Po afrohet shtatëdhjetëvjetori i maturës së brezit tim në Shkollën Normale të’ Gjakovës. Pak kemi mbetur, o shokët e mi. Mbahuni ta festojmë për hir e nderim të atyre që nuk janë me ne. Në gjashtëdhjetëvjetor ju përshëndeta. Po jua kujtoj:
O qyteti im! Thërrisja dikur. Sikur të vij edhe një herë tek ti, një rrudhë do të më hiqej nga balli, do të bëja pyetje për kohën e moçme, në shkollë do të hyja nëpër dritare, do të fshija pluhurin e bankave të klasës, do të gdhendja tinës në një cep dashurinë tonë, do të ngjitesha e zbrisja dhjetë herë kateve, do të rendja rreth shkollës deri sa të më ndahej fryma, do të ulesha gogluq te pragu, do të’ qeshja, qeshja, qeshja... E do të’ thërrisja deri në kupë të qiellit “O shooookë!” Sikur të shkelja edhe një herë në këtë tokë.
Dhe erdha të shtrëngojmë duart, të mbështesim faqen për faqe, të shikojmë njëri tjetrin drejtë në sy me dashurinë e pakushtëzuar, të çiltër, rinore, si tash e gjashtëdhjetë vjet në atë pranverë të jetës, të përkulemi para kujtimit të atyre që nuk janë me ne, të mblidhemi tok e të vëmë në dije se kush kemi qenë, të themi se kush jemi, të tregojmë si kemi kaluar, të vëmë në pah se shpërndamë dritën e dijes, se përçuam frymën e lirisë, se mbollëm fidanët e të ardhmes, se derdhëm gjak e lot, se na sfiduan në të katër anët, se na përqeshi vdekja, se na kryqëzuan në altarin e kombi... Dhe jemi na! I mblodhëm fijet e zemrës dhe rrahët e mendjes dhe i vumë në prehrin e diturisë, i përshkuam me urtinë e njerëzve tanë, i selitëm me buzëqeshjen e fëmijëve anekënd Kosovës dhe na u hap fytyra, na qeshi buza, na ndriti shpirti. Dhe rrodhën ngjarje, u përleshëm me paditurinë, u kacafytën me dhunën, kënduam himnin e jetës dhe na u gdhend krenaria ashtu si i ka hije njeriut të vërtetë. Ooooo, more shokët e mi! Ju përqafoj edhe pas këtyre gjashtëdhjetë vjetëve si dikur kur morëm diplomën e maturës, kur e ndjemë veten se jemi pinjollët e këtij kombi, se kemi dalë nga ky dhé, se për të do të thinjemi në travajat për ta ngritur kombin tonë në majat e larta ashtu si i ka gjithë bota.
コメント