top of page

PANAJOT BOLI: CIKËL ME POEZI



 

FLUTURA  NË KRAHËT  E MIA

 

Si me turp  e naze më bëri ftesën për vallëzim

Bluzëbardhë si përherë, me të bukurën veshje

Si s’më pyete pse dridhesha, mos kisha ftohtë

Vetëm tinëz me shikoje, e ëmbël buzeqeshje.

 

Dora dridhej përmbi bel. Oh, ç’më tradhëtoi

U hutova, shikoja qiellin tënd plot shkëndijime

Vallëzimi më përkundi si në ëndërr lundrojacikë

E lutesha: Në krahët e mia mbetsh flutura ime.

 

Krahët e fluturës, një shtrëngim padashur, sëmbim

Si mornica lumturie renden elektronet e dashurisë

U çmend ritmi i muzikës, si fluger  trupat tona

Një magji e vërtetë  plot zjarr në valsin e lumturisë

 

S’TË VJEN KEQ  MOJ  HENA IME?

 

Moj çapkene lozonjare

Nga ku erdhe hëna ime?

Sonte lërmë të përqafoj

Të lundrojmë në ëndërrime.

 

Drita jote mëkatare

Ma deh shpirtin plot magji

Zgjat dorën, drithërohem

Prit, të lutem, se po vi.

 

Ti më qesh e dorën zgjat

Duke dredhur atë bel

Ah, m’u fshehe pas një reje

E nxjerr syrin  e ma shkel.

 

Ç’pate moj që loz me mua

Hyjneshë  hireplot?

Rend pas teje si i çmendur

Prit, të lutem, s’të kap dot.

 

Ah, u lodha , u raskapita

Ty për mua, s’të vjen keq?

Njome pakëz  shpirtin tim

Kam një jetë që të ndjek

 

ÇEZMA  E VJETËR

       

 

Njom buzët sot te uji i bekuar i çezmës së vjetër në fshat

Pikat  e tij rreshqasin në gushë e më puthin njëmijë herë

Këndon ajo në lefytë  e  mua  më mermerit ca fjalë malli

Dhe s’ngopet të më flladis shpirtin, të më shuaj të terë.

 

Ulem te guri i sheshtë ku ulnin bucelat ngadalë nuset e reja

Hedh krahëve nostalgjinë nga dhimbja  e shurdhët  lënduar

Më vjen si në mjegullë,ajo, sykaltra, princesha e endërruar

Dhe unë, me shpirtin qe  dridhej,sa herë radhën i kam leshuar.

 

Çezmja ime e vjetër e heshtur në fshat me gurë të hirtë latuar

Malli i lodhur dhe lefyti i lemuar,o sa  shumë myshqe  leshuian

Kërkoj sapunin e bardhë në kamaren  e heshtur  të laj   fytyrën

Ajo buzeqesh kur pi, gurgullon, këndon , por etjen s’ma shuan.

 

 

 

AH, KJO THËLLËZË!

  -sipas motiveve popullore-

 

 Kjo anë  e Bistricës

Ka bilbila  shumë

Ah, edhe një thëllëzë

Ç’më lë  pa gjumë.

 

Vajta iu luta lumit

Të më tregojë folenë

Natën t’i zë pusinë

Natën-o me hënë

 

Presim, oh, sa presim

Unë me lumin zgjuar

Nën një hënë magjike

Bashkë të përmalluar

 

Presim, po ku është?

Vallë na ka kuptuar?

Unë me lumin bashkë

Të dy  të dashuruar.

 

Ja, ikim pak më lart

Këtu në ngushticë

Ç’ma trembe thëllëzën

Moj e bukura Bistricë

 

Ah, ç’më ike larg

Vallë, more inat?

Ta dish princesha ime

Këtu të pres për natë.

 

 

SA  MBYLL  SYTË

 

Agimi i ditës më puth qepallat e syve  poshtë pjergullës

Puhiza më përkedhel faqet si fëmijë me mall  e ëmbëlsi

S’përmbahen zogjtë e dashuri bëjnë në dëgët e harlisura

Si princeshë fanitesh  ti: Gjumash. të zuri gjumi përseri?

 

E dorën zgjat të provojë pak qumësht nga gota ime e panisur

Thjesht si kungim dashurie, e vë në buzë ngadalë, tërë yjet pi

Me  naze mbi mua përkulet  me buzët e etura ,e, ah, pëshpërit:

-Sa bukur zogjtë harlisen....Fle gjumashi im , nuk ke pak zili?

43 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page