Ilir Levonja
Opozita presidenciale dhe opozita nga Ura Vajgurore
A është sot Ilir Meta opozitari real për shiptarët? Sigurisht që po, është naivitet të mendosh për tjetër kënd. Me gjithë firot e përfoljeve mbi pasurinë, mbi korrupsionin, etj., sidomos kur ke përballë Edi Ramën, sidomos kur Edi Rama i cilëson të gjithë si të korruptuar, të gjithë pa përjashtim. Vetëm ai nuk ka vjedhur dhe nuk vjedh megjithëse ka në pushtet nga 1998-ta dhe se ka deklaruar publikisht se, paratë e tia nuk ka birë kurve që të gjej. Dhe se të gjithë nuk e duan reformën në drejtësi për arsye se shumë shpejtë do jenë kontingjent në bankën e të akuzuarve etj., të gjithë janë mender mutër, me përjashtim të Ramës. Vetëm ai e do reformën në drejtësi dhe se vetëm ai po punon për atë, është i drejtë, i pastër, nuk ka asnjë lidhje me gjithë ato përgjime, megjithëse përmes një video përgjigjimi dogji qeverinë e Sali Berishës më 21 janar dhe ata që akuzoi i bëri kryetarë etj. Vetëm ky është i pastër si qelqi, çfarë nuk tha e noterizoi për të mbrojtur kandadit e Shkodrës dhe atë Vorës, i bëri kryetarë. Por fajin e kanë ata ama jo, ky. Ky nuk ka asnjë përgjegjësi përse ata janë kontingjent krimi? Rama është i vetmi që do reformën në drejtësi megjithatë nuk e ka problem të emërojë drejtues të lartë përmes një vule noteriale. Një indicje që do mbahet mend si puna e atyre kutive në Dushkun e Lushnjes që prodhuan 13 deputetë brenda orës. Të gjithë janë armiq të shqiptarëve përveç Ramës. Të gjithë janë të lajthitur, skicofrena, mashtrues, kaçakë, përveç Ramës. Dhe nuk e di se mund ta quaj a mund ta konsideroj më opozitar përshembull Lulzim Bashën në raport me Metën, asesi jo. Të paktën Meta e cilësoi mungesën e një doze populiste në vendimamrrje, theksoi se partitë e mëdha janë pjesë e kulisave për minimizimin e vendimmarrjes që domethënë në të ardhmen të kemi një Ramistë por me fytyrën e Bashës. Ndryshe nuk ka si shpjegohet ulja për reformën zgjedhore me Damo tërmetin. Nuk e kuptoj arsyen përse i demonstruan shqiptarëve video përgjimet mbi vjedhjen e votave? Vetëm për të ulur Damon në tavolinë? Eshtë absurd opozitar, është amulli që nesër i ul më keq përqindjet e votave. Dhe me që jemi tek presidentit, funksionit të tij kushtetues nuk i mjafton një deklaratë solidarizimi. Eshtë bajate që në kohën kur qeveria i ofron vendit me noter një gjykatës të lartë, i ofron një prokurore që u betua mes tymit dhe sharjeve në parlament, që nuk hetoi asnjë dosje përgjimi, që nuk futi asnjë të denoncuar nga rubrika dixhatale etj., ndërkohë ti si opozitë, si Lulzim Basha u flet një grushti njerëzve për programet e bujqëisë, sinqerisht është një bastardim social i termit opozitarizëm. Eshtë krye këput kot, akull, nuk ka asgjë me ata që u shëmben shtëpitë, biles u duhet thënë atyre që i hanë për djathë premtimet e tia mbi dëshpërblimet kur ai të vi në pushtet, harrojini se gishtin e mesit do merrni. Nuk ka asgjë të përbashkët me ata që dhunohen, asgjë të përbashkët me frontin e gjërë të forcave politike që quhet koalicion, madje nuk i kuptoj as këta se si rrinë e presin Lulin, se si mbajnë sytë nga takimet e tia kot, nuk i shikoni se edhe ata pak rreth tij flenë gjumë kur ai flet. O dilni në rrugë o vdisni duke pritur se kurrë nuk keni për të qënë të dobishëm për vendin tuaj. Një opozitë që pranon emërime me noter nuk është opozitë, por vegël e përdorshme, vegël duarsh e qeverisë. Të gjitha bulçitë janë tek foltorja e parlamentit, në luftën e ashpër mes presidentit dhe kryeministrit, mes termit nul. Aq sa shqiptarët kurrë nuk kanë ndjerë kaq neveri për kushtetutën e vendit të tyre...,kurrë për kuvendin e tyre, kurrë për qeverinë e tyre. Shqiptarët janë sot më të braktisurit, më të pambrojturit, shoqëria më e pavlerë pikërisht sepse kudo e kurdo mund të emërohesh me një vulë noteri. Ndihmojeni, jo shpëtojeni ushtarin Meta, se ndihmoni veten. Përmbysja nuk fillon në Urën Vajgurore, por në Tiranë. Se nuk e di përse u duhet shqiptarëve një reformë në drejtësi me noterë. Keni plot plagë që duhen terur, por këto nuk i zgjidhin gjyqtarët me noterë. Shmangia që i bën opozita reale apo opozita Basha se nuk ma ha mendja që demokratët, gjaku blu të ketë firuar, është e papranueshme. Ndihmojeni Shqipërinë dhe tregojuni qoftë edhe të huajve se për së pari jeni ju që vendosni për fatet e vendit tuaj. Dilni dhe mos u frigoriferosni si koti juaj a lideri juaj, kujtoni se i keni premtuar shqiptarëve ta bënin Shqipërinë si Europa. Eshtë e tmerrshme që sytë tuaj i dominin goja e ta zëm Alfred Pezës, e tmerrshme të dëgjosh akoma Erion Braçen, të shohësh Gramos Ruçin. Nuk e di a ndjeni pak turp para djemve të Shkodrës, 2 prillit etj. A ndjeni pak neveri për veten që me kaq kollajllëk i keni kopsitur ato pesë ideale, për më tepër kur ngrefosen ca me shalle të kuq, a nuk ju dhëmbin martirët? A nuk ju dhëmbin gjithçka keni kur shikoni se vendi juaj është sallë shfaqje e një aktori romuzesh, a bulisti si Edi Rama? E fundit dilni jo për Metën, jo për Lulin por për veten tuaj.
Comments