top of page

ORAKULLI KOÇO QENDRO...


KOÇO QENDRO DHE MIHO GJINI

Intervistë nga Miho Gjini "Mjeshtër i Madh"


E vura veten në rolin e një njeriu pagan dhe vajta të falem në emër të Hyjnive që krijuan edhe TEATRIN, si një tempull të shenjtë.Jam munduar ta bëjë këtë gjithë jetën time, duke shkuar para tempujve të teatrit me shpirt të pastër. Jam emocionuar, qarë e qeshur, e jam falur me zemër në dorë para atyre që i kam quajtur "Orakull". Kështu,pa i përmëndur një e nga një, shëmbëlltyrat, në të dalë të Pandemisë, u ndodha në Delvinë e mbështeta dorën e zemrës tek busti i aktores Hajrie Rondo, së sapo ngritur dhe ja ku jam tani, para Delvinjotit tjetër: KOÇ QENDRO në Korçë, si të jem para një orakulli: të aktorit 95 vjeçar, që afroi shekullin në skenën e tij e po merrë përmasat e një të shënjtëruari, vetëm me nje rol, me Harpagonin e Molierit, si dikur Servantesi Spanjoll me "Don Kishotin e Mançës!" që ndeshej me mullinjtë e erës! * * * -Koço i dashur, jemi këtu, në këtë vënd të bekuar të Kishës së"Shën Gjergjit", ngritur që në vitin 1905 e prishur nga barbarët më 1971-shin,-edhe pse tani në një lulishte, për të folur me ty, si para një "Orakulli", po edhe si dy Delvinjotë të mirë, ti nga Senica e Rrëzomës e unë nga Piqerasi i Bregut të Detit... - Mirësemëkeardhur në derë e na u shtoftë jeta të dyve, se jemi vërtetë nga një "oborr", që dikur i përfshinte një administatë e që venim e vinin gjithë jetën. Se ishim një vrap pele largë!Ju piqerasiotët tek ne vinit dhe e bënit pazarin, herë me kafshë e herë me këmbë... - Kur leve Zotrote? -Më 5 të mjit, të motit 1927. Po në Delvinë e kam marrë erën e jetës, si fëmijë këmbëzbathur e herë me opinga llastiku veshur gjersa u bëra për shkollë e hoqa llastiqet e zogjve nga qafa! Qe kohë luftërash atëhere e nuk na qeshte buza shumë. E, sa u bëra 16 vjeç djalë, dola partizanë me shokë bashkë. -Të përfshin idealet e komunizmit edhe tya, o artist i lindur për artist?! -As që e dija se ç'është komunizmi, po dola malit, si të isha në një ëndër që feksi përpara syve... - "Me ideale ne gji",-si thotë edhe kënga, apo jo? --Ç'thua morre...Më përfshiu vrulli i atëhershëm..I riu si veriu. Mpleksur me ca trima që i pata shok të afërt e moshatar,-midis tyre edhe me Mitro Xhanin nga Piqerasi yt, me Memo Meton e me djalin e Jaho Gjolikut, Aliun, që u vra në kodrat e Shën Vasilit. Djem e shkuar djemëve. Trima të çartur. Që nuk e kursyen kurrë jetën e tyre për një ideal të pastër gjaku e vëllazërie... -Dhe e vazhdove jetën ushtarake edhe pas çlirimit të vëndit? -Po. Me gradën toger. Më emëruan si Shef i Shtëpisë së Oficerëve në Kavajë e më pas në Elbasan , deri në vitin 1953, kur kërkova vetë që të largohem nga karjera ushtarake.. -Po pse?..Si ndodhi kjo "hata"? -Nuk më pëlqente koburja në brez... Gjatë luftës i doja armët. Shumë herë i shkrepja në ajër, po kisha parë edhe sesi i'a drejtuan armën një shokut tonë e na i vranë pa gjyq fare.Më diktuan që në brez mbaja vetëm kllëfin e kobures dhe më leqendisën në një mbledhje, kur dikush më kishte propozuar të bëhesha komunist me tesër. Një tjetër tha edhe këtë: sikur gjatë provokacioneve të pasluftës në afërsi të Bilishtit, më ishin "dridhur këmbët nga monarkofashistët"!..E, pasi më thirrën edhe në një zyrë të veçuar të më "këshillonin", menjëherë e bëra "Kërkesën e Lirimit". Po pata edhe një arësye tjetër: Kisha parë në Bulevardin e Korçës një vajzë që më pëlqeu shumë e doja ta bëja shoqe jete... -As ajo,besoj, nuk e pëlqente koburen në brezin e uniformës tënde të oficerit?! -As ajo! Dhe ngaqë më ishte fiksuar në mëndje e në shpirt, ajo vajzë, nuk ma merrte mëndja se do kthehesha i gjallë nga Bilishti. Po Perëndia qe me mua, u ktheva dhe u fejova menjëhere me të! -Dhe hodhe rrënjë në Korçë që atëhere, ti Delvinjoti im? -Po.Fillimisht në Maliq, në Klubin e Bashkimeve Profesionale. Atëhere bënim estradë e provova të shkruaja e të lozja vetë në skenë, bashkë me Aleko Prodanin e më dukej vetja se lozja nën hijen e një lisi. Disa vite më vonë do të kuptoja edhe pse vinte si i trëmbur Alekoja. Kishte një "kleçkë në biografi" i ziu djalë që vdiq në skenë,duke interpretuar! -Edhe njohja ime me ju të dy, si artista estrade, prej këndeja fillon,-me sa me kujtohet , kur ju erdhët në një Festival të Estradave Profesioniste e Amatore që u zhvillua në Tiranë në mesin e viteve 60 të shkullit të kaluar, ku spikatën Melpomeni Çobani e Enver Dauti nga Estrada e Shtetit, Skender Sallaku e Koço Devole nga Estrada e Ushtarit, Tano Banushi nga ajo e Shkodrës, Myqerem Fera e Kruta nga Estrada e Vlorës, Ramazan Njala, Spiro Strati e Aishe Stari nga Estrada e Durrësit,Theofil Haxhijani nga Estrada e Sarandës dhe Koço Qendro e Aleko Prodani nga Estrada e Korçës. Kështuqë, jo vetem që të kishin bërë profesionist në estradë, qerata, po rrëmbeve edhe çmimin si aktori më i mirë i gjithe këtyre artistëve të humorit, bashkë me Melpomeni Çobanin nga aktoret..... -Po. Dhe fill nga ajo kohë, ne të dy, unë me Alekon, do të "gradoheshim" si profesionista nga Estrada e Qytetit të Korçës. Fillimisht me regjinë e Aleko Skalit, pastaj me atë të Thimi Filipit, gjersa erdhi nga shkolla e parë aktorëve që u hap në Tiranë Raqi Çili, me të cilin u vunë në skenë 17 premjera. -Po kalimi yt në Teatrin Profesionist, kur do të bëhej? - Me ardhjen e Piro Manit nga studimet e tij në Moskë. Ai më zgjodhi për personazhin krysor të komedisë së Shekspirit "Nata e Dymbëdhjetë", Sër Endriun, që u dha me shumë sukses e që pastaj u ndalua si shfaqje, nga Kontrolli Punëtor e Fshatar, që u krijua atëhere me porosi direkte të Udhëheqësit të asaj kohe, kundër ndikimeve borgjezo-revizioniste. Ata thanë se me pjesë të tilla mund të dëfrejë vetëm borgjezia! E, kur erdhën edhe brënda në teatër dhe e panë Piro Manin me flokë të gjata, thanë se, që nga regjisori dukeshin ndikimet e borgjezisë! Dhe e urdhëruan atë që të qethej! -Dhe e qethën ata?! -Pirua nuk pranoi. Ndërsa populli i Korçës e kërkonte shfaqjen me insistim që të jepej. Atëhere u gjënd një "kompromis" me Piron brënda Teatrit. Trajçia që dinte të qethte, i'u lut atij t'i merrte pak anët e flokëve me një gërshëre që e kishim në Robaqepësinë e Teatrit. Unë i'u afrova pranë atij dhe i thashë me zë të ulët se tani, kishte mbetur të kërkonin të qethnin edhe autorin e komedisë, po ta shihnin fotografinë e Shekspirit, me flokët më të gjata se të Piro Manit, që "ta kërkonin të gjëndej" e të qethej ehe ai "borgjez i fëlliqur" .Hahahahahahaha -Pra, ky do të ishte roli yt i parë si aktor i teatrit? -Jo. Roli im i parë, që do të quhet edhe i fundit për mua ishte e mbeti Harpagoni i Molierit që do të vihej tre herë në skenë, në kohë të ndryshme nga regjisori Dhimitër Orgocka. Po, brënda kësaj periudhe kohore do të kisha role të ndryshme, si personazhe e karaktere njerëzor, sikundër ishin: roli i Kardinalit në pantomimën "Timonieri i Zotit", Liu Si Tungu në komedinë "Bota e tretë", Kiçka në komedinë " Kur komandojnë gratë", Shaba në komedinë "Aroganti"e tj. Pata role edhe në filmat tanë, me personazhe të tilla të karakterit, sikundr qenë Shefedini në filmin "Përballimi", Aleks Xinxa në filmin "Vendimi", Aleks Lili në filmin "Agimet e stinës së madhe"e Tosuni në filmin "I teti në bronx", Por, duke nisur nga viti 1978 "KOPRACI" do të mbetej si repertotri im më jetëgjatë e i përjetshëm. Nje tragjedi njrëzore që e bënte popullin të qeshte,- siç e cilësoi atë regjisori Sokrat Mio që kishte studjuar në Akademin Teatrore të Parisit, kur e pa shfaqjen tonë! -E di këtë. Qe një fat, jo vetëm për ty , po për gjithë Teatrin Shqiptar, prania e dy vëllezërve Mio, e Sokratit si regjisor i veprave klasike, edhe i të vëllait, Vangjushit, si piktor e skenograf. -Po, kur e bëra rolin para tij, dridhesha i tërri e u mbyta nga djersë të nxehta... Kulloja kur dola para tij."Paske djersitur,-tha ai, me një buzëqeshje të lehtë. Po ky rol nuk mund të bëhet pa u djersitur! Po nuk je keq, jooo, bile e bën shumë mirë këtë rol!". Kaq doja unë, që ta përsosja rolin tim nga shfaqja në shfaqje. Dhe vajtëm me frikë në Shkodër, për ta dhënë shfaqjen, sepse aty e kishte lozur aktori i tyre Zef Jubani me shumë sukses. Po, kur e pa Bep Shiroka, tha se ne " e kishim qarë fare!" dhe u "thyen dyert" që komedia të jepej 17 netë me rradhë". Po vulën do e vinte vetë Ambasadorja e Francës në Tiranë Marisa Dande, kur e pa të plotë shfaqjen në vitin 2019. "Sikur ta dinte Molieri,-tha ajo, se Harpagonin e tij e kishte të plotë këtu në Korçë, do të lumturohej!" -Sa here është dhënur kjo shfaqje? -364 here!,Disa nga personazhet largoheshin nga jeta, po unë mbeta, sikur te mos donte vetë Molieri që shfaqja e komedisë së tij të mos mbetej jashtë repertorit. Atë e pa e gjithe Shqipëria , në një turne të gjate, qytet me qytet,. Vetëm në Vlorë u dhane 24 shfaje , pa nderprerje, ndërsa në Durrës 16. Dhe rradha për biletat zihej që në orën 5 të mëngjesit" -Te kam ndjekur, miku im, gjatë karjeres tende e të kam kujtuar edhe kur më syrgjynosën, si një artist e njeri të përkor, gjithmonë elegant , me edukatë qytetare e me kulturë, edhe pse nuk munde të ndiqje shkolla te larta. Po asnjëhere nuk ke qënur i qete, si aktor, po edhe si krijues, autor i qindra skeçeve e i disa libreteve në estradën tuaj, po edhe i disa librave me karakter letrar, po edhe i disa monografive per teatrin e kolegët e tu. Nuk te zinte gjumi edhe per arshivën mandejë. Per ty Teatri ka qene gjithmonë si një TEMPULL I SHENJTË! Po, a nuk te duket se shteti, sikur mënjanohet, i mbylli estradat që populli i donte dhe sikur i "hoqi nga qafa e vetë" teatrot? Përse vallë, kjo rrënie e interesit? -Ç'të them! Estradat "fluturuan", po edhe Teatri ka mbetur keq, si të ishte "i njerkës!",rrethuar nga vështirësi të mbijetesës! Le të behen edhe eksperimente, po të mbetet teatri, si shprehje e jetës, e figurës njerëzore. Se teatri është i bukur. Ai flet vetë, po të ketë interes për të. Po , a ke dëgjuar vallë, të flitet ndonjëherë në parlamentin tonë për teatrin? Asnjëherë nuk thuhet një fjalë për të. Shteti ja lë përkujdesjen për teatrin pushtetit lokal, ndërsa pushteti lokal, pasi shehë në ka gjëkafshë a jo, për të dhënë, e le atë ne duar të biznesmenëve. Pra, si ta ketë fatin! Dhe shfaqjet bëhen duke kërkuar gjithmonë "miell hua".E pamundur! -Teatri Dramatik i Korçes është rradhitur gjithmonë midis teatrove më kryesore e më potenciale të republikës. Ç'farë flitet e bëhet tani për plejadën e vjetër të këtij teatri, midis të cilëve jeni edhe JU? -Kam lexuar testamentin e te madhit Lasgush Poradeci, ku ai shkruan këto fjalë:"Të të vrasin me plumb, vdes e nuk ndjen më dhëmbje. Po, të të vrasin në shpirt, e ndjen dhëmbjen sa të jeshë gjallë". E, këtë përjetim e ke më së shumti,-shtoj unë,-kur je vetëm, në vetmin tënde!" -Atje në Delvinën tënde i'a bënë-të paktën- një portret skulpture, prej bronxi aeristesHajrie Rondo,-brezi i ri i pushtetarëve,kur ai i vjetëri nuk i krrente bursë që të vazhdonte realizimin e ëndrave të saj,-po këtu në Korçë, kujt do t'ia bëjnë të parit bustin a shtatoren, kur numërohen kaq shumë artistë të nderuar e me vlera kombëtare? -Ashtu ështe. Këtu nuk janë një e dy e tre, ata që meritojnë të vlerësohen , po me dhjetra: Që nga Regjisori Sokrat Mio, i cili e lozi vetë edhe rolin e Dezdemonës në tragjedinë "Otello " të Shekspirit që në vitin 1924 e që vazhdoi të bënte teatër në Korçë e gjetkë edhe në tre dekadat e mëvonshme, po edhe i vëllai, Vangjush Mio, si piktor e skenograf, po me atë stazh krijimi me vlerë ishte... E më pastaj: me aktoret tona që nga koha e luftës e më pas, po edhe me artistë origjinal si Pandi Raidhi,Krisanthi Kotmiloe Dhimitra Mele, Thimi Filipi, Stavri Shkurti, Spanja Pipa, Çifti Orgocka, Vangjush Furxhiu e me rradhë, të cilët meritojne buste e permendore të larta në mjediset publike të Korçës.... -Teatri juaj ende mba emrin e një autori të nderuar Gjirokastrit dhe të gjithë pyesin si, qysh e ç'farë ka ndodhur kjo "punë emërtuese", që e marrin nga qyteti jugor, sikur këtu tek ju, nuk keni më emëra për të vënë në ballje...! -E tha një dikushi e dikur, këtë emer, që t'i bnte qejfin edhe Udhëheqësit nga Gjirokastra e kështu mbeti, po këtu ka sa të duash emërra të ndritur, që nga Mihal Gramenua, i penës, i skenës dhe i dyfekut, i cili e ka lozur rolin e Vaidesë që në vitin1909, para se të bashkohej me çetën e Çerçiz Topullit. Dhe plot emëra të tjerë.... -Po, a janë të fiksuar këto emëra që bënë historinë e artit në qytetin e në skenën tuaj? -I hyra vetë kësaj pune të vështire e të lodhshme, pa më thënë kush... Bëra edhe diçka. Po në bodrumin e Pallatit të Kulturës, ku e pata sistemuar dokumentacionin që mblodha me aq mundim e durim, plasi uji e gjithçka o dëmtua e u prishë fare...U dha edhe një urdhër që të pastrohej bodrumi e deshë i hodhën gjithë letrat, tekstet, Afishet, Fletë-Palosjet e fotografitë në kazanin e plehrave. Shpëtova shumicën prej tyre dhe, me to, ngrita muzeun e teatrit, brënda teatrit. Kërkova rafte, stenda, dosje, letra, ngjitëse e për të gjitha këto askush nuk e çante.....Më duhej të çalltisja vetë e të interesohesha që t'i gjeja privatisht..Po, kur dola në pension, gjithëçka u shkatrua përsëri,,, -Dhe faji ra mbi ti përsëri, o Derëziu Koço? -Si të ta themë, o Miho vëllai!? Këtu qe edhe dosja e asaj komedisë tënde që vuri në skenë teatri ynë. Edhe ajo komedia tënde një aktëshe që realizoi estrada..Po dhashë e mora që t'i gjëja,- kur i kërkove Zotrote dhe nuk i gjeta dot! Se humbet edhe Bualli këtu!"Ç'të duhen ti këto punë?!,- më thanë disa me ironi, ikë bre kumbisu! Apo do ndonjë Fletë Lavdërimi a distriktiva si ato të Maos akoma?! Atëhere unë vendosa që ta bëja ndryshe arkivën. Nisa nga fillimi edhe këtë rradhë. Po në shtëpinë time ama, fletë e nganjë fletë. Duke mbledhur fotografi të tjera. Buke bërë dosje për sejcilin, me rafte që i sajova vetë e me broshura e libra që u ula t'i shkruaj e botojë po vetë dhe t'i paguaja me pensjonin tim të vogël e me ndonjë lekë që me ofronin nipat e mi. Kështu, shkrova e botova: "100 vjet TEATËR NË SKENËN KORÇARE"(1987-1977), "Vlerat në skenën e Teatrit Profesionist Korçar" (Fakte, mbresa, kujtime), "Artistet e skenës Korçare", "Dhimtër Trajçe" (Monografi), "Dhorka e Dhimitër Orgocka" (Monografi), "Album Vetiak nga jeta dhe skena" etj, gjithëçka të realizuara me sedër, në ruajtje të vlerave tona. -Si të kan vlerësuar e të vlerësojnë për këto pune, o Nikoqir i Madh-ARTIST? -Më kanë vlerësuar pesë herë si "Aktori më i mirë" nëpër festivale me nga një Diplomë Karte, me hiç-asgjë nga mbrapa,me dy çmime në "KoKo Festë" e një herë nga revista "KULT", me diçka nga mbrapa, si edhe tri herë me të nëjtën dekorim "Naim Frashëri", me kartë diplome pas, pa e ditur ata që ma jepnin se unë i kisha marrë edhe dy herë më përpara ato(!?). Po të lutem, mos i shkruaj këto...Se mua më vlejnë vetëm duartrokitjet e spektatorëve! Se, që të bëshë "ferrkë" në Korçë, ka një të përpjetë të madhe! E ka thënë mirë, me vjershë poeti ynë kombëtar: "Lumja ti,moj Korça-Lule,/Për jetë ta paçim hua,/ që le pas shoqet e tua!" -Mbi të gjitha këto që thua , të kanë vlerësuar spektatorët, njerëzit e thjeshtë të Korçës, që të heqin kapelen kur kalon rrugëve me kalldrëm të këtij qyteti që tashmë është bërë i yti, po edh të familjes tënde shumë të madhe....Me të tre djemtë e dy vajzat që solle në jetë, me nipat e mbesat që ta zbukurojne jetën dhe me ata 57 kushërinjtë e afërt që i ke përreth teje! Dhe që rron që prej 45 vjetësh me një pensjon modest,mikroskopik, prej 152 mijë lekësh të vjetëra çdo muaj! Çikë-Çikë, nga pak, me kursime të mëdha, do të bëshë Zotrote, si të ka mësuar Molieri me Harpagonin e tij! -Ah, për një "qime" shpëtova nga "Rekordi GINES" me rolin e Harpagonit që e loza deri në moshën 94 vjeçare!....Se nga doli një Austriak 100 e ca vjeçar që e kishte interpetuar atë në moshën 50 e ca vjeçare e më "dogji". Po të më besosh, i dashur Miho, patrioti im i Bregut, se, kur e interpretoj edhe tani Harpagonin, unë e harroj krrejtë pleqërinë time! -Oh! Mos e jep veten fare, O NJERI! Ti tani je kthyer në një ORAKULL .Bile këtu, në themelet e një kishe!

Intervistuar në "themelet" e dikurshme të Kishës së Shën Gjergjit, ku sapo ka hedhur shtat BASHKIA E KORÇËS, më 3 të shtatorit 2021.



14 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page