top of page

Në prehrin e shqetësimeve të një intelektuali të shquar


Prof Dr Eshref Ymeri

Në prehrin e shqetësimeve të një intelektuali të shquar

I dashur Profesor Fatmiri,

Esenë tuaj me titull “Lideri opozitar me dimensione te reja?” e lexova me shumë kërshëri. E kuptoj shumë mirë shqetësimin tuaj, i cili buron nga honet e shpirtit të një intelektuali të shquar. Juve ju bren përbrenda perspektiva e zhvillimit të vendit tonë, i cili tani ndodhet në një udhëkryq, paçka se kanë kaluar gati tridhjetë vjet që nga koha e vendosjes së sistemit pluralist. Si një intelektual me një botëkuptim të rrënjosur përparimtar, në kosolidimin e të cilit pa diskutim që ka ushtruar ndikimin e vet edhe kultura britanike e ndërtimit të demokracisë, ju, si një përfaqësues i shquar i Diasporës shqiptare në Perëndim, nuk e ndieni veten të qetë për shkak të gjendjes ku është katandisur vendi ynë. Ju, si edhe mjaft intelektualë me ndërgjegje të admirueshme kombëtare, po vëreni se horizontet e botës shqiptare i kanë pllakosur re të dendura erratake, të cilat s’po e lënë diellin jetëdhënës të çajë drejt hapësirave të saj. Prandaj ju shtroni pyetjet e mëposhtme:

Çfarë ftese duhet të fillojmë të mendojmë për vendin tonë përmes horizonteve të reja? Dhe pse këto reflektime mund të kombinojnë dyshimin dhe shpresën?... Cilët janë faktorët dhe kontekstet e shumta që ndikojnë në zhvillimin tonë?”.

Gjithçka që trajtoni ju në esenë tuaj me merakun e një intelektuali shembullor për perspektivën e atdheut tonë, të bën të shtrosh pyetjen:

Si shpjegohet që vendi ynë, me një pozicion gjeografik kaq të mirë, me pasuri të bollshme mbitokësore dhe nëntokësore, të jetë vendi më i varfër i kontinentit?

Përgjigjja e kësaj pyetjeje është brenda vetes sonë. Kjo gjendje e ka burimin në përçarjentonë ndërshqiptare, e cila ka traditë të lashtë pellazgoiliriane. Paraardhësit tanë të lashtë kishin një shtrirje që nga Adriatiku deri në Detin e Zi, që nga Egjeu deri në Danub, një shtrirje kjo e përmasave të një perandorie. Por ata, për shkak të përçarjes që i karakterizonte, nuk qenë të aftë të ngrinin një perandori. Por, çuditërisht, nga radhët e tyre kanë dalë perandorë në shërbim të të huajve. Se dihet historikisht që 20 perandorë romakë, duke filluar nga Deciusi (249-251) deri te Justiniani I(527-565)e kanë pasur prejardhjen nga Iliria. Po ne nuk duhet të mburremi, përkundrazi, duhet të na vijëe zor nga bota që këta perandorë kanë qeverisur një perandori të huaj dhe s’kanë qenë të zotë të ngrinin perandorinë e vet.

Tjetër burim i varfërisë sonë është mercenarizmi.Ilirët, siç e dini edhe ju, në bazë të Ediktit të Milanos të perandorit Konstandin të vitit 313, pranuan të parët krishterimin perëndimor. Por shqiptarët, si pasardhës të ilirëve, pas dyndjes së perandorisë otomane drejt Gadishullit Ilirik, në shumicën e tyre, braktisën krishterimin dhe përqafuan Islamin. Pse e bënmë një gjë të tillë? Sepse donin të mos paguanin taksa dhe të zinin poste në strukturat shtetërore të perandorisë. Ju e dini fare mirë se kanë qenë 36 kryeministra shqiptarë në atë perandori, por asnjëri prej tyre s’e ktheu kokën prapa dhe të kujtohej për Shqipërinë, ku gjuha shqipe qe ndaluar për më shumë se katër shekuj. Ju i keni lexuar të dy vëllimet me kujtime të Eqrem bej Vlorës dhe e mbani mend shumë mirë se çfarë shkruan ai. E kishte bredhur cep më cep perandorinë dhe kudo në krye të institucioneve kishte gjetur shqiptarë, madje edhe punonjësit e shërbimit të rojës në ato institucione ishin shqiptarë. Në portalet e internetit keni lexuar për jetën e gazetares së shquar shqiptaroamerikane të CNN-it, Nexhmije Zaimi (1914-2001), e cila ishte nga Libohova. Gjatë udhëtimeve nëpër botë, kjo gazetare e shquar takohej me kryetarë shtetesh të ndryshme. Në një takim me mbretin Husein të Jordanisë, mbeti e befasuar: truproja e mbretit Husein prej 60 vetash përbëhej krejtësisht nga mercenarë shqiptarë. 

Nënkuptohet që mercenarizmi shoqërohet me servilizmin para të huajve. Dhe kryeservilët e të huajve janë politikanët shqiptarë. Ata mendojnë se me servilizmin ndaj të huajve, do të fitojnë përkrahjen e tyre për të qëndruar sa më gjatë në pushtet. Për shkak të etjes për pushtet, nuk janë në gjendje ta kuptojnë se me servilizmine tyre ata fitojnë përbuzjen e heshtur të të huajve. Por dukuritë emercenarizmit dhe të servilizmit të politikanëve shqiptarë ndaj të huajve, domosdo që do të sjellin si pasojë mungesën e respekti ndaj popullit. Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, në vend që të lëshonte kushtrimin për ngritjen e popullit më këmbë dhe për krijimin e forcavë të armatosura, u ngrit e shkoi në Londër që t’i lypte Eduard Greit të mos na copëtoheshin trojet etnike. Prandaj Eduard Grei tallej me të dhë bënte humor me Isa Boletinin lidhur me fshatin e lindjes së këtij të fundit. Ky qëndrim i Ismail Qemalit reflektonte mungesën e besimit të tij në forcat krijuese dhe energjitë e pashtershme të popullit shqiptar. Enver Hoxha, duke mos pasur besim te populli shqiptar, në mbledhjen e Byrosë Politike të 15 dhjetorit të vitit 1947, bënte thirrje për bashkim me Jugosllavinë se kishte frikë se mos vendin tonë do ta gëlltiste imperializmi.

Shqiptarët, në të njëjtën kohë, i ka marrë në qafë individualizmi, i shoqëruar me smirën e tmerrshme për njerëzit e talentuar.

Si një intelektual mendjehollë, i shqetësuar për fatet e vendit, ju shkruani:

Rrallëherë mendojmë për të ardhmen në një afat më të gjatë prej disa vitesh. Kam ndjenjën se elita e sotme politike e ka humbur këtë perspektivë strategjike”.

Keni shumë të drejtë. Prandaj kërkohet një ndryshim rrënjësor, kërkohet një përmbysje e kësaj mendësie sa bajraktariste, aq edhe gjëmëndjellëse në qeverisjen e vendit. Po a është i mundur një ndryshim rrënjësor, a është e mundur një përmbysje e tillë, që të hapë një perspektivë shpresëdhënëse për mbarë popullin tonë dhe sidomos për brezin e ri? Vallë a do të jetë e mundur që kryetari i opozitës Lulzim Basha të shndërrohet në një Yll Karvani për mbarë popullin shqiptar? Një i tillë Yll Karvani, me një mori “yjesh” shoqërues rreth tij, sot është më se i domosdoshëm në “qiellin” shqiptar. A do të jetë në gjendje Lulëzim Basha të japë shembullin personal të një kryeministri që bën një jetë normale në një apartament të zakonshëm, si kancelarja gjermane Angela Merkel. Disa vjet më parë, revista amerikane “Forbes” e vlerësonte kancelaren gjermane si zonjën më me ndikim në rruzullin tokësor. Revista i njihte lexuesit edhe me disa fakte interesante: Angela Merkel jeton në katin e katërt të një pallati shumëkatësh, me adresën: 10117 Berlin, Am Kupfergraben, 6. Në revistë theksohej se gjatë 12 vjetëve kancelarja Merkel nuk kishte pasur absolutisht rritje page.

A do të heqë dorë Lulëzim Basha nga listat e mbyllura për zgjedhjen e deputëtëve, lista që i nxorën bojën keq Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2017? Për shkak të atyre listave të mbyllura, pas largimit përfundimtar të opozitës nga Kuvendi, në ndenjëset e tij u ulën njerëz të botës së askushit, midis të cilëve ka nga ata që i thonë këmbës dorë.

A do të jetë në gjendje Lulëzim Basha ta rritë autoritetin e popullit në sytë e klasës politike, duke iu drejtuar atij shpeshherë për marrje vendimesh të rëndësishme nëpërmjet zhvillit të referendumeve, jo vetëm të nivelit kombëtar, por edhe të nivelit vendor, siç veprohet në një vend të vogël, si Zvicra?

A do të mendojë dhe të punojë Lulqzim Basha për çrrënjosjen e psikologjisë komuniste nga truri i politikanëve shqiptarë, të cilët, kur hipin në majat e pushtetit, mendojnë se kanë kapur qiellin me dorë, duke dashur të mbeten përjetësisht në krye të politikës?

Vallë a do të jetë në gjendje Lulzim Basha ta ngrejë veten deri në atë shkallë emancipimi politik, saqë nesër, si Kryeministër i vendit, t’i bëjë thirrje popullit që, për paudhësitë e politikanëve të ndryshëm, ai të çohet peshë më këmbë dhe të kërkojë largimin e politikanëve përkatës nga skena politike?

Gjatë qeverisjes së vendit, Edi Rama ka lejuar që popullit të thjeshtë t’i rripen shtatë lëkurë me taksa të larta, më të lartat në vendet e rajonit, pa ngritur pagat dhe pensionet. A do të jetë në gjendje Lulzim Basha t’i ulë taksat dhe të ngrejë pagat dhe pensionet, për t’iu afruar shkallë-shkallë vendeve fqinje?

Lulzim Basha ka pasë deklaruar shpeshherë se paratë e grabitura do t’u merren oligarkëve dhe do t’i jepen popullit. Lind pyetja: a duhet marrë seriozisht një deklaratë e tillë?

A ka garanci Lulzim Basha se nesër, kur mund të jetë Kryeministër i vendit, nuk do të bjerë nën ndikimin e oligargëve, të cilët mund t’i diktojnë vullnetin e tyre?

A mendon Lulzim Basha për heqjen e taksës në Rrugën e Kombit, Simbolin e Ribashkimit, e cila krijoi mërinë e parë me Kosovën? Mos vallë qenka e pamundur që mirëmbajtja e Rrugës së Kombit të përballohet nga shteti, duke vjelë nga pak para nga bizneset e pasura?

A mendon Lulëzim Basha se ka ardhur koha që klasa politike shqiptare duhet të heqë dorë nga servilizmindaj të huajve? A mendon ai se ambasadorët e huaj duhet ta ushtrojnë aktivitetin e tyre brenda mureve të ambasadave dhe s’kanë punë të futin hundët në çështjet e politikës shqiptare dhe, përgjithësisht, të popullit shqiptar? Praktika e deritanishme ka treguar se ambasadorët e huaj janë kthyer në guvernatorë të neveritshëm të Brukselit në Shqipëri dhe me qëndrimet e tyre kanë fyer rëndë popullin shqiptar. Shëmbulli më flagrant ishte qëndrimi i amasadorit të OSBE-së Boshar (Borchardt), i cili i ofendoi rëndë banorët e Astirit, duke ju nxjerrë gishtin e mesit. Ai ambasador e prezantoi veten në një mënyrë të pahijshme, por kryeministri Rama nuk reagoi absolutisht. Madje ai duhej të kishte qenë i pari për t’i treguar vendin atij ambasadori me sjellje të turpshme, duke e dëbuar një sahat e më parë nga Tirana. Pas fyerjes publike që ai ambasdador u bëri banorëve të Astirit, Brukseli u ngrit në mbrojtje të tij, çka dëshmon për qëndrimin e tij përbuzës ndaj vendit tonë, pikërisht për shkak të servilizmit të politikanëve të Tiranës. Shikoni edhe qëndrimin e ambasadorit të Bashkimit Evropian Soreka. Ai sillet sikur është anëtar i asamblesë së partisë socialiste.

Por ka qëlluar që qëndrime kundër protestuesve në vendin tonë kanë mbajtur edhe europarlamentarë.

Kur shpërtheu protesta e banorëve kuksianë kundër taksës së Rrugës së Kombit,europarlamentari socialist, Knut Fleckenstein, u pozicionua publikisht kundër tyre, duke marrë anën e qeverisë Rama dhe duke deklaruar se po të bllokonte rrugën në vendin e tij, atë do ta vrisnin. Deklarata e tij ishte një mashtrim i pastër se në vendin e tij ka pasur raste që janë bllokuar jo vetëm rrugë, por edhe linja hekurudhore dhe nuk qe vrarë njeri.

Nuk e di se sa do të jetë në gjendje Lulëzim Basha t’i “disiplinojë” ambasadorët e huaj dhe të sillet me dinjitet kombëtar para europarlamentarëve të ndryshëm, të cilët sillen në Shqipëri si zot shtëpie. Kjo sjellje e ambasadorëve dhe e politikanëve të huaj në vendin tonë, në përkrahje të hapur të Partisë Socialiste, a nuk të bën të dyshosh se atyre u ngrohet mirë xhepi gjatë qëndrimit në Tiranë?

Megjithatë, une mendoj se Lulzim Basha, edhe sikur të jetë në gjendje t’u përgjigjet pozitivisht pyetjeve të shtruara më lart, ai do ta ketë shumë të vështirë t’i realizojë në praktikë ato objektiva. Kjo për arsye se ai ka përballë një kundërshtarë politik me brumosje të pastër komuniste, Partinë Socialiste, e cila është Partia e Punës në kushtet e pluralizmit. Partia e Punës s’ishte gjë tjetër, veçse një tufë militantësh prej disa dhjetra mijë vetash që nuk pipëtinin para Njëshit të partisë, sepse ai i trajtonte si argatët e vet kokulur. Shikoni sot të ashtuquajturën Parti Socialiste se ku është katandisur: ashtu si mëma e saj Partia e Punës: rri gatitu para Ramës, që, si i vetmi njeri me imunitet në atë parti, të kujton diktatorin Enver Hoxha, i cili, në hështje, udhëhiqej nga parimi stalinist: shtype këtë popull dhe jepi të hajë sa të mos vdesë nga uria, se kështu do ta kesh shërbëtor të bindur dhe pushtetin e ke të siguruar përjetësisht. Prandaj Enver Hoxha, si njeri frikacak që ishte dhe me komplekse inferioriteti, bashkë me bandën e tij të Byrosë Politike, qe mbyllur brenda Bllokut famëkeq, nën mbrojtjen e bajonetave të Gardës Kombëtare, dhe as që donte t’ia dinte se si jetonte populli i gjorë përtej caqeve të atij Blloku. Ashtu si edhe Enver Hoxha, edhe kryeministri Rama as që do t’ia dijë absolutisht se si jeton populli shqiptar, të cilin, në shumicën e tij, e ka pllakosur varfëria ekonomike. Për më tepër, ai i ka të shumtë përkrahësit e vet majtistë, të cilët, mes dy alternativave: dëshironi Ramën me varfërinë në vatrat tuaja, apo mirëqenien pa Ramën kryeministër, parapëlqejnë varfërinë me Ramën në krye të qeverisë. Kujtoni për një çast atë gruan nga Vlora (si qendër e majtizmit), e cila pati deklaruar dikur në njërin prej kanaleve televizive: edhe bukë të mos kem, unë për Partinë Socialiste do të votoj. Njëlloj si në kohën e diktatorit: edhe bar do të hamë, por parimet nuk i shkelim. Sigurisht, bar do të hante populli përtej caqeve të Bllokut, ndërkohë që diktatori me bandën brenda tij jetonte për shtatë palë qejfe.

Pikërisht për shkak të kësaj varfërie, gati një gjysmë milioni njerëz kanë braktisur vendin, për çka kryeministrit Rama nuk i bëhet vonë fare. A kemi të drejtë të dyshojmë se Enver Hoxha, me politikën e tij antikombëtare që çoi drejt katastrofës ekonomike të viteve ’80, ishte caktuar në krye të Shqipërisë nga iluminatët? Po pse të mos na lindë i njëjti dyshim se edhe Ramën e kemi peshqesh nga iluminatët po me të njëjtin objektiv: varfërimin e pandalshëm, shpopullimin dhe shpërbërjen përfundimtare të vendit tonë?

Ju, profesor i nderuar, keni shumë të drejtë kur thoni se “...elita e sotme politike e ka humbur këtë perspektivë strategjike”. Por e keqja është se nuk ka shenja që në horizontin e botës shqiptare të fillojë të vezullojë ndonjë rreze drite. Inteligjencia, që duhet të jetë shpresa e vendit, sidomos inteligjencia universitare, është e paqenë

Unë do të kisha shumë dëshirë që Lulzim Basha të bëhej “Ylli i Karvanit” të shpresave të popullit shqiptar. Por e kam të vështirë ta besoj. Biseda e fshehtë disaorëshe me kryeministrin Rama, natën duke u gdhirë 18 maji i vitit 2017, ka lënë një hije të theksuar dyshimi në formatin politik të Lulzim Bashës. Me atë takim të fshehtë, duke braktisur njerëzit besnikë që nuk iu ndanë për tre muaj rresht në Çadrën e bulevardit kryesor, ai kreu një akt të rëndë pabesie ndaj tyre, çka u reflektua dukshëm në zgjedhjet e 25 qershorit të atij viti, në të cilat Partia Demokratike pësoi një disfatë katastrofike.

Do të kisha shumë dëshirë që Lulzim Basha dhe formacioni i tij politik, me ardhjen në pushtet, të fillonin menjëherë kryerjen e vetingut për politikanët, kërkesën për të cilin Rama ia hodhi poshtë në dhjetor të vitit 2018. Por e kam të vështirë ta besoj se ai mund ta ndërmarrë një hap të tillë. Sepse kush na siguron se edhe Lulzim Bashës iluminatët nuk do t’i ngarkojnë detyrën për pajtim me Ramën dhe vetingut të politikanëve t’i vihet kapaku një herë e mirë?

Me respekt dhe mirënjohje.

Santa Barbara, Kaliforni

20 janar 2020

48 views2 comments

留言

無法載入留言
似乎有技術問題。請重新連線或重新整理頁面。

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page