top of page

PANAJOT  BOLI: Tre lirika


Tre lirika

NGA PANAJOT  BOLI

 

NË OBORRIN TEND

 

   -Në dritarën tende,borzilok do bëhem

       Për hatrin tend, i pamartuar  ngelem-

                      -Motiv popullor-

 

Ngeli strehë shpirti, ky oborr për ty

Princeshë e trishtë, në këtë mbreteri

 

Përmbi flokë lulet,të ftojnë për valle

Sytë e tu mallojnë,këmbët bëjnë naze

 

Vijnë të përkedhelin, të emblat fllade

Trendafil i verdhe,mike të thotë, hajde

 

Ndez edhe dritat, kjo e brishta vesë

Në tabaka aromat, të sjell ky mengjes

 

Po të thyhet shtamba, lulet kur i vadit

Hap sytë limoni,edhe  pjeshkën po çudit

 

Në stolin e bardhë, me shikimin tretur

Me një trendafil të kuq, në buzët  e etur

 

Gjithë oborri lulnajë, ti mike kë pret?

Mos vallë të vjen nesër,agu ta sjell vet?

 

Gjithë oborri lulnajë, seç u bë merak

Ah,të isha trendafil, të më nuhasje pak

 

Gjithë oborri lulnajë, seç u bë merak

Ah,të isha  trendafil, të më mirrje hak

 

KJO LULE ...

 

M’u dhimbsen lulet e sherbelit të fshatit tim

U iku bluja dhe ngjyrën e diellit kanë marrë

U ngeli shpirti i tejmbushur me aromën plot

Bukuria dhe shpresa u shkrinë e u bënë farë.

 

Kjo lulja ime e dashur fle me endrra përherë

Si dashuri e malluar që zgjohet në pranverë

 

Një fije e bardhë u ul e ndrojtur në flokët e tu

E ëmbëlsia e syve u mpiks si mjalti në korrik

Dashuria u poq si lulja e sherbelit, aromëplot

E puthja në buzë me e etur,me zjarr nostalgjik

 

Këto sytë si lulja ime flenë  me endrra përherë

Si dashuri e malluar që më zgjohet në pranverë

 

TI MË VIJE NË MENGJES

 

Në mengjeset dritëlarë të Majit

Ku gjumi pikonte mjaltë

Thellëzat ia mbanin me iso që ndajnatë

E në pentagramin e qepallave

Shkruanin serenatë

 

Seç bëlbëzonin përgjumesh buzët

Si bletët që kërkonin nektar

Ti vije si Zanë dhe ikje ndaj të gdhirë

Me një puthje ëndërr të etur

Si oaz në shkretëtirë

21 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page