorashka, në mos për 3 miliardë njerës, të paktën për një miliard. Dhe mos harroni që janë njëpërdorimshe.
Industrialistë e farmaceutikës fërkojnë duar më vdekjet. Më shumë të këtë, thonë ata që, vaksina apo i laçi i Coronës të jetë sa më i shtrenjtë.
E nesërmja nuk do të jetë ashtu siç ka qënë. Do të riformatohet çdo gjë, politika, ekonomia, shoqëria, sjellja.
Që tani kanë filluar të zënë vend norma të reja sjelljeje. Po jap vetëm një shembull: Kështu e tutje ne do të përshëndetemi ndryshe, nuk do t’i japim dorën njëri-tjetrit. Nga qulli, do t’i fryjmë kosit.
Dhënia e dorës, dorështrëngimi, është një gjest universal që tregon përshëndetjen dhe kryhet si midis dy njerëzve krejtësisht të panjohur për njëri-tjetrin dhe që takohen për herë të parë, ashtu edhe midis të afërmve të ngushtë, që përsëritet sipas nevojës edhe disa herë, për të treguar dakordësinë e ideve ose mendimeve. Ai është futur edhe në protokollet zyrtare dhe qeveritare.
E çuditshme është se si shtrëngimi i duarve është transmetuar në të gjitha periudhat historike, nga Babilonia, Egjipti i Lashtë, antikiteti, Mesjeta e deri në periudhën moderne. Ka me mijëra dokumente, piktura gravura që e dëshmojnë këtë.
Ka gjasa, se pas kësaj që po ndodh me pandeminë botërore të virusit Cocid19, krahas shumë ndryshimesh dhe riformatimesh që do të bëhen në shoqërinë njerëzore, edhe në etikë, do të ndryshojë edhe kjo normë sjelljeje, ky gjest unik, pasi po shihet si shumë i rrezikshëm, madje më i rrezikshmi për përhapjen e sëmundjes. Të frikësuar, por edhe nga koha e gjatë e qarkullimit të sëmundjes, s’dihet se sa, njerëzit dalëngadalë, si fëmija që lë gjirin, do të zvirdhen nga kjo normë, nga kjo formë përshëndetje.
Siç duken "bathët", ajo do të ngelet në histori.
Me çfarë do të zëvendësohet, nuk është e vështirë të gjendet një mënyrë tjetër, natyrisht universale.
Sidoqoftë, bota për njerëzit e thjeshtë, për masën e gjerë do të ndryshojë: i varfëri do të bëhet më i varfër; i pasuri, më i pasur, por edhe më i pashpirt, pasi po shkel mbi kufoma.
تعليقات