top of page

POETI KOMBËTAR


Myrvete Dreshaj Baliu


(Konceptet e Çabejt)


Shkrimtari është një mit, i cili kërkon të ringjallë një komb të tërë, thonë studiuesit e kërkimeve etno-historike në veprën e Eqrem Çabejt, duke e vendosur kombin ‘nacionin’, siç e quan ai, në rrafshin gjeografik e historik, për ta përcaktuar edhe nacionin shpirtëror të tij.


1.

Përkushtimi i Çabejt për letërsinë, edhe pse në dukje të parë krejtësisht në miniaturë, krahas shkrimeve të tjera, i la vijëzimet e veta në studimet nga fusha e letërsisë shqipe. Konceptet e tij edhe sot kanë peshën e tyre për shkrimtarët e vjetër, pastaj rezultatet teorike që ndërlidhen me historinë e letërsisë shqipe, për gjenezën e kësaj letërsie. Ato kanë vlerën e tyre të atëhershëme premtuese e sot dëshmuese, që vë në raport krahasues letërsinë e romantizmit shqiptar me atë të popujve evropian; pastaj shkrimet për figurat që përcaktojnë letërsinë shqiptare të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX, De Radën, Naimin, Nolin, Fishtën etj.


2.

Kur në studimet e tij, Çabej përcaktoi shkencërisht vendin gjeografik dhe zhvillimin e popullit që jeton në këtë vend, ai nuk shprehi thjesht vetëm dëshirën për të thenë se ky vend ka edhe letërsinë, e cila mund të dëshmohet me librat e botuara, por pohoi se ky vend ka literaturën e vet, e cila është shprehja më e vërtetë e shpirtit shqiptar, shprehja estetike dhe etnike e tij. Studiuesi Çabejt, duke e njohur atë në brendi dhe duke qenë pjesë e pandashme e këtij shpirti, zbuloi në këtë literatureë (letërsi), më mirë se kudo tjetër qenësinë kombëtare. Prandaj, qëllimi i kësaj teksti është vështrimi i pozicionit definues të poetëve tanë brenda kritereve përcaktuese të periudhës së parë historike-letrare, siç e emërton Çabejt periudhën kur ideja patriotike ishte më e madhe se çdo gjë tjetër për çlirimin e atdheut.


3.

Në tekstin e tij përgjithësues dhe sintetizues Çabejt vlerëson lëvizjet e mëdha botërore, siç janë reformacioni dhe kundërreformacioni dhe lëvizjet e tjera, të cilat kanë lënë gjurmët e tyre edhe në literaturë, duke i krahasuar me kohën (historinë reale) të jetës së poetëve tanë kombëtar, kur ata lanë gjurmët në letërsinë tonë. Një radhë e tërë shkrimesh, si vjersha, poema, balada, lindin për herë të parë dhe vënë gurë në zhvillimin e një letërsie të shkruar “në gjuhën nacionale dhe vetëm me përkushtim nacional”.


4.

Në shkrimet e tij për letërsinë ekziston një mendim i vazhdueshëm, të cilin Çabej, e ngriti në koncept shkencor të gjykimit për një brez të caktuar të shkrimtarëve dhe poetëve, si bartës të misionit kombëtar. Ai është shumë i qartë kur shkruan: “… shkrimtari zakonisht ka marrë gjithmonë pjesë aktive me tërë fuqitë e veta në jetën e popullit dhe në përpjekjet e tij. Poetit, si një prijës shpirtëror i ka rënë këtu zakonisht edhe barra e apostullit nacional, atij këtu i është dashur shpeshherë të ndërrojë pendën me pushkën; -megjithëse-, ka edhe poetë që kanë ditur t’i përdorin mirë që të dyja armët”.


5.

Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm se nuk mund t’a kundrojë veprën letrare si një strukturë artistike, që bart qenësinë e saj të veçantë dhe të pavarur nga veprimtaria shoqërore e biografia e shkrimtarëve, dhe duke e njohur në thelb kohën në të cilën jetuan poetët tanë kombëtarë, si një faktor me rëndësi në formimin e tyre, Çabej krahas me vendin e me traditat popullore, artin e tyre e sheh si vepër etike-kombëtare dhe madje si dokument etnografik të jetës shqiptare. Shkrimet e autorëve të vjetër janë me përmba­jtje fetare, thekson Çabejt, ndërsa De Rada, Santori, Serembe, Dara, Skiroi janë “shkrimtarë laikë e njerëz përparimtarë, që rrojten e punuan kryesisht në shekullin XIX. Ata janë pjella e këtij shekulli”.

De Rada. Materien e përderdhur në veprat e poetëve tanë Çabej e përcakton si qenësisht etnike. Poeti ynë ka një oazë nga e cila e merr vazhdimisht frymëzimin. Ja se cila është palca e kësaj ame, te “Milosao” e De Radës: “Kjo është vatra shqiptare, është jeta patri­a­r­k­ale e katundeve arbëreshe, jeta e përditshme nëpër fusha e ara, nëpër bregore e vreshta, me skena idilike ndan kroit”.


6.

Pasi vë në dukje rrjedhën e zhvillimit të veprimtarisë së gjithanshme të tyre, si: shkrimtarë, poetë, folkloristë, patriotë, mësues të kombit e të gjuhës shqipe, që përmblidhet në “figura të apostujve të idesë nacionale”, Çabej mendon se gjithë veprën e tyre e përshkon ‘ngjyra politike dhe ndikimi i madh nga folklori’, duke dashur që me këtë gjykim të shënojë edhe idenë e vazhdimësisë së kombit shqiptar dhe të zhvillimit mendor të tij.

Çajupi. Edhe Çajupin, kur e karakterizon si poet, ai vë në dukje gjithë brumin e marr nga poezia (fryma) popullore, duke theksuar faktin se “përmbajtja e vjershave është më shumë e marrur nga jeta e popullit të vet”.

Noli. Në krijimtarinë e Nolit Çabej shihte të projektuara idetë dhe përpjekjet e tij për liri sociale e politike, si dhe konfliktet e brendshme shpirtërore që rezultojnë në njëjtësimin e shkrimtarit me veprën. Qysh atëherë, Çabej tërheq vërejtjen se vepra e Nolit është autobiografike, duke veçuar, se: “Në qoftë se fjala që vepra e një shkrimtari është pasqyra më e vërtetë e forma e mentis dhe e shpirtit të tij, ësht’ e drejtë, atëherë vjershat që shkroi ky poet dhe veprat e shqipëruara që na ka lënë përfaqësojnë në kuptimin e tyre simbolik që në krye e gjer në fund një konfesion të vetëm, credon e një njeriu e të një jete”.

Naimi. Duke ndjekur mirëfillshëm konceptin e tij për mënjanim të pamundshëm në trajtimin e letërsisë jashtë kontekstit historik, Çabej veprat e shkrimtarëve nuk i shikon vetëm si tekste letrare, por edhe si kontekste kulturore, historike, politike, etnopsikologjike etj; sepse, thekson, është koha kur letërsinë e përshkon fryma etike, dhe si periudhë historike e dallon ideja patriotike për t’i dëftuar kombit vlerat e veta historike-kulturore dhe për t’i vënë ato vlera në shërbim të përpjekjeve për afirmimin e mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe zhvillimit kulturor. E gjithë kjo sintetizohet në veprën e Naimit, prandaj duke e kuptuar rëndësinë e veprave të tij, Çabej vë theksin: “Naimi është bërë me të drejtë një symbol për nacionin shqiptar, gati një mit, një legjendë”.

Naimi, shkrimtar romantik ballkanik, me temën dhe karakterin e veprës së vet, kërkon të ringjallë një komb të tërë, do të thoshte Çabej.

Fishta. Duke e përkufizuar letërsinë shqiptare si pjesë jetësore të kulturës së kombit dhe si pjesë të përgjithshme të historisë së tij, Çabej kur shkruan për epikën e Fishtës, imazhin e personalitetit të tij e konkretizon si të “rrënjosur thellë në vendin e tij, të cilin e linte vetëm për pak për t’u kthyer gjithmonë rishtas atje. Fishta fuqitë e tija njerëzore e poetike i thithi prej kësaj toke.”


7.

Në vend të përfundimit. Dhe më në fund, duke mos dalë nga rrjedha e mendimit konceptual të Çabejt, se “literatura zhvilloj më fort anën nacionale – politike” dhe kishte për qëllim, veçanërisht, individualizimin nacional: krijimin e një shteti kombëtar, të literaturës së vet dhe të një gjuhe letrare; poeti kombëtar, si bartës i kësaj literature, krijoi një art kombëtar, të thjeshtë e të vërtetë sepse ai ishte në radhë të parë: patriot dhe dijetar, botues fletoresh dhe të përkohshmesh, shkrimesh shkencore dhe antologjish shke­ncore.

Prandaj, thekson Çabejt, ishte koha dhe vendi, që kushtëzoi lindjen e poetit kombëtar dhe zhvillimin e letërsisë si krijim i shpirtit të Kombit dhe Atdheut të saj.

51 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page