Panajot Zoto: Moderniteti në krijimtarinë letrare të Natasha Xhelilit
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 10 hours ago
- 6 min read

Nga Panajot Zoto
Natasha Xhelili është një zë i fuqishëm në fushën e letrave. Shkruan prozë dhe poezi, dhe shpreh mendimin e saj kritik mbi fenomenet letrare, në shtyp dhe mediat sociale.Është pjesëmarrëse në disa antologji poetike të botuara brenda dhe jashtë vendit, në disa gjuhë.
Në 1 tetor të vitit 2020 është shpallur poetja e muajit me një cikël poetik të botuar te OPA POETES Ka fituar çmimin e parë për tregim të shkurtër në Tetovë Maqedoni, çmim të parë për tregim të shkurtër në konkursin anonim në Gjilan të Kosovës, çmim të tretë në festivalin e poeteshave në shkodër, si dhe së fundi ka merituar çmimin e parë në tregime, me tregimin “Në autobus”, në konkursin anonim “Flaka e Janarit”.
Në vitin 2021, me rastin e 700 vjetorit të vdekjes së “Poetit hyjnor” Dante Aligerit, muzeu i vogël i poezisë në Itali organizoi një shfaqie kolektive me titull “Gjurmë me zëra femërorë”, me pjesëmarje të autoreve nga e gjithë bota. Në të Natasha Xhelili u ftua të shkruante një varg poetik për Aligerin,varg, i cili mbetet pjesë e koleksionit muzeal të atjeshëm.
Është autore e disa librave në prozë dhe poezi,ndërtë cilat mund të përmendim: librat me poezi “Mali Sheh ëndër” dhe “Lotët e zjarrit”,librin me tregime për fëmijë “Ninulat e Hënës”,librin me tregime “Perdja e mbrëmjes”, si dhe librin “Gjurmëve të fjalës”,që është një përmbledhje artikujsh e vështrime letrare për vepra të autorëve të ndryshëm.
Ditë më parë klubet krijuese “Jonian” Sarandë dhe “Let-Art” Delvinë organizuan një diskutim krijues për veprën letrare të shkrimtares dhe poetes Natasha Xhelili,ku isha i nderuar të jepja disa mendime e konsiderata për librin e saj “Perdja e mbrëmjes”,për të cilat po ndalem më poshtë.
Libri me tregime “Perdja e mbrëmjes”, është një përmbledhje e krijimeve më të mira të autores në gjininë e tregimit dhe shënon një kulm në rrugën e gjatë krijuese të kësaj autoreje në prozë.
Me ndonjë përjashtim, mbizotëron tregimi i shkurtër,ku ka një ngjeshje të veprimit dhe të narativës. Ku mesazhet apo idetë që synon autorja të përcjell te lexuesi,fshihen në labirinthet e përshkrimeve të bukura estetikisht, në autostradën e fjalëve dhe shprehjeve të figurshme, në thellësinë e mendimit dhe idetë simbolike.Lënda e çdo tregimi është e ngjeshur, pa fjalë e shprehje parazite, pa teprime në narativën e personazheve, me një gjuhë të rrjedhshme. Të duket sikur autorja lëviz në sinore shpesh të tejbotshme, futet në botën e ndjenjave njerëzore, vë në lëvizje vetëdijen dhe shqisat ndjesore të personazheve, futet në botën e tyre shpirtërore dhe na jep përfytyrime ,hera –herës vështirësisht të konceptueshme. Shpesh personazhet nuk janë qënie të gjalla, nuk janë njerëz konkret, ata nuk flasin vetë, me gojë, por përmes ndijimit dhe ndjenjave,si në tregimet ‘CAKU’, ‘SHKREPSIA’, etj.Sa për ilustrim: “Njerëzit e filmave, personazhet e librave i kishin aritur më shpejt mendimet e tejbotës sonë dhe ua bënin më të pranishëm ekzistencën e saj nëpërmjet veprimit të tyre”- shkruan autorja në tregimin Shkrepsja. Ajo shikon, flet e komunikon përmes imagjinatës me krijesa jo njerëzorë, ose me hijen , shpirtin e tyre.
Autorja vlerësohet jo thjesht për përmbajtjen e tregimeve por dhe për formulimin e titujve, një veçanti kjo në këtë vëllim. Si vet tregimet, edhe titulli i secilit prej tyre, është i shkurtër, madje njëfjalësh në shumicën e tregimeve, si një përmbledhje e idesë dhe mesazheve që përcjell tregimi, psh: ‘NËNA’, ‘DINJITETI’, ‘DASHURIA’, ‘CAKU’, e kështu gati të gjitha tregimet.
Subjektet e tregimeve të përmbledhura në këtë libër, kanë lidhje me anë të veçanta të jetës njerëzore, të mardhënieve të botës materiale me botën shpirtërore, të trupit me shpirtin, të raportit të jetës në tokë me botën e përtejme, (si te tregimet: ‘BROSHURAT E VDEKJES’,’ ÇASTET E FUNDIT’) Por dhe të mardhënieve të dashurisë, mardhënieve burrë- grua, mashkull –femër, vajzë djalë, të personalitetit të gruas, psh te tregimi ‘PËRROI I NUSES’.Te tregimi ‘LYPËSI’ jepet portreti i një lypësi ,jo si lypësi migjenian, por i një lypësi modern, të cilin autorja e shikon si një fenomen social, si produkt të varfërisë ekstreme dhe vet varfërinë si pasojë e raporteve të pronësisë, pasurimit dhe pangopësisë së pushtetarëve , si përgjegjësi e burokracisë shtetërore.
Mesazhet që burojnë nga përmbajtja e tregimeve janë të shumta dhe të qënësishme. Çdo tregim e ka një mesazh dhe lexuesi i vëmendshëm mund ta evidentojë atë edhe si një vlerë idesh që shpërfaq autorja. Te tregimi ‘AJO’, psh bëhet fjalë për personalitetin e gruas, e cila duhet të jetë vetvetja. Ndodh që njeriu flijohet apo sakrifikohet për hir të dashurisë por, në raportin jeta dhe dashuria, autorja shikon si më të rëndësishme jetën. Dashuria ,thotë ajo, është vetëm një pjesë e saj.
Në tregimin ‘DINJITETI’, pëcillet mesazhi se dinjitetin nuk ta jep pasuria, por thjeshtësia dhe ndershmëria. Në të jepet ideja se njerëzit pa dinjitet kanë një bjerrje në shoqëri. Ose te tregimi ‘PËRROI I NUSES’ del qartë si mesazh mentaliteti që ekziston se një grua që vetvritet nuk meriton të diskutohet për jetën dhe fatin e saj.
Ajo që dallon dhe mund të theksohet lidhet edhe me atë që lexuesi konstaton pas leximit të çdo tregimi,se autorja i është përkushtuar përmbajtjes cilësore të çdo tregimi, duke latuar me kujdes çdo njerin prej tyre dhe duke ruajtur kështu njëtrajtshmërinë e nivelit artistik. Në këtë vëllim vështirë se mund të bësh dallime pëlqyeshmërie mes tregimeve. Rëfimet në këto tregime paraqiten përmes një sekuence fjalësh të zgjedhura si dhe përmes imazheve të palëvizshme ose lëvizëse.
Do të thoshja se disa nga tregimet mund të vlerësohen ,ose të cilësohen edhe si Ese, ku autorja jep argumentin dhe idetë e veta për fenomene të caktuara të jetës përmes një gjuhe shpesh të sofistikuar dhe me ide të nënkuptuara. Si Ese mund të përmendim tregimet:’DASHURIA’, ‘NJË DITË’, ‘MBI URRË’,një ese kjo për dashurinë, guximin për të kaluar nga një gjendje në një gjendje a situatë tjetër, ku mbetet e shkuara dhe ku mund të fillohet një jetë e re,një dashuri e re. ‘E VDEKURA’, një tjetër Ese, do thoshja filozofike, një ese për pendimin mbi një dashuri të vdekur.Ose ‘KUFIRI’, një ese kjo për një pikë ndarëse. Kufiri ndan ëndrën nga zhgjendra, ekzistencën nga mosekzistenca... Në të përdoret antiteza si një figurë stilistike.
Tregimet e këtij vëllimi ,kanë një qasje të veçuar nga realizmi letrar.Ato,thuajse të gjitha, mund ti klasifikojmë si letërsi moderne, në se do gjykojmë nga fakti se lënda e tyre nuk paraqitet me vërtetësi, dhe nuk shmangen trillimet dhe elementët e mbinatyrshëm, që i shmang realizmi letrar.
Tregimet në këtë vëllim janë të mbizotëruara nga Simbolizmi, surealizmi,apo esteticizmi si pjsë e rymave themelore të letërsisë moderne. Kështu psh, në disa tregime si ‘VIOLINA’, ‘NJË DITË’ e ndonjë tjetër, përdorimi i simboleve bëhet në funksion të nënkuptimit të ideve dhe cilësive, duke u dhënë atyre kuptime simbolike që janë të ndryshme nga kuptimi real. Në jo pak prej tregimeve ndeshim mendime filozofike , imagjinatën e fantazinë,si në tregimin ‘SHKREPSIA’ ku autorja përdor “ushtrinë e milingonave” si simbol i të keqes etj.
Në funksion të përmbajtjes dhe ideve është gjuha. Në këtë libër, në çdo tregim apo ese,përballemi me një gjuhë të pasur me sentenca, pyetje reteorike, përshkallëzimin e fjalive, apostrofa, pasthirma, krahasime ,epitete, si dhe figura të pambarimta letrare. E them pa tepri se autorja është një det me ide dhe fushë e pambarimtë figurash letrare. Ajo që të befason është përdorimi i një gjuhe eseiste dhe imagjinata krijuese.
Libri është një pafundësi shprehjesh të figurshme ku mbizotëron metafora krahasimi, personifikimi, antiteza, kontrasti, grotesku, simboli, paralelizmi figurativ. Të gjitha i gjen në faqet e këtij libri, ato janë kripa e gjellës që gatuajnë me brumin e mendimit dhe ideve të autores, çdo tregim.
E them pamëdyshje se tregimet e këtij libri nuk mund të lexohen,siç ndodh rëndomë, me prozën e realizmit letrar,ku kemi një narativë rrjedhëse,me personazhe konkret që lëvizin dhe veprojnë... Jo ! Këto tregime i lexon por ,duhet tu kthehesh që të kuptosh domethënien, mesazhet etj, pasi dominohen nga simbolika, nënkuptime idesh shpesh të sofistikuara,dhe nga nje gjuhë që të mbërthen dhe të mban në vend, për të rilexuar. Shkurt janë tregime elite të letërsisë dhe më të përtypshme për elitën e lexuesve.
-
- Diskutim krijues për librin me tregime “Perdja e mbrëmjes
Comments