Në vend të një grushti dhe për Nebil Çikën
Fatmir Terziu
Para njëzetë e dy viteve kolegun e fundit që takova para zyrave të gazetës së „RD“-së ku punonim bashkë ishte Nebil Çika. Më kishte pritur gjatë. Ndërsa isha vonuar teksa prisja të merrja vizën e shërbimit në një nga Ambasadat Perëndimore në Tiranë, ai kishte lënë një nga të afërmit e tij me temperaturë dhe më priste. Kur u afrova ngula këmbë të uleshim diku dhe të qëndronim pak, por ai buzëqeshi dhe ma bëri me shenjë nga miku i tij që kishte ndezur makinën dhe ishte gati për tu nisur, pikërisht atje ku ishte tashmë i shtruar i afërmi i tij. E kështu shtrënguam duart dhe duheshin disa vite më pas të uleshim së bashku me Uran Kostrecin dhe të flisnim gjatë e gjatë. Atë ditë ai kishte një shenjë të hidhur zemërimi në fytyrë. Ishte me detyrën e Kryetarit të të Përndjekurve dhe diku, në një zyrë kishte trokitur dhe ata e kishin përbuzur një kërkesë të tij. Një kërkesë legjitime për një të shtresës së përndjekur, që nuk kishte para për të bërë ceremoninë e fundit të gruas. Nuk e ndau mërzitjen… dhe unë e ndjeja, ndryshe nga herët e tjera. Ndërsa ai atë ditë nuk foli. Nuk tha asgjë më shumë.
Por kur u takuam në promovimin e librit tim studimor për krijimtarinë e Uran Butkës në sallën e Muzeumit Historik në Tiranë ma kujtoi vetë. Dhe aty në një moment përmallimi mes kolegësh më tha… Nuk është asnjë problem, jo. E gjitha është një produkt nga errësira e pamasë. Demoni i shkatërrimit është nisur të shkatërrojë ... Nga mëngjesi në mbrëmje ushqehet për të nakontrolluar... Por eksperienca dhe vuajtjet na kanë mundësuar të na ngushëllojnë... Ky Demon i gjithëanshëm, i gjithëgjendshëm i mandatuar nga errësira, synon të na kapë ne sipas planeve të tij ...Por mbetem i fortifikuar nga armatura e të Plotfuqishmit, luftoj betejën me Shkëlqimin Hyjnor... Nga pjesa më e thellë e shpirtit përpiqem të kontrollojë dhe mposht këtë demonëllok. Po ua lë Zotin. Dhe e lus Zotin të na ndihmojë të ndihemi vërtet të lirë nga zinxhirët e kësaj kohe. Mosbindja na shpie gjetkë, por ama nuk më gëlltisin as demonët, as vetë ato gjuhë me flakë blu... Fuqia e pavdekshme dhe e paimagjinueshme është në fakt që më mban...
Do të vijë koha dhe më duket se po afron kur do të them hapur: „Lejo që gjumi shpirtëror të vijë zgjuar dhe lejo forcën e Zotit të Plotfuqishëm, të Gjithëpranishëm, Qenies së Vetme Eterike të na shpëtojë prej kësaj sfere dinamike, gënjeshtare mashtruese, që ngado që ta lëvizësh po në të njëjtin pozicion e ndjen.“ Shpresat dhe lutjet vetëm tek Zoti. Dashuria është fuqia e tij përfundimtare, Alfa dhe Omega. Fillimi dhe Fundi. Ekzistenca duke e rikrijuar veten brenda vetes…, mbetet një botë mundësish të rastësishme. Por me urdhër të drejtpërdrejtë nga mikroorganizmi i atomit të tij mbetet diku në një cep meritor edhe qenia njerëzore. Ne zgjedhim të drejtën nga e gabuara, na është dhënë "Vullneti i Lirë" dhe në fund Zoti do të gjykojë të gjithë. Kjo na mbeti më pas në komunikimet me emaila dhe me telefonata, derisa sot në mëngjes lexova mesazhin që një kolegu im nga Tirana ma kishte përcjellur në inbox. Lotova! E loti m'u duk si një mal! Sot e shtrydh mes këtyre fjalive… në vend të një grushti dhe për Nebil Çikën!
コメント