Poemth
U dashurova me të parin shikim,
Pas së parës frymëmarrje,
Teksa mbështeta kokën në të sajin kraharor
Dhe ndjeva regëtimën e zemrës, ngrohtësinë.
Me ëmbëlsinë e një prindi
Më pushtoi,
Duke më dhënë gjithçka nga vetja.
Së pari, mikpritjen,
Që ende, në kapërcim dekadash,
Të pavyshkur e mbaj
Këtu,
Në zemërtrokitjen e ditëve ku mungon heshtja.,
***
Kishte mbërritur nga shekujt në ditët tona
Jo si një plakë e kërrusur,
Gërdallë...
Por ende e re si një vajzë,
Si zanë,
Me veshjen e kohëve që ikën
Dhe buzëqeshjen në sytë e përmallë.
***
Eh,
Sa shumë ka ecur gjer këtu
Nëpër rrugët e shekujve!
Herë si zonjë, herë si robinjë,
Herë e gjakosur, herë e vrarë, e bukura Delvinë.
E moçme sa lashtësia vetë:
Që kurse Polibi e Tit-Livi e thanë
Se në lindje të Foinikes ndodhej një tjetër vendbanim
Me emrin Eis Getianë...
Dhe Straboni e Plutarku do të shkruanin
Për komandantin Deliva,
Që kishte ngritur atje kampin dhe kalanë...
***
Nëse këtu janë rrënjët
Si e thonë legjendat dhe historia,
Vetë jeta,
Ecja në brazdat e mundimshme të kohës
Dhe lodhja nga pushtimet,
Kanë lënë gjurmët në pamposhtjen e saj,
Nga ku i buron vetë krenaria.
Mbi trupin e saj të brishtë,
Të dërrmuar, të vrarë,
Në shekuj do të shkelnin pushtuesit sllavë,
Bullgarë,
Normanë e anzhuinë...barbarët me radhë,
Gjersa ia shpuan trupin me shigjeta,
Brinjë më brinjë,
Pushtuesit osmanë.
E fshehur mes kodrash të larta
Syri i diellit rrezet s’ia kurseu.
As hëna netëve ndriçimin dhe këngët.
As yjet,
Që me të vallëzuan me meloditë e legjendarit Orfeu...
Nuk pyeti për erërat dhe dimrat
E acartë.
As për furtunat e shekujve plot plagë:
As për frikën e dyndjet pushtuese
Dhe errësirën ku mbeti aq gjatë.
***
Mbijetoi qyteti im
Gjersa drita e rilindjes erdhi më në fund.
Ishin bijtë e tij që rrokën armët
Dhe hodhën në tokën djerrë,
Si bujku, farën
Dhe korrën diturinë,
Zemërzjarrtën dëshirë për kulturën,
Arsimin, atdhetarinë.
E bënë qendër të rrugëkalimit njerëzor
Prej detit,nëpër rrugët gjarpërore
Nga të tjera vise,
Gjer në djepin e kulturës së zbardhur me borë.
Nga Parisi-metropol
Do të kalonin, nga këtu, pasarelat e modës,
Karnavalet, panairet...
Për t’u shfaqur pastaj,
Me tërë madhështinë, në sheshet dhe skenat e Korçës.
***
Kjo ishte Delvina që njoha
Prej historisë dhe traditës,
Teksa zhytesha në ëndrat e rinisë
Dhe përfytyrimet e kohëve të shkuara.
Gjer në ditën e lirisë.
Isha veç një çunak kur erdha këtu
I ndrojtur, si bujtës
Në dhjetëvjeçarin e dytë pas fitores,
Kur ende i kishe në fytyrë vuajtjet
Dhe të pashëruara plagët e luftës.
E mbaj mend fytyrën tënde rrezëlluese,
Teksa shfaqej në një buzëqeshje të madhe
Edhe brenda shpirtmirësisë njerëzore
Dhe në çdo dorështrëngim e përqafim
Ku dashuria frymonte.
E kishe ti një emër të mirë:
Kishe dëshira dhe ëndra shumë.
Kishe vullnetin për të shkelur mbi të keqen
Dhe të ecje përpara flakëndezur
Për arsimin, kulturën, diturinë.
Me ty u rrita, u burrërova.
Të dhashë ç’ka munda,
Më dhe botën tënde
Ku lëvizin gjaku e limfa,
Ku janë ngjizur dhe kanë marrë jetë
Të miat ëndrra.
***
Sot hapa derën e kafazit të mendjes
Nga ku tirada kujtimesh fluturuan.
Mundohen të gjejnë djalërinë,
Ata njerëz të mirë zemërartë,
Atë zjarr që ngrohte dashuritë,
Atë bukuri që rrinte mbi kalatë.
Përpiqem, por jo!
Kemi ndryshuar të dy.
Ti e veshur më bukur, por e ftohtë
Unë me dhimbjen brenda meje
Dhe thinjat mbi kokë,
I pezmët prej heshtjes që shoh në të tuat sy.
T’i kanë zhveshur të bukurat rroba
Ca të marrë.
Në vend të kalasë veç ca mure e gurë,
Si relike, të lanë.
Ti shembën hanet e traditës
Ata që kërkuan paranë
Pa e ditur se shpirtin ta thanin.
Mbi shinat që na lidhin,
Tani vargjet e mia ecin dhe kërkojnë
Të gjejnë dashuritë.
Të thithin lëngun e luleve të jetës
Si dikur.
Por jo!
Janë vyshkur lulet në vazo ndër ballkone
Nga ikjet e bijve të tu.
Dhe kjo të ngjall trishtim.
Mërzitja të pushton.
E shoh në syt’ e tu ku fshihet ky shqetësim i dhimbjes
Mbetur brenda heshtjes...
***
Dhe prej heshtjes flas:
Le t’i çelim sytë e shpresës
Dhe të shikojmë tej dhimbjes, brenda nesh.
Për mua mbetesh zonjë
Krenaria të buzëqesh,
E imja Delvinë.
Panajot Zoto
Comments