top of page

Panajot  Zoto: Tregimet e Koço F. Kostës...


Tregimet e Koço F. Kostës,si buka në tryezën e letërsisë

-shënime  për  librin me tregime “Borziloku që than lotin”-

 

  Koço  Filip Kosta i takon brezit të prozatorëve të pas viteve ’90-të, ku, veç shumë të tjerëve, mund të veçonim emra si Fatmir Terziu, Faruk Myrtaj, Lazër Stani, Përparim Hysi, Resmi Osmani, Kozma Gjini, Odise Kote, Thanas Dino, Hekuran Halii... Ndër  ta, dhe autorë të shumtë që kanë lëvruar gjininë e tregimit, Koçua, sipas  vlerësimit tim,është një ndër krijuesit më të spikatur në gjininë e tregimit.

Tregimet e Koços, figurativisht do t’i krahjasoja me bukën në tryezën e letërsisë. I lexon ato dhe nuk të lodhin. Përkundrazi. Të japin kënaqësi  estetike dhe të nxisin  fantazinë. Merr dhe lexo çdo njerin prej tyre dhe do befasohesh  nga diçka   si një çudibërje a çudindjesie, se sa më shumë  lexon, aq më shumë shtohet mendimi dhe dëshira për të shkuar më tej  dhe shikon se edhe fjalia pasardhëse  do të ketë të njëjtën ndjesi kënaqësie, peshë mendimi, apo kërshërindjellje .

Vëllimi “Borziloku që than lotin” është një shembull domethënës dhe i mjaftueshëm për të bërë vlerësimet e mësipërme,dhe  për ta thënë me gojën plot se Koço Kosta është një  prozator i veçantë, i talentuar në gjininë e tregimit.

Tregimet e këtij vëllimi , njeri më i arirë artistikisht se tjetri, si nga subjekti që trajton  edhe nga kompozicioni, shfaqen  interesante para lexuesit dhe  të tërheqin si magnet .Nuk  e mbyll librin pa  e përfunduar. Në tregimet e  këtij libri  gjallojnë  veprimi dhe personazhet.

 Libri ka 18 tregime. Kurbeti,apo emigracioni, nga njëra anë ,dhe, ngjarjet e pas vitit 90, duke filluar me ikjet masive nga kufiri tokësor dhe, në vijim me kaosin e  vitit 97 e pasojat më tej,  janë  temat që kanë në përmbajtjen e tyre shumica e tregimeve në këtë libër. Veçojmë  tregimet “Ah ajo e diel pashke” , “Varrmihsi” e ndonjë tregim tjetër, të cilët dalin  nga kjo kornizë tematike dhe  ,pse jo,dhe kohore.

   Tregimi ,si gjini,  mund të shkruhet në çdo metodë dhe mënyrë letrare. Autori i këtij vëllimi ka ditur  ta shfrytëzoj të gjithë këtë hapësirë, ndaj dhe gjejmë në të tregime  të llojeve të ndryshme, nga ato realiste, të gërshetimit të surealizmit me fantazinë, apo të realizmit me surealizmin,madje  edhe të trillit me realitetin.Në rast se  do veçoja diçka dhe do komplimentoja autorin, kjo ka të bëjë me aftësinë e tij  për të fantazuar.Brenda realitetit narativ ai ndërton skena që, edhe se i fantazon, i trillon, të ofrojnë  një realitet të përjetuar. I gjejmë këta shjembuj  në shumicën e tregimeve,por do veçoja “Violinistin “ , “I pakëmbi” etj.

Nga ana tjetër, nisur nga thënia  se tregimi është një gjini  sqimatare si në kompozicion dhe në zhvillim, konstatoj se  autori i këtij vëllimi ,me ndonjë përjashtim , ka shmangur përdorimin e fjalëve boshe dhe stërgjatjet e panevojshme.Në këtë  këndvështrim do të ndalesha në  disa aspekte që lidhen me përdorimin e figurave stilistike, fjalën, fjalinë, frazën dhe  përshkrimin.

Tregimet e këtij vëllimi  lexohen me ëndje  edhe për shkak  të përdorimit të figurave stilistike, të cilat do i quaja, edhe unë figurativisht, si  ushqimi i bollshëm dhe i shijshëm i një tavoline.

Dominojnë:

 Figura të kuptimit si: krahasimi, personifikimi,paralelizmi. Figura të fjalëve dhe shprehjeve si: metafora, paradoksi, perifraza, epiteti. Dhe, figura të fjalorit poetik, apo leksikut si: sinonimet, neologjizmat, krahinalizmat.

  Shembujt janë të shumtë, por do të ndalem  kalimthi te  “epiteti” dhe “ktrahinalizmi” si figura të që përbëjnë edhe atë lloj pigmenti që lezetojnë  tregimin dhe zbulojnë  fabulën e vendgjarjen.

Personazhin,psh, që,  fatkeqsisht, nga aksidenti ka humbur këmbën,naratori   e  cilëson me epitetin “i pakëmbi”. Një tjetër personazh e ka emërtuar “Kamrixhai” për shak se ai në çdo  fund fjalie në biseda i thotë bashkëbiseduesit “Të kam rixha”, ose njeriut të mirë që ka ndruar jetë i thotë ”emërmiri”. E sa të tillë shembuj ka, me dhjetëra!.

Ndërkaq krahinalizmat janë  më evidente. Madje  ,do thoshja, është një nga mënyrat  specifike në shkrimet e këtij autori. Në tregimin ballor “Borziloku që than lotin”,psh  mund të gjeshë  dhjetëra fjalë e shprehje krahinore që, nga vendi dhe mënyra e përdorimit, kanë shijen e figurave stilistike me një veçanti të theksuar. Autori, psh, nuk thotë “u marsha të keqen”,por “U keqen mëma”, (sikundër thonë nënat niviciote ,të cilave u referohet autori).

Krijimtaria e Koço Kostës  i ngjan krijimtarisë të një stilisti ,fjala vjen,në fushën e prodhimit të veshjeve. Ai është një stilist i  shprehjes dhe mendimit letrar. Është mjeshtër i detait artistik,i përdorimit të gjuhës dhe forcëdhënies së saj, arkitekt i ndërtimit të fjalisë dhe frazës . Jo në një rast por thuajse në çdo tregim që lexon,  të duket sikur fjalët lëvizin në një shtrat të dridhshëm dhe ti je duke dëgjuar një melodi shlodhëse e ngjashme me  shushërimën e rrjedhjes së një lumi të qetë. Fjalitë, madje dhe fraza ngjajnë si një përshkallzim, ngjitje dhe në këtë lëvizje  ndjen ritmikën sikur  po lexon një poezi. Në fakt, jo në një rast, proza e Koço Kostës është një prozë poetike.

Ja si shembull:  “Shëtitësit i mbërtheu ngurosja, heshtja, ankthi ,padituria. E panë, e ndoqën,e jetuan,e humbën...”

Nga ana tjetër kemi përshkrimin, si një   forcë krijuese, që,përmes përdorimit  artistikisht të fjalës  dhe shprehjes, i jep lëndës me të cilën gatuan tregimin  një formë  të veçantë kënaqësie estetike për lexuesin.

Një pasazh,psh nga tregimi “Vajza dhe deti”

“Ajo, me krahë të shtrira, i kishte mbledhur e hedhur mbi vete tërë bukuritë: imazhet reflektuese, vizatimet plot oshilacione të zogjve në fluturim, këngëputhjen e valëve rreth trupit të saj, thellësinë e detit që i mblidhej rreth shallit me forcë tërheqëse drejt vetes ...”

Dhe nga tregimi “Katër engjëj dhe një nuse”

“ Të katër arkivolet nuk zbritën nga supet. Kishin bërë krah dhe endeshin mbi njerëz.Askush nuk e ndiente praninë e trupave. Qenë bërë tërë shpirtra dhe  kishin fituar gjithësinë.

Detaji dhe togfjalshi dy veçori të tjera që dallojnë krijimtarinë e  autorit .

Në çdo portretizim personazhi,në përshkrimet e situatave  dhe të ngjarjeve që tregon,autori nuk bën lëvizje  boshe ,në se mund të themi kështu. Jo. Ai do të gjej detajin kudo:në sytë ,në gojë dhe  në shprehjen e fytrës  të çdo personazhi. Futet thellë  në honin e shpirtit dhe na tregon për dhimbjen dhe ndjesitë që ajo përcjell, format që krijohen prej kësaj te  personazhi etj etj.Kur përshkruan psh ngjarrjet, aktin e  dramës  që ndodh  në kishën e fshatit Fonike, gjatë ceremonisë së martesës  së dy të rinjve, në ditën e kremtimit të pashkëve ,autori  futet  në detaje,madje në imtësi ,si në rastin e  përshkrimit të portretit të  nuses,  Katerinë dhe dhëndrit Mitro. Në këtë tregim ,“Ah ajo e diel pashke”,lexuesi  zhytet thellë në pafundësinë e detajeve   kur përshkruhen  ceremonia fetare, gëzimet njerëzore,por dhe  të  situatës pas bombardimit dhe pasojave  vdekjeprurëse, me qarje ,lotë, mallkime, e përçudnimin  e shpirtit njerëzor  prej asaj që ndodh.

Togfjalëshin si njësi sindaksore në tregimet e  këtij vëllimi

 Një nga pasuritë leksikore që sjell Koçua në krijimet e tij  është pikërisht togfjalëshi. Përdorimi  i  tyre, kuptohet jo  vend pa vend,  i jep vlera estetike krijimtarisë së  këtij autiri.  Janë pafund shembujt, por  do të rendis  disa: Pranverim, gjithgjoksërisht, oreksndjellje, shpirtbelbëzuar, njëtrupëzim, prushmalli,e panamtë, e panishantë, eshkëzuara, ballëdigjet, besëmbajtja, breshëruan,  mllefazoi, zëgjumi, festëpritja, ndjenjëndjellës, pasteonizuar, mokërzuar, prindërzoj, e....ka pafund togfjalë si këto.

 Për krijimtarinë e autorit Koço .F. kosta, shoqata e krijuesve Jonian të Satrandës organizoi ditët e fundit një takim me krijues dhe lexues të librit,ku shkrimtari dhe kritiku Thoma  Sterjo  shpalosi dimensionin krijues të këtij autori. Në vlerësimin tim Koço kosta  është një stilist i shprehjes, artist në skalitjen e fjalës dhe mjeshtër i përdorimit të  mjeteve të gjuhës .

Sarandë 22 mars 2025

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page