Qazim Berisha & Zymer Mehani: “ARSIMTARËT DËSHMORË DHE MARTIRË TË RËNË NË LUFTËN E KOSOVËS (1997-1999)”, monografi, botoi Radio Kosova e lirë – Prishtinë, 2023
Parafjalë
“Këta arsimtarë dëshmorë mbajtën orën më të suksesshme praktike të historisë në jetën e tyre, që do të bëhet burim frymëzimi për gjeneratat e ardhshme se atdheu duhet me zemër e mbrohet me gjak” (fq. 10), shpreh mendimin e tij, Qazim Berisha, njëri nga bashkautorët e monografisë“Arsimtarët dëshmorë dhe martirë të rënë në Luftën e Kosovës (1997-1999), në të cilën kanë sjellur të kompletuar një për një të gjithë dëshmorët dhe martirët arsimtarë, profesorë, pedagogë dhe personelin teknik nga gjenerata të ndryshme, ku çdonjëri në mënyrën e vet u bënë pjesë e Obeliskut që rrezaton dritë lirie në qiellin e Kosovës. Në prizmin e këtij prezantimi kaq gjithëpërfshirës, duke prekur të gjithë parametrat e jetës, veprimtarive, shkollimit dhe vlerave që i shquajnë këta emra të përveçëm të një segmenti shumë të rëndësishëm të shoqërisë që rrezatojnë shkëndija lirie në çdo çast, sikur na përzihen ndjenjat, mes dashurisë, dhimbjes, mallit dhe krenarisë, që reflektojnë rrezatim të përhershëm në aureolën që shkreptinë flakadanë lirie.
Gjithë kjo aradhë arsimtarësh që sakrifikuan edhe jetën mbesin sinonim i përhershëm i qëndresës dhe sakrificës në mbrojtjen e çdo pëllëmbë toke të Kosovës heroike.
Rilindasit e rilindjes së lirisë
Rilindasi Petro Nini Luarasi, para se ta helmonin, iu drejtua kundërshtarëve e armiqve të arsimit shqiptar me fjalët: “Kur të më vrisni, mblidhmani gjakun se do t’u duhet fëmijëve për të shkruar në shkolla Fjalën Shqipe!” I bindur se veç me qëndrim vertikal në punët patriotike për atdheun mund të arrihet gjithçka që i duhet popullit të tij, do të shprehet: “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngritemi!” Kjo nënkupton përkushtimin dhe pathyeshmërinë e tij në realizimin e detyrave ndaj atdheut dhe arsimit kombëtar. Mbi moton e kësaj maksime do të vazhdonte me ngulm realizimin e hapjes së shkollave shqipe në vise të shumta të atdheut, derisa vdekja e gjen pikërisht në këto detyra atdhetare, për të mbetur në përjetësi.
Ishin kohëra të ndera ato të Rilindjes kombëtare, kur gjithçka matej me dashurinë ndaj atdheut dhe me gjakun që i falej lirisë. Poaq e njëjtë është edhe koha kur liria kërkonte sakrificat e pakursyera që të dëbohej armiku shekullor dhe të hapeshin shtigjet e jetës së re, për të cilën nuk u kursyen as arsimtarët e të gjitha moshave, të cilët u betuan nën flamurin kombëtar që në orët e para të kushtrimit për liri, duke u rrjeshtuar krah luftërarëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për ta ngulitur thellë në zemër e në shpirt lirinë aq shumë të kërkuar.
Atëherë kur duhej si asnjëherë më parë një edukim permanent i gjeneratave të reja, kushtrimi i lirisë i heshti të gjitha veprimtaritë tjera, për t’iu përgjigjur që në ditët e para ftesës për luftën çlirimtare, sepse atdheu ishte në rrezik të humbiste gjithçka, deri edhe vlerat e trashëguara kombëtare. Kohë të gjatë po ushtrohej dhunë në forma të ndryshme, deri në dëbimin e popullit dhe djegjen e çdo gjurme të ekzistimit në këto troje, prandaj ishte tepër i ngutshëm një mobilizim i të gjitha forcave dhe profileve, që kësaj toke t’i dilet zot me çdo çmim. Tashmë në ballë të kushtrimit ishin, padyshim më të ndieshmit, më “alergjikët” ndaj këtyre veprimeve, arsimtarët, të cilët vazhdimisht edukuan breza si duhet dhe ndërtohet ardhmëria e atdheut, gjithnjë në kërkim të shtigjeve drejt lirisë aq shumë të munguar! Jo rastësishtë ishin të pranishëm që në formimin e qelulave të para të guerilës çlirimtare edhe arsimtarët, ku veçohet Shaban Jashari, ndër më të moshuarit, por i vendosur që të qëndroj në ballë të qëndresës heroike, s’bashku me bijtë, Hamzën dhe Ademin legjendar. Në orët e para vendimtare, ku u shpalos emri i zulmëmadhes heroike, trios së artë - UÇK, ndodhet edhe Halit Geci, arsimtari që qëndroi në detyrën e vet edhe në çastet kur po martirizohej. Dalja publike e UÇK-së me rastin e nderimit të fundit të këtij martiri, flet bindshëm se ata ishin dhe qëndruan në radhët e para krah me çlirimtarët e lirisë. Ata ishin vetë liria!
Në këtë monografi takojmë emra të shumtë arsimtarësh e profesorësh, të cilët kontribuan në çdo çast me pushkë e pendë deri në përjetësimin e tyre heroik. Të tillë ishin edhe profesorët e dashur, Latif Berisha dhe Ymer Elshani, që kujtohen për veprimtaritë dhe aktivitetet e tyre të shumta për edukimin e brezave, sa me fjalën artistike dhe mendimin shkencor, që do t’i kemi gjithmonë vlera e mesazhe të pakontestuara, poaq sa edhe personalitet e tyre prej martirëve të lirisë.
Si valë deti tundon lista e gjatë e emrave të arsimtarëve dëshmorë dhe martirë, që u bënë pjesë e lirisë së Kosovës. Veçimi i ndonjëtit, veçsa e përforcon bindshëm këtë heroizëm, por asessi nuk nënkupton prioritetin ndaj të tjerëve, meqë çdonjëri ka vlerën dhe faktografinë e identifikimit të veprimtarive atdhetare të tyre. Njëri nga këta arsimtarë, që shquhej që nga orët e para të kushtrimit të lirisë, ishte edhe Gani Elshani, i sprovuar me aktivitete të shumta në sensibilizimin e të rinjëve për çlirimin e atdheut, për t’iu bashkuar edhe vetë që nga ditët e para të aksioneve këtyre çlirimtarëve. Ai qëndroi stoikisht me pushkë dhe me pendë deri në rënjen e altarit të lirisë. E takonim gjithkund, në aktivitete e aksione, në organizime e veprimtari, për të na mbetur në kujtesë të përjetshme për veprat dhe veprimtaritë e tij liridashëse dhe heroike.
Për simbolikën e veçantë që kujtoj që nga bankat e shkollës fillore, do të sjell pak evokime për arsimtarin tim, Milaim (Ahmet) Mirena. Ndonëse i ri në moshë, Milaimi sapo kishte filluar punën e arsimtarit në shkollën tonë, në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, ku mbante orët e Artit figurativ. Çdoherë kur kishte për detyrë temë të lirë nga vizatimi, na sugjeronte të mbanim qetësi, se mund ta pengonim njëti-tjerin në shprehjen e ideve edhe në pikturë.
“-Vetëm ata që vizatojnë nuse, kanë të drejtë të këndojnë, se del nusja më e bukur!” – nuk harronte t’na këshillonte çdoherë. Atëbotë nuk e kuptonim plotësisht, përveç e merrnim si një shaka relaksimi, për të vazhduar pastaj me pikturat tona. Por nuk kishte qenë ashtu, meqë Milaimi që në rininë e tij e kishte dashur të bukurën, këngën, artin, që të gjitha këto si pjesë përbërëse të lirisë, për të cilën u martirizua.
Ndërtimi i kësaj monografie me mund e përkushtim, e paisur me dokumentacione për raste e ngjarje të ndryshme, me dëshmi nga aktgjykimet, ndjekjet dhe persekutimet e pafund, pastaj evokime kujtimesh nga familjarë e bashkëveprimtarë të tyre, por edhe dëshmi të tjera nga ngjarje e raste të ndryshme në përballje me pushtuesin, etj. të sistemuara me kujdes për çdonjërin nga emrat që takojmë në këtë monografi, me një sistemim sipas komunave ku kanë lindur, dhe me renditje alfabetike, që bën të kuptohet lehtë nga të gjitha shtresat e lexuesve, duke iu mundësuar të gjejnë pa vështirësi çdonjërin nga katërqind dëshmorët dhe martirët, e bën më bindës përkushtimin e bashkautorëve në sjelljen në dritë të kësaj pjese të sakrificës dhe heroizmit.
Ata, me këtë projekt human, jo vetëm i bashkuan këta dëshmorë e martirë, që nuk vdesin kurrë, por ua “shëruan” njëherë e mirë dhimbjet edhe më të dashurve të tyre, që i kujtojnë gjithmonë me mall e krenari, duke ua hapur rrugët e jetëgjatësisë së tyre të përjetshme.
Një punë promotore kanë bërë në këtë rast bashkautorët, me vendosjen e të gjithë këtyre arsimtarëve heronj dhe martirë në një kupolë të përbashkët, që simbolikisht personifikon edhe qëllimin e tyre, poashtu të njëjtë, që lirisë t’i japin atë që i bën të përjetshëm në kujtimet tona.
Ata ishin fanar që ua ndriçonin rrugët e dijes brezave, për të mbetur fanar të pashuar në Obeliskun e lirisë, që kapton majat e lartësisë qiellore, në përçuarjen e mesazhit si duhet dhe mbrohet atdheu në çdo situatë.
Vërtetë, këta mbesin përçues të mesazheve të rilindasëve që u sakrifikuan për shkollën, për dijen dhe atdheun!
Këtu çdo herë mbijnë Lulëkuqe lirie
Kjo është pjesa më e veçantë e shoqërisë sonë, meqë ashtu i ka kalitur koha dhe profesioni. Ata çdoherë e hapin stinën e tyre me gëzimin e fëmijëve, duke rrezatuar dritë për shkollën, për librin, por edhe heroizëm kur u kërkohet nga atdheu, për të dëshmuar se dijnë dhe munden ta ndërtojnë jetën. Ata e fillojnë pranverën në shtator, kur gumëzhima e zërave të fëmijëve mbush çdo anë plot hare, për t’ua trasuar rrugën e dijes drejt një ardhmërie të lumtur.
Por, jo vetëm kaq. Ata sa herë është gjendur në situata të rrezikshme atdheu, kanë bulëzuar si filiza të rinj të Lulëkuqeve të lirisë! Vërtetë ata janë gjithmonë me brezat e rinj, për tu kujtuar dhe mësuar edhe në libra, në këngë, në vargje; për tu bërë pjesë e historinë sonë të lavdishme, gjithësesi.
Ky Obelisk i qëndisur me emrat e katërqind arsimtarëve dëshmorë e martirë i bën dritë ardhmërisë së ndritur, duke i kujtuar përgjithmonë për veprat dhe amanetin e tyre!
* * *
Bashkautorët meritojnë një shtrëngim dore nga zemra, në shenjë falënderimi për këtë punë kolosale për t’i bashkuar të gjithë këta heronj e martirë në përjetësimin e tyre, që ashtu si ishin të bashkuar për të gjallë, në kryerjen e misionit të mësuesisë, ashtu të vazhdojnë me rrezatimin e tyre prej dritës së pashuar në qiellin e atdheut të lirë.
Një pune kaq meritore dhe të vlerësuar të Qazim Berishës dhe Zymer Mehanit, nuk ka si të mos i falemi me pietet, duke u dëshiruar edhe shumë suksese të reja, gjithnjë në falënderim të përzemërt për mundin dhe sakrificën që t’na sjellin një monument kaq të vlefshëm dhe të domosdoshëm për kohën dhe brezat!
Comments