top of page

PANAJOT BOLI: DY SKICA


DY SKICA

NGA PANAJOT  BOLI

 

 

PRRALLI I MOÇËM DHE DEPUTETI

 

 

U hap lajmi se do të vinte deputeti i radhës. Më saktë kryesia  e fshatit lajmëroi. Ajo që bëri kureshtarë banorët e atij fshati, që ishte ngjitur malit sikur e kishte zënë prej mesit,ishte se deputeti banonte në kryeqytet dhe se do të kuvendonin poshtë prallit të moçëm. Thoshnin se ishte një profesor i mençur dhe popullor. Dhe se Partia  e tij bënte sakrificë të madhe që e sillte këtë gur të çmuar të saj në zonën e tyre. Kështu thoshnin...  Edhe Koçit që kishte shtëpinë në krye të fshatit, aty ku fillonin shkëmbinjtë e malit, i vajtën në vesh këto habere.. “Djall o punë-mendoi, - ç’i shkrepi këtij kandidati të na mbledhë në prrallin e moçëm? Të tjerët që kanë ardhur i mbledhin  në kafenen e Pipit dhe pasi na  trullosin me lloj –lloj fjalësh të bukura ,në fund na qerasin ndonjë raki duke na hedhur krahun vëllazërisht sikur i ka marrë malli shumë për ne. Pa le që është edhe kafeneja  e Katit dhe fillon xhelozia. Ndonjë që është me i thekët, na e jep kafen te Pipi dhe rakinë te Kati. Kështu  nuk i ngelet qejfi asnjërit dhe ruan “unitetin” e fshatit. Po ky që na mbledh te Pralli, ose është cingun, ose  nuk do ta prishë me të dy pronarët e kafeneve. Po Koçi arsyetimin  e kthente edhe nga ana tjetër. “Ndofta ky që vjen nga bota e akademikëve është më finok.. Jo vetëm finok, por edhe i zgjuar. Do të na ngjall nostalgjinë e kohëve të qëmotshme ku në këtë prall mblidheshin burrat e fshatit  dhe mirrnin vendime të rëndësishme.Këtu në hijen e tij u betuan tre burrat e kryesisë se nuk do të firmosin që fshati të bëhej çiflik. U gjakos firmani nga gjaku që u rridhte çurk nga goditjet mbi trupat e tyre.  Se fundi u prenë edhe  kokat... Apo historia e vejushës  që me florinjtë e saj shpëtoi fshatin. Apo nata e tmerrshme  ku njëvarg shkëmbinjsh u shkëput nga mali dhe tmerruan fshatin dhe viktimë mbeti një grua...  Sa ngarje ka parë dhe ka degjuar ky prrall? Të pasosura...Metrazhi i shiritit të filmit është i pafund...Sikur këto regjistrime të na i shfaqte, sa gjera interesante  dhe të çuditshme do të dëgjonim e do të shikonim”  Sheshi poshtë prrallit uturonte si një angjensi lajmesh e shfaqjesh  pa regjisor’

Teksa doli nga kafeneja e Katit , pasi kishte blerë disa ushqime, instiktivisht ndaloi para prrallit  dhe e shikonte me kureshtje. Degët e tij shtriheshin  si telat  e një çadre gjingante. Njera qe shtrihej nga ana e perendimit , atje ku lidhej me trungun , kish një zgavër  dhe disa plasaritje. “U bëre si dora ime e djathtë, moj e shkretë. Ma gërryejti reumantizma. Kushedi edhe ti sa  të dhemb” -iu drejtua asaj gati me zë. Kati që kish dalë te dera e lokalit , kur e pa të rrinte si i stepur para prrallit e pyeti:

-Harrove gjë?

-Jo, jo...po kujtohesha për ndonjë porosi tjetër

-Hajt ,nxito, na vjen edhe deputeti..

...Ishin grumbulluar mjaft njerëz poshtë prrallit . Disa kishin marrë karrike nga kafeneja pranë, dikush ishte ulur te ndonjë gur që e kish zvarrisur deri atje, ca ishin ulur në shesh. Deputetit, kryeplakut dhe një tjetër, që nuk e njihte Koçi, u ishin ofruar një stol . Kish lezet. Vërtet deputeti dukej burrë i mirë. Degjonte  me vëmendje,f ytyra e tij e rrumbullakët që kuqonte, mirrte një pamje  të ëmbël kur fliste.. Dukej i matur  dhe kjo i pëlqeu Koçit. Nga sa e preu ai, deputeti duhet t’i kishte kapërcyer të pesëdhjetat. Rondokop,  i mbushur, me shpatulla të gjëra,  këtu prapë  Koçi bëri llogaritjet e tij në peshë, e kalon qindshin.  Çdo gjë shkonte fare bukur. Njëri në krahun e tij  insistonte te rruga.“Rrugën  e kemi problem kryesor... Po na bëre këtë  i nderuar kandidat, do të kemi këtu, mbi kokë.

    • Ma more nga goja,– u hodh edhe Koçi, - po na rregullove rrugën...s’duam gjë tjetër. Edhe shumë të tjerë  filluan të flasin pa rregull. Ë, po, po rrugëën...  e kemi problem...këtë shoku...dhe një gumëzhitje e trazuar vazhdoi për ca minuta...

Deputeti  i ardhshëm bëri jë lëvizje me dorë. U vendos  qetësi. U ngrit në këmbë. Hodhi një veshtrim nga degët e prrallit. Të gjithë shikuan andej. Nuk kuptonin pse deputeti i ardhshëm ktheu sytë nga  degët e prrallit. Vërtet, ai s’ishte perëndi që ta ndihmonte. Duke treguar me duar ato degë ai foli:

    • I shikoni  ato degë? (të gjithë shikonin të çuditur) Ja ku ua premtoj: Rrugën do ta shtroj me beton. Nëse nuk e bëj, ja në këtë prrall do të hedh litar e do të varem.

Pati një stepje  nga të gjithë të pranishmit. Pastaj ca duatrokitje të forta

Koçit i kaluan ca të rrënqethura në trup. Po sikur... Po sikur... Ishalla e mban premtimin dhe nuk merr gjynahet ky prrall. E ç’faj ka prralli?

Pas tre ditësh, natën fryu një erë kaq e fortë, sa e theu degën  e plasaritur që ishte mëe trasha  dhe më e madhe. Koçi kur kaloi dhe e pa, psherëtiu. “Shyqyr që u thye, se po të hidhte litarin atje  deputeti, do të shpëtonte”

 

             

               URA E PSHERËTIMAVE

                                                              

 

Është një urë e vogël. Një urë  qe nuk bie në sy. Por ama punën  e bën. Le të thonë është e parendësishëm. Bashkon në një segment fshatin X me rrugën kryesore. Ose më saktë autostraden qe na lidh me një shtet fqinj. Është vepra  e fundit  qe u bë në këtë fshat. Them si vepër arti.Nuk ka rendësi sa kushtoi, As  cila firmë e ndertoi. Interesantja është se u ndertua  me bunkërët  e Enverit. Se dikush i vuri çekiçin  t’i marr hekurin. Kuptohet ata qe  ia dinë vlerën lekut. Nuk jam me mendimin  e ndonjerit qe thotë se kot harxhuam gjithë atë beton e hekur. Ja qe ia gjejmë vendin. Mund t’ua marr mendja sa bunkere u shkulen për të ndertuar’’Urën e Artës’’? As më pak, as më shumë, plot gjashtë.

Por belanë gjeten disa oficerë. Të shkretët oficerë kanë kohë qe  kërkojnë të gjejnë  ku u zhduken gjashtë bunkerët.  Jo se i ha meraku përr bunkerët, por i kanë në inventar. I akuzojnë se i shiten për hekur. Me një fjalë akuzohen për korupsion. Hajde bela, hajde. Pa bërë korupsion, akuzohesh  për  1 kuintal hekura. Sa herë shkelin mbi këtë rrugë. U ranë këmbët.  Pyesin si Stresi të Kostandini dhe Doruntina. Asnjë s’di gjë. Ose dinë dhe nuk duan të trazohen. Kohë të veshtira , thonë. Nuk  e dinë oficerët e shkretë sa herë kanë shkelur mbi betonin e bunkerëve në urë, në betonin e Enverit, se ato janë gjashtë bunkerët  qe i dhanë firmës një fitim neto 3 milionë lekë..

Disa qe e dinë, ndalojnë sipër urës dhe psherëtijnë me dhimbje’’Ah, more i shkretë Enver, të vajti mundimi kot. Të shkatërruan bunkërët. Ku do të mbrohemi ne tani? Poshtë urës?

Një udhëtar i çuditshëm duke degjuar psherëtimat shkroi mbi betonin  e bunkëreve të urës:’’URA  E PSHERËTIMAVE”

23 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page