Guri i librit
(Në vend të një kujtese për Nazif Bahollin)
Fatmir Terziu
Është strukur diku nën damarët e Gurit,
bën gargaranë e fundit të Faljes,
deri sa të marrë Frymë.
Pastaj do të dalë si burri i burrit
të shtrëngojë dorën me Kristoforidhin,
duke mallkuar mbi errësirën
që zbret nga Krasta...
... e tashmë iu ka ngushtuar edhe kopshti,
lëpjetakë gjethegjërë kanë ngritur kryet,
lazdrohen shpejt forcohen nga boshti,
dheun ia troshitin si poshtë sofrës,
mungojnë vetëm macet,
... dremisin në qoshe.
Urtakët bulëzojnë në salla
përthyejnë imazhin si në fytyrën e një gjethi,
mësojnë se si lindi Guri i librit
mbi dhimbjen e dhuruar të Tjetrit...
Bamirësia nuk është zverdhur nga pluhurat e kohërave
ka shkundur mbi ta stinët politike,
frymën nuk ia fshiu as teksti,
as procedurat e mbarsura burokratike. Tinës
pesha e dhimbjes memoriale për të birin e solli
të lindte Biblioteka e Elbasanit “Qemal Baholli”.
Sot e mot ajo me dyer të hapura të fton,
mes librave e mijëra dokumentave koleksion,
ai që e dhuroi, Nazif Baholli i thonë...
Shënim sqarues: Nazif Baholli, një ish-pronar i njohur i qytetit të Elbasanit, e ndërtoi dhe e dhuroi në vitet 30 si bamirësi bibliotekën për qytetarët e Elbasanit, pasi një nga djemtë e tij, Qemali, liceist në Liceun e Korçës, humbi jetën në moshë të re. E ideoi çeljen e kësaj biblioteke publike në kujtim të të birit dhe që nga ajo kohë ajo mbajti emrin “Qemal Baholli”. Festa e përurimit u organizua në vitin 1935 dhe biblioteka iu dorëzua bashkisë si një institucion i zhvillimit kulturor të Elbasanit. Sot, biblioteka, është trashëgimi kulturore e qytetit të Elbasanit. Biblioteka “Qemal Baholli” me 200000 libra, koleksione dhe periodikë në gjuhë shqipe dhe të huaja, shquhet sot jo vetëm për veprat e rralla, koleksionet e fondit të periodikut të periudhës para Luftës II Botërore, por dhe ndër bibliotekat më të pasura të vendit për nga pasuria që zotëron. Në një postim të Fatos Bajraktarit titulli „Kur elbasanasit e pasur investonin në kulturë e shkolla“ shkon më përshtat me një shprehje të vjetër të civilizimit kur thuhej se kultura të jep bukë, gjë e cila ka shumë kënde veshtrimore dhe komentuese. Sidoqoftë ajo që mbetet mjaft e rëndësishme është ajo që është fakt.
Një nga figurat e arsimit dhe kulturës elbasanase Fatos Bajraktari, që është dhe një enciklopedi memoriale e Elbasanit shkruan në statusin e tij se „Themelet për ngritjen e bibliotekës “Qemal Baholli”, janë hedhur në gusht të vitit 1933. Kjo ishte nji dhuratë që Nazif Baholli i bëri qytetit të Elbasanit për djalin e tij të ndjerë, Qemalin që vdiq në nji moshë të re. Inagurohet më 23 korrik 1935. Biblioteka "Qemal Baholli" me 200.000 libra, koleksione dhe periodikë në gjuhë shqipe dhe të huaja, shquhet sot jo vetëm për veprat e rralla, koleksionet e fondit të periodikut të periudhës para Luftës II botërore, por dhe ndër bibliotekat më të pasura të vendit për nga pasuria që zotëron. Ka fondin e albano-ballkanologjisë, një nga fondet më të rralla, por edhe më të rëndësishme, dhuratë për këtë bibliotekë nga partioti Lef Nosi.“ Sipas Bajraktarit, „Libri më i vjetër në fondin e bibliotekës "Qemal Baholli" është botim i vitit 1526, i botuar në Venecia, i një historiani të lashtë latino grek, Aleksandër Apiani me titull, "Luftrat iliro-romake", në latinisht. Ndërsa libri më i vjetër në gjuhën shqipe daton në 1664 "Dokrina e Krishterë" botuar në Romë, i përkthyer nga Pjetër Budi.
Për më tepër informacion Fatos Bajraktari poston dhe disa fotografi dhe një ftesë të familjes Baholli për ditën e inagurimit, gjithashtu foto të Nazif dhe Qemal Bahollit, po ashtu dhe nga dita e inagurimit dhe foto të bibliotekës në vite të ndryshme.
Ndërsa në një postim tjetër Lolu Papajani, shkruan: „Në 23 korrik të vitit 1935, u inagurua Biblioteka „Qemal Baholli“, ndërtuar dhe dhuruar Bashkisë Elbasan nga Nazif Baholli (gjyshi im) dhe djemtë e tij për të përjetësuar emrin e të birit Qemalit, që ndërroi jetë në vitin e fundit të Liceut të Korçës nga një sëmundje e rëndë.
Në ceremoninë e inagurimit i dërguari i Mbretit z. Xhaferr Ypi ndërmjet të tjerave tha: “Historia kombetare do ti shkruaj me germa të arta emrat e këtyre njerëzve dhe populli shqiptar do ti kujtojë me respekt dhe simpati....”.
Por ndërsa flitet për dhuratën e madhe pak ose aspak është folur për ata që për javë të tëra derdhën djersën vullnetarisht në themelet dhe muret e kësaj godine. Ishin mjeshtrat e mirënjohur nga Golloborda, që kishin dhënë shembullin e tyre profesional në godina të tjera, shtëpi dhe banesa të ndryshme, e që tashmë ishin thirrur dhe ishin të gatshëm të hidhnin themelet dhe gurët e qosheve të kësaj godine që ende flet për stilin dhe sigurinë e saj. Dy nga më kryesorët ishin Sherif Abdyl Sinani (I vjetri), dhe Jonuz Dail Çereni (i vjetri), të cilët ishin dhe kushërinj të parë, djem tezesh. Pasi u konraktuan, ata deklaruan se do të punonin me tërë grupin e vetë thuajse dy javë falas, kur mësuan se kjo vepër ishte për kulturën dhe bëhej për librin, për aq më shumë që ishte e falur. Ata ishin dhe miq të familjes Baholli, pasi kishin punuar në disa nga banesat e tyre.
تعليقات