top of page

Optika e kohës


Vilhelme Vrana Haxhiraj "Mjeshtër i Madh"

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

"Mjeshtër i Madh"


Ku është dhe ku duhet të ishte sot Shqipëria

“optika e kohës”

Kam 17 vite që jam marrë me studimin e veprave të botuara në shqip të eruditit, filozofit, njërit nga 7 më të mëdhenjtë e shek XX -,të Prof.Dr. Isuf Luzaj. Sa më shumë e lexoj, apo e studioj këtë kolos mëndjendritur që ka ditur të bashkojë mendërisht dhe shkencërisht me fije të padukshme të gjitha epokat duke ia përshtatur realitetit të sotëm kombëtar, sa më tepër përqëndrohem, sa herë rikthehem, sa e sa herë e punoj për të zbërthyer vlerat e tyre që ato të kuptohen nga lexuesit e çdo niveli kulturor, apo sa më shumë thellohem në njohjen sadopak të veprës madhore të Prof.Dr.Luzit, aq më shumë bindem se deri tani, ai është një thesar i paçmuar dhe i padiskutueshëm i kulturës së kombit. Por për fat të keq është fare pak i njohur ose aspak i njohur veçanërisht për pushtetarët. Ndryshe Shteti, me autoritetin e vet, do ta kishte transferuar Bibliotekën e tij madhore nga ShBA në Shqipëri, sepse është një vlerë kombëtare për të cilën ka nevojë e sotmja dhe e nesërmja e kombit. Kjo prurje do të bënte të mundur që hulumtues dhe studiues të veçantë të filozofisë, sociologjisë, estetikës, etikës, historio-grafisë, gjuhësisë e të politikës do të merreshin me redaktimin dhe me botimin e gjithë asaj pasurie kulturore, gjithmonë nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës. Fatkeqësisht duke mos njohur veprën e tij, politikanët e këtyre 26 viteve nuk ia dinë vlerën, por nuk dinë edhe një gjë se sa shumë kanë humbur në formimin e tyre inelektual, profesional dhe politik.Ata, duke mos e njohur këtë pasuri, s’kanë si ta dinë se duke studiuar e zbërthyer veprën e Isuf Luzit do të jenë në gjendje të shohin se ku çalojnë programet, apo strategjitë që vënë në jetë ato dhe se çfarë duhet të korregjojnë në keqzbatimin e tyre që kombi të eci drejt zhvillimit. Veprat e këtij Mësuesi të Madh, ku shpaloset përvoja botërore që nga antikiteti dhe deri në pragshekullin e XXI, do të shërbenin si udhërrëfyese, jo vetëm për politikanët, por për mbarë shqiptarët pa moshë, pa bindje, madje dhe pa shkallë kulture. Ai që kërkon të mirën e kombit, e kupton dhe i zbaton edhe në vetvete, për sa ia lejon koha dhe mudësitë e venies në jetë idetë e Isuf Luzit. Veprat e tij nëse futen në programet shkollore, do të ndikojnë pozitivisht te rinia e brishtë studentore, që ende politikat po vazhdojnë ta helmojnë me ideologjitë e tyre duke i kthyer në shabllonist të liderve dhe ambicjeve të tyre.Kjo shembëlltyrë e politikës te rinia s’është gjë tjetër veçse shkolla e futjes në gjak të vesit, etjes për pushtet, rritjes së interesit të ngushtë personal ndaj politikës, duke i shndërruar të rinjtë në njerëz të ndërvarur për një vend pune. Duke i futur rinisë në gjak militantizmin e sëmurë, politika vret lirinë vetjake, dhe nuk i lejon të rinjtë që të formohen si njerëz,si personalitete dhe si individualitete. Si pasojë rinia nuk është në gjendje që të zgjedhë rrugën që duhet të përshkojë, si dhe është e paaftë të zgjidhë problemet që i nxjerr koha, pasi i mungon pavarësia e mendimit dhe e vetveprimit. Mohimi i kësaj të drejte njerëzore që është në vartësi të ndërgjegjjes së kujtdo, ua transformon të rinjve karakterin, pasi ata nuk përdorin as logjikën dhe as arsyen, ndaj nuk janë në gjendje të pyesin Neveten:“pse që në bangat e gjimnazit duhet të aderojnë në këtë apo në atë forcë politike?!”Me këtë Rini Pluraliste të përçarë, nuk e kuptoj se si do të jetë e nesërmja e kombit, sepse është vënë në pikëpyetje të madhe ndërgjegjja kombëtare. Si do të mund ta ndërtojnë së bashku demokracinë vallë?! Si në diktaturë edhe tani, të dy grupimet e shohin vëngër njëri-tjetrin dhe më e keqja janë të përçarë. Me të drejtë pyes: “a mund të ecin së bashku në të njëjtat shina të jetës me këtë urrejtjeklasor dhe pathologjike, me këtë mllef ideor dhe me shpresën e lëmoshës nga politika?!” Kjo është taktikë e gabuar që e zvordh, e zvetënon, e mpak si ndërgjegjjen individuale, ashtu, edhe ndërgjegjjen e shoqërisë dhe atë kombëtare. Kjo rrugë patjetërsisht e verbër, ajo e tërheqjes së individit nga “X”“Y” forcë politike, a nuk është një lloj persekucioni moral Mbarëkombëtar, që ushtrohet nga politika?! Është mëkati më i madh që vret rininë moralisht e ndërgjegjësisht. Rinia ka nevojë për depolitizim. Kur të shohë se programi i cilës parti i shërben më shumë zhvillimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar, atëherë le të vendos. Ai program do t’i shërbejë atij dhe shqiptarëve për mirëqenie sociale, që duhet të jetë synimi thelbësor i politikës. Por a ekziston një program që i siguron jetën lumtur fëmijës dhe moshës së tretë që janë shtresat n më në nevojë? Më thoni ju,se cili nga këto programe plotëson kërkesat e dy ekstremeve të shoqësisë sonë?!

Politika nuk përfaqësohet vetëm nga idealet, as nuk qëndron pezull në ajër, ajo frymon, ka programe, statute dhe strategji të zbatueshme nga njerëzit dhe u shërben besnikërisht forcave të caktuara politike. Përsëri jam e bindur se kur të kujtohen institucionet e larta të Kulturës dhe njerëzit e karrigeve të veshura me pushtet, se drejt çfarë literature pedagogike, filozofike apo juridike duhet të orientohet arsimi, do të jetë vonë.

Dje ka ndodhur një e keqe e madhe. Zjarri në Bibliotekën kombëtare çuditërisht dogji veprat e botuara pas 90-ës.Ndoshta shoqëria shqiptare nuk ka nevojë për një letërsi apo studime të reja bashkëkohore. Mjafton të ngelet gjallë letërsia e Realizmit Socialist. Politikat qeveritare duhet ta orientojnë rininë drejt studimeve akademike jo të bëhen ithtarë politikë. Njeriu i formuar ndërgjegjësisht dhe intelektualisht s’ ka nevojë të joshet nga premtime hiperbolike, ai di të zgjedhë se për kë do të votojë apo cilën anë të politikës do të mbajë. Ndërgjegjja kombëtare rritet në nivele të kënaqshme, që është domosdoshmëri për integrimin e kombit, duhet zhveshur arsimi, kultura, letërsia, artet dhe vetë politika nga idetë gjysëm shekullore.

Kaloi çerek shekulli dhe ne u lodhëm nga premtimet boshe. Këtu, në këtë vend jetojmë, dëgjojmë, shohim, përjetojmë të njëjtat situata, thithim të njëjtin ajër dhe dëgjojmë të njëjtat profeci.Për fatin e keq thuajse tek të gjithë bashkëkombasit është krijuar një psikozë bindëse : “E sotmja është e frikëshme, e nesërmja e pasigurt.”Le të dalë një njeri dhe të ma kundërshtojë këtë mendim, veçse duhet të ma argumentojë me fakte se unë nuk paskam të drejtë. Por kurrë dhe askush nuk del dot kundër fakteve... “faktet janë kokëfortë”të cilët flasin qartë dhe bindshëm me gjuhën e së vërtetës.

*Varfëria, kancer i shoqërisë, po e grryen atë dalëngadalë. Sa del nga shtëpia, në trotuar të zgjatet një dorë e shtrirë dhe një zë i mekur të lutet: “Mëshirë për fukaranë!” Por dhembja nuk mbaron me një apo me dy mjeranë…Lypsarët janë shumë. Kë do të ndihmosh më parë ti që ke një pension qesharak, që nuk mjafton për shlyerjen e energjisë, ujit apo për barnat mjekësore që i blen, sepse barnat e rimpulsuara janë të padobishme. Efekti i tyre shërues duket nga vlera monetare e tyre shumë e ulët, apo vendi nga i cili importohen. Një familje me të ardhura nga 2 pensione që përfshijnë shumën 15000 + 16000, në shumë raste edhe më e ulët, a mund t’i plotësojë të gjitha kërkesat jetike të muajit për familjen? Kurrë… Për ç’nivele jetese të admirueshme mund të flasë kjo familje, kur e nesërmja për të është inekzistente. Në këtë gjendje janë gjithë ata që kanë paga të ulta, me të ardhurat e pakta nuk mendojnë për të nesërmen, pasi e sotmja e pasigurt u merr frymën. Në ekrane buçasin thirrjet për të ndihmuar një të pastrehë, një invalid, një të sëmurë rëndë që nuk e përballon dot shpenzimin marramendës të shërbimit spitalor, kërkohet ndihmë për të përmbyturit, për fatkeqësit nga fenomenet e natyrës.

*Shërbimi i dobët shëndetësor. Ç’humanizëm mund të presë një qytetar nga mjekësia jonë, kur për një konsultë diagnostikimi në QSUT, një i sëmurë me 3 insufiçenfa:Kardiake, Renale, Inschiemia cerebrale dhe me anemi të theksuar, si një laborator i vërtetë sëmundjesh, ka aplikuar qysh më 14 tetor 1916 dhe ende nuk e ka lajmëruar Spitali “Nënë Tereza” për shtrim. Kur do ta thërrasin? Kur të vdes? Atëherë do të kërkojnë shkakun e vdekjes që ka ardhur nga vetë mjekësia, nga neglixhenca e tyre.

*Mjekësia në shërbim të spitaleve private: Më e keqja është se pasi të sorollatin në disa kategori diagnostikimesh, me ecejake pafund, mjekët të japin rekomandim në spitalet private,ku vdekja paguhet me Euro, sepse prej tyre marrin përqindje të majme. Ky a nuk është njëlloj korrupsioni?

*Diferencim social i theksuar: Në vendin tonë është krijuar një diferencim i theksuar mes dy shtresave, ku 5-10% e popullsisë janë të pasur e 90 % janë të varfër. Kjo ndarje sociale që qëndron në dy polet ekstreme, po e çon shoqërinë drejt zhdukjes apo eliminimit të shtresës së mesme, shtresa që mban kombet në këmbë. Varfëria në një numër të madh është aq e madhe sa flitet për të siguruar bukën e gojës. A mbahet familja me listat e pafundme të borxheve nëpër dyqane?!

S’mbahet shteti me miell hua, e jo më një familje...

*Pasiguria e jetësështë një ankth frymëmarrës për shqiptarët, si rezultat i krimit, korupsionit dhe padrejtësisë.

*Krimi i organizuar. Nëse në fillimet e ndryshimeve social-politike në Shqipëri, në shoqëri pati disa dukuri negative, sot ato janë shndërruar në fenomene shqetësuese. Për sa kohë vazhdon konkurenca e trafikut të lëndëve narkotike, të armëve, të qenieve njerëzore,të monumenteve kulturore arkeologjike me vlera kolosale apo transplante organesh dhe pastrim parash, krimi i organizuarme shkallëzime hijerarkie, është dhe do të jetë gjithmonë prezent tek ne.

*Reforma në drejtësi. Zvarritja e mosaprovimit të vettingut, ndodh sepse çalon politika shqiptare. Nëse politika do të ishte konseguente, një politikë e drejtë, e paanshme, nuk do të kishte frikë se cënoheshin interesat e poltikanëve, të ligjëvënsve apo ligjzbatuesve, do të ishte bërë për së mbari. Institucionet shtetërore e dinë se cilët janë milionerët që mbinë si kërpudhat pas shiut, pas viteve 90, sidomos pas rënies së piramidave dhe lulëzimit të narkotikëve, ngritjes së vilave, bizneseve, pallateve që kanë ngelur të pabanuar dhe paratë e trafiqeve të paligjshme. Menjëherë sa nisi Reforma në Drejtësi, duhej bërë regjistrimi dhe sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të pluajtshme, si dhe ngrirja e llogarive bankare të milionerëve. Më pas bëhej shkarkimi nga detyra, niste hetimi, sepse thuhet me të madhe se “shtetasit para ligjit janë të barabartë.” Sikur ky nen të zbatohej , eh, si do të ishin shqiptarët! Si vend i paradokseve, tek ne zgjasin gjyqet me vite, jo vetëm që nuk zgjidhen qytetarët, por ata vetë vdesin dhe gjyqet për dënimin e tyre vazhdojnë. Për ç’drejtësi na flet politika, kur për një çështje 5 ekspert me përvojë juridike prej 20-25 vitesh e nxjerrin të pafajshëm të akuzuarin, kurse vetëm një njeri i rëndomtë që na u bë ekspert me një kurs tremujor, e nxjerr fajëtor, jo në një seancë të vetme, por të përsëritur pafundësisht në disa seanca, që sipas ligjit gjyqi duhet të pezullohet. Çfarë kërkon ky, bashkë me prokurorin dhe gjykatsin ? Do para?! A mund të shndërrohet i pafajshmi në fajëtor, duke blerë padrejtësinë me para?! Ky është shteti i së drejtës, kjo është drejtësia që na u premtua?!

*Legalizimet favorizojnë politikën. Çuditë më të mëdha ndodhin në Shqipëri.Legalizimi indërtimeve pa leje në pronat e ishpronarëve a nuk është një shkelje e normave demokratiske.

*Prona nuk i është kthyer pronarit legjitim, kurse shteti hajnit i legalizon vilën apo pallatin e ndërtuar në pronën e tij. Nuk di se cili vend në botë ka ndërtuar demokracinë, shtetin e së drejtës ligjore pa ia ka kthyer pronën pronarit legjitim?! Ky paradoks ka ndodhur vetëm në Shqipëri. Mos vallë është fajtor pronari që nuk e rrëmbeu pronën e tij? Politika i rrahu krahët dhe ia legalizoi pronën hajdutit, kurse pronarit ia ka mohuar e ai ende quhet ishpronar.

*Vlerësimi i të përndjekurve politikë. Nuk e kuptoj se me ç’ndërgjegjje që nga mëngjesi në darkë, llomotisin me të madhe për lëmoshën që u japin të mohuarve të diktaturës, persekutorët, bijtë e nipërit e tyre, që sot bëjnë e zbatojnë ligjin. Me paturpësinë më të madhe kanë gojë e flasin për bashkekzistencë demokratike, kur ata kurrë nuk kanë kërkuar ndjesë. Kjo sepse ata janë të bindur se Falja është për njerëzit që kanë bërë gabime, për ata që e ndiejnë përgjegjësinë morale të fatkeqësive që kanë shkaktuar. Ndërsa tek ne askush nga shkaktarët vuajtjeve dhe të genocidit diktaturial, kurrë nuk ka këkuar falje. Kjo ndodh se ata janë mëse të bindur që nuk i njohin asnjë faj vetes, ndaj nuk kanë pse pendohen. Kur nuk njohin pendesën si mund të kërkojnë falje vallë?! E këta janë politikanët tanë që po “japin shpirtin” për ndërtimin e shtetit demokratik.

*Punohet pa synime afatgjate. Nuk duhet të mohojmë se nuk po punohet dhe nuk ka ndryshime. Ka shumë madje, por ne nuk dimë të punojmë. Gjithçka e bëjmë nën siglën e elektoratit dhe sa për sytë e botës, ndërtojmë sot për sot, jo sot për 50 apo 100 vjet. Menjëherë mohojmë të djeshmen, e cila na tregon se si duhet të ecim më tej. Pedonalja e Vlorëspo ndërtohet pa zbatuar kushtet teknike. Një i ri humbi jetën, sa të tjerë janë gjymtuar, kanë thyer krahët apo këmbët... Kushedi sa pjesë të saj janë prishur dhe janë ribërë pasi nuk punohet në parametra teknik. Me nxitimin që po bëhet, më parë do të prishet se sa do ta gëzojë vlonjati atë shëtitore në qytetin më të bukurvtë botës. Për fat të keq ne nuk ndërtojmë sipas parametrave bashkëkohor të botës së zhvilluar apo kërkesave të kohës, ndaj kanë ndodhur shumë aksidente.

*Aksidentet rrugore: Shqipëria për shkak të asaj që thamë më sipër, mban vendin e dytë në botë për vdekjet nga aksidentet.

*Mungesa e shërbimve urbane, detyrë e pushtetit lokal në qytet e fshat, është për të vënë duart në kokë. Mjafton një shi i rrëmbyeshëm dhe Vlora apo qytetet e tjerë të Shqipërisë mbyten.

*Kultura e ulët qytetare, reflekton nëhedhjen e mbeturinave në rrugë apo nga ballkonet. Edhe këtu duhet të veprojë autoriteti i shtetit. Le të vendosen gjobat për cilindo që thyen apo nuk zbaton rregulloren, detyrat dhe përgjegjësit që ka çdo qytetr i Republikës. Atëherë do të shohim rezultatin.

*Shfrytëzimi i turizmit. Shqipëria është vend turistik, ku mund të zhvillohen disa lloje turizmesh mjaftë fitimprurës si, detar, lumor, liqenor, malor, historik, nënujor dhe albanologjik. Jemi në prag të sezonit dhe unë pyes. A është gati vandi ynë për zhvillimin e turizmit veror? Jo... Fajin e ka keqmenaxhimi i politikave të turizmit nga Ministria e Kulturës. Politika jonë e cekët iu thotë fqinjve tanë grekë, italianë apo malazesë:“merreni turizmin, ne jemi të pasur, ndaj nuk ka ç’na duhet turizmi? Ju dini ta bëni!”-kjo është loja e fatit të shqiptarit.

*Papunësia kjo gangrenë e politikësu ka ngritur mendjen gjithë moshave të reja të emigrojnë.Nuk duhet të mburret asnjë forcë politike se ka hapur vende pune. Të gjithë partitë polirtike që fitojnë zgjedhjet pushojnë nga puna, u mohojnë ushtrimin e profesionit gjithë nëpunësve, që janë strukturat e opozitës dhe vendosin militantët e tyre, gjë që ka rritur egon e qytetarëve për pushtet. Hakmarja ka arritur deri aty sa u kanë hequr bukën e gojës edhe sanitareve të spitaleve.

*Emigrimi, plagaqë rrjedh gjithmonë gjak dhe helm, ka ngelur shpresa e vetme e shqiptarëve. Në emigracion ata sigurojnë jetën, por varfërojnë kombin, i cili po shkon drejt plakjes. Gjithashtu humbasin identitetin kombëtar, duke harruar apo mos studiuar gjuhën shqipe, mohojnë të qenit shqiptar. Ose brenda kufijëve të Shqipërisë Londineze, fëmijët e klasave të para mësojnë me 3-4 abetare. Përse të mos jetë një abetare për të gjithë nxënësit? Ky është faji dhe papërgjegjshmëria e politikave arsimore nga Ministria e Arsimit.

*Rritja qesharake e pensionevenuk e ndryshon nivelin ekonomik të moshës së tretë dhe nuk i nxjerrë ata nga varfëria me një dhuratë që është e barabartë me 1 kg fasule të thata në muaj. Është me vend urimi i dalë nga zemra: “Rrofsh o komandanti ynë, doli fjala që na dhe!”

*Mosmenaxhimi i Prodhimeve Bujqësore e Blegtorale. Mungesa e ndihmës shtetërore për fermerët lidhur me gjetjen e tregut për shitjen e prodhimeve të tyre që po shkojnë dëm. Në këtë rast shteti duhet të jetë menaxhues e ndërmjetës i gjetjes së tregut të huaj për fermerët vendas. Prodhimet tona shkojnë dëm, kurse mallrat e importit kanë mbytur tregun shqiptar dhe çmimet e larta janë të papërballueshme për familjen shqiptare. Kjo politikë e ka dëmtuar rëndë ekonominë familjare dhe shtetërore. Me këtë politikë ekonomike a mund të ngrihet niveli ekonomik i shoqërissë shqiptare?!

*Përvoja është vlerë kombëtare.Përvoja fitohet nga vendimet e gabuara, të cilat e kanë çuar shoqërinë në regres. Nëse kjo përvojë e hidhur, e cila e bëri kombin astmatik, do të shndërrohet në mësim, mendoj se atdheu do të fillojë të marrë frymë. Sipas Filozofisë dimë se fitorja u takon atyre që janë të përgatitur për çdo situatë.

A jemi ne shqiptarët gati t’i përgjigjemi çdo situate? Jo.

Ashtu siç ka mësuar rininë dhe militantët e ndërvarur prej saj, edhe vetë politika është e ndërvarur nga bota, nga shtetet e mëdhenj. Si duket ecim në gjurmët e kohës së diktaturës, kur PPSh lidhi tri miqësi, me mendimin se nuk mund të ndërtonim shtetin apo ta mbanim në këmbë pa mbështetjen e një fuqie të madhe. Dhe çuditërisht të tri këto lidhje i divorcoi, duke u vetizoluar. Konferenca e Jaltës i caktoi Shqipërisë si tutor BS me Stalinin,i cili mori nën kujdestari Evropën juglidore qysh më 1945. Tani që politika shqiptare ka frikë se mos e braktis SHBA, e ka varur shpresën te Putini. I njëjti karakter i dobët dhe i paqëndrueshëm i politikës shqiptare reflekton edhe në marrëdhëniet pozitë dhe opozitë. PS-ja si kundërpërgjigje të protestës së çadrës së PD-ës, bëri ndryshime në qeveri. Por largimi i Manjanit më parë, i Tahirit dhe i 3(tre) ministrave të tjerë, a do ta nxjerë politikën shqiptare nga situata? A do të aprovohet vettingu dhe a do të gjejë zbatim Reforma në Drejtësi, sipas kërkesave të komisionit të Venecies? Ky ndryshim i kabinetit qeveritar, që duket si farsë e rradhës, e ka përfunduar me sukses luftën kundër korrupsionit? Në këto zgjedhje parlamentare Shqipëria do të shkojë vallë e dekomunistizuar dhe dekriminalizuar? Jo...Vetëm një gjë është mëse e qartë. Mospjesmarrja e PD në Parlament apo në votime, e çon vendin në krizë politike, pasi ndryshe nga herët e tjera opozita del me kërkesën për zgjedhje të ndershme dhe të lira. A është në gjendje PS të plotësojë këto kërkesa në kushtet e mësipërme në të cilat ndodhet vendi? Vetëm një Zot e di. Një gjë e di mirë se Shqipëria ende nuk është gati për fitore. Tek ne një i bie gozhdës, kurse tjetri patkoit. Në vendin tonë luftohet vetëm për karrige dhe mbushje xhepash. Po një është e shkreta, vetëm një... Kush do ta marrë më parë?! Pikërisht për këtë ego të tillë si partitë edhe shoqatat në vendin tonë kanë krijuar parti e shoqata të reja. Aq sa jemi ne në numër, çdo fis bën një parti politike. Demokracia do kllëqe, do vetmohim, sepse është detyrë, e cila kërkon përgjegjësi, tolerancë, drejtësi, punë,vullnet dhe bashkim kombëtar.

Meqë e kanë lëshuar shumë litarin...uroj që ta mbledhin turrën shqiptarët!

7 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page