Në pritje të një dite pune
Në këtë funddhjetori, rreth “Ushtarit të panjohur”, nën akuarelin e lakuriqtë të pemëve, është ulur këmbëkryq acari. Në llohën e imët që zbret nga Dajti pikturon portretin e një ekzistencializmi të pritshëm dimëror. Gjethet e verdhëme, me shpirtin ndër dhëmbë derdhin pusetave durimin e fundit vjeshtor. Hapat e plumbët të të papunëve dhe zëri i zvargët “ a keni punë zotni” godet si në humbëtirë kambanën e durimit, që sot e njëzet e pesë vite u kalit në zjarrin e tubimeve; ku gumzhitja e njerëzve dhe e miskonjave anofel u bënë një në portat e fshehura të qeverive. Nën harkun prej bryme të ushtarit çlirimtar, hera-herës shkrepandrisin rrezet e një ylberi, trallisen me ngjyrat e mendjes, molisur nga një pritje e zvetënueme, e marrin rrokopujën gjirizeve të metropolit me gjethet e verdhueme. Në pritje të ditë – punës, zemra vdes ngadalë, shuan shpresat si gjethet vjeshtake të një peme. Keqardhja për një ditë të humbur, në boshësi, si ujvarë e turbullt, rrjedhë nëpër travertin e gurtë të fytyrave.
Nga pusetat e hapura, avujt e kalbësirave shtëllungohen në dritën e mekur të syve, ulen këmbëkryq në zërin e fjetur të mendjes, nën peshënb e thirrmës: “ A keni punë zotni? “ A ke punë zotni?”…Një thirrmë e kahershme migjeniane, që s’na u nda shekujve, si kjo krakëllimë e korbit të zi. Mbi supet e luftëtarit gugat një pëllumb i bardhë dhe kraket një korb i zi. Shiu i zi përzjerë me llohën e cingërt dhe gëlasat e zhgjyera rrëshqet nëpër bronx në pafundësi shpirtërash. Në dritaren e kujtesës, zogjtë e shpresave bisedojnë me cicërima si në një pus-humbëtirë. Korbi i zi shikon pendët e bardha të pëllumbit, që zbardhëllejnë mes kësaj zhulësi ngjyrash, të cilat pastelohen si mendimet e të papunëve mbi një çati të vjetër hartosathyer, në baladat e vjetra të kujtimeve.
I kraket kërcënueshëm korbi pëllumbit: “Koha jote perëndoi…Ç’më rri akoma përkarshi?” Fraqi, që zbret vrullshëm nga murranat e “Daj Cenit” tutje mbi Qafë Priskë ia shkundtte broz mendimet e trishta korbit xheloz, duke e lëne të këndellet me një nostalgji të papeshë, në gjithë këtë tollovi. Qentë si pushtetarë të rrugëve kanë filluar të imitojnë korbat. Korbat braktisën kazanet e plehrave e po largohen me kuitje qensh të rrahur keqas. Ikin e ikin korbat dhe qentë.. futen mes mjegullave dhe shirave të cingërt, zbritur aq ulët mbi qytet, sa që akullojnë dhe shpirtrat e stërkalave të shatërvaneve. I papuni në mëdyshje nuk po din çfarë me bërë këtë funddhjetori, prag- viti të ri. Të rropatet rreth “Ushtarit të panjohur” me atë shikimin e damllosur të korbit të zi, apo të shkojë e të ushqejë me shpresën e hidhur fëmijët në shtëpi..? Të vendnumërojë këmbësoren në pafundësi gjer sa gjymtyrët e shpirtit të groposen bashkë me gjethet shpirtvdekura, në kërkim të së pamundurës në këto qeveri,korb të zi..? Duke shikuar pëllumbin dhe " Ushtarin e panjohur" në dritësy, ai arrin të kontrollojë shqisat e shpirtit, mundohet të kuptojë se e keqja nuk qëndron vetëm te ai korb i zi apo tek ato tufa qensh lukuni, por thellë - thellë në vehten e tij. Ajo e keqe rrin kulaç si një gjarpër i zi, që sa herë ka uri, na gërryen përbrenda me helm e dredhi. E ahere, mbi supet e luftëtarit, korbi i zi nga degët e lakuriqta të kujtesës, i krekoset,pëllumbit stoik, me bardhësi shpresash, mes shakullimeve, hipur në arkën e legjendës së Noes. Korbi i zi trandet, joshet nga urtësia e pëllumbit, mendon të ndrrojë rrolet se edhe Noeja për një qëllim i lëshoi, të zbulonte tokën shpëtimtare. Sheston i papuni ndër vete mendimet. E bardha është e bardhë e zeza mbetet gjithnjë e zezë. Korbi fluturoi një grimë herë në ujin e pafund dhe u kthye pendëlodhur në arkën galerë, ndërsa pëllumbi s'e ndali kërkimin gjer në tokën e shpresave, gjer në fundjetë. Ju shtetarë të paudhë, në shpirt dogmatë, me një paudhësi, që mund të lind një buzëqeshje, apo një të vërtetë, që mund të mëkëmbë një tragji- komedi në familjet tona, të zhytemi në varfëri; gjykojeni, gjykojeni zotërinj tani"... Edhe ai ndryshim, që ju nëpër nëntekste billbordesh predikoni, më thoni! A është e kundërta e asaj që ka thënë Gandi në Indi se: "
Ndryshimi fillon nga vetja" e juaj gjithnjë. Zogjtë e shpresave të plagosura i shkundin krahët këtë funddhjetor duke marrë hov nga Qafë Priska, me kujtesën e hidhur nga mbjelljet e mbrapshta të stinës. Cicërimat e tyre dhe cicërima e fëmijve me këngën " Ja na erdhi viti i ri" kryqëzohen e përplasen në muzgun e zemrës të fundvitit, si grahma e fundit e të shkuarës dhe si një frymërmarrje e parë për të ardhmen. Djepi i ninullave ndër piskama protestash e demostratash vazhdon si njëzet e pesë vjet më parë e në vazhdim me këngën e vjetër. Mbështetur në bishtin e lopatës, i papuni, me sytë ndër yjet e parë, një lutje për bukën përditshme thërret.
Mes gugatjeve dhe krakitjeve, ndër galopin e fraqit turfullimë, pendëthyer, pëllumbi dhe korbi marrin arratinë me tërsëllimë. Ikin ose u shndruan në dhimbje gurëzuar në këmbësoren pranë ndërtesave ku flenë qeveritë. E jeta vazhdon me dhimbje e dhimbje. Dhe të testohesh nga dhimbja për fëmijën tënd të uritur, çveshur, është më e rëndë se sa burgu.
Muça Vladimir Të falëm Mjeshter për përkushtimin tënd në krijimin e hapsirave për krijimet e mija në një .media e denjë e kultures shqiptare