top of page

Panajot Zoto: CIKLI POETIK  “MALL”  




 

 “Ndjenja e mallit  është një ndër derivatet më të fuqishëm për çdo lloj dashurie”

                                                                                                      AZ- “Më ka marrë malli”

 

  Jam   këtu

-Antuelës, sime bije-

 

Jam këtu

 në shtratin tënd të  përjetshëm,

 mbi baltën që rëndon trupin e pajet.

Prek mermerin e ftohtë,

mbulesën nga ku shikimi depërton gjer poshtë.

Nndjej  piskamat e  dhimbjes së ndarjes,

 dhe mallin që s’ shuhet  me britma dhe lotë.

 

 

Erdha të të pyes:

në se mërzitja shpirtin ta rëndon,

në se malli për ne të ka marrë,

në se  me heshtjen brenda varrit  flet,

në se  lotët e derdhur mbi mermerin e ftohtë i shikon.

 

Më dëgjon?

Jam këtu ,çuditërisht ,afër dhe shumë larg

 bashkë me dhimbjen dhe mallin.

Hape portën e shpirtit tënd 

të futen brenda  tij

puhiza  e detit dhe era e malit,

të të flladisin trupin, të të puthin ballin.

 

Ikje

 

Çdo  mëngjes

Pas një gjumi përhumbur në ëndrra,

ndjej qytetin të qaj me lotët e njerëzve

të lodhur nga pritja...

Dhe pres

me sytë nga deti tramundanë

drejt  rrugës  së ikjes.

 

Lotët pikojnë nga sytë e rrugëve,

që  nuk shikojnë të dashurit e tyre,

veç  belbëzojnë:

ku ikën, ku janë?

 

Qyteti,në vetminë që  vret,

këngën e mërgimit ka marrë;

ndërsa valët përplasen në breg

era  lajmëtare,

nga larg sjell mall.

 

Ballkoni i fëmijërisë

 

Ky është ballkoni i fëmijërisë  sime

tani i shprishur si fytyra me njolla herpesi,

i braktisur.

I lënë të vuaj pritjen e pakthyeshme

të  dashurive,

që dikur e mbushnin me lule dhe tinguj jete.

 

Kërkoj këtu të gjej  vitet që kaluan

si një nostalgjik i sëmurë,

që ndjek pas hijen e vetvetes.

Përjetoj ngjarjet mbetur brenda  meje

si kujtime të bukura,

që i shikoj nga  nënballkoni i syve.

 

Mbi këtë ballkon e në këtë shtëpi

të braktisur nga haresa,

ku lindën dhe u rritën dëshira dhe shpresa,

ranë jo vetëm rrëmetet e dimrave të kohës,

por dhe  fuqia e vetmisë

si një  pafuqi mbijetese.

 

Edhe sikur Himeri,zot i dëshirës së zjarrtë,

nga qielli të zbriste me të gjitha gëzimet e botës,

brengën e  zemrës nuk mund t’ma largonte

dhe as hidhërimin për kujtimet e kyçura

në hapsirën pa jetë brenda portës.

 

Këtu kanë mbetur kujtimet e fëmijërisë,

në këto mure të rrënuara që ngjallin nostalgji.

Brenda tyre ndjej aromën fëmijnore,

qarjet, britmat, ankthet...

dhe  dashurinë  e përkëdhelitë e prindërve të mi.

 

I mblodha  kujtimet

 

Të lodhura erdhën nga një rrugë e gjatë

Ca zbritën nga retë, ca harbuan nëpër  sanë

 më sollën rininë e mbetur   në vite,

më lanë pa fjalë, të fle nuk më lanë.

 

Ma  larguan, ma shprishën gjumin kujtimet,

më sollën mallin,  lëngun e jetës  ta pimë  këtë natë.

Bashkë ndenjëm  gjer në ag’ sa pritëm zgjimet

dhe, jetën e zhurmshme për ta nisur prapë

 

I mblodha kujtimet  shpërndar nëpër vite

.Një tufë shumëngjyrëshe me to e bëra

dhe hapa portën e shpirtit të heshtur

aromën e tyre e futa brenda.

 

Kjo natë

 

Kjo natë e gjatë pushtuar nga trille,

që natyra shpesh surprizon,

më ngjall trishtim, më shkakton dhimbje

në pritje të ditës  që agon.

 

Përplasen në dritare zhurmat e natës,

që vinë nga larg me uturimë.

S’di pse më duket se ecëj dhe unë

shaluar mbi ëndrën e natës-vetëtimë.

 

Shaluar mbi retë  bashk’me  kujtimet

ecim me trokun e  erës nëpër natë,

si zogj të erësirës, si dikur perënditë,

agun e ditës të sjell pas pritjes së gajtë.

 

Kjo natë me erën sokëllimë

 më  sjell mall,që si çukitje zogjsh mbi xhama e  dëgjoj.

Eh,ç’ma morri gjumin, më la me kujtimet

këtu posht’dritares,  duke pritur dritën të vegoj.

  

85 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page