NËN (parafjalë) NË NJË LIDHJE ANTIHIMNI
- sprovë -
Nga Vasil Vasili
“Nën” (parafjalë), të detyron të shikosh poshtë, për të mbërritur atje, (nën) flamujtë. “Nën”, e lidhur me “flamujtë”, është toka, por toka s’duket. Ajo thjesht është një “nën”. Në fjali është një emër i munguar, i fshehur “nën” një parafjalë. Lidhja ka tregues të habitshëm: ajo fillon të shtohet fill pas parafjalës, por jo vetëm në kahun e djathtë të saj, por edhe në atë “nën” nistore, që është e thukët, sikur ajri i tingujve s’ka qënë në atë çast i gatshëm për t’u rekrutuar, po shpejt-shpejt, ka vënë dy themele me “n-të” dhe ka hedhur një hark romak me “ë-në”, pastaj u mblodh brenda vetvetes. Gjithësesi “shtimi” i saj e tejkalon përkorjen, ndaj të grish, të bësh një pushim logjik, për të mbërritur gjer në nënkatet kuptimore që ndryn. Ç’farë është një parafjalë e vetshpjeguar në emërtim? Para fjalë, ende jo fjalë. Shpjegimi, megjithëse është ngjyer në një rregull, s’është shterues. Migjeni ka parandjerë një burim që shtohet brenda kësaj “nën”, në lidhjen me flamujt. Dhe mbase, pikërisht për këtë, e ka parapëlqyer. Ajo vendos lidhje të thella me fjalën “flamujt” dhe bëhet nyjë mendimi. Nën flamujt është toka, por thelbësisht flamujt s’kanë lidhje me tokën. Ata janë ngritur mbi tokën, por jo për tokën. Duhet një arsye më e epërme se sa toka, që të ngrihen flamujt. Nga një “nën” u nënkuptua toka, nga flamujt u gjet toka, por toka s’është lënda me të cilën celebrohen flamujt. Flamuj të tokës s’ka. Dikur toka u bë atdhe. Flamujt u bënë të atdheve dhe e shndërruan tokën në një emër ngashnjyes. Flamujt janë një shkallë e epërme përfaqësimi dhe s’mund të ngrihen mbi tokën si të tillë. Fisnikëria e flamujve e do eklisirin ta thithë prej atdheve. Lidhja, edhe gjer tani, është me shumë nënshtresa kuptimore. Kuptimi mund të udhëtojë përsëri në kahun e majtë, në atë “nën” nistore, që ishte vetëm parafjalë, që lëshoi në kahun e djathtë kuptimet e saj të fshehura. Tani, ajo “nën”, nga një parafjalë, që të detyron të shikosh poshtë, për të mbërritur atje (e papërcaktuar në fillim), nën flamujt, u bë tokë dhe, toka nën flamujt, ka një jetë të përbashkët të gjindjes, që gjallon nga lindja në vdekje mbi ‘të.
Duke i bashkuar fjalët që dolën nga flamujt, në takimin e fshehtë me atë “nën”, do të kemi morfologjinë: “Nën tokë-atdhe”.
Flamujt, atë “nën”, e bënë atdhe, duke e bashkuar me tokën dhe, shestuan qëllimin e gjindjes për një jetë ndryshe, pikërisht nga qenia e tyre mbi tokë. Flamujt përfaqësojnë një vullnet mitik dhe një mund të përgjakur, të pashkëputur. “Nën tokë-atdhe” s’është një lidhje kuptimore e plotësuar me mënyra të qarta, ajo do kod të “përkthehet”. Me përkthimin e kuptimeve të para hapet rruga për artin. Migjeni është në gjendje të përhershme përkthimi. Përkthen duke i fshehur përsëri kuptimet në brendësi, ndërsa fjala nxjerr fjalë nga vetvetja dhe bëhet fjalë e shtuar. “Nxjerrja” është përkthim i fjalës, që e edhe ajo rezatohet për t’u përkthyer nga fjalët e ndodhura në qerthullin e saj. Pa e marrë si aksiomë, por gjithnjë duke e këqyrur me dyshim, fjalët dinë më shumë se sa përdoruesit e saj.
Për t’i dhënë plotëri kuptimore lidhjes sinonimike “Nën tokë-atdhe”, duhet të flijohen disa nënkuptime, që gjenden në fjalët e saj, pasi ndryjnë, pa u futur në thjerrë, më shumë nëntekse se sa u jep forma grafike e tyre e rrafshët. “Nën”, e parë nga flamujt, bëhet toka atdhe. “Nën”, kthehet në rolin e parë të parafjalës, (që ende s’thotë fjalë), por edhe fjalët tokë-atdhe, që kanë lindur njëra-tjetrën me ndihmën e asaj “nën”, cungohen kuptimisht pa flamujt. Atdheu është festë në qenien e njeriut. Por me qenë se atdheu është në dhe mbi tokë, pra “nën” (me nënkuptimet), ai do, që të ngrihet të shpallë festën në flamujt e tij. “Nën flamujt”, është një lidhje e mjaftueshme gramatikore, madje ajo e shton vetveten në psikikë. Për psikikën hisorike është ngadhnjim, për logjikën zyrtare është gjendje festive ideale. Gjer në këtë cak, shestimi i bardhë i Migjenit shoqëron artistikisht me heshtje ngadhnjimin dhe festën. Më tej, lidhjes “Nën flamujt”, Migjeni i shton një fjalë, që edhe fjalëformimi dhe gramatika, në bashkëveprimet e tyre klasike, s’janë përgatitur për ta mirëpritur. Një shtesë e tillë, për ata që i përdorin fjalët si himn dhe për fjalët mikëpritëse “nën flamujt”, është pragu i një gjendje helmimi.
Gjithsesi, Migjeni e plotëson lidhjen e filluar me fjalën “melankoli”, (le të bëjë reaksion përbërja e saj kimike me kiminë e vjetër të kombit). “Nën flamujt e melankolisë”, është forma përfundimtare e lidhjes së parafjalës “nën” me flamujt, nën shpalosjen festive, që u bë tekst modern, me jetë të sajën, pa paraardhëse, pikërisht nga vendosja e fjalës “melankoli” përkundruall fjalës “flamujt” dhe në shpinë të saj, të fjalës “nën”. Në këtë vendosje është e vështirë të fiksohet kush është pasqyra dhe kush pamja e përthithur. Ajo që mendohet humbëse është melankolia, por s’ndodh ashtu. Meqënëse të dyja fjalët janë me prejardhje nga urna e shënjtë e shpirtit të popullit, s’duhet të kishte kurrë humbës, por melankolia është një shpirt i gjallë i dëshpëruar, që i jep flamujve pamjen e vet. Migjeni dha një organizim të ri, rrënjësor të kuptimeve të tri fjalëve, duke e lënë të hapur gjuhën për veçantinë e artit, që të shkojë në zona të panjohura më parë.
Lidhja e nistores parafjalë “nën” u bë e plotë. Kahu i djathtë i saj u plotësua gramatikisht edhe me një gjymtyrë, prandaj s’e ndjen nevojën për plotësime të tjera, veçse ajo mbetet fjali me kyç në nistore dhe pa folje të shprehur. Kjo mënyrë të shprehuri që kërkon “përkthim” e mban pezull kërshërinë për të mësuar se nga i buis energjia dhe ç’farë emërton në thellina. Ajo mund të bëjë jetën e saj të mëvetësuar edhe duke iu vënë në provë çdo gjymtyrë si kategori. Por dituria jonë ngulmuese, mbi fjalët dhe mbi kategoritë e tyre, ka ngritur kuptime si plotësa. E futur në bashkëlidhje me lidhje të tjera, ajo krijon probleme, se nxjerr mendime jo shoqërore. Ajo edhe në lidhjen fillestare “nën flamujt”, krijon probleme, por gjithsesi ato janë të kapërxyeshme. “Nën flamujt e melankolisë”, pa i dhënë kuptime të ngurtësuara, mund të këqyret si e përkthyer. Nën (toka, atdheu); flamujtë (simboli, ngadhnjimi, festa mitike); melankolisë (një gjendje si e sëmurë). Nga kjo këqyrje e tri fjalëve, me shtesën nënkuptimore, që ato lëshojnë, mund të përftohen disa lidhje të reja: Toka, ngadhnjim i melankolisë; Atdheu, simboli i melankolisë; Tokë atdheu, ngadhnjimi festiv i melankolisë.
Këto forma janë brenda formës së parme (të pa përkthyer ose stilistike) të “Nën flamujt e melankolisë”. Ato kanë qënë gjallesa të lira në qerthullin e fjalësit në përdorim, gjatë psikologjisë krijuese të Migjenit, që u flijuan për një derdhje stilistike. Prandaj, ato i lexojmë si të “përkthyera”, edhe brenda nënkateve të poezisë.
Fjala “melankoli”, e cila e përmbys lidhjen fillestare “Nën flamujt”, e përdorur me të gjithë pluhurën e saj kuptimore: jo heroike, jo jetësore, një gjendje e sëmurë, një vuajtje, një pikëllim me statusin e përçmimit shoqëror, është e vendosur pranë fjalëve të fshehura: “Tokë-atdhe”, që kanë nxjerrë në sipërfaqe, për t’i përfaqsuar, parafjalën “nën” dhe fjalës simbol “flamujt”. Ajo, u përcakton atyre, në thellësi, kahun kuptimor dhe në sipërfaqe, ngjyrimin me nënteks. Edhe ajo “nën” ka marrë tagrin e tokës atdhe dhe të jetës mbi këtë tokë-atdhe, edhe ajo e zvogëlon tokë-atdhenë në përmasat e saj parafjalore. E megjithatë, ajo ngre nga shtati i saj i ngushtë (primitiv semantik) një tokë-atdhe dhe, megjithëse si kategori gramatikore, s’është e njëjtë me emrat që ka lindur në thellësi dhe me psikikën legjendare, që ka endur në kujtesë, ajo, në këtë vendosje, është krijuesja e nënkuptuar e tyre. Për këtë shërbim, ajo nuk përçmohet dhe, po për këtë shërbim, lihet në asnjanjësi, gjatë përdorimit të jetës së saj.
Flamujtë janë festë e përherëshme e atdheut. Midis atdheut dhe flamujve ka lidhje himni. Ndërmjet tyre s’lejohet të hyjë as hija në plasa. Flamujt janë në sigurinë e pa lëbyrur të tempullit, në atë “nën” (tokë-atdhe). Migjeni, për këtë lidhje, përdor një “nën”, e menduar si poshtë flamujve, me “shpirtin” të ngritur në shtizë. Është e vetmja formë e saj, që s’e fyen tokë atdhenë. Të gjitha të tjerat mbi tokë, tokë atdheu i do të përkohshme, madje edhe festën, por Migjeni s’shikon mbi tokë flamuj ngazëllyes, që e kthejnë çastin në ngadhnjim, por një formë të zbehët të tyre të shndruar në melankoli.
Me “nën” (tokë-atdhe) dhe me simbolin e tyre flamujtë, Migjeni ka lidhur melankolinë, të shkallëzuar në të trishtueshme dhe, e ka shpërndarë në nënkuptimet goditëse të poezisë. Përftohet nga kjo lidhje një përfytyrim, që del nga një gjendje shtjelle në vlim të ftohtë, që ndehet i rafshët, pa reliev mbi këtë “nën” (tokë atdhe). Relievi fillikat i përfytyrimit është melankolia e trishtueshme, që mund të quhet: “mal shtypës” mbi këtë “nën” (tokë atdhe).
Migjeni i jep pamje të re tokë atdheut në ngadhnjim zyrtar, i thotë melankoli. Përkthen nga gjuha mitike, e marë në brendësi të festës dhe e kthen në gjuhën e tij artistike, duke nxjerr jashtë tempullit kuptime të parthëna. Veçon me ligjërim stoiku shendin ceremonial nga toka atdhe. Melankolia është shpirti i asaj, që është nën flamujt festivë, është një gjendje e përherëshme, që e kanë atdhetë dhe, është një flamur nën tokë atdhetë festivë. Melankolia e trishtueshme është pragu i antihimnit të pëshpëritur nën zë. Me këtë shestim Migjeni kumton: himni përpëlitet në notat e melankolisë dhe rrezikon të zhbëhet, në qoftë se s’është në të sotmen dhe në festën e saj. Që të mos zhbëhet himni, duhet të ribëhet ajo “nën” (tokë atdhe), që të mos jetë përtej shqisave dhe të mos dalë hapur kundër përfytyrimit mitik. Brenda himnit gjallon antihimni, aq sa mund të flitet për antihimnin në himn, siç mund të flitet për himnin në antihimn. Ata (në këtë rast, është pamundësi e gjuhës gramatikore për t’a shprehur “ata” njëherësh edhe në njëjsin përfaqsues) janë energji jetësore brenda një trupi, pa qënë pjesë secili, por një njësi e padallueshme. Himn(i) ose antihimn(i) emërtojnë të njëjtin shpirt (të popullit). Melankolia e ka në brendësi fjalën jetë dhe në sajë të mundjes nga ekzistenca ajo jeton (si këngë në muzg); ndërsa himni ruan, në një cep të grisur nga melankolia, historinë në festë. Në festë, himni është i përfaqsuar, jo i drejtëpërdrejtë, prandaj ai s’e ka asnjëherë dhimbjen e jetës. Kurrë s’e shpallim se ç’farë kemi më shumë në kujtesën e gjatë të qepur në flamur: shendin apo melankolinë. Mungesa e këtij flamuri shpirtëror, me ngjyra të thella, të damkosura nga jeta, në valvitjen e flamujve festivë, e bën më pak madhështor himnin.
Nën (me nënkuptimet) është miti i domozdoshëm, është ajo që thadron në mise atë që është vetëm e jona. Ndërsa Migjeni, i bashkëngjit asaj melankolinë dhe i heq shendin ceremonial festës, për t’u parë se atje ka më shumë melankoli të trishtueshme se sa pranon një baraspeshë natyrale.
Ky është Ai që është Nën Flamujtë e Melankolisë në një nga gjendjet e tij (të përhershme) me energjinë e antihimnit në brendësi të trupit.
Migjeni vesh mbretin lakuriq, që është nën flamujt e melankolisë.
Comments