top of page

NËNË TEREZA


KJO ËSHTË DHURATA IME PËR JU NËNË TEREZA: NJË LIBËRTH DHE NJË STILOLAPS SIMBOLIK, POR ME SHUMË DASHURI, MIRËNJOHJE DHE KUJTESË TË PËRJETSHME!

NËNË TEREZA - SHENJTORJA QË NA BEKON… ( 27 gusht, 1910 - 5 shtator, 1997 ) ~~~

- MË 5 SHTATOR 2016, NËNË TEREZA, NËNA E MADHE E TË VARFËRVE, FITUESE E ÇMIMIT NOBEL PËR PAQEN ( 1979 ), U SHPALL SHENJTORE. ~~~~ SHËN TEREZA është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim race, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore. ~~~ Njё gazetar Amerikan e pyeti njё herё: - Nёnё Tereza, atë çfarë bёni ju, unë nuk do ta bёja as pёr njё milion dollarё. - As unë nuk do të hiqja dorë nga ky mision, pёr miliona dollarё. - gazetari: Ç’ka duhet të ndryshohet në kishë? - Ajo: - Unë dhe ti. ~~~

“…E di pse s’kemi paqe tani? Kemi harruar të shohim tek tjetri vetveten. Që armët dhe bombat të jenë të panevojshme, te fqinji ynë të zbulojmë Zotin.” ( SHËN TEREZA : “Për Shqipërinë time” ) ~~~~

SHËN TEREZA është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim race, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore.

- Fragment nga FJALA e NËNËS TEREZË, në Oslo, NORVEGJI, me rastin e marrjes së ÇMIMIT NOBEL: “…Që kur erdha këtu, u rrethova nga dashuria, nga dashuria e madhe, që përpiqet të kuptojë gjithçka. E m’u duk se po i shikonit me vëmendje të veçantë të gjithë njerëzit e Indisë e të Afrikës. E m’u duk sikur isha në shtëpinë time. Plotësisht në shtëpinë time, këtu, mes jush! ........ Prandaj erdha t’ju flas. Dëshiroj ta shikoni të varfrin këtu, pikërisht në shtëpinë tuaj. E të filloni ta doni, pikërisht këtu. Të bëheni lajm i mirë për njerëzit tuaj. E t’i thoni fqinjit: “E dini kush jam?”. Kam jetuar një çast tejet të jashtëzakonshëm në një familje induiste me tetë fëmijë. Një zotëri erdhi në shtëpinë tonë e tha: “Nënë Terezë, njoh një familje me tetë fëmijë, që nuk ka ç’të hajë prej ditësh. Bëj diçka për të!”. Pa e zgjatur, mora ca oriz e u nisa. E i pashë fëmijët, e pashë në sytë e tyre ethet e urisë. Nuk e di nëse keni parë ndonjëherë sy të tillë. Po unë i shikoj tepër shpesh. Pashë edhe të ëmën që e ndau orizin e doli. Kur u kthye, e pyeta: “Ku shkove?”. M’u përgjigj thjesht: edhe ata kanë uri. Po kush ishin ata? Mësova se e kishte fjalën për një familje myslimane. Me të e kishte ndarë kafshatën e gojës. Nuk i solla më oriz atë mbrëmje, për ta shijuar me fund gëzimin, që buronte nga ndarja e ushqimit me të tjerët. E lexova gëzimin në sytë e fëmijëve të kësaj nëne, që s’kishte as një dorë oriz, por kishte kaq shumë dashuri për të dhuruar. Kështu, pra, dashuria nis pikërisht në shtëpi. E dëshiroj që edhe ju të dhuroni dashuri, ashtu si po ma dhuroni mua, gjë për të cilën ju jam shumë mirënjohëse. Ishte një përvojë e jashtëzakonshme, që do ta marr me vete në Indi, ku do të shkoj javën e ardhshme, me 15 besoj, duke mbartur me vete dashurinë tuaj. Me bindjen se nuk më dhuruat teprica, por dashurinë që dhemb. Prandaj falënderoj Zotin që na dha mundësinë të njihemi, të ndjehemi kaq afër. Kështu mund t’i ndihmojmë jo vetëm fëmijët indianë e afrikanë, por të gjithë fëmijët e botës. E me këtë çmim, që e mora si çmim të paqes, do të përpiqem të ndërtoj një shtëpi për ata që nuk kanë shtëpi. Sepse besoj që DASHURIA nis nga shtëpia e se, po të mund të ndërtojmë një shtëpi për të varfrit, prej saj do të rrezatojë kudo vetëm dashuri. E prej DASHURISË, do të përhapet PAQJA, lajmi i mirë për të varfrit. Për të varfrit e familjes sonë, së pari, të vendit tonë, e edhe të mbarë botës. Por për ta bërë këtë, jetët tona duhet të enden me lutje!…” ~~~~~

NËNË TEREZA, POEZI

GJEJ KOHË…

“Gjej kohë të mendosh Gjej kohë të lutesh Gjej kohë të qeshesh Është burimi i fuqisë Është fuqia më e madhe mbi tokë Është muzika e shpirtit.

Gjej kohë për të luajtur Gjej kohë të duash dhe të duhesh Gjej kohë të japësh Është sekreti i rinisë së përjetshme Është privilegj i dhënë prej Zotit Dita është shumë e shkurtër për të qenë egoistë.

Gjej kohë të lexosh Gjej kohë të jesh mik Gjej kohë të punosh Është burim mençurie Është rruga e lumturisë Është çmimi i suksesit.

Gjej kohë të bësh mirësi Është çelësi i PARAJSËS.”

~~~~

PËLLUMB KULLA , MJESHTËR I MADH:

T’I PUTHËSH DORËN NËNË TEREZËS. ÇFARË LUMTURIE!

Ti nuk ke asnjë meritë, nuk je përpjekur ta arrish atë, bile as nuk je lutur që të të krijohet ajo mundësi… Është thjesht një rastësi dhe je i përkëdhelur i fatit… Pikërisht kjo ka ndodhur me mua në marrëdhënie me Shënjtoren Nënë Terezë. Unë u vendosa në Nju Jork me shërbim diplomatik dhe u lumturova kur mësova se Nëna e shenjtë aty kish disa rezidenca për motrat e Urdhërit të saj dhe ajo vetë banonte aty gjatë një pjese të konsiderueshme të vitit. Brenda këtyre periudhave të gjata të banimit të saj unë pata rast të gjendem dhe takohem me Nënë Terezën katër herë. Ajo Zonjë e lartë shfaqte kënaqësi sa herë priste apo takonte bashkëkombasit e saj. Kjo shpjegohej dhe me ndalesën famëkeqe të hyrjes në Shqipëri, që regjimi hoxhist ia pat shpallur, për ta penguar takimin me njerëzit e saj në atdhe. Për më tepër ndikonin dhe cilësimet banale të propagandës të shtypit tonë komunist që e trajtonte Shenjtoren e ardhshme si shërbëtore të armiqve të Shqipërisë. Ishte një cilësim, që sado i stisur, i trembte ata pak shqiptarë që kishin mundësi të dilnin tej telave me gjëmba. Ata e vështronin zonjën e famshme nga larg me admirim dhe nuk i afroheshin, për të evituar ndëshkimet që mund të pësonin. U gjenda pranë saj por nuk u takova dot me të në Mëngjesin e Lutjeve të shkurtit 1994. Unë merrja pjesë për herë të parë në një event të tillë që bëhet për çdo vit në Uashington dhe Nënë Tereza u shfaq atje për bekimin e atij mëngjesi. Ishte e pamundur ta takoja sepse ajo u largua pas lutjes, ligjërim që mua më dhuroi emocione të paprovuara më parë dhe më la mbresa të thella. Takimin e parë të vërtetë me të, e pata tri javë më vonë në Nju Jork. Kërkova të më planifikonin një vizitë dhe e bëra atë në një nga vendqendrimet e saj në Manhattan, lagjen qendrore të Nju Jork Sitit. Shoqërohesha nga ime shoqe Xhuljeta dhe kaluam orë të këndshme me atë zonjë të rrallë, që teksa kalojnë vitet, me shenjtërimin e saj, ajo bën atë takim të më duket nga ata që t’i sjell vetëm ëndrra. Ajo na priti së bashku me njërën nga motrat e Urdhrit të saj, Jeanette Petry, që edhe më pas nuk e ndau kurrë nga vetja në të gjitha rastet që patëm mundësi të takoheshim. Nënë Tereza ndihej ngushtë që nuk dinte shqip, kurse ne, burrë e grua, flisnim frëngjisht dhe ato ditë sapo hidhnim hapat e para në udhën e anglishtes. Në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), unë përdorja atëherë gjuhën frëngjishte, që ishte njëra nga gjashtë gjuhët zyrtare të Organizatës. Motra Jeanette ishte kanadeze, e fliste dhe ajo gjuhën frënge dhe na shërbeu shkëlqyeshëm në bisedën tonë të parë. Nëna e madhe sillej me ne me mjaft dhembshuri, dhe na ngjante sikur dukej e lumtur që takohej mbas shumë vitesh ndarjeje me fëmijët e saj. Në takimin e dytë me Nënën unë shoqëroja Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, të ndjerin Pjetër Arbnori. Ishte një takim që ai e dëshironte shumë dhe ma kishte porositur që nga zyra e tij në Tiranë, para se të merrte udhëtimin për në Nju Jork. U takuam në rezidencën tjetër të Urdhrit Nënë Tereza, që ndodhej në lagjen e Bronksit. Sodisja me ëndje takimin e dy katolikve të shquar, por me keqardhje, teksa po jua dërgoj këto kujtime nga Tirana, unë nuk i kam këtu fotografitë që na bënte një fotograf i gazetës shqiptaro-amerikane ILLYRIA. Ama, imazhet e atij takimi i kam të pashlyera dhe falenderimet që më përsëriste më pas zoti Arbnori më tingëllojnë edhe sot në kthinat e kujtesës time. Ai e vlerësonte me tepri organizimin e takimit që shijoi atë ditë me Shënjtoren e Madhe. Dy takimet e tjera me gruan legjendë që pasuan lumturuan gratë dhe fëmijët tanë, të personelit diplomatik që shërbente pranë OKB-së, dhe ca më vonë stafin që përgatiste ILLYRIA-n, gazetën që përmenda më lart. Fëmijët e mbushën me gëzim Zonjën e Shtëpisë dhe unë e shihja më të çelur se gjithë herët e tjera Terezën e dashur. Gëzimi i fëmijëve e bënte dhe atë të lumtur. Për kënaqësinë e familjes, në atë takim të paharruar u ndodh edhe vajza jonë, Era, e cila ishte në prag të sjelljes në dritë të nipit tonë të parë. Përkujdesja e Nënës ishte lotndjellëse: ajo përkëdhelte shtatin e zënë të Erës dhe duke murmuritur lutjen i dhuroi mamasë së ardhshme, për të dhe për beben që priste, dy medaljonë që ata sot i ruajnë me përgjërim të rrallë….. ……. GËZIM ALPION - Profesor në Universitetin e Birminghamit, në Mbretërinë e Bashkuar, autor i dy librave për Nënën TEREZË dhe i më shumë se 50 kumtesave të mbajtura në 15 vende të botës, mbi jetën dhe veprën e bamirëses së njohur me origjinë shqiptare. ( fragment )

“Nënë Tereza nuk ka nevojë për askënd që të shpallë se është apo s’është shqiptare, sepse e kishte më të qartë këtë edhe kur morri çmimin “Nobël” për Paqen ku u shpreh se unë me gjak jam shqiptare. Nënë Tereza është një nga ato përsonalitete kaq të komplikuara, e cila ishte tërësisht e përkushtuar nga ana shpirtërore, gjë që nuk do të thotë se Nënë Tereza nuk besonte në kombin dhe etnicitet. Por ajo kishte diçka më sublime, shikonte përtej kontureve të kombit, përtej kontureve te etnicitetit”….. ……..

ISMAIL KADARE : “… Me këmbënguljen e saj, ajo ( NËNË TEREZA), është deklaruar si shqiptare dhe pranohet kudo, në të gjitha gjuhët e botës, si Nënë Tereza me origjinë shqiptare, që ka lindur nga prindër shqiptarë. Pra, ajo njihet si murgesha, shenjtorja shqiptare…, është Nënë Tereza, që tregon një simbol, një dëshirë të popullit shqiptar për të pasur një kontakt me botën, për t’u lidhur me familjen e popujve, nëpërmjet dashurisë dhe jo nëpërmjet mllefeve, urrejtjes disa herë, siç paraqitet, egërsisë. Kjo figurë, pra Nënë Tereza, papritur e kundërshton këtë gjë, duke treguar se është një popull që ka nxjerrë simbole të mëdha të dashurisë në shkallë planetare. Figura e Nënë Terezës, adhurimi i shqiptarëve për të, është një mesazh miqësie që ai ua dërgon popujve të tjerë. Kjo është diçka e madhe, sepse ky mesazh kthehet mbrapsht, si të thuash në rrethe të caktuara, e, për fat të keq, hidhet një dush i ftohtë mbi këtë prurje të mirë të vlerave të popullit tonë që tregon në këto çaste në Europën e sotme, në Ballkanin e sotëm.”

GJON KEKA : NËNË TEREZA – Arbënorja e famshme e të gjitha kohërave ( fragment )

“…Sa herë që hidhet baltë mbi ne, del Nënë Tereza përballë dhe i tregon botës se kombi ynë ka vlera universale, se ky komb ka humanisten e pavdekshme; sa herë që shtrembërohet identiteti ynë apo rrëshqitet me apo pa dashje në mohime, del përballë figura e Gjergj Kastriotit, e cila na lidh me fatin e Evropës, na lidh me familjen, i tregon botës mbarë se ai është avokat i qytetërimit evropian, është vlera rrënjësore e familjes evropiane, pa të cilën nuk mund të kuptohet dot kjo familje dhe e ardhmja e saj. Ndërkaq, mbi varret e njerëzve të famshëm, ashtu si Nënë Tereza, nuk ka qëndruar gjatë heshtja; ajo sërish ua ka rikthyer zemrat njerëzve, botës, kombeve dhe popujve, por tashmë si një Nënë Terezë e shenjtë. Ajo nuk vdiq, por u përjetësua, u bë vlerë universale, teksa bota i drejton sytë te veprat e saj të pavdekshme, te zemra e saj, te shpirti i saj human. Ajo u pranua si njeri i famshëm, si një dritë që ndriçon anët më të errëta të shoqërisë së varfër në vuajtje, në sëmundje e braktisje, ndaj ajo ndriçoi në shumë zemra që u mahnitën me punën e saj, me jetën dhe misionin e saj human. ~~~

FRANK SHKRELI - Gazetar, drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan:

- SARI BARDHEBLU I NËNËS TEREZË; POETI JAKUP CERAJA PËR NËNË TEREZËN

Sari bardhë e blu i Nënës Terezë, petku i Nënës Terezë dhe i Motrave Misionare të Dashurisë, është simbol i paqës, i bamirësisë, i thjeshtësisë në të gjithë botën. Kryqi, i qepur në shpatullën e majtë, simbolizon Jezusin në kryq si çelsi i zemrës së Misionareve të Dashurisë. Ngjyra e bardhë e sarit është simbol i së vërtetës dhe i pastërtisë, tre shiritat blu simbolizojnë tre kushtet e jetës rregulltare: varfërinë, bindjen dhe çiltërsinë e shërbimit të sinqertë, falas, për më të varfërit, kështu shpjegon faqja e internetit të Kongregatës së Motrave Misionare të Bamirësisë origjinën e veshjes rregulltare të Nënë Terezës dhe motrave të saja, thuhet në një njoftim të Radio Vatikanit, ndërsa thekson se ishte 17 gushti i vitit 1948 — 75-vjet më parë — kur Nënë Tereza veshi, për herë të parë, sarin e bardheblu me vijën blu anash petkut të dallueshëm të njё jete tё re rregulltare, për të hyrë në botën e të varfërve. Arsyen se pse Nënë Tereza kishte zgjedhur të veshte pikërisht këtë uniformë,e shpjegon motra Gertrude e “Misionarëve të Bamirësisë” të urdhërit të nënës Terezë: “Nëna jonë Terezë”, kujton motra Getrude – “zgjodhi veshjen e saj dhe të motrave të saj ngjyrat bardhë e blu, sepse ngjyra e bardhë është simbol i pastrisë dhe i së vërtetës, ndërsa tre shiritat blu, simbolizojnë tre kushtet, që bëjnë rregulltaret: kushtin e varfërisë, të pastrisë, të dëgjesës”. Për më tepër, ka shspjeguar ajo, Nenë tereza e zgjodhi këtë veshje 75-vite më parë, për t’u ngjarë grave që fshinin rrugët e që mbanin sari të ngjashme dhe përshtatshme edhe për klimën dhe atmosferën e varfërisë në Kalkutë. Siç dihet tanimë, Shën Nënë Tereza është bërë një simbol universal, një figurë e dashur jo vetëm për besimtarët, por edhe për jobesimtarët dhe besimtarët e feve të ndryshme, anë e mbanë botës, sidomos në radhët e shqiptarëve, pa dallim feje a krahine. Është vështirë të thuhet numri i saktë, por dihet se për Nenë Terezën — fituesën e Çmimit Nobel dhe dekoratave të tjera ndërkombëtare, anë e mbanë botës — janë shkruar qindra libra, mijëra artikuj, filma dhe dokumentarë të llojllojshëm, në gjuhët kryesore të botës. Unë nuk isha në dijeni të ndonjë poezie kushtuar Nenë Terezës, as në nivel kombëtar as ndërkombëtar, megjithse mund të ketë të tilla poezi në gjuhë të ndryshme – por ndërkohë, rastësisht ndesha në një poezi të poetit, shkrimtarit dhe atdhetarit nga Kosova, të ndjerit JAKUP CERAJA – Poeti i sfidave të përherëshme dhe i atdhedashurisë — botuar me 18 gusht të vitit 1984, në revistën Drita, organ i Ipeshkvisë së Kosovës, dedikuar Nënës Terezë. Siç duket, i emocionuar dhe i frymëzuar shumë nga jeta e murgeshës shqiptare, poeti Jakup Ceraja ka përpiluar vjershën, e rrallë edhe për nga subjekti, me titull, thjeshtë: Nënë Tereza. Po e sjell për lexuesin e interesuar në këtë 75-vjetor të 17 gushtit të vitit 1948 — kur Nënë Tereza veshi, për herë të parë, sarin bardheblu – petkun identifikues të saj dhe të motrave të Urdhrit fetar, themeluar prej saj… (poezia është brenda libërthit, shënim I.S.) ~~~

FATBARDH MARKU- Kalorës i Urdhrit të Shën Silvester Papa, piktor, skenograf: (fragment)

“…Diku kisha lexuar se dy janë shqiptarët e mëdhenj me të cilët duhet të krenohemi patriku ikumenik i Kostantinopolit Atenagora, i cili me përqafimin e tij historik në Jeruzalem me Papa Palin e VI, hapi rrugën e mirëkuptimit të dy grupimeve më të mëdha të krishtera… dhe tjetra ishte Nënë Tereza, një figurë e madhe që gjithë bota i përulej me respekt. Si ajo nuk ka të dytë në botë. Kudo edhe sot ajo është unike në të gjitha drejtimet…

Në ditët e para të demokracisë, m’u afruan motrat e saj të shtëpisë së Nënë Terezës në Elbasan në mënyrë të thjeshtë, duke më kërkuar ndihmë për meshat që bëheshin në atë kohë përballë shtëpisë sime, ndihmë, të cilën unë ua jepja pa asnjë shpërblim. Duke parë punën e tyre në shërbim të njerëzve në nevojë, përkushtimin në punë, më lindi ideja për të bërë një skulpturë në oborrin e shtëpisë së tyre (Skulptura është një guvë që shfaqet Shën Maria.), gjë që ja thashë e ato e mirëpriten duke bërë shpenzimet e materialeve, vepra u realizua në fillim të vitit 1993. -Kishte disa muaj që vepra ishte realizuar dhe një ditë motrat në orët e paradites, më lajmëruan se kishte ardhur Nënë Tereza në Elbasan dhe donte të më falënderonte. U nisa me shpejtësi për atje dhe shtëpia ishte plot me kureshtarë. Motrat sapo më panë lajmëruan Nënë Terezën e cila mu afrua dhe më falënderoi, me kapi të dyja duart dhe mi mbështolli lehtas me të sajat duke më falënderuar dhe bekuar..Ishte një prekje hyjnore dhe mua mu krijua sensacioni se nuk peshoja, sikur isha në ajër. Ajo ishte e vogël, më vinte deri te mjekra. Instinktivisht doja të gjunjëzohesha për t’u barazuar, por ndjeva kundërshtinë e saj dhe nuk munda ta bëj… …..

{VO: Të dashur miqtë e mi të mirë lexues, ishin paksa brenda faqeve të librit, tashmë në botim, për SHENJTOREN QË NJEH GJITHË BOTA - MATHER TEREZA dhe BIJËN E KOMBIT TONË - ANJEZE (GONXHE) BOJAXHIU. Në MUAJIN e LIBRIT ( tetor), do t’jua postoj të plotë në attach., këtu në fb, për ta pasur si një dhuratë simbolike nga unë. Ndërsa në MËSONJËTORET E MËRGUARA:- FILADELFIA, PATRA, ASTI ( ITALI ), ATHINË, SELANIK, KALABRI…, libërthi, sëbashku me stilolapsat, do të jenë pjesë e bibliotekave të tyre. Kaq mundësi ka hapi im i vogël. FALEMINDERIT PËR MIRËKUPTIMIN DHE PRANINË PA KUSHTE TE NJERI-TJETRI! PAÇI BEKIMET E ZOTIT DHE TË SHENJTORES SONË - NËNË TEREZA! Ju njoftoj se janë në proces botimi ( shtator-tetor ), 7 SHENJTORË TË FJALËS, në vazhdim të kolanës " KUJTESË PËR VAZHDIMËSI": 1. ZEF KAKOCA ( Pino Cacozza ) 2. MARTIN CAMAJ 3. BILAL XHAFERRI 4. XHEVDET BAJRAJ 5. ZEF SEREMBE 6. JERONIM DE RADA 7. ZEF SKIRIO DI MAXHIO

- iliriana juaj, SOT e PËRGJITHMONË, Brooklyn, NY, 5 shtator 2023

29 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page