top of page

NË VEND TË NJË URIMI…


MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA.

NË VEND TË NJË URIMI…


Nga Visar Zhiti



“U themelua dega më e re e Vatrës në Çhicago, në 4 shkurt…” - boton lajmin e entuziazmuar “Gazeta Dielli – Faqja Zyrtare” dhe urojmë sinqerisht që ky entuziazëm të kalojë nga ai grusht i parë “aktivistësh të saj”, tek anëtarët e parë dhe të mbërrijë në sa më shumë shqiptarë në metropolin botëror të Çikagos.

Çdo familje shqiptare në SHBA është një “vatër”, do të thosha, çdo shtëpi është një “ambasadë” dhe urimi i parë është, ashtu siç e ka dhe Kushtetuta Amerikane, që qofshin të lumtur! Të mirë integruar, të marrin sa më shumë nga idealet e larta të Amerikēs, të lirisë dhe të demokracisë, të Kulturës së Shtetit më të fuqishëm në botën e sotme dhe të dinë të investojnë dhe në dheun amë nga ato të gjitha për një begatim të mëtejshëm.

Ndërkohë u duhet dhe bashkëpunimi i ndërsjelltë, dashuria, përbashkim sa më të gjerë, në vijim njohje të kulturës amtare, mbështetje dhe përhapje të saj aty ku janë, veçanërisht ruajtjen e gjuhës së lashtë dhe të bukur shqipe, një nga gjuhët më të rendësihme në botë, sipas shkencëtarëve linguistikë, mësimin e saj në brezat e rinj.

Themeltarët e ndritshëm dhe të paarritshëm të Vatrës së dikurshme shqiptare në SHBA, i shumëdituri Faik Konica dhe Imzot Fan Noli, idealistë të mëdhenj, shkrimtarë të mëdhenj, veprimtarë të mëdhenj, apo dhe kryetarë të tjerë të hershëm të bashkësisë panshqiptare, që lanë gjurmë të pashkyeshme n:e më shumë se një shekull, siç qe midis tyre dhe Profesor Arshi Pipa, filozofi dhe poeti, që u arratis nga burgjet e diktaturës së atdheut, Kanunorja e përbashkët që lanë trashëgim ata, arritjet patriotike dhe kulturore, qofshin përherë pishtarët udhërrëfyes dhe program në rrugëtimin e shqiptarëve në Atdheun e Ri, për një rimëkëmbje shpirtërore të tyre në çdo “vatër”, ndërkohë dhe urë e idealit Kombëtar me realitetet e shtetit të madh amerikan.

Në metropolin e Çikagos tashmë dihet që ka dhe traditë shqiptaro-amerikane, sado të pakta, për ne janë të çmuara dhe shumë, mjafton të kujtojmë të famshmit e kinemasë dhe të teatrit amerikan, vëllezërit korçarë Belushi, po në Çikago kanë jetuar dhe patriotët e shquar, vlonjati Isuf Luzaj dhe çami Bilal Xhaferri, të dy shkrimtarë të shquar, po kështu kemi bamirësin dhe investitorin e albanalogjisë, përmetarin idealist Idai Edy Bregu, etj, jetët dhe veprat e tyre duhen të jenë shembuj frymëzimi për të bërë më të mirën dhe më shumë.

Në Çikago ka biznese të suksesshme shqiptarësh, por ka dhe intelektualë të shquar, profesionistë, pedagogë, studiues, inxhinierë, ekonomistë, juristë, mjekë, politikanë, këshilltarë, gazetarë, këngëtarë, dhe të famës botërore, artistë, botues, etj, sintetizues të të gjithave: shkrimtarë. Dhe të mos harrojmë që ka dhe lexues pasionantë, grupe dhe shoqata, të fuqishme janë dhe ato të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, e Jugut për ne, ato të Kosovës, të Malit të Zi, janë institucionet e fesë, një xhami e shqiptarëve, kisha ortodokse e shqiptarëve, komuniteti katolik shqiptar dhe lega e tyre “Gjon Buzuku”, më tej ngjitur është dhe Teqeja e shqiptarëve, ku të gjithë nderojnë dhe kujtimin e Baba Rexhepit ashtu si dhe Motrat Qiriazi, që erdhën në atdhe dhe hapën shkolla shqipe, por diktatura komuniste i përndoqi dhe i burgosi dhe i vrau, po është shoqata e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, revista e tyre “Pena”, ndërkaq gazeta “Dielli”, e themeltarëve të saj të ndritur, tashmë është bërë gazeta më e vjetër e të gjitha diasporave në SHBA, mbi një shekullore, pastaj iu shtua shqiptarëve dhe gazeta “Illyria”, duke arritur te revista elitare kulturore “Peizazhe të Fjalës”, institucione krahas instituteve, akademi, jepet mësim shqip në shkolla, ka degë të letërsisë shqipe në universitete, krahas radiove lokale shqip është “Zëri i Amerikës”, institucioni më i fuqishëm në botë i komunikimit, ku është dhe seksioni shqip, etj, dhe më e rëndësishmja, është rritur një brez i ri shqiptaro-amerikan, studentë të shkëlqyer, që janë futur në jetë në fusha të ndryshme, të shkencave dhe arteve, madje edhe të ushtrisë duke i shërbyer me devotshmëri e besim Atdheu të ri, SHBA në çdo pikë të globit, etj.

Një areal i bukur, i fuqishëm, duhet njohur dhe dashur dhe frymëzuar. Në fakt duhet të frymëzohen prej tyre të gjithë, prej talentit dhe sinqeritetit rinor, prej dijeve, larg politikave përçarëse, asaj egërsie aq ballkanike, fodullëkut tradicional, prapashpinërive dhe korrupsionit shtetëror në vendin që lanë, nga ku tentakulat e këqia të së kaluarës janë përpjekur të mbarten dhe përkëtej oqeanit. Në Amerikën e madhe kanë ardhur shumë të përndjekur, ish të burgosur politikë, por po aq shumë nga ata që përndiqnin dhe fusnin nëpër burgje dhe kjo duhet parë dhe si ndërgjegjësim, vijnë pas një diaspore të përgjegjeshme politike, e emancipuar dhe patriotike, vepruese, me të persekutuar në atdhe, ku palët tani të dënojnë së bashku të kaluarën, me drejtësi, me mirëkutim, por dhe si paqe, për të ndërtuar një të tashme normale brenda vetes, për një të ardhme shpirtërore më të mire, një vatër përbashkuese.

Dhe të mos keqpërdoret, të mos i shërbejë një përçarjeje të re apo politikave të mbrapshta në Shqipëri. Duhet përballje me kujtesë dhe kujdes, me ide dhe punë dhe vizion, jo me mirazhe, pa u hutuar nga themelimet kafeneve apo restoranteve, që të mos shndërrohen thjesht në biznese të përfitimeve vetanake, në pirje dhe ngrënie, madje dhe të njëri-tjetrit siç dhe ka ndodhur, duke u kthyer në konflikte dhe gjyqe, ku harxhohen dollarë, shpesh e të tjerëve, e anëtarësisë. Por të duam të ngremë veten së bashku. Themelime pranë busteve të idealistëve, heronjve, pranë librave dhe hartave, me projekte dhe këshilla drejtues e kryetarë që janë shquar duke i dhënë komunitetit, me idealistë dhe profesionistë…

Pra themelimet të nisin me një bibliotekë të re a muze a shkollë.

Shqiptarët shquhen dhe për mirë. Në botë dua të them. Si popull dhe si individë. Kanë një histori të lavdishme:

1- Kanë mbrojtur në shekuj identitetin dhe kulturën e tyre pa dëmtuar popujt e tjerë. Madje u bënë dhe mur mbrojtës i Europës dhe kulturës Perëndimore.

2- Shqipëria, kur populli hebre përndiqej nga bisha naziste-fashiste, u bë atdheu i tyre i dytë, shqiptarët i futën nëpër familje për t’i mbrojtur. Vepruan dhe institucioni i lashtë Besës dhe i mikpritjes.

3- Dhe kur Italia fashiste kapitulloi, mijëra ushtarë të saj endeshin rrugëve të uritur, prapë shqiptarët bënë të pabesueshmen, u dhanë bukë dhe strehë dhe ndodhi porosia biblike: armiqtë t’i kthejmë në vëllezër.

Dhe të mos lejohet, të mosveprohet që vëllezërit të kthehen në armiq.

4- Shqipëria është vendi emblematik i harmonisë fetare.

Ja, pra disa nga virtytet kolektive që ia tregojmë botës, ia japim njerëzimit, që, edhe kur je një popull i vogël, prapë je i madh nga vlerat.

Kumunitetet shqiptare, edhe ato arbëreshe, tashmë janë konsoliduar në SHBA, janë integruar pa humbur, sepse është Amerika që të pranon dhe t’i jep mundësitë të gjitha të shpalosesh se cili je, se ç’arrtitje ke, nderon lidershpin moral dhe kulturor të popujve, është vendi ku njihen dhe nderohen lart edhe Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, i cilësuar dhe si “Mbrojtësi i paepur i qytetërimit Perëndimor”, edhe ikona e dashurisë së botës, Shenjtorja Nënë Tereza jonë. Që të dy kanë shtatore në SHBA.

Çdo “Vatër” shqiptare ta mbajë ndezur këtë zjarr, zjarrin e atdhedashurisë, si për vendin-amë, Shqipërizën tonë, siç i thoshte Naimi ynë, dhe për Atdheun e ri e të madh SHBA, për forcimin e miqësisë mes dy popujve tanë, bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Tashmë dhe Shqipërinë e kemi në Aleancën me të fuqishme në glob, në NATO, ajo s’është vetëm ushtarake, por dhe ekonomike e kulturore. I quajmë aleat Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ato kanë qenë dhe janë shpëtimtari jetik i Kombit tonë, na kanë mbrojtur duke e ndalur copëzimin e mêtejshëm të trojeve tona dhe çliruan Kosovën tonë. Dy shtete shqiptare në Ballkan. Një diasporë e pêrbashkët në SHBA. Edhe në metropolin botëror të Çikagos.

Thënë përmbledhshëm, p:er ta mbyllur, mbas urimeve duhet punë, në fakt duhej dhe para urimeve, mbas entuziazmit duhet përkushtimi, në fakt duhej dhe para tij, dhe patjetër veprat, të mëdha, të vogla, ato të idealit të përbashkët, që na duhen...

21 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page