Në ç'kohë jetojmë?
Në cilin shekull dhe me cilin vit mund të gjejmë një të ngjashëm,
që të ketë zbrazur orjinë e një populli mbi padrejtësinë,
e kjo, tinëzisht, me uturima armët vërtit
si Aresi mbi revoltën e derdhur në shesh?
Në cilën kohe jetojmë
kur padrejtësia hedh valle mbi dhimbjen,
që ka ngjyrën e gjakut të njerëzve të pafajshëm
dhe pastaj, si hyjnesha e lajkave, Peiten, të qeshet ndër ligjërimet politike,
duke rivrarë viktimën e vet?
Prej thellësive të shekujve vjen era e gjakut të skllevërve,
derdhur në arenën-teatër të ndeshjeve
për të kënaqur epshet orgjike të prijsave mbretër.
Ishin kohët kur e drejta e jetës barazohej me aftësinë për mbijetesë,
kur jeta ishte pronë e 'Zotit'- mbret.
A jetojmë ende në kohët kur jeta ishte pronë e të parit?
Jo! Edhe pse padrejtësia ka fytyrën e njeriut,
që ndryshe nga mbretërit e dikurshëm, e fsheh atë brenda epshit pushtetor
dhe ngërdheshet për jetët e humbura
si mbretërit,para lumit të gjakut njerëzor.
Sot padrejtësia ka fytyrën ironike të shtetit,
që friket kur sheh sheshin të mbushet sërish
dhe si i zgjuar pas një ëndre të keqe,
dërgon prej fërëgjive të pushtetit mesazhe dhune
mbi lulet hedhur në kujtim të viktimave të krimit.
Në ç'kohë jetojmë?
Kur dhimbja për gjakun e të rënëve përballet me drejtësinë e munguar,
kur homazhet dhe lulet mbi vendin e krimit nuk kanë zë dhe forcë
të godasin ndasinë mbi kuptimin e jetës,
që pushteti, te secili prej nesh, injekton?
Teksa shikoj vargun e njerëzve të heshtur,me lule për të rënët,
21 janari më ngjan si dita e dy botëve.
Si dhuna e vinçit që shkul përmendoren e të rënëve në një tokë shqiptare
dhe pushteti, zgjatim i kohëve të ndarjeve
tregon forcën përball dhimbjes e lotëve.
Comments